Është ndarë nga jeta Leonard Kurti (1981–2026), specialist i Biokimisë Klinike dhe drejtor i Klinikës së Biokimisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Ai ishte gjithashtu anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Biokimistëve Klinikë të Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Ferizaj.
Ndarja e tij e parakohshme nga jeta ka shkaktuar pikëllim të thellë te familjarët, kolegët, bashkëpunëtorët dhe komuniteti shëndetësor në Kosovë.
Lajmi është bërë i ditur të shtunën, më 31 tetor 2026, ndërsa Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Oda e Farmacistëve të Kosovës, Shoqata e Biokimistëve Klinikë të Kosovës, LDK-ja në Ferizaj dhe Kisha Katolike “Engjëlli i Rojës” kanë publikuar mesazhe ngushëllimi, duke vlerësuar kontributin profesional, angazhimin shoqëror dhe cilësitë njerëzore të Leonard Kurtit.
QKUK: Humbje e madhe për institucionin shëndetësor
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka konfirmuar ndarjen nga jeta të drejtorit të Biokimisë Klinike, duke publikuar një mesazh zyrtar ngushëllimi.
“Me dhimbje të thellë dhe pikëllim të madh morëm lajmin për ndarjen nga jeta të drejtorit të Biokimisë Klinike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), dr. Leonard Kurti”, thuhet në reagimin e institucionit.
QKUK-ja e ka cilësuar vdekjen e tij si humbje të madhe, jo vetëm për familjen dhe të afërmit, por edhe për kolegët, bashkëpunëtorët dhe gjithë institucionin shëndetësor.
“Dr. Leonard Kurti do të kujtohet për kontributin e tij profesional, përkushtimin në punë dhe gjurmët që la gjatë angazhimit të tij në shërbim të shëndetësisë”, theksohet në mesazhin e QKUK-së.
Institucioni u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij.
“Lamtumirë, dr. Leonard Kurti! Kujtimi dhe respekti për ju do të mbeten gjithmonë.”

Shoqata e Biokimistëve Klinikë: Humbëm një koleg dhe anëtar të Kryesisë
Shoqata e Biokimistëve Klinikë të Kosovës ka publikuar një njoftim mortor, duke konfirmuar se Leonard Kurti ishte anëtar i Kryesisë së Shoqatës, krahas angazhimit të tij profesional si specialist i Biokimisë Klinike.
“Me dhimbje dhe pikëllim të thellë, Shoqata e Biokimistëve Klinikë të Kosovës njofton ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut tonë të nderuar, Mr. Ph. Leonard Kurti, specialist i Biokimisë Klinike dhe anëtar i Kryesisë së Shoqatës”, thuhet në reagim.
Shoqata ka vlerësuar kontributin e tij në fushën e biokimisë klinike dhe angazhimin e vazhdueshëm në veprimtarinë profesionale.
“Leonardin do ta kujtojmë gjithmonë me respekt e mirënjohje për profesionalizmin, përkushtimin, kontributin e çmuar në fushën e biokimisë klinike dhe angazhimin e tij në Shoqatë, si dhe për vlerat e tij njerëzore”, theksohet në mesazhin përkujtimor.
Shoqata u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve, duke theksuar se kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten pjesë e saj.

Oda e Farmacistëve: Do të kujtohet për profesionalizmin dhe gatishmërinë për të ndihmuar
Oda e Farmacistëve të Kosovës ka publikuar një njoftim mortor për ndarjen nga jeta të anëtarit të saj, Mr. Ph. Leonard Kurti, duke e cilësuar vdekjen e tij si një humbje të rëndë për komunitetin shëndetësor.
“Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje të rëndë për familjen, kolegët dhe komunitetin shëndetësor, të cilit i shërbeu me përkushtim, profesionalizëm dhe dinjitet”, thuhet në njoftim.
Oda ka shprehur mirënjohje për kontributin e tij profesional, bashkëpunimin e vazhdueshëm institucional dhe mbështetjen ndaj sektorit farmaceutik.
“Gatishmëria e tij për të ndihmuar, korrektësia dhe mikpritja e treguar ndaj anëtarëve të Odës do të kujtohen gjithmonë me respekt të veçantë”, theksohet në reagim.
Mesazhe ngushëllimi kanë përcjellë edhe kolegët farmacistë. Në një reagim të publikuar nga Barnatore Unifarm, në emër të një grupi kolegësh, Leonard Kurti përkujtohet si profesionist i përkushtuar dhe bashkëpunëtor i respektuar.
“Ikja e tij në moshë të re është një humbje e madhe dhe e dhimbshme për familjen, miqtë dhe gjithë komunitetin farmaceutik”, thuhet në mesazhin e tyre.

LDK në Ferizaj: Humbëm një mik dhe bashkëveprimtar të çmuar
Përveç angazhimit profesional në shëndetësi, Leonard Kurti ishte edhe anëtar i Kryesisë së Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj.
Në një njoftim mortor, LDK-ja në Ferizaj ka shprehur dhimbjen për humbjen e tij, duke e përshkruar si një bashkëpunëtor dhe bashkëveprimtar të përkushtuar.
“Leonardi ishte shumë më tepër sesa një bashkëpunëtor dhe bashkëveprimtar politik. Ai ishte një mik i çmuar, një njeri i dashur, i sinqertë dhe me vlera të larta njerëzore, që me mirësinë, urtësinë dhe humorin e tij linte gjurmë te të gjithë ata që patën fatin ta njihnin”, thuhet në reagimin e degës së LDK-së.
Sipas këtij subjekti politik, Kurti kishte dhënë kontributin e tij në aktivitetet dhe angazhimet e përbashkëta të degës, duke vepruar me përkushtim dhe dinjitet.
“Sot, familja Kurti humbi njeriun e saj të dashur, ndërsa ne humbëm një mik, një bashkëpunëtor dhe një bashkëveprimtar të çmuar”, theksohet në mesazhin e ngushëllimit.
Reagimi përfundon me fjalët: “Lamtumirë, Leo! U prehsh në paqe!”
Ibadete Mehmeti: Një profesionist i pashoq dhe mik i pazëvendësueshëm
Një mesazh emocional për Leonard Kurtin ka publikuar edhe Ibadete Mehmeti, e cila e ka përkujtuar si mik të pazëvendësueshëm, profesionist të dalluar dhe njeri me vlera të rralla.
“Lamtumirë, shoku ynë Leo! Nuk ka fjalë që do të mund të të përshkruanin plotësisht ty, si njeri me zemër të madhe, me një mendje të jashtëzakonshme, gjeniale. Ishe dhe do të mbetesh gjithmonë një mik i pazëvendësueshëm”, shkruan Mehmeti.
Ajo shprehet se largimi i tij i parakohshëm ka lënë dhimbje të thellë te njerëzit që e njohën.
“I dhe shumë vendit, ishe njeri me vlera të rralla, zemërgjerë dhe i përkushtuar. Një profesionist i pashoq në fushën e shkencës, një aktivist i madh dhe anëtar i Kryesisë pranë Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dega Ferizaj”, thekson ajo.
Mehmeti nënvizon se, përtej angazhimeve profesionale dhe politike, Leonardi ishte mbi të gjitha një familjar dhe mik i përkushtuar.
Mesazhi prekës i Kishës Katolike në Ferizaj për dy djemtë e tij të vegjël
Një mesazh përkujtimor ka publikuar edhe Kisha Katolike “Engjëlli i Rojës” në Ferizaj, duke e përshkruar Leonard Kurtin si një intelektual me vlera të larta njerëzore, bashkëshort, baba, bir dhe vëlla.
“Ka ndarje që na lënë pa fjalë, sepse vijnë atëherë kur jeta ka ende kaq shumë për të dhënë”, thuhet në mesazhin e kishës.
Në përkujtim theksohet se dija e Leonardit ishte e bashkuar me ndershmërinë, fisnikërinë dhe respektin për të tjerët.
Një pjesë veçanërisht prekëse e mesazhit i kushtohet dy djemve të tij të vegjël, Erikut dhe Marinit, të cilët, sipas raportimit të Sinjalit, janë të moshës dy dhe gjashtë vjeç.
Kisha ka shprehur urimin që fëmijët të rriten të rrethuar nga dashuria e familjes dhe që, përmes kujtimeve dhe rrëfimeve për babanë e tyre, të njohin gjithnjë e më shumë vlerat dhe dashurinë që ai la pas.
Ngushëllime u janë drejtuar prindërve të Leonardit, Marisë dhe Kolës, bashkëshortes Genzana, djemve Erik e Marin, motrës Roza dhe gjithë familjes Kurti.
Në lutjen për të ndjerin përmendet edhe i Lumi Shtjefën Kurti, të cilin kisha e cilëson si axhën e Leonardit.

Varrimi më 1 nëntor: Mesha në orën 14:30, varrimi në orën 15:00
Oda e Farmacistëve të Kosovës ka publikuar orarin e ceremonisë mortore.
Sipas njoftimit zyrtar, të dielën, më 1 nëntor 2026, në orën 14:30, do të mbahet Mesha e salikimit në Ferizaj.
Ndërkaq, varrimi i Leonard Kurtit do të bëhet në orën 15:00, në Varrezat Katolike të Ferizajt.
Vendndodhja e ceremonisë së varrimit është publikuar edhe përmes Google Maps.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!”, përfundon njoftimi i Odës së Farmacistëve.
Edhe Kisha Katolike “Engjëlli i Rojës” e ka përmbyllur mesazhin e saj me fjalët:
“Lamtumirë, Leonard i dashur! Dritë të pastë shpirti e i përhershëm qoftë kujtimi yt! Pushofsh në paqen e Zotit!”
Shkaku i vdekjes së Leonard Kurtit nuk është bërë i ditur në njoftimet zyrtare të publikuara deri më 31 tetor 2026.
Burimet: Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), Shoqata e Biokimistëve Klinikë të Kosovës, Oda e Farmacistëve të Kosovës, LDK – Dega në Ferizaj, Kisha Katolike “Engjëlli i Rojës” – Ferizaj, Barnatore Unifarm, Ibadete Mehmeti, Sinjali dhe First Channel.






























