Ballina Aktualitet Shqipëri Dy të moshuarit: Po flemë me lopën se nuk kemi ku të...

Dy të moshuarit: Po flemë me lopën se nuk kemi ku të fusim kokën

Mersin dhe Zhuljeta Koxhaj 65 vjeç dhe 57 vjeç, banorë të Thumanës, kanë arritur të shpëtojnë pa dëme shëndetësore nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Një javë pas tërmetit, prindërit e tre fëmijëve që tashmë jetojnë të vetëm në Thumanë, nuk kanë ku të fusin kokën.

Banesa e tyre 1-katëshe ka pësuar dëmtime të shumta dhe ata tashmë janë të detyruar të jetojnë poshtë një tende me llamarina pranë gjësë së gjallë.

Zhuljeta, në një gjendje të rënduar pasi vuan nga epilepsia, apelon për ndihmë, për një çadër për të qëndruar ngrohtë.

Mersini thotë se gruaja e tij duhet të marrë patjetër ilaçet për epilepsinë.

“Unë e kam gruan me epilepsi dhe të dua ta çoj tek gocat në Korçë, nuk e çoj dot sepse do t’i marr ilaçe çdo muaj, sepse po s’i mora ilaç ajo mbaron”, shprehet ai për Klan.

Zonja Zhuljeta Koxha tregon se ditën e tërmetit atë e ka kapur sëmundja dhe bashkëshorti e ka nxjerrë jashtë.

“Jam e sëmurë me epilepsi. Nuk na ka ardhur njeri, as doktori nuk na ka ardhur. Çfarë bie jashtë, bie dhe brenda. Në atë moment që ra tërmeti, mua më kapi sëmundja dhe ky më kapi dhe më nxorri. Më ka tërhequr për këmbe, për koke dhe më ka nxjerrë përjashta”.

Gjithashtu, ajo tregon se askush nuk ka ardhur t’u ofrojë ndihmë.

“Të gjitha nevojat i kam, për të gjitha kam nevojë. Të më ndihmojnë. I kanë ndarë çadrat dhe këtu nuk na sollën një çadër. Kam nevojë për një çadër ose barake si të doni, që të rri ngrohtë. Gjithë ditën e ditës jam me batanije, bukë të fus në bark nuk kam. Gjithë ai shiu që ka rënë, mua më ka rënë sipër, jastëku është i njomë”.

Zonja Zhuljeta nuk mundet dot që të shkojë as tek qendrat që janë hapur sepse sëmundja nuk ia lejon diçka të tillë.

“Unë s’mund të shkoj atje se jam e sëmurë, duhet të më marrë ky dhe të më çojë aty. Vajta i thashë atij të komunës pa lejen e këtij atë ditë dhe i thashë më jep ore zotëri një krevat portativ, a çfarë i thonë… se jam e sëmurë ti e di punën time. Më tha mua: S’më bie ndërmend, ka marrë Mersini dyshek”.

Çifti i bashkëshortëve kërkon ndihmë sepse janë duke qëndruar së bashku me lopën, vetëm 2 metra larg saj.

“Të më japin një çadër… Kjo lopë më ka mbajtur mua.. Më kanë dhënë një pension qesharak, 86 mijë Lekë. Çfarë t’i bëj unë ato, do t’i blej ilaçe për veten… Prandaj e kam mbajtur lopën që të ha një copë bukë. Jam duke fjetur me lopën këtu. Vetëm se lë dot se ma vjedhin, sepse s’mund ta blej dot. Kjo na ka mbajtur shpirtin”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews