Ballina Blog Faqe 465

“Sikur ta njihnin njëri-tjetrin”, Matthew Palmer: Marrëveshja Kosovë-Serbi do duhet të pranohet nga publiku në të dyja anët

Matthew Palmer, i dërguari i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha për televizionin N1 në Sarajevë se SHBA-ja do ta shohë njohje të ndërsjellë dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Sikur ta njihnin njëra-tjetrën, ato do të mund t’i zgjidhnin çështjet e diskutueshme si fqinj”, tha Palmer.

Matthew Palmer tha se Prishtina dhe Beogradi “duhet të arrijnë marrëveshje dhe të përcaktojnë të ardhmen e tyre europiane.

Palmer tha se marrëveshja do të duhej të ishte “e zbatueshme, e drejtë dhe e qëndrueshme”.

Profil / Cila është vajza shqiptare e Vitorio Sgarbit që u shfaq në krah të Ramës

Të mërkurën në mbrëmje në emisionin e Rai Uno, “Porta a porta” të organizuar me Edi Ramën për të sensibilizuar ndihmat për tërmetin e 26 nëntorit, bashkë me kritikun kontrovers të artit Vitorio Sgarbi u shfaq dhe një vajzë timide. Ajo u prezantua aty si Alba, bija shqiptare e personazhit të famshëm Italian e cila tani studionte në universitetin Boconi dhe që ndoshta pas studimeve mendonte të rikthehej sërish në Shqipëri.

Por pas kësaj klisheje idilike të babait italian që bëhet bashkë me të bijën shqiptare për të mbledhur ndihma për tërmetin fshihet një histori jo edhe qa rozë.
Sepse Alba ka qenë për shumë kohë një fëmijë që i ati i saj nuk pranonte ta njihte, ndonëse Vitorio Sgarrbi kishte pasur një aventurë sentimentale me nënën e saj, Kozetën, një këngëtare lirike shqipëtare. Kozeta ishte e martuar me një tjetër Italian dhe për shumë kohë vajza mbante mbiemrin e tij. Vetëm pasi ai vdiq Kozeta hapi një gjyq për ti dhënë Albës, atësinë e babait të saj të vërtetë: Vitorio Sgarbi. Natyrisht kritiku kontrovers i artit, i njohur në Itali për shumë peripeci të tilla, rrefuzoi fillimisht ta njihte atësinë dhe çështja shkoi në gjykatë.

Për avokatin e Sgarbit, Giampaolo Cicconi, ky rast ishte i ndryshë nga të tjerët sepse “vajza e kishte një baba”. Vetë Sgarbi tallej me këtë histori. Për të përditshmen Il Messaggero ai thoshte disa vite më parë : “Fëmijë kështu kam nja 40: 4 në San Severino, 8 në Salemi ku jam kryetar i komunës, por të gjithë të panjohur”. Ndërsa për vajzën athere13-vjeçare përcaktonte: “E njoh shumë mirë, në pamje të parë mund të duket ime bijë. Është simpatike. E ëma më telefonon herë pas here, ma sjell edhe ta shoh. Kur e takoj vajzën i them se mund të bëhet murgeshë e shkëlqyer, kështu trembet e nuk vjen të më takojë për një vit”.

Por në fund e ëma, Kozeta fitoi procesin, Vitorio Sgarbi filloi ti paguajë vajzës së tij 2200 euro pension dhe i dha mbiemrin e tij. Ata madje në vitin 2016 pozuan sëbashku edhe për revistën e përjavshme italiane “Chi”. Sgarbi ka treguar se ndihet i lumtur për tre fëmijët e tij (përveç Albës, kritiku i artit ka njohur ligjërisht edhe Carlo-n 28 vjeç dhe Evelinën, 16 vjeçe), duke manifestuar edhe krenari që ka një vajzë shqiptare.


“Kam goditur në shenjë. Fëmijët janë bërë shumë të mirë. Faleminderit nënave të tyre që janë treguar të zonjat. Alba, vajza ime e fundit nuk mund të ishte më e mirë. Është e mbarë, elegante, serioze dhe do të martohet vetëm në kishë, mundësisht shpejt. Dhe pastaj është shqiptare, populli që preferoj. i kam mbrojtur ngaherë shqiptarët nga shtypi i keq, gjithashtu edhe për këtë arsye kam një vajzë shqiptare”.

Sgarbi thotë gjithmonë se nuk ka qenë kurrë i interesuar që të bëjë rolin e një babai, por, edhe në këtë rast, ka deklaruar se ka marrë përsipër përgjegjësitë e tij. “Edhe pse Alba ka jetuar në Shqipëri e kam ndjekur gjithmonë, edhe pse në distancë ajo ka ecur mjaft mirë, them se ishte një fat i mirë. Mund të mos ishte kështu. Nuk kam qenë asnjëherë një edukator, nuk kam dashur kurrë as familje as fëmijë.

Kam një koncept nihilist për jetën, por fati mund të vendos në vendin tënd dhe kështu mund të ndodhë të bëhesh baba. Në këtë pikë, edhe pse doja të merrja përgjegjësitë e atësisë, në kundërshtim me atë që ndodhi me Evelinën, vajzën më të vogël të cilën e njoha menjëherë, për Albën na u desh të prisnim edhe pse mamaja e saj ishte e martuar. Tani Alba mban emrin tim”.

Ndërsa vetë Alba Sgarbi e cila ka rrëfyer njëherë historinë e saj në shqip për revistën Living, ka nxjerrë një portret krejt të kundërt të të atit të saj. “Është krejt e kundërta; atij i pëlqejnë fëmijët dhe dëshiron të ketë një familje të bashkuar, por puna s’e lejon. Gjithashtu i pëlqen liria” ka thënë ajo duke e portretizuar Vitorion: “Babai është i drejtë, i ëmbël dhe i përgjegjshëm në veprimet e tij. Respekton dhe vlerëson njerëzit e thjeshtë e me kulturë. Është një baba si të gjithë të tjerët, i cili do të informohet për çdo gjë që bën fëmija, për çdo arritje të tij. Me mua është i kujdesshëm, i vëmendshëm në çdo detaj”.


Edhe pse nuk dëshiron ta pranojë, Sgarbit, nuk i vjen keq që të bëjë rolin e babait. Kritiku i artit, në fakt, vetëpërgënjeshtrohet kur deklaron që nuk zbavitet duke bërë rolin e babait, dhe në të njëjtën kohë, dëshiron fëmijë të tjerë. “Nuk zbavitem duke bërë rolin e babait, por jam i lumtur që fëmijët janë bërë të mbarë. Nuk jam sentimentalist, por më pëlqen të kem njerëz përreth, për këtë jam duke kërkuar një shtëpi më të madhe. Mendoj të bëj fëmijë të tjerë”.

Megjithatë tabloja që bab e bijë përshkruajnë tani, nuk ka qënë gjithmonë rozë. Në intervistën e saj në Living, kur ishte ende në Shqipëri, Alba i ka kujtuar edhe vështirësitë e kohës kur ajo ishte një fëmijë jashtë martese: “Momenti më i vështirë ka qenë të shikoja mamanë teksa vuante dhe ishte e stresuar për mua, për të ardhmen time dhe prej gjykimeve të të tjerëve për të, si një grua që kishte një fëmijë jashtë martese. Derisa jam njohur dhe kam marrë mbiemrin Sgarbi, situata për të ka qenë e vështirë nga ana emocionale dhe shpirtërore”, thoshte atëherë ajo.

Ndërsa tani, jo vetëm është një bije e njohur nga i ati, mbiemrin e të cilit mban, por ka filluar një universitet të nivelit të lartë si Boconi dhe së fundi u shfaq përkrah kryeministrit shqiptar në “Porta a Porta” për të ndihmuar bashkombasit e saj të prekur nga tërmeti./ Lapsi.al

Çka thoshte Mulla Jakup Hasipi për tërmetin, ja ligjëratat e tij për dridhjet e tokës! (VIDEO)

Shaban Asipi, djali i Mulla Jakup Asipit, në emisionin N’Kosovë Show dhuroi 29 mijë euro për shqiptarët e Shqipërisë. Mulla Jakup Asipi ishte Hoxha i cili ndërroi jetë vite me parë një aksident trafiku.
Elvis Naçi falenderoi publikisht familjen Asipi për këtë donacion të madh.

Jakup Hasipi lindi në fshatin Sllupçan më 2 shkurt 1951, shkollimin fillor e kreu në vendlindje, shkollimin e mesëm e kreu në Damask të Sirisë në medresenë “el-Furkan'” në vitin 1980. Studimet i kreu në universitetin e famshëm Al-Az’har, në fakultetin e bazave të Fesë Islame të Egjiptit në vitin 1985 ndërsa studimet postdiplomike i vazhdoi në Bejrut të Libanit.

Gjatë viteve 1985-1990 punoi si imam në një xhami në Leverkusen të Gjermanisë ku ka dhënë kontribut të çmueshëm në kultivimin e vlerave fetare, morale, kulturore e kombëtare. I vetëdijshëm për situatën në trojet tona në vitin 1990 kthehet në vendlindje për të kontribuar në gjendjen e rëndë të popullatës. Në ligjëratat e tija ishte shumë i përpikt dhe i guximshëm, kështu që ju ka bër ball kërcënimeve dhe marrjeve të shumta në pyetje nga ana e policisë maqedonas. Nga kjo periudhë e gjer në vdekjen e tij ka organizuar mbi 5000 ligjërata, kontribut ky që e sheh dritën çdo ditë përmes ruajtjes multimediale. Në vitin 2001 gjat luftës në Maqedoni Jakup Hasipi u paraqit si njëri ndër strategët kryesorë në organizimin dhe përkrahjen e luftës, sepse ishte i bindur se vetëm përmes kryengritjes populli do të ishte në gjendje ti arrinte liritë dhe të drejtat e veta.

Pas përfundimit të luftës në vitin 2003 në zgjedhjet e rregullta të Bashkësisë Islame në Kumanovë u zgjodh myfti për komunën e Kumanovës dhe Likovës. Ndrroi jete më 7 janar 2006 në një aksident rrugor në autostradën Shkup – Kumanovë.

Në ligjëratat e shumta të Mulla Jakup Hasipit, ai ka folur edhe për tërmetin.

Ja ligjëratat e tij për këtë temë:

https://youtu.be/oJpsrmqJCDU

“Kryevepra” e artistit italian: Një banane e ngjitur në mur… dhe vlen 120 mijë dollarë

Ka edhe kështu. Dikush e mendon por dikush tjetër e bën, edhe pse kjo i kërkon më pas 15 vite kohë për ta ekspozuar në një galeri arti.

Artisti italian Maurizio Cattelan më i paguari në botë, vijon të mahnisë të apasionuarit pas tij si kritikët, këtë herë në ‘Art Basel’ të Maiami-t.

Ai ka krijuar një instalacion, që në thelb është diçka bazike dhe qesharake njëkohësisht e emërtuar “Comedian”.

Por çmimi i kësaj “vepre” nuk është aspak qesharak…120 mijë dollarë.

“Kryevepra” është një banane e ngjitur me një ngjitëse plastike gri në mur dhe qendron e ekspozuar dhe vizitohet nga vizitorët e galerisë .

Pasi ka dizejnuar dhe realizuar modele të ndryshme bananesh plastike apo me materiale të tjera,në fund artisti ka zgjedhur të vendosë një banane të vërtetë për ta ekspozuar në ‘Perrotin Gallery’.

Mediat e “justifikojnë” çmimin e lartë me argumentin se në këtë rast kemi të bëjmë me artin e Cattelan ndaj edhe çdo lloj shifre është e lejueshme.

Autori është i njohur për provokimet e tij artistike. Pak muaj më parë ai ekzposoi një ËC të artë e cila u vodh dhe zuri faqet e para të mediave botërore.

Të gjitha rrethanat e 49 vdekjeve: familje të shuara në ndërtesa të destinuara si vdekjeprurëse

Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi 49 viktima, mbi 750 të plagosur dhe qindra ndërtesa të rrënuara.

47 prej viktimave humbën jetën nga shembja e 7 ndërtesave në Durrës dhe 3 në Thumanë. Më poshtë Exit.al sjell një pasqyrë të plotë të të gjitha humbjeve njerëzore dhe rrethanave të tyre.

1. Ndërtesa 4-katëshe, zona e ish-kënetës, Durrës

Një ndërtesë 4-katëshe në zonën e ish-Kënetës në Durrës në pronësi të një familje të zgjeruar prindër dhe tre vëllezër, ishte ndërtuar në vitin 1999 fillimisht si ndërtesë një katëshe e gjysëm, por ishte shtuar në vite në katër kate.

Ajo pësoi dëmtime të rënda strukturore nga goditja e tërmetit, por mbeti fillimisht në këmbë në gjendje delikate. Shtatë persona që ishin në ndërtesë në çastin e tërmetit mbetën të izoluar brenda saj, në pamundësi për të dalë për shkak se lëvizjet rrezikonin shembjen e ndërtesës.

Forcat e shpëtimit nuk mundën të gjenin asnjë mënyrë t’i nxirrnin dhe rreth orës 11:00 të së martës vila u shemb duke mbuluar në rrënoja të gjithë anëtarët e familjes.

Në banesë jetonin nëna, një djalë madhor i saj, invalid dhe i pamartuar, si dhe familjet e dy djemve të tjerë—dy gratë dhe pesë fëmijë—ndërsa vetë djemtë ishin emigrantë, një në Greqi dhe tjetri në Itali. Veç dy vëllezërve në emigracion, dhe gruas së njerit prej tyre që ndodhej në Tiranë, të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjeve ndodheshin në ndërtesë në çastin e rënies së tërmetit.

Prej gërmadhave u arrit të nxirrej i gjallë vetëm djali i njërit prej vëllezërve, 18 vjeçari Ramë Lala, i cili është dërguar në Itali për të kuruar dëmtimet e rënda të pësuar.

Të gjithë të tjerët humbën jetën dhe trupat e tyre u nxorën pas më shumë se 50 orësh nga gërmadhat.

Sadete Lala — 79 vjeç, nënë e tre djemve
Ilir Lala — djali i Sadetes, i paralizuar
Marjeta Lala — 31 vjeç, nusja e Sadetes, nëna e 4 fëmijëve

Dionis Lala — 2 vjeç, djali i Marjetës
Dionisa Lala — 2 vjeç, binjakja e Dinosit, vajza e Marjetës
Amelia Lala — 6 vjeç, vajza e Marjetës

Emilio Lala — 9 vjeç, djali i Marjetës
Griselda Lala — 15 vjeç, vajza e djalit tjetër të Sadetes

2. Pallat banimi, Lagjia 18, Durrës

Një pallat 6 katësh në lagjen 18 në Durrës, pranë ndërtesës së Kryqit të Kuq, u rrënua. Pallati si shtesë anësore e një pallati tjetër ishte ndërtuar në vitin 1994.

Në rrënojat e tij humbën jetën 7 persona, nga dy familje. Nga familja Meçaj-Karanxha u nxorr i gjallë dhe shpëtoi kryefamilajri Ajet Meçaj. Vajza e tij Diena Karanxha (Meçaj) u nxorr, gjithashtu, e gjallë nga gërmadhat, por ndërroi jetë disa orë më pas në spital. Katër vjet më parë ajo kishte humbur bashkëshortin.

Roza Meçja — 59 vjeç, bashkëshortja e Ajetit
Diena Karanxha (Meçja)— 30 vjeç, vajza e Rozës dhe Ajetit

Esiela Karanxha — 8 vjeç, vajza e Dienës
Nga familja Reçi nuk shpëtoi askush.

Eduart Reçi — 54 vjeç
Dolora Reçi — 49 vjeç, bashkëshortja e Eduartit

Klaus Reçi — 21 vjeç, djali i Eduartit dhe Dolorës
Kristi Reçi — 24 vjeç, vajza e Eduartit dhe Dolorës

3. Pallati banimi, Lagjia 6, Durrës

Një pallat 6 katësh në zonën e njohur si Dy Gjelat në Lagjen 6, Durrës humbi dy katet e para, por ruajti mrekullisht pa u rrëzuar katet e sipërme.

Mendohet se shkak i rrëzimit të katit të parë kanë qenë ndërhyrjet e paligjshme në strukturën mbajtëse të pallatit për përshtatjen e një bari në katin e parë të tij.

Nga shembja humbën jetën dy gra të moshuara që jetonin në katin e parë të pallatit.

Nafije Rexhepi — 74 vjeç
Xhulieta Gjonaj — 70 vjeç

4. Ndërtesa e Kavaleshencës, Durrës

Një ndërtesë në kompleksin e Kavaleshencës së Ministrisë së Brendëshme, në zonën e plazhit në Durrës, u rrëzua pjesërisht, Ndërtesa ishte ndërtuar në vitin 2001 dhe ishte pjesa më e re e komplekstit. Ministria nuk ka dhënë asnjë informacion publik mbi rrethanat dhe përmasat e dëmtimit.

Nga shyembja gjeti vdekjen një komisar policie, pedagog në Akademinë e Sigurisë së Minsitrisë së Brendëshme.

Bajram Hajdarmataj — 54 vjeç

5. Hotel Tropikal, Durrës

Hotel Tropikal, një ndërtesë katër katëshe, në zonën e plazhit të Durrësit, u ndërtua në vitin 1996, fillimisht si ndërtesë informale dy katëshe, por pastaj u ndërtuan dy kate shtesë.

Ai u rrëzua tërësisht me goditjen e parë të tërmetit. Nën rrënojat vdiqën dy vëllezër nga Kosova.

Isa Abazi — 24 (32) vjeç
Shemsedin Abazi — (36) 39 vjeç

6. Hotel Vila Palma, Durrës

Hotel Palma, një ndërtesë shtatë katëshe, në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ishte projektuar dhe ndërtuar fillimisht në vitin 2001 si ndërtesë tre katëshe. Në vitet ë mëpasshme, ndërtesës iu shtuan katër kate shtesë.

Ndërtesa u shëmb tërësisht në momentin e goditjes së tërmetit.

Nga rrënojat e hotelit u nxorrën të gjallë dhe shpëtuan nëna dhe djali i pronarit të hotelit por humbi jetën babai i tij.

Sadik Qato — 85 vjeç

7.Hotel Mira Mare, Durrës

Hoteli Mira Mare, një ndërtesë gjashtë katëshe, buzë detit, në fillim të zonës së plazhit në Durrës, u shemb nga goditja e parë e tërmetit. Ndërtesa e projektuar dhe e ngritur si ndërtesë 2 katëshe, në vitin 1999, ishte shtuar kat pas kati për t’u bërë 6-katëshe.

Nga rrënojat e saj doli i gjallë Adriatik Boçi, dhe humbën jetën dy persona, një vajzë që punonte si balerinë dhe një djalë që punonte si barist.

Eviola Broshka — 28 vjeç
Sotiraq Misha — 41 vjeç

8. Tre pallate banimi, Thumanë

Në Thumanë u rrëzuan krejtësisht tre pallate. Ata ishin ndërtuar gjatë viteve të komunizmit me teknologji parafabrikatesh dhe që atëhere kishin pësuar dëmtime strukturore.

Njëri nga pallatet ishte shpallur i pabanueshëm nga inspektimi i bërë pas tërmetit të 21 shtator. Nuk dihet pse pas këtij fakti, pallati nuk u evakua nga banorët. Ka burime të tjera që pretendojnë se që në vitin 2010 ka pasur inspektimi që kishin ngritur alarmin për rrezikun e këtyre ndërtesave.

Për shkak se të tre ndërtesat në Thumanë ishin ndërtesa banime, shumë viktima kanë ndodhur brenda pak familjeve.

Familja Cara

Dy familjet Cara, të të njejtit gjak, jetonin në të njejtin pallat, njëra në katin e parë dhe tjetra në katin e pestë. Nga nëntë persona mbijetoi vetëm një, kryefamiljari Albert Cara, i cili u nxorr i gjallë dhe pas një operacioni në Spitalin e Traumës është jashtë rrezikut për jetën. Vajza e xhaxhait të tij, u nxorr, gjithashtu, e gjallë nga rrënojat por vdiq më pas në spital. Djali i Albertit, Hasani, kishte ditëlindjen e 18-të ditën që vdiq.

24. Fatmira Cara — bashkëshortja e Alberit
25. Hasan Cara — 18 vjeç, djali i Fatmirës dhe Albertit
26. Erisa Cara — 25 vjeçe, vajza e Fatmirës dhe Albertit

27. Almir Cara — djali i Fatmirës dhe Albertit
28. Stela Cara — E fejuara e Almirit
29. Anthi Cara — bashkëshortja e xhaxhait të Albertit

30. Lindita Cara — vajza e Anthit, vajza e xhaxhait të Albertit (e shpetuar, në spital).
31. Sadajana Cara – vajza e Lindita Carës

Familja Cupi

Dy djemtë e familjes Çupi kishin ardhur nga emigracioni pranë prindërve për fejesën e njerit prej tyre. I madhi, Klementi, humbi jetën pasi qendroi 17 orë i bllokuar me një masë betoni mbi pjesën e poshtme të trupit, ndërkohë që komunikoi gjithë kohës me trupat e shëptimit. Vdiq nga gjakderdhja para se të mund ta nxirrnin nga gërmadhat. Vëllai i tij, Aleks, i cili do të fejohej të nesërmen shpëtoi.

32. Hajredin Çupi — 66 vjeç
33. Lutfie Çupi — 55 vjeç, e shoqja e Hajredinit
34. Klement Çupi — 34 vjeç, djali i Hajredinit dhe Lutfies

Familja Gregu

Djali i familjes Gregu u nxorr i gjallë nga rrënojat por ai ndërroi jetë më pas në spital.

35. Pëllumb Gregu— 57 vjeç
36. Çelike Gregu — 57 vjeç, gruaja e Pëllumbit
37. Saimir Gregu — 31 vjeç, djali i Pëllumbit dhe Çelikes

Familja Cuka

Familja u shua plotësisht. Humbën jetën:

38. Bujar Cuka —
39. Sardi Cuka — 31 vjeç
40. Fatmira Cuka — 44 vjeç

Familja Cakoni

41. Kastriot Cakoni — 58 vjeç
42. Drita Cakoni — 15 vjeç, vajza e Kastritotit

Familja Leka

43. Bukurije Leka — 70 vjeç

Familja Vata

44. Hajrie Vata — 65 vjeç
45. Rolejt Vata — 7 vjeç, nipi i Hajries

Familja Kabili

Dy bashkëshortët e familjes shpëtuan. Humbi jetën:

46. Adelina Kabili — 20 vjeç, vajza e tyre.

Në Kurbin humbi jetën Kristian Preçi aksident me makine. U lëndua nga tërmeti dhe humbi kontrollin e makinës duke shkaur në spital për t’i mjekuar.

Në Kurbin, Ersid Hoxholli, i ndjerë në panik pas tërmetit në tentativë për t’i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme që u ndjenë, u hodh nga ballkoni i katit të tretë dhe gjeti vdekjen./ exit.al

“Nuk udhëtonin bashkë, kishin frikë se vdisnin në aksident”/ Rrëfimi i babait për dy vëllezërit që vdiqën nga tërmeti në Durrës

I druheshin të iknin të dy nga kjo jetë dhe të linin pas familjet e tyre që jetojnë mes kushteve të vështira në fshatin Livoç i Epërm në Gjilan të Kosovës. Por fatkeqësisht tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit, i mori të dy bashkë. Është kjo historia e trishtë e Isës dhe Shemsedinit, dy vëllezërve nga Kosova që vdekja i mori nën rrënojat e Hotel “Tropikal” në Durrës, aty ku kishin pasur vetëm kujtime të gëzueshme. Familja Abazi kishte rreth 15 vjet që pushimet e verës i kalonte në këtë hotel në Durrës. Më 25 nëntor, një natë para tërmetit, vëllai i madh, 32-vjeçari Shemsedini, kishte marrë me vete edhe të voglin, Isain, 29 vjeç.

Isai kishte mbetur i papunë dhe për të mos e lënë vetëm, vëllezërit guxuan të bëjnë të parin udhëtim të gjatë, të dy në të njëjtën makinë. Babai na tregon se frika më e madhe e djemve të tij që nuk i ka më pranë vetes, ishte të vdisnin të dy në ndonjë aksident, e për këtë arsye asnjëherë nuk kishin udhëtuar bashkë. Por fati deshi që ata të shuhen në krahët e njëri-tjetrit duke lënë pas dhimbjen e papërshkueshme tek nëna, babai, nuset, dhe 6 të vegjlit e tyre. Familja i kishte drejtuar sytë nga dy djemtë të cilët punonin mekanikë, dhe ishte pikërisht kjo arsyeja pse ata kishin marrë rrugën në Durrës, për punë.

Dy djem mjaft të lidhur me familjen, çka e tregon edhe një telefonatë që i kanë bërë në mbrëmje babait të tyre për ta qetësuar se janë mirë: Tani po flemë! Pas këtij mesazhi ata nuk u zgjuan më kurrë! Tërmeti i së martë në 03:54 i zuri në gjumë në dhomën e hotelit, teksa pas orësh të tëra u nxorën të pajetë nga ekipet e kërkim-shpëtimit.

Nga Tiranë në Livoçin e Epërm, na çoi një mision i veçantë. Një biznesmen në Tiranë me origjinë nga Vlora, i cili dëshiron të mos e shuajë gjestin e bamirësisë duke e bërë publik emrin, me të dëgjuar në lajme historinë e trishtë të familjes Abazi dhe jetesën e tyre të vështirë, vendosi të dhurojë 6 mijë euro, nga 1 mijë euro për 6 të vegjlit që humbën baballarët në një nga fatkeqësitë më të rënda natyrore që preku Shqipërinë.

“Mirë motër mirë ardhsh”, na thotë në telefon teksa nisemi nga kryeqyteti, djali i xhaxhait të Isa dhe Shemsedinit, Sabri Abazi. Dhimbja e madhe, nuk ua kishte zhdukur respektin, e as pas pritjes dhe përcjelljes së mijëra personave që vinin për ngushëllim.

Babain e Isës dhe Shemsedinit e takojmë në çadrat jashtë shtëpisë aty ku me mijëra njerëz, të njohur e të panjohur të tyre kanë shkuar të shprehin ngushëllimet. Pyet nëse ne të Shqipërisë jemi mirë, nëse kemi pasur të lënduar apo jetë të humbura. Në mesin e kësaj tragjedie nuk harron mikpritjen dhe zemërgjerësinë.

Babai nuk duket i lëkundur nga fatkeqësitë që e kanë zënë këtë familje. Vite më parë i ishte shuar një tjetër djalë, por ai qëndron i fortë…mundohet të mos lëshojë lot, dhe t’i japë shpresë bashkëshortes së tij dhe nuseve të dy djemve që tashmë duhet të rrisin të vetmet 6 fëmijë.

Me zemrën e prekur nga gjesti human i një vëllai shqiptar siç babai shprehet, na çon tek nuset e djemve për t’ia dorëzuar atyre paratë për fëmijët. Ato ndodhen ulur krah njëra-tjetrës në çadrën tjetër hapur jashtë shtëpisë së familjes Abazi, ku ndodhen vetëm gra. Në krye qëndron nëna e vëllezërve Abazi, e ulur në një divan me nuset. Dhimbjen në shpirt e kanë aq të madhe saqë duket se i mungon forca për të nxjerrë lot. I shohim të veshura me shami të bardhë, ndërsa asnjë nga gratë e tjera nuk është veshur me të zeza.

Familja Abazi janë muslimanë. Vdekja për ta , sado e vështirë qoftë, është vullnet i Zotit, i cili duhet pranuar dhe përballur. I themi se vimë nga Tiranë së bashku me zemrën e madhe të një njeriu të panjohur për ta që dëshiron të lehtësojë sadopak dhimbjen e tyre duke u siguruar të paktën se fëmijët do ta kalojnë dimrin pa u munguar gjë. Nuk mund t’i mbajnë lotët teksa thonë vetëm: Allahu jua shpërbleftë! Zoti ju ndihmoftë.

Bashkë me vlerën monetare, në dorë mbanin edhe një arushë. Ishte dëshirë e një vajze të vogël, vetëm 7 vjeç, për t’ia dhuruar bashkëmoshatarëve të saj të vegjël, sapo dëgjoi se disa fëmijë nuk i kishin më pranë vetes baballarët e tyre, për shkak se ata kishin shkuar shumë larg (pa pasur zemër t’i tregojmë se tërmeti tragjik i 26 nëntorit që edhe ajo ndjeu dhe përjetoi, ka bërë që dhjetëra njerëz të humbin jetën nën gërmadha). Teksa i tregojmë për këtë vogëlushe, shohim teksa në faqet e nënës së Isës dhe Shemsedinit rrjedhin lot, duke marrë pranë vetes arushin, një njëbrirësh rozë, dhe vështrimin e mban në emrin e vajzës së vogël të shkruar në të.

Djali i vogël i familjes, Isai, më 28 nëntor do të festonte ditëlindjen. Babai ia ka blerë edhe dhuratën, teksa ky është momenti i vetëm kur e shohim të përlotur. Kthen sytë mënjanë të mos e tregojë veten, dhe fillon të rrëfejë kujtimet që ka me djemtë nga hoteli i pushimeve të verës që tashmë u kthye në tragjedi për familjen. “Për 10-15 vjet kemi bërë pushimet familjarisht tek Hotel Tropikal. Por këtë verë nuk ma bënte zemra të shkoja, mendova për situatën ekonomike, nuk doja t’i shpenzoja djemtë, dhe nuk shkova. Isa më 30 nëntor kishte ditëlindjen, ja kam blerë edhe dhuratën. Më telefonuan para se të flinin, dhe më uruan natën e mirë. I pyeta a jeni mirë? Mirë thanë, kemi gjetur edhe materialet (të punës)”, na tregon babai.

Aty takojmë edhe Sabriun, i cili humbi djemtë e xhaxhait në këtë tragjedi. Është rritur me Isain dhe Shemsedinin në këtë lagje të varfër të Livoçit.

“Jemi rrit bashkë si vëllezër. Ka qenë dhimbje e papërshkueshme për ne. Derisa kam shkuar vet tu shoh fytyrat me pastru xhenazen s’kam mundur ta besoj. Tërmeti i zuri në gjumë”, thotë ai mes lotëve.

Na tregon se vëllai i tij ishte shkëmbyer në kufi me Isën dhe Shemsedinin. Ai kthehej nga Shqipëria për në Kosovë, dhe ata shkonin për në Durrës. Edhe ai kishte qenë në hotel “Tropikal”.

Sabri Abazi, kushëriri i vëllezërve që vdiqën nga tërmeti

Me të marrë lajmin e kobshëm, vëllai i Sabriut, i cili është ushtar, ka shkuar vetë pranë gërmadhave për të kërkuar me shpresën se do të mund të nxirrte gjallë dy kushërinjtë e tij.

“Vëllai im ka qëndruar katër ditë atje. Pas 4 ditëve u nis. Në kufi janë takuar. Ku po shkon Shems e Is? Po shkojmë në Durrës në Tropikal, me punu. Pastaj e ka marrë në telefon një shokë prej Durrësit. I njihte një më një ku janë dhomat. Ka kërkuar 27 orë nën rrënoja derisa e ka gjetur edhe trupin e dytë të pajetë, Shemsedinin”, na tregon Sabriu, teksa thotë se çfarë tragjedie do të ishte nëse ky tërmet do të kishte rënë në verë, ku gjithë fisi pushonte në këtë hotel.

“Allahu i madh, me pas ndodh në korrik e gusht, nga 50 vetë të familjes ne shkojmë atje, nip e dajë, ka mund me qenë katastrofë. Allahi i ndihmoftë edhe ata vëllezër e motra që janë atje”, thotë Sabri Abazi.

Siç e di tradita, kryefamiljari Abazi na përcjell të largohemi teksa tashmë kishte rënë nata. “Nuk do jua harrojmë…Me të ardhur në Tiranë, do ju takojmë”.

Fotoja e Isa dhe Shemsedin Abazi vendosur në hyrjen e rrugicës së banesës së familjes Abazi ku vetëm ditën që ne i vizituam (29 nëntor) kishin pritur 5 mijë vetë për ngushëllim./ express

Tërmeti i la pa shtëpi/ Dalin shifrat, ja sa milionë euro kredi kanë marrë për banesa qytetarët në Durrës e Tiranë

Stoku i kredisë që banorët e Durrësit kanë marrë për blerje banesash në fund të tremujorit të tretë të këtij viti ishte 8.8 miliardë lekë, ose rreth 72 milionë euro, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Kjo është shuma që individët duhet t’i kthejnë bankave, bazuar në afatin e maturimit që ata e kanë marrë huanë.

Në raport me një vit më parë, stoku i huasë për banesa në Durrës është rritur me 15% në fund të tremujorit të tretë, duke reflektuar gjallërimin e sektorit të ndërtimit në vend, por dhe shtimin e interesit për të pasur një shtëpi në plazh, pasi bregdeti i Durrësit dy vitet e fundit ishte kthyer ndër më të preferuarit për shkak të ardhjes së turistëve të huaj.

Ndërkohë që nuk ka ende një vlerësim të saktë se sa prej banorëve të pallateve të dëmtuara e kishin blerë apartamentin e tyre me kredi, teksa një pjesë e madhe e pallateve ishin relativisht të reja.

Në Tiranë, stoku i kredisë për banesa është shumë më i lartë. Individët që kanë blerë një apartament me kredi duhet t’u kthejnë bankave rreth 79 miliardë lekë, ose rreth 640 milionë euro. Në raport me një viti më parë, stoku i huasë për banesa është rritur me 6.5%, raporton Banka e Shqipërisë.

Edhe për Tiranën nuk ka ende një vlerësim se sa banesa të dëmtuara janë ende në proces të shlyerjes së kredisë.

Në total, stoku i kredisë dhënë për individë që kanë blerë banesa në vend është 114 miliardë lekë, ose rreth 930 milionë euro. 69% e kësaj shumë është dhënë në Tiranë dhe gati 8% në Durrës, pjesa tjetër është e shpërndarë në rrethet e tjera.

Në një takim me drejtuesit e bankave dy ditë më parë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko u kërkoi bankave analizimin sa më të shpejtë të impaktit në cilësinë e portofolave respektivë të kredive dhe u bëri thirrje të shikojnë të gjitha mundësitë, që pasojat e kësaj ngjarjeje të rëndë të mos shkaktojnë ngadalësim në ritmin e kreditimit të ekonomisë.

Në përgjigje të kërkesës së Guvernatorit, drejtuesit e bankave sugjeruan hartimin e një plani masash për klientët kredimarrës të prekur nga dëmet e tërmetit, për të ristrukturuar kreditë përkatëse, nëse do të jetë e nevojshme, pa aplikuar kosto shtesë.

Sigurimi, në pjesën më të madhe për vlerën e mbetur të kredisë

Burime nga siguruesit thonë se tendenca e atyre që blejnë një shtëpi me kredi është që, paralelisht duke shlyer pjesën e kredisë, të ulin vlerën e primit të sigurimit që paguajnë. Pra nëse shtëpia është blerë me një vlerë 50 mijë euro dhe ajo është siguruar me një prim të caktuar nga kompanitë e sigurimit për këtë vlerë, vit pas viti primi që paguhet nga qytetarët vjen në ulje vetëm për pjesën e kredisë së mbetur.

Kjo do të thotë që nëse dikujt i ka mbetur vetëm 10 mijë euro kredi e pashlyer, por vlera totale e shtëpisë është 50 mijë euro, tendenca është që primin ta bëjë vetëm për pjesën e kredisë. Vlera prej 40 mijë euro e banesës ndërkohë lihet me vetëdije e pambuluar nga sigurimi e për rrjedhojë edhe pa dëmshpërblim nga kompanitë e sigurimit në rast të dëmeve potenciale.

Tendenca e uljes së sigurimit nuk vihet re vetëm tek sigurimi i banesës me kredi por edhe tek sigurimi i jetës që kredimarrësi bën për veten në momentin që merr këtë kredi. Tendenca për të kursyer nga pjesa e shlyer e kredisë bën që primi në finale të mbulojë vetëm një pjesë të dëmit pikërisht atë që me detyrim duhet ta shlyejë ndaj bankës.

Kompanitë e sigurimit pohojnë se përgjithësisht bankat ishin të prirura që të bënin sigurimin për pjesën e mbetur të kredisë, por prej një viti Banka e Shqipërisë u kërkoi që të rishikonin procedurat dhe sigurimi të bëhej për vlerën e plotë të banesës, çka është vënë në zbatim nga pjesa më e madhe e tyre.

Shoqata e siguruesve bëri të ditur në një njoftim për shtyp se me qindra qytetarë i janë drejtuar kompanive të sigurimit pas tërmetit të 26 nëntorit për shkak të pronave të dëmtuara. “Për të lehtësuar personat e dëmtuar, shoqëritë e sigurimeve sqarojnë për publikun çdo konsumator që ka nënshkruar një kontratë sigurimi për banesën nga zjarri, tërmeti dhe përmbytja, në rast dëmi përfiton dëmshpërblim në varësi të dëmit të ndodhur pasi ka paraqitur kërkesën për dëmshpërblim. Siguruesi do të dëmshpërblejë të Siguruarin për dëmin e shkaktuar. Detyrimi i Siguruesit për dëmshpërblim kufizohet deri në masën e shumës së siguruar. Kompanitë e sigurimeve garantojnë klientët se çdo dëm nga tërmeti do të kompensohet sipas kontratës dhe në kohën më të shkurtër”, njoftoi Shoqata.

Dëmet në banesa

Zyra e Ministrit Fuqiplotë për Adresimin e Pasojave të Tërmetit ka dhënë informacionin më të fundit lidhur me dëmet që janë shkaktuar në banesa nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit,

Për qarqet Durrës, Tiranë, Lezhë, Kukës dhe Dibër janë bërë këto verifikime deri më datë 4 dhjetor 2019:

-Shtëpi të shembura: 1183 (Durrës 1050, Tiranë 131, Dibër 2)

-Shtëpi të dëmtuara rëndë: 5514 (Durrës 3838, Tiranë 1311, Lezhë 168, Kukës 150, Dibër 13, Elbasan 34)

-Shtëpi të dëmtuara lehtë: 3569 (Tirana 3248, Dibër 73, Elbasan 248)

-Pallate të dëmtuara rëndë: 558 (Durrës 35, Tiranë 461, Lezhë 56, Kukës 4, Dibër 1, Elbasan 1)

-Pallate të dëmtuara lehtë: 337 (Tiranë 330, Elbasan 7)

-Pallate të pabanueshme: 20 (Tiranë)

-Shkolla të dëmtuara: 28 (Tirana 11, Lezha 5, Kukës 3, Elbasan 9)./ monitor

Intervista në Rai Uno/ Bruno Vespa i hedh ujë të ftohtë optimizmit të Ramës

Drrejtuesi i emisionit “Porta a porta” që nuk nguron ti bëjë qoka kur i duhet Edi Ramës, i ka hedhur megjithatë një kovë ujë të ftohtë entuziazmit të kryeministrit se aleatës e saj do ta ndihmojnë shqipërinë pas tërmetit.

Edi Rama tha në “Rai1”, se shpreson që Evropa nuk do ta lërë vetëm Shqipërinë pas tërmetit tragjik që solli dëmtime të shumta të ndërtesave. “ Unë vij nga samiti i NATO-s, ku i bëra thirrje të gjitha vendeve që të japin një kontribut të gjitha vendeve që të organizojmë edhe një konferencë të donatorëve. Shpresoj që Evropa nuk do të na lërë vetëm. Shpresoj që politikanët të kenë të një njëjtën dëshirë si të zjarrfikësve tuaj. Nga ana e qeverisë italiane, tek kryeministri juaj gjeta një person të cilin si politikan mund ta kish gjykuar por si njeri është me zemër të madhe”, tha ai. Por i menjëhershëm ishte reagimi i Vespës. “Edhe ne pas tërmetit në Itali na dhanë shumë premtime por vetëm pak shtete i mbajtën” i tha gazetari që shtoi: “Prandaj duhet të mbani shënim premtimet konkrete që u bëjnë dhe ti kujtoni”.

Rama flet tek Bruno Vespa, për humbjen e të dashurës së djalit të tij nga tërmeti

Kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetari Bruno Vespa në emisionin e tij “Porta a Porta” në Rai1 për humbjen e të dashurës së djalit të tij, në tërmetin e 26 nëntorit. Për herë të parë Rama ka bërë një koment për këtë çështje.

“Është e vërtetë, por më lejoni të them që duke u gjendur në këtë situatë të veçantë është një detyrim i lartë të bësh kryeministrin e një vendi që po kalon këtë tragjedi. Unë nuk kam dashur të flas për këtë sepse kjo nuk është diçka që ka të bëjë me mua apo me familjen tonë, por është diçka që ka të bëjë me të gjithë. Kjo thjesht e shtoi detyrimin tim të brendshëm për të bërë gjithçka sepse unë nuk gjej dallim mes të gjithë atyre që kanë humbur jetën” – tha Rama.

Mes viktimave të tërmetit ishte edhe Kristi Reçi. Studentja e mjekësisë ishte e para që u nxor nga rrënojat e një pallati të shembur në Durrës. Më vonë u mësua se ajo ishte e dashura e djalit të kryeministrit Edi Rama. Greg Rama e la të kuptohet këtë gjë kur bëri një publikim në rrjetet sociale. Kristi Reçi ishte 25 vjeç.

E gjithë familja e saj u shua nga tërmeti. Viktimë mbeti babai, Eduardi 54 vjeç, nëna, Dolora 49 vjeç dhe vëllai, Klausi 21-vjeçar. Qindra njerëz morën pjesë në homazhet e fundit për familjen. Mes tyre edhe Greg Rama. Sipas medieve Kristi Reçi ishte në një lidhje me 29-vjecarin Greg Rama prej tre vitesh. Kristi studionte për Dermatologji. Ajo jetonte me familjen në katin e tretë të pallatit 6-katësh të shembur në Durrës.

“Themeluesit e Google”, Larry Page dhe Sergey Brin tërhiqen nga postet e tyre drejtuese

Të dy burrat që krijuan një motor kërkimi në një bodrum periferik dhe e shndërruan atë në një nga kompanitë më të mëdha dhe me ndikim në botë, po tërhiqen.

Bashkëthemeluesit e Google, Larry Page dhe Sergey Brin njoftuan sot në një postim në blog se ata do të hiqnin dorë nga kontrolli i kompanisë mëmë të motorit të kërkimit, Alfabet e cila zotëron Google dhe YouTube

Brin kishte shërbyer si President dhe si Drejtor i Përgjithshëm i Alfabetit, e cila është aktualisht kompania e tretë më e pasur në botë, e kryesuar vetëm nga Microsoft dhe Berkshire Hathaway.

Të dy Brin dhe Page kanë mbajtur një profil të ulët që nga krijimi i Alfabetit, duke lënë figura si Sundar Pichai dhe CEO i YouTube Susan Wojcicki të shërbejnë në rolet e tyre drejtuese të kompanisë.

Brin dhe Page do të mbeten punonjës të Alfabetit, duke vazhduar të shërbejnë si themelues. Ata janë, sigurisht, aksionarë të mëdhenj dhe anëtarë të Bordit të Drejtorëve të Alfabetit.

Një tërmet që mund ta kishim evituar

Nga Astrit Patozi

Shoqëritë e avancuara nuk presin asnjëhere që të bien tërmetet për t’u shkundur. Ato përgatiten t’i presin fatkeqësitë, duke u vetëlëkundur në çaste dhe kohë normaliteti. Prandaj edhe nuk mbyten kurrë në një pikë ujë, kur tragjedia një ditë vjen.

Tek ne as që bëhet fjalë të ndodhë kjo, sepse nuk kemi asnjëherë kohë të mendojmë për të ardhmen, ngaqë jemi shumë të zënë për të mbyllur llogaritë e së tashmes. Të cilat gjithmonë dhe pa asnjë përjashtim firmosen sipas parimit “ai që ka topin, gjuan edhe penalltinë”.

Pikërisht për këtë arsye, një goditje tjetër që po kalojmë pas 26 nëntorit është gara e shpifur për klikime sot apo vota nesër mes atyre, të cilët më shumë se kushdo tjetër në këtë vend duhet të ulnin kokën e të kërkonin ndjesë. Qoftë duke heshtur apo edhe duke u lutur sinqerisht një herë të vetme në jetën e vet për viktimat e pafajshme të babëzisë, papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë së tyre në gjithë këto vite.

E njërës palë, që po përpiqet më kot të na bindë se duhet t’i falemi Zotit për këtë qeveri, se ndryshe nuk do ta kishim përballuar dot të keqen, por edhe të tjerëve, që gati po na thonë se këtë tërmet e porositi vetë qeveria.

Këtë “tërmetin” e fundit, të paktën, mund ta kishim evituar.

“Na e quajtën të banueshme godinën”, çifti i moshuar shpëtoi sepse nuk mori parasysh këshillën e ekspertëve (VIDEO)

Në Gjirin e Lalëzit dhe Hamallaj, shtëpitë e banorëve vendas kanë pësuar dëme të konsiderueshme nga tërmeti i 26 nëntorit.

Por ata thonë se pavarësisht se banesat e tyre u shpallën të banueshme nga tërmeti i 21 shtatorit, nuk i morën parasysh këshillat e ekspertëve, vendim ky që i shpëtoi jetën.

“Me 21 na e quajtën të banueshme godinën, por nuk kemi banuar aty, sepse e shihnim gjendjen”, thotë Muharrem Hoxha.

“Bëmë rikonstruksionin, por përsëri nuk qëndruam aty”. “Inxhinierin e parë, por edhe të dytin, po t’ia di emrin do t’i kisha hedh në gjyq”, thotë bashkëshortja e tij. “Shtëpia ime u ça komplet. Ku e gjeti ati që e nxori të riparueshme këtë shtëpi?”.

Çifti Hoxha kërkon një çadër për të kaluar netët. Por ata nuk janë të vetmit, në banesa të tjera dëmet janë të konsiderueshme dhe banorët e zonës qëndrojnë të gjithë jashtë.

Tërmeti, mbërrin kontingjenti i ndihmave nga Japonia. Koçi: Mirënjohje, përvoja juaj si vend i tërmeteve e domosdoshme

Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) solli sot në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës kontingjentin e ndihmave me 280 tenda dhe 560 shtroje për fjetje, për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit që goditi vendin tonë.

Kontingjenti i ndihmës emergjente është kontribut humanitar, që vjen në përgjigje të kërkesës së Qeverisë së Shqipërisë, për të t’u ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti dhe në kuadër të marrëdhënies miqësore midis Japonisë dhe Republikës së Shqipërisë.

Në ceremoninë e dorëzimit të materialeve të emergjencës, që u zhvillua sot në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës, morën pjesë zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Ito Makoto, drejtori i përgjithshëm i Rezervës Materiale të Shtetit, Paulin Luli, përfaqësuesi rezident i JICA për Ballkanin, Takeiçi Xhiro si dhe përfaqësues të tjerë të organizatave të përfshira.

Zv.ministri Koçi, në emër të qeverisë shprehu mirënjohjen për Qeverinë e Japonisë, popullin japonez dhe gjithashtu JICA për këtë demonstrim solidariteti në këtë moment të vështirë, jo vetëm me fjalë, me vepra të vërteta.

“Ne jemi të vetëdijshëm që Japonia ka përvojën e përballimit të katastrofës dhe veçanërisht me tërmetin, dhe si e tillë, ju me të vërtetë e kuptoni se çfarë lloj vështirësish po hasim tani. Populli shqiptar nuk është mësuar në situata të tilla, dhe për shkak të kësaj, vështirësitë amplifikohen. Ajo që ne kemi nevojë sot është përvoja juaj dhe metodologjia e administrimit të situatave pas katastrofës, dhe orientimi i njerëzve se si të merren me momentet e vështira pas ndodhjes së katastrofës”, – tha Koçi.

“Kjo është ngarkesa e parë dhe do të pasojnë edhe dy të tjera. Ne kemi nevojë për tenda dimri, pasi, shumë nga njerëzit e prekur që jetojnë në zona rurale, nuk e konsiderojnë të strehohen në hotele ose struktura të tjera në zonat urbane, por duhet të qëndrojnë pranë ekonomive të tyre të vogla dhe të kujdesen për bagëtinë.

Në këtë drejtim, kjo ndihmë është shumë e dobishme, dhe unë e vlerësoj shumë. Kam qenë në kontakt me Ambasadorin që në momentet e para pas katastrofës dhe ne kemi parë shqetësimin tuaj të madh, si dhe gatishmërinë e madhe për të na ndihmuar në këto momente të vështira”, – theksoi Koçi.

Ndërsa ambasadori Makoto shprehu ngushëllimet për familjet e prekura nga tërmeti. “Ne e kuptojmë trishtimin dhe pikëllimin e tyre. Unë gjithashtu uroj rehabilitim të shpejtë të zonave të prekura dhe shpresoj se ky dhurim do të kontribuojë në shërimin e të prekurve dhe për zbutjen e pasojave të tërmetit”, – tha Makoto, teksa vlerësoi praninë e përfaqësuesit të JICA, Takeichi dhe përgjigjen e shpejtë të JICA-s ndaj kësaj situate fatkeqësie me të cilën po përballet Shqipëria.

Në emër të Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA), Takeiçi Përfaqësues Rezident i JICA-s për Ballkanin tha se “Qeveria e Japonisë dhe JICA po lëvrojnë në Shqipëri ndihmën e emergjencës për materiale të nevojshme, përfshirë 280 tenda dhe 560 shtroje për fjetje. Kjo ndihmë është një shenjë e miqësisë së popullit japonez. Japonia është një vend i prirur të preket nga fatkeqësitë natyrore, ndaj dhe ne shpresojmë që këto materiale të lehtësojnë dhimbjen e njerëzve të prekur nga kjo fatkeqësi”.

Në ceremoninë e dorëzimit të ndihmave, fjalën e mori edhe drejtori i Rezervave të Materialeve të Shtetit, Paulin Luli, i cili falenderoi ambasadorin japonez dhe të gjithë ata që po ofrojnë ndihma humanitare për njerëzit e prekur nga tërmeti.

“Japonia është një nga 20 vendet më të zhvilluara të botës, por është absolutisht vendi i parë, nga ata 20, që kontribuon duke ofruar ndihmë të menjëhershme, veçanërisht në rastet e katastrofës natyrore. Në momente të tilla të vështira që po kalojmë, një vend si Japonia, i cili është mjaft larg Shqipërisë, merr përgjegjësinë për të mbështetur popullin e Shqipërisë, e vlerësojmë shumë. Japonia është një vend që di shumë mirë pasojat e tërmeteve shkatërruese, dhe gjithashtu njeh ndjenjën e njerëzve të prekur dhe kështu, siguron ndihmë pa hezitim. Ne do të vlerësonim që vendet e tjera ndjekin shembullin e Japonisë dhe kontribuojnë për të lehtësuar pasojat e tërmetit. Një mirënjohje te veçante, po e shpreh në emër të banorëve të zonave të prekura”, – tha ai.

Tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri, i katërti më shkatërrimtari për këtë vit në botë

Tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri renditet ndër më shkatërrimtarët në botë për këtë vit. Portali gjerman i specializuar për informacionet që kanë të bëjnë me lëkundjet e tokës “Erdbebennews” e rendit këtë tërmet me mangitudë 6.4 Rihter, të katërtin në shkallë globale, për nga numri i personave të cilëve u ka shkaktuar dëme.

Të dhënat e kësaj tabele tregojnë se 3 083 persona u prekën nga pasojat e tërmetit shkatërrimtar, duke humbur të afërmit, shtëpitë e pronat. Në krye të listës së këtij viti janë Filipinet, të ndjekura nga Indonezia dhe Kina.

Ndërsa Qendra Europiane për Monitorimin e Aktivitetit Sizmik, e shndërruar këto ditë në burimin kryesor të informacionit të shqiptarëve, për lëkundjet më të fundit shkruan se paslëkundjet e tërmetit të 26 nëntorit vijojnë të rrallohen. Siç duket edhe në këtë grafik të publikuar prej kësaj qendre, vala e pasgoditjeve po vjen duke u shuar.

Në komentin e saj, kjo qendër thotë se: Edhe pse një pasgoditje e fortë është gjithmonë e mundshme përgjatë javëve dhe muajve që pasojnë, aktiviteti do të rikthehet në nivelin normal.

Si u rrëzua “Mira Mare”, flet dëshmitari që pa rrëzimin e hotelit në Durrës: Në 9 sekonda ndërtesa u shemb

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha sjell rrëfimin e një dëshmitari që ka parë se si u shemb hotel “Mira Mare”.

Ajo ndodhej në lagjen 13, në Durrës, aty ku automjete të shumta po përpiqen të largojnë nga zona e plazhit inertet e shumta të objekteve të shkatërruara nga tërmeti i datës 26.

Shumë banorë nuk janë kthyer ende ndonëse ekspertët ju kanë thënë të kthehen sepse nuk ka asnjë rrezikshmëri.

Oficeri i Ushtrisë, Agimi është dëshmitari okular i tërmetit, i cili ka dal nga shtëpia në orën 3 e 20 min të mëngjesit për të rrëfyer shembjen e hotelit “Mira Mare”.

“Në orën 3 pa 5 ra tërmeti i parë, u zgjuam dhe u veshëm, në ato momente qeni po qante. Jetoj me vajzën dhe me djalin si dhe bashkëshorten.

Në momentin kur zbritëm në katin e 5-të çuni kthehet mbrapa në shtëpi dhe u afruam para dyqanit, vendosëm makinën 6 metra larg hotelit “Mira Mare”.

Kishin filluar një pjesë e makinave të lëviznin. Në orën 4 pa 5 filluan të qanin qentë dhe më bëri përshtypje sepse edhe minjtë nëpër rrugë nuk gjenin medet. Në orën 4 pa dhjetë sikur u pre me gërshërë”, ka treguar Agimi ankthin që kaloi ditën e 26 nëntorit, çastet pas shembjes së hotel “Mira Mare”

“Vendosa të marr një çaj dhe afrohem pranë “Mira Mare”, rreth 6 metra, në ato momente kërcitën dyert, kërcitën xhamat u fikën dritat dhe ra “Mira Mare”, u këput kati i katërt dhe u këput komplet dhe na hodhi dallga tymit përtej rrugës”, u shpreh Agimi.

Oficeri i Ushtrisë ka treguar eksperiencën e tmerrshme tek ndihmonte njerëz të zbrisnin me anë të batanijeve , sepse ishin varur dhe nuk zbrisnin dot.

“Jemi afruar tek “Mira Mara” kemi ndihmuar turket të zbresin nëpërmjet batanijeve, sepse ishin varur dhe nuk zbrisnin dot, dy çuna i mbanin ne i zbritëm”, shton më tej dëshmitari. Për 9 sekonda ra ndërtesa komplet. Unë për 30 sekonda kujtova se u hap dheu, kërcenin njerëzit nuk e imagjinoj dot se çfarë force mund të ketë patur”.

Letra prekëse për 8 vjeçaren që humbi jetën nga tërmeti: Mami im, është më e bukura në botë

Historia e Diena Karanxhës, e cila u dorëzua përpara vdekjes kur mësoi se e bija 8 vjeçare, Esiela, kishte dhënë shpirt nën rrënoja, është një nga më të dhimbshmet e tërmetit të 26 nëntorit.

Gazetari Taulant Kopliku ka shkruar një letër prekëse, sikur Esiela ta kishte shkruar për prindërit e saj:

“Natë e çuditshme sonte. S’po kam gjumë. Qindra mendime po më vijnë në kokë.

Mendime nga më të ndryshmet, siç i ndodh shpesh të gjithë moshatarëve të mijë.

Ah, se harrova të prezantohem. Jam Lea, 8-vjeçe, nga qyteti më i bukur në botë që quhet Durrës.

Unë shkoj në klasën e tretë dhe jam shumë, shumë kurioze. Pyes pafund për gjithçka ndodh përreth meje.

Shpesh herë mami mërzitet nga pyetjet e mia të njëpasnjëshme, por në fund dorëzohet dhe me jep përgjigje. Babi nuk mërzitej asnjëherë.

Eh, babi im. Ai ishte më i miri i Durrësit. Pse jo, me i miri i botës. Ka tre vite që ai është në qiell.

Nga atje më shikon çdo ditë dhe më dërgon puthje. Edhe unë ia kthej.

Çdo ditë kur hyj në shkollë, i dërgoj një puthje me duar.

Shpesh herë mami me thotë se jeta është plot ngjyra të bukura e se unë sa më shumë do të rritem, aq më shumë ngjyra do të shtohen.

Ashtu siç i ka ndodhur asaj, që tashmë e ka jetën me të gjitha ngjyrat e botës. Mua mes tyre, kuptohet.

Në të vërtetë, nuk është krejt kështu. Ajo qan e mërzitet shpesh. E dëgjoj nganjëherë kur flet me shoqet dhe thotë se jeton vetëm për mua.

Sa shume mendime paskam sonte. Mami po fle këtu pranë meje. Sa e bukur është.

Të gjithë e thonë këtë. Por kjo bukuria që po fle këtu është vetëm e imja.

Duhet ta dini edhe ju këtë. I afrohem dhe e përqafoj. E shtrëngoj dhe e puth te buza!“…

Jemi të tronditur!

Nga Rexhep Qosja

Jemi të tronditur.

Të gjithë.

Jemi të tronditur, me shpirt e me mendje.

Të gjithë.

Të tronditur në këto ditë para e gjatë Ditës së madhe në historinë tonë- Ditës së Flamurit kombëtar e shpalljes së Shqipërisë shtet.

Të gjithë.

Të tronditur për shkak të gjithë atyre viktimave, të gjithë atyre të plagosurve, të gjithë atyre traumave që nuk kalojnë lehtë e shpejtë, për shkak të gjithë atyre dëmeve të mëdha lëndore, ekonomike, shoqërore e kulturore.

Jemi të tronditur për shkak të tragjedive që pësuan nënat, fëmijët, vajzat e reja e djemtë e rinj, në lule të rinisë.

Tronditja e shkaktuar kësaj here prej tërmetit të 26 nëntorit është tronditje që zgjat shumë. Dhe, zgjat shumë për shkak se pushton ndjenjat, pushton shpirtin, pushton ndërgjegjen e gjithë atyre që mendojnë përgjegjshëm.

Kjo është tronditje në të cilën përmblidhen ndjenja e mendime për historinë, për bashkëkohësinë dhe për ardhmërinë tonë, por edhe për historinë, bashkëkohësinë, ardhmërinë në përgjithësi. Kjo tronditje na nxit të vetëpyetemi:

A kemi mësuar krejt çka duhej prej historisë?

A e kemi vështruar dhe kuptuar sa e si duhet bashkëkohësinë?

A kemi menduar largpashëm për ardhmërinë?

2.

Në këtë gjendje tronditjesh mund të jesh i pushtuar edhe prej mendimesh kundër natyrës dhe me mendime të tilla t’i drejtohesh asaj:

Natyrë! Natyrë! Natyrë e mrekullueshme në këtë planet që i thonë Tokë, Tokë me bukuri të jashtëzakonshme që nuk mund të merren me mend në asnjë planet a trup tjetër qiellor. Na e ke bërë të mundshme jetën në hapësirat e tua tokësore, ujore e ajrore. Pse kohë pas kohe po na e helmon jetën edhe me tragjedi, me tronditje, me pikëllime.

Përpos prej njerëzve, popujve, shteteve, fatkeqësitë, tronditjet po na vijnë edhe prej teje, Natyrë?!

Dhe po na vijnë me padrejtësi.

Hajde e mos e shpreh këtë mendim që nuk mund të mos thuhet këto ditë zie, kur i sheh arkivolet e tragjedisë dhe të pamëshirës natyrore!

Hajde e mos i shpreh këto mendime kur i sheh arkivolet dhe i dëgjon fjalët e medieve për tragjeditë që u mbyllën në ato arkivole:

Për tragjeditë e familjes Lala, të cilën e përbënte edhe nëna me katër fëmijët, mes të cilëve binjakët dyvjeçarë, ndoshta ende duke u mëkuar nga qumështi i nënës.

Asnjë fjalë, asnjë figurë, asnjë mendim, asnjë pamje nuk është e mjaftueshme për të përshkruar, për të paraqitur gjithë tronditjen që na shkaktoi pamëshira tragjike me të cilën natyra e dënoi këtë nënë me katër fëmijët e saj, me binjakët e saj! Dhe të tjerët bashkëviktima me ta.

Hajde e mos i shpreh këto mendime kur i sheh arkivolet në të cilat u mbyllën tragjeditë e anëtarëve të familjeve Cara, Ndreu, Gregu, Vata, Reçi, Meçja. E të tjera, tragjeditë e të cilave na e copëtojnë zemrën.

Hajde mos i shpreh këto mendime kur i sheh arkivolet e dy vëllezërve kosovarë, Abazi, të valltares, të piktores, të studentes që donte të studionte arkitekturën e bëhej mjeke, të të rinjve të tjerë e të rejave të tjera që nuk pritën të provojnë të mirat e gëzimet që sjell pjekuria!

Por, hajde e mos e thuaj edhe një mendim tjetër që kë krejt nuk do e ngre kundër shqiptuesit të këtij mendimi: tronditjes që na ka pushtuar i kanë kontribuar disa njerëz, disa nga ata njerëz të zgjedhur gjatë 30 vjetëve tona për të krijuar institucionet e për të ngritur ekspertët që do të merreshin me të priturat e me të papriturat që mund të na sillte kur natyra e pamëshirshme e kur njëmendësia e keqkuptuar.

Dhe, këta njerëz i quajmë politikanë e shtetarë!

3.

Në këto ditë tronditjesh unë nuk mund të mos mendoj edhe për ato që kam parë e kam dëgjuar qe tridhjetë vjet në jetën partiake, politike, shtetërore shqiptare. E ato që dëgjoja dhe ato që shihja gjatë njëzet e katër orëve të ditës e të natës ishin e janë mosmarrëveshjet, zënkat, konfliktet, mosdurimet, urrejtjet e ndërsjella të forcave politike, në radhë të parë të prijësve politikë dhe të argatëve të tyre.

Deri në ditën e tërmetit tragjik nuk gjendej arsye, nuk gjendej mjet, nuk gjendej qëllim kombëtar, shoqëror, shtetëror a moral, më në fund njerëzor, që prijësit partiakë e shtetërorë të këtyre tridhjetë vjetëve do t’i bënte e do t’i detyronte , më në fund, të merreshin vesh. Jo.

E mosmarrëveshjet e tyre, mosdurimet e tyre, zënkat e tyre, konfliktet e tyre, privilegjet e tyre dhe lukset e tyre janë ndër arsyet e degdisjes së gati dy milionë shqiptarëve nga Shqipëria e Kosova në Botë gjatë10-15 vjetëve të fundit!

Tani, përnjëherë, pas tërmetit, pas fatkeqësisë natyrore, u pajtuan: gjetën atë që as këta e as ata paraardhësit e tyre nuk e gjenin kurrsesi më parë: u pajtuan!

Dhe, ai, kryetari partiak që qe sa vjet në Shqipëri, në Kosovë, në Ballkan, në Evropë e në SHBA flet vetëm për më të këqijat, më të ulëtat, më të poshtrat, më të zezat, më të krimshmet e Shqipërisë në politikën e atyre ndaj të cilëve është në opozitë, përnjëherë tha: me gjithë ndasitë që kemi, në nevojë jemi një komb! Por, Por!

Mendja e tij na mësoi se vetëm në nevojë, e jo edhe në tragjedi, vetëm në nevojë e jo edhe në gëzime, në nevojë e jo edhe në varfëri, jemi komb, jemi një komb!

Dhe kjo fjali megjithatë shumë shpejt u botua në rrjetet sociale të kundërshtarit politik – të të sulmuarit pa pushim shumëvjeçar!

Dhe, kështu u pajtuan! I pajtoi tragjedia e të varfërve! I pajtoi tragjedia e të shpërfillurve. I pajtoi tragjedia e të konsideruarve të tepërt! Por u pajtuan rrejshëm.

Mund të them siç po them se pikërisht tani kur këta rreshta po i qes në shkrimin tim po dëgjoj sulmet e dy Sulmuesve të pandalshëm ndaj të Sulmuarit të gjithnjëshëm – kryeministrit Edi Rama! Dhe, po i shoh Sulmuesit duke u sjellë ndaj pasojave tragjike të tërmetit si qeveri e dytë e Shqipërisë, që e shpërfill, s’e pranon Qeverinë që zgjodhi populli! Dhe, Shqipëria e Abdyl Frashërit, Vaso Pashës e Ismail Qemalit na bëhet Shqipëri me dy qeveri të papajtueshmë në ditët paskajshëm pikëlluese, tronditëse në historinë e saj!

4.

Dua të shpresoj, dua të besoj se pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 populli shqiptar do të jetë forcë politike me sy, me të cilët do të shohë më qartë se deri tash, forcë politike që e sheh qartë, që e kupton qartë gjendjen e vet, që e mendon qartë ardhmërinë e pasardhësve të vet, që mendon jo vetëm për premtimet e të priturat, si deri tani, por edhe për të papriturat natyrore, politike, shtetërore.

Njëmendësia aq e pritur, aq e ëndërruar, aq e dëshiruar na ka sjellë edhe shumë të papritura e shumë dëshpërime gjatë këtyre tridhjetë vjetëve. NA e solli edhe “qeverinë” e dytë në ditët më dhembjesjellëse!

Por, nuk jam pesimist.

Pesimist nuk mund të më bëjnë ata që postet politike i shfrytëzojnë për t’u qëndisur me miliona duke shfrytëzuar postet politike, ata që postet politike i shfrytëzojnë për t’u stolisur me vila në Gjirin e Lalzit e përgjatë bregdetit, në Brezovicë e Prevallë. Dhe jo vetëm. Jo. Kurrë.

Pas tronditjes sado e gjatë qoftë, që solli tërmeti, fatkeqësia, megjithatë, do të bëhet nxitje për forcim, për ngritje shpirtërore, etike, shoqërore, kombëtare, shtetërore.

Populli shqiptar, përpos gjatë këtyre tridhjetë vjetëve tranzicion, kurrë, në asnjë epokë a periudhë historike, nuk ishte pa figura historike si Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Jeronim De Rama, Konstandin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Hoxha Tahsini, Jani Vreto, Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Naim Frashëri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Isa Boletini, që politikën e përdorën jo duke u pasuruar prej saj po duke u flijuar për Shqipërinë e për shqiptarët.

Durrësi, më i dëmtuari në tërmetin e 26 nëntorit, do ta marrë veten. Shumë tërmete ka përjetuar Durrësi: më 177 para erës sonë, më 334, 506, 1273, 1869, 1870, 1926, 1979… dhe shpejt e ka marrë veten. Ishte qytet i dëshiruar edhe prej të huajve, prej miqve dhe prej pushtuesve. Takimet me popuj të tjerë e kanë pasuruar kulturën e tij e qytetërimin e tij dhe e kanë shtuar lavdinë e tij historike e kombëtare. Fatkeqësinë e fundit natyrore, si edhe herët e tjera, Durrësi do ta përballojë, do ta mundë me dhuntinë e tij të madhe jetëkrijuese, gjallëruese ndërtimore e gjithëkombëtare.

Në sajë të dhuntive të Durrësit, në sajë të solidarësisë që treguan bashkatdhetarët kudo që janë sot e, sidomos, Kosova, shqiptarët e goditur prej tërmetit do të kenë gatishmëri e do të dinë të zbatojnë mësimet e rilindësve të mëdhenj të cilët me gjithë sakrificat e pamatshme e bënë Shqipërinë dhe e bënë shqiptarin: më të fortë, më të ngritur e më të zhvilluar në të gjitha pikëpamjet.

Fatkeqësia e 26 nëntorit do të përfundojë me fuqizim të përgjithshëm të shqiptarëve: të mundësive ndërtuese e krijuese.

E kuptueshme. Nuk është thënë pa dëshmi shumëshekullore se dhembjet e vuajtjet i bashkojnë njerëzit më shumë se gëzimet.

E tani për tani më e rëndësishmja është: të jemi – të gjithë me Durrësin, me Tiranën, me Thumanën e të gjitha qytetet, qytezat, fshatrat që i dëmtoi tërmeti, të jemi me ta me çka kemi, me çka mundemi e me çka dimë. Se ashtu do të jemi me shtetin amë, Shqipërinë, me Kosovën, me gjithë bashkëkombëtarët kudo ndodhen ata.

Dy të moshuarit: Po flemë me lopën se nuk kemi ku të fusim kokën

Mersin dhe Zhuljeta Koxhaj 65 vjeç dhe 57 vjeç, banorë të Thumanës, kanë arritur të shpëtojnë pa dëme shëndetësore nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Një javë pas tërmetit, prindërit e tre fëmijëve që tashmë jetojnë të vetëm në Thumanë, nuk kanë ku të fusin kokën.

Banesa e tyre 1-katëshe ka pësuar dëmtime të shumta dhe ata tashmë janë të detyruar të jetojnë poshtë një tende me llamarina pranë gjësë së gjallë.

Zhuljeta, në një gjendje të rënduar pasi vuan nga epilepsia, apelon për ndihmë, për një çadër për të qëndruar ngrohtë.

Mersini thotë se gruaja e tij duhet të marrë patjetër ilaçet për epilepsinë.

“Unë e kam gruan me epilepsi dhe të dua ta çoj tek gocat në Korçë, nuk e çoj dot sepse do t’i marr ilaçe çdo muaj, sepse po s’i mora ilaç ajo mbaron”, shprehet ai për Klan.

Zonja Zhuljeta Koxha tregon se ditën e tërmetit atë e ka kapur sëmundja dhe bashkëshorti e ka nxjerrë jashtë.

“Jam e sëmurë me epilepsi. Nuk na ka ardhur njeri, as doktori nuk na ka ardhur. Çfarë bie jashtë, bie dhe brenda. Në atë moment që ra tërmeti, mua më kapi sëmundja dhe ky më kapi dhe më nxorri. Më ka tërhequr për këmbe, për koke dhe më ka nxjerrë përjashta”.

Gjithashtu, ajo tregon se askush nuk ka ardhur t’u ofrojë ndihmë.

“Të gjitha nevojat i kam, për të gjitha kam nevojë. Të më ndihmojnë. I kanë ndarë çadrat dhe këtu nuk na sollën një çadër. Kam nevojë për një çadër ose barake si të doni, që të rri ngrohtë. Gjithë ditën e ditës jam me batanije, bukë të fus në bark nuk kam. Gjithë ai shiu që ka rënë, mua më ka rënë sipër, jastëku është i njomë”.

Zonja Zhuljeta nuk mundet dot që të shkojë as tek qendrat që janë hapur sepse sëmundja nuk ia lejon diçka të tillë.

“Unë s’mund të shkoj atje se jam e sëmurë, duhet të më marrë ky dhe të më çojë aty. Vajta i thashë atij të komunës pa lejen e këtij atë ditë dhe i thashë më jep ore zotëri një krevat portativ, a çfarë i thonë… se jam e sëmurë ti e di punën time. Më tha mua: S’më bie ndërmend, ka marrë Mersini dyshek”.

Çifti i bashkëshortëve kërkon ndihmë sepse janë duke qëndruar së bashku me lopën, vetëm 2 metra larg saj.

“Të më japin një çadër… Kjo lopë më ka mbajtur mua.. Më kanë dhënë një pension qesharak, 86 mijë Lekë. Çfarë t’i bëj unë ato, do t’i blej ilaçe për veten… Prandaj e kam mbajtur lopën që të ha një copë bukë. Jam duke fjetur me lopën këtu. Vetëm se lë dot se ma vjedhin, sepse s’mund ta blej dot. Kjo na ka mbajtur shpirtin”.

“Të ringriheni më të fortë e të bukur”, Bruno Vespa e Vittorio Sgarbi solidarizohen me shqiptarët (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama është i ftuar mbrëmjen e 4 nëntorit në emisionin e Bruno Vespës “Porta a Porta” në përpjekje edhe për të siguruar më shumë kontribute për vendin pas katastrofës që la pas tërmeti i 26 nëntorit.

Para nisjes së emisionit “Porta a Porta”, Rama ka shpërndarë një video ku ndodhet se bashku me Bruno Vespën dhe historianin e politikanin Vittorio Sgarbi, të cilët kanë dhënë një mesazh solidariteti për shqiptarët e prekur nga tërmeti. Sgarbi thotë se shpreson që kur të rikthehet në Shqipëri dhe ta shoh atë edhe më të bukur dhe të ringritur pas tërmeti katastrofik.

“Shpresoj të rikthehem në Shqipëri dhe ta shoh edhe më të bukur edhe pas goditjes që pësoi nga tërmeti dhe pasi të jetë rindërtuar në mënyrë e duhur dhe si një vend më i bukur”, u shpreh Sgarbi.

Ndërsa Bruno Vespa shprehu ngushëllimet për të prekurit nga tërmeti, ndërsa bën thirrje që shqiptarët të ringrihen edhe më të fortë dhe të bukur pas kësaj katastrofe natyrore.

“Unë ju kuptoj me gjithë zemër, pasi edhe këtu tek ne përjetuam një tërmet edhe më katastrofik, kështu që ju dërgojmë një përqafim të gjithë të prekurve. Pas këtij tërmeti të ringriheni edhe më të bukur dhe të fortë“, tha Vespa.

“Priste rrogën e 2 muajve që të festonte ditëlindjen e të ëmës”, rrëfimi prekës i të atit emigrant të Kristjan Preçit

Kristjan Preçi është një prej viktimave të tërmetit të 26 Nëntorit në Thumanë, pasi pallati ku ai kishte shtëpinë u rrënua plotësisht nga lëkundjet e forta.

Në shtëpinë e dëmtuar të xhaxhait të tij, rreth 100 metra larg qendrës së Thumanës, babai i 25-vjeçarit na rrëfen bisedën e fundit me djalin dhe dëshirën e paplotësuar të tij për të festuar më 28 Nëntor ditëlindjen e mamasë së tij, pasi kishte punuar dy muaj dhe priste të merrte rrogën.

“Biseda ime e fundit ka qenë po atë natë, para se të ndodhte kjo, darka e datës 25, rreth orës 19:00. Kishte dy muaj që kishte filluar punë dhe nuk i kishte marrë akoma lekët. Kishte filluar në një fabrikë këpucësh afër Fushë-Krujës. Ishte akoma në provë si të thuash, erdhi pronari i vetë që solli lekët e djalit që kishte punuar, se nuk i kishte marrë akoma rrogën.

Kam pasur këtë kujtim me djalin atë natë: Nëna e vet më datë 28 Nëntor ka pasur ditëlindje. Më thotë babi, kur t’i marr lekët do ta marr mamin edhe gjyshen dhe do të shkoj të haj një drekë tek një restorant që është këtu, që kushton pak, se kam filluar edhe punë dhe kam qejf që ta çoj mamin dhe nënën”, thotë ai për Klan.

Marjan Preçi, i emocionuar rrëfen se në tërmetin e një viti më parë, të dy apartamentet e tij kishin pësuar plasaritje dhe krisje të dukshme, 30 centimetra poshtë tavanit, në të gjitha dhomat.

“Dhoma e gjumit kishte një plasje horizontale, rreth e rrotull në tavan. 20-30 centimetra poshtë tavanit. Pika ku ka fjetur djali, në dhomën e ndenjes, ka pasur një çarje të fuqishme muri deri në një farë pike, tipit sikur bie rrufeja, shumë degëzime. Edhe po e njëjta gjë tavani. Kishte edhe çarje nëpër qoshe, vertikale. “

Babai i Kristjanit rrëfen dhe momentin kur mori vesh lajmin e hidhur për të birin dhe ndihmën që i dhanë për t’u kthyer nga Gjermania, aty ku punonte prej vitesh për t’u siguruar mbijetesën bashkëshortes, Kristjanit dhe nënës së tij.

“Unë jetoj në Gjermani bashkë me djalin e vogël. Në orën 04:30 të mëngjesit marr një telefonatë nga vëllai i madh, Moisiu. A e di që është bërë nami, ka rënë tërmet? Edhe nuk e dimë… por 99 përqind e ka mbytur djalin. Nuk e kam marrë veten, nuk e kam ditur se ku jam.

Jam nisur për në Shqipëri me një shok të punës nga Kosova. Ai më është gjendur për gjithçka. Munda të marr avionin që të jem në orën 2 e gjysmë po atë ditë në Thumanë. Kam ardhur tek shtëpia, kam gjetur çdo gjë të organizuar nga vëllezërit, shoqëria e miqësia, sepse mua shtëpitë më ishin shembur të dyja”.

Gjallë i ka mbetur dhe vëllai i Kristjanit, që jetonte me të atin në Gjermani, ku ishte në shkollë të mesme. Në Thumanë nga tërmeti arriti të shpëtonte mamaja dhe gjyshja e Kristjanit. Po ku po strehohet sot familja Preçi?

“Urdhëro (tregon me gisht nga çadra). Pas 3-4 ditësh, kur kam futur djalin në tokë na kanë dhënë një çadër. Na ka ardhur ushtria, na kanë montuar çadrën në kohë. Kemi shkuar me turp, pa turp, sepse unë po ta kisha djalin gjallë unë nuk i kisha rënë instancave për të marrë një copë bukë, një diçka, por isha i detyruar se nuk kam ku të shkoj, nuk kam ku të përplas kokën.

Një njeri që sapo i ka vdekur djali, të shkojë të trokasë për një copë punë, apo një tenxhere gjellë nuk e di, a e imagjinon se çfarë duhet të hash ti me veten tënde, do ta hash veten me dhëmbë, nuk di si ta them…

Sepse ishte dëm i madh, popullsi e madhe, ndoshta këta nuk kanë pasur mundësi me i bërë të gjitha, por unë do ta shihja më të udhës që çdo njeri, kush ka që mund të strehohet në një vend tjetër mund të vinin të na pyesnin, kishte rrugë që mund të bëhej më mirë.

Një person i funeralit merr në telefon vëllain tim dhe i thotë, dëgjo këtu nëse keni problem me drekën dhe të tretat, për pagesën, çojani telefonin atij personit dhe unë flas me atë personin që ta paguaj unë.

Isha aq i revoltuar sa do i kisha kthyer një përgjigje shumë banale, po nuk më la vëllai. Unë me gjithë mend jam fukara, por ama ne zona këtej, kemi diçka të mirë që i gjendemi njëri-tjetrit. Ndoshta për mirë jo, po për të keq të gjithë bëhemi”.

Por a do të jetojë më në Thumanë pas tragjedisë në familje?

“Jeta vazhdon. Unë si person nuk kam dëshirë ta shoh më Thumanën me sy, jo për faj të Thumanës. Unë kam komplet kujtimin e djalit. Dal aty më del djali, dal atje kujtoj djalin, dal në kafe kujtoj djalin… dua të kem sa më pak stres, ngarkesë, në këtë drejtim.”

Ndërsa Moisiu, xhaxhai i Kristjanit, rrëfen 7 ditë nga tërmeti, vështirësitë për të mbijetuar dhe për t’u strehuar 12 pjesëtarë të familjes në oborrin e shtëpisë private.

“Jam vet i nënti këtu, është vëllai vet i treti, plaka… Është nusja ime, unë, nusja e djalit, djali, djali tjetër që ka ardhur nga Italia që të na gjendet pranë për këtë situatë. Kemi fjetur të gjithë këtu, 12 veta kemi fjetur këtu.

Dy netët e para kemi fjetur 12 vetë. Për të gatuar kemi një mangall aty, e kemi bërë me dru jashtë. Unë dua të vij një specialist ta kontrollojë shtëpinë, të thotë ku ka marrë plasje, ka futur ujë në atë cepin, ka futur lagështirë”.