Pas përfundimit të angazhimeve në arenën ndërkombëtare, lojtarët e Kombëtares shqiptare ndodhen përballë një vere të nxehtë transferimesh, pasigurish dhe vendimesh kyçe për të ardhmen e tyre. Nga porta e deri te sulmi, shumë prej tyre janë në një pikë kthese në karrierë, ndërsa pak janë ata që do të nisin sezonin e ri në qetësi.
PORTA– Elhan Kastrati, një nga portierët e Kombëtares shqiptare, e sheh veten në një situatë të paqartë pas rënies së Çitadelës në Serinë C. Megjithëse mbetet nën kontratë, largimi nga kategoria e dytë italiane pritet të ndikojë në qëndrimin e tij në klub. E ardhmja e tij do të varet nga ofertat që mund të paraqiten gjatë merkatos dhe gatishmëria e klubit për të negociuar një transferim.
MBROJTJA- Lëvizje të mundshme dhe prapavijë në ndërtim. Situata në repartin e mbrojtjes është mjaft e larmishme. Ardian Ismajli është aktualisht lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Empolit për pak ditë dhe nuk dihet ende se ku do ta vijojë karrierën. Interesimi për të nuk mungon, por vendimi përfundimtar pritet në javët në vijim. Berat Gjimshiti, një nga liderët e Kombëtares, ka marrë një ofertë të majme nga Katari, por deri më tani ka refuzuar çdo tundim financiar që e largon nga futbolli elitar europian. Shanset janë që ai të mbetet tek Atalanta, por një ndryshim nuk përjashtohet plotësisht. Elseid Hysaj, Ivan Balliu dhe Mario Mitaj nuk pritet të lëvizin këtë verë, duke ruajtur stabilitetin në klubet e tyre respektive, një faktor ky pozitiv për strukturën mbrojtëse të Kombëtares.
Situatë e paqartë është edhe për Arlind Ajetin, i cili, pas rënies së Bodrumsporit nga kategoria elitare turke, mund të shohë mundësinë për një transferim të ri, pavarësisht se është ende nën kontratë. Ndërkohë, Marash Kumbulla është rikthyer te Roma pas huazimit në La Liga me Espanjolin. E ardhmja e tij është në duart e trajnerit Gasperini, i cili do të vendosë nëse mbrojtësi shqiptar do të jetë pjesë e planeve të verdhekuqve apo do të kërkojë minuta diku tjetër.
MESFUSHA- Kristjan Asllani është mes emrave më të përfolur për një largim të mundshëm nga Interi. Megjithëse ka treguar cilësi, hapësirat e pakta te kampionët e Italisë mund ta shtyjnë drejt një aventure të re, ku mund të ketë më shumë minuta në këmbë. Qazim Laçi dhe Medon Berisha duket se do të vazhdojnë në klubet aktuale, ndërsa Ramadani thuhet se ka një ofertë nga Emiratet. Një tjetër zhvillim interesant është ai i Adrion Pajazitit, i cili, pas përfundimit të kontratës me Fulhemin, është bërë lojtar i lirë dhe sipas të gjitha gjasave do të transferohet te Hajduk Split në Kroaci. Një hap që mund t’i japë atij më shumë hapësira në Kombëtare. Edhe hyrja e re, Juljan Shehu, për pak ditë del lojtar i lirë dhe nuk dihet nëse do të rinovojë në Poloni.
SULMI- Verë lëvizjesh dhe destinacione të reja për emrat kryesorë. Sulmi është ndoshta reparti më dinamik këtë verë. Jasir Asani është në muajt e fundit të kontratës me klubin koreanojugor të Guanzhu dhe po shqyrton disa oferta nga kampionate më konkurruese. Ai pritet të largohet për të bërë hapin e radhës në karrierën e tij. Nedim Bajrami, që aktivizohet në Skoci, nuk ka shumë mundësi për të ndryshuar ambient, ndërsa Arbër Hoxha është përfolur se mund të largohet nga Dinamo e Zagrebit. Ernest Muçi gjithashtu është në një pozitë të paqartë te Beshiktashi, ku nuk e ka të sigurt vendin në formacion. Klubi turk është duke shqyrtuar mundësinë e shitjes së tij.
Në plan të parë janë edhe tre emra të rëndësishëm për sulmin: Armando Broja, Rei Manaj dhe Mirlind Daku. Broja, pas një sezoni të vështirë, është kërkuar nga disa skuadra europiane dhe pritet që klubi londinez të vendosë për të në javët e ardhshme. Pretendimet padyshim që janë ulur tashmë. Rei Manaj, pas rënies së Sivasporit nga kategoria, është gati për një kapitull të ri, ndoshta në një kampionat më të fortë. Ndërsa Daku, pas një sezoni të shkëlqyer me Rubin Kazanin dhe mosmarrëveshjes me Zenitin për kushtet e transferimit, mbetet për momentin në Rusi, me një vit kontratë të mbetur.
@tetovanews
@tn.lajmelokale