Autoritetet japoneze kanë urdhëruar evakuimin e banorëve të ishullit Akuseki në Japoninë jugperëndimore, pas një tërmeti me magnitudë 5.5 Rihter që goditi rajonin të dielën.
Ky është vetëm një nga mbi 1,000 dridhje sizmike të regjistruara në arkipelagun Tokara gjatë dy javëve të fundit.
Sipas autoriteteve, 89 banorët e ishullit Akuseki janë udhëzuar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të grumbullohen në oborrin e shkollës së ishullit, në kuadër të masave të sigurisë.
Aktiviteti sizmik në rritje
Që nga 21 qershori, janë regjistruar 1,031 dridhje sizmike me intensitet të lartë në zonën përreth ishujve Tokara, pjesë e prefekturës Kagoshima, rreth 1,200 kilometra në jug të Tokios. Shtatë nga dymbëdhjetë ishujt e arkipelagut janë të banuar, me një popullsi totale prej rreth 700 banorësh.
Ekspertët nga Agjencia Meteorologjike e Japonisë kanë paralajmëruar se ka gjasa për tërmete të tjera me magnitudë të ngjashme në ditët në vijim. Ata theksojnë gjithashtu rrezikun e rrëshqitjeve të dheut dhe shembjes së banesave në zonat ku lëkundjet kanë qenë më të forta.
Japonia në qendër të aktivitetit sizmik global
Japonia ndodhet në një nga rajonet më aktive në botë për sa i përket tërmeteve, në pikën e takimit të katër pllakave tektonike dhe në zemër të të ashtuquajturës “Unaza e Zjarrit” të Paqësorit.
Vendi përjeton mesatarisht rreth 1,500 tërmete në vit, që përbëjnë afërsisht 18% të tërmeteve globale.
Një situatë e ngjashme u shënua edhe në shtator 2023, kur në të njëjtën zonë u regjistruan 346 tërmete brenda pak ditësh.
@tetovanews
@tn.lajmelokale