Homoseksualiteti. Kur Lord Bajroni (1788-1824), i cili ishte biseksual, dhe shoku i tij i Kembrixhit e bashkudhëtari i tij John Cam Hobhouse (1786-1869) vizituan oborrin e Ali Pashë Tepelenës (1759-1822), Hob- house-i shkroi se luftëtarët shqiptarë jetonin “të pavarur nga seksi tjetër, të cilin nuk e zinin goje kurrë dhe as nuk e ndjenin mungesën e tij në shqetësimet dhe argëtimet e tyre të zakonshme. E njëjta prirje jep një sistem, i cili është shpënë prej tyre deri aty sa të mos ketë ndoshta asnjë vend, modern a i lashtë qoftë, po të përjashtojmë tebanët, që të jetë një shembull i ngjashëm.” Ajo çka vëren Hobhouse-i ripohohet nga një numër autorësh dhe udhëtarësh të tjerë të huaj, që kryenin udhëtime në Shqipërinë jugore e në Epir në gjysmën e parë të shekullit XIX: Jakov Bartholdy (1779-1825), François Pouqueville (1770-1839), Thomas Hughes (1786-1847), William Leake (1777-1860) dhe Cyprien Robert (1.1807). William Plomer-i (1903-1973), biografi i Ali Pashës, për shqiptarët e kohës vëren këto:
Gjysem barinj e gjysëm luftëtarë, besnikë ndaj maleve të vendit të tyre dhe duke trashëguar tiparet luftarake të së kaluarës së largët… ata e quanin veten me kënaqësi palikarë, ose trima… Ishin shumë të dhënë pas praktikave homoseksuale dhe nuk qenë aspak të ndrydhur për to. Paralele me këtë mund të gjenden pa vështirësi në raca të tjera kohësh të tjera, që kanë bërë jetë ushtarake me një mënyrë të përcaktuar e të organizuar, që i kanë mbajtur gratë të nënshtruara ose të paktën në hije, e që kanë patur si model të fytyrës së përkryer fytyrën e djaloshit luftëtar. Të shkon mendja te grekët e lashtë, te gjermanët, te zulutë në kulmin e pushtetit të tyre, te japonezët ashtu sikundër i ka përshkruar Saikaku. Nuk është aspak fjala për zvetënim, se Skipetarët janë racë e shquar për shëndet e për përsosmëri fizike e që bëjnë një jetë të mundimshme e en- ergjike në një vend me reliev të thyer e me klimë bajagi të ashpër. As nuk mund të thuhet për ta se u mungon ndjesia e moralshmërisë dhe e turpit, sido që mund të thotë krishterimi, sepse ata kanë qenë të shquar jo vetëm për guxim e trimëri, për dashuri ndaj lirisë dhe për përkushtim e besnikëri ndaj maleve e fshatrave të vendlindjes, por edhe për besnikëri e mirënjohje ndaj miqve e mirëbërësve, si dhe për gjallëri të përgjithshme të ndjenjës… Ishte zakon që djelmoshat e lidhur ngushtë me njëri-tjetrin t’i betoheshin njëri-tjetrit për jetë, dhe që kjo nuk ishte një gjë që kishte të bënte thjesht me ndjenjat e me sensualitetin, ose me të dyja, dëshmohet nga fakti se marrëveshja mes tyre konsiderohej e shenjtë dhe dilte më e qëndrueshme sa ç’është shpesh martesa tek ne… sepse thuhet se nuk ka patur asnjë rast kur ajo të jetë shkelur.
Burime të shekullit XIX për homoseksualitetin në Shqipërinë veriore janë të rralla, me përjashtim të një përshkrimi informativ të Hahn-it për pederastinë (shih) ndër gegët.
Në përgjithësi, marrëdhëniet homoseksuale thuhet të janë më hapur në Shqipërinë jugore se në atë veriore. Sidoqoftë, ato janë më të dukshme në vendbanime tradicionalisht myslimane si Elbasani, Kavaja, Gjakova dhe Gostivari. Në malet e veriut ato duket se ekzistojnë vetëm brenda një rrethi të padukshëm, të një ‘subkulture’ të fshehtë, të nxitura ndër të tjera pa dyshim nga niveli i lartë i veçimit ndërmjet sekseve.
Homoseksualiteti edhe sot mbetet një temë thellësisht tabu në Shqipëri, sidomos pas një gjysëm shekulli regjimi jashtëzakonisht puri- tan stalinist me Enver Hoxhën (1908-1985) në krye, për të cilin thuhet, për ironi, se ka patur vetë marrëdhënie homoseksuale në vitet e rinisë. Kodi penal i Shqipërisë komuniste parashikonte dënim me dhjetë vjet burg për homoseksualët. Ende nuk dihet sa njerëz të pafajshëm, burra, ndoshta edhe gra, janë përndjekur e kriminalizuar gjatë periudhës së diktaturës për këtë prirje.
Më 29 mars 1994, tre vjet pas hapjes së Shqipërisë, një shoqatë e vogël u krijua në Tiranë për të mbrojtur interesat e gayve dhe lezbikeve në këtë shoqëri jashtëzakonisht homofobe dhe për të parandaluar përhapjen kërcënuese të AIDS-it. Kjo shoqatë zhvilloi me sukses një fushatë kundër ligjit anti-gay në fuqi, i cili u shfuqizua më 20 janar 1995. Qëndrimet shoqërore po pësojnë ndryshime në qytete, ndonëse homofobia mbetet mjaft e përhapur në fshat, sidomos në malësitë e veriut.
kr. J. Bartholdy 1805, f. 66, 374 sq., 382 sq; F. Pouqueville 1805a, 1805b, 1806; J. Hobhouse 1813, f. 130; T. Hughes 1820, 2, f. 48 sq.; W. Leake 1835, 3, f. 355 sq., vol. 4, f. 297 sq.; J. G. von Hahn 1854; C. Robert 1842, f. 87; P. Näcke 1907, 1965; W. Plomer 1936, ff. 21-29; L. Crompton 1985; R. Grémaux 1989, 1994; R. Brandl 1994, ff. 233-235; M. Dickemann 1997a, 1997b; S. Murray 1997; S. Murray & W. Roscoe 1997; N. Mai 2003.
Marrë nga: Robert Elsie
Leksiku i Kulturës Popullore Shqiptare
BESIME, MITOLOGJI, FE, DOKE, RITE, FESTA DHE VEÇORI KULTURORE
@tetovanews
@tn.lajmelokale