Një 48-vjeçar u mor me forcë në një makinë dhe u dhunua fizikisht nga katër persona në Durrës. Ngjarja u denoncua nga vetë personi që ra viktimë e kësaj ngjarjeje, shkaqet e së cilës për momentin nuk dihen.
Megjithatë, menjëherë pas denoncimit, policia nuk e pati të vështirë të identifikonte autorët e dyshuar dhe është vënë në kërkim të tyre.Deri më tani autoritetet kanë mundur të gjejnë automjetin e përdorur prej tyre, por ende nuk është bërë e mundur kapja e personave në fjalë. Sa i përket 48-vjeçarit, policia thotë se ai ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.“Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit D. S., 48 vjeç, se 4 shtetas e kishin marrë me forcë, në automjet, dhe e kishin dhunuar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar punën për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale autorët. Si rezultat i veprimeve hetimore janë identifikuar shtetasit e përfshirë në këtë rast, konkretisht A. K., 27 vjeç; K. K., 31 vjeç; J. K., 35 vjeç; dhe S. P., 27 vjeç, të gjithë banues në Durrës. Punohet intensivisht për kapjen e tyre, si dhe për dokumentimin e rrethanave të këtij rasti. Ndërkaq, 48-vjeçari është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin për media nga Policia e Durrësit.
@tetovanews
@tn.lajmelokale