Drejtuesit e lartë të kompanive kanë dy herë më shumë gjasa sesa punonjësit e zakonshëm t’i besojnë inteligjencës artificiale (IA) më shumë sesa gjykimit të tyre, sipas një sondazhi të publikuar të mërkurën në mëngjes.
Pse ka rëndësi: Ky është një zhvillim shqetësues. Drejtuesit punësohen për përvojën dhe njohuritë e tyre.
Kalimi i përgjegjësisë për gjykimin dhe vendimmarrjen te inteligjenca artificiale rrit rrezikun e marrjes së vendimeve që nuk përputhen me realitetin, pasojat e të cilave më pas ndihen në të gjithë kompaninë dhe përtej saj.
Shifrat: Sipas sondazhit të kompanisë Charter, e cila merret me kërkime dhe publikime për botën e punës, 32,8% e drejtuesve të lartë deklaruan se i besojnë inteligjencës artificiale më shumë sesa gjykimit të tyre.
Kjo përqindje është dy herë më e lartë se ajo e punonjësve pa përgjegjësi menaxheriale. Vetëm 16,3% e këtyre punonjësve dhanë të njëjtën përgjigje.
Dallimi vërehet edhe në nivelin drejtues menjëherë poshtë drejtuesve të lartë: 34,8% e menaxherëve deklaruan se i besojnë inteligjencës artificiale më shumë sesa gjykimit të tyre.
Në një këndvështrim më të gjerë: Termi shkarkim njohës (cognitive offloading) nënkupton përdorimin e mjeteve, si inteligjenca artificiale, për të zvogëluar përpjekjen mendore.
“Drejtuesit e lartë, megjithëse kanë përvojën më të madhe, po e bëjnë këtë më shumë se kushdo tjetër”, shkruan bashkautorët e raportit.
Të dhënat e sondazhit: Në gusht, Charter anketoi 5.002 punonjës zyrash në Shtetet e Bashkuara, të punësuar në kompani me të paktën 100 punonjës, të cilët deklaruan se përdorin inteligjencën artificiale në punë.
Në sondazh morën pjesë 2.952 punonjës pa përgjegjësi menaxheriale, 1.547 menaxherë dhe 503 drejtues të lartë, përfshirë zëvendëspresidentë kompanish, drejtues të nivelit më të lartë ekzekutiv (C-suite), pronarë dhe themelues kompanish.
Çfarë fshihet pas shifrave: Shumica e drejtuesve të lartë janë nën presion të madh për t’u dhënë përgjigje shumë pyetjeve brenda një kohe të shkurtër. Inteligjenca artificiale mund t’i ndihmojë në këtë drejtim, të paktën në periudhën afatshkurtër, thotë Brian Elliott, bashkautor i raportit dhe ish-drejtues në kompaninë Slack, i cili aktualisht është drejtues ekzekutiv rezident në Charter.
“Inteligjenca artificiale përputhet shumë mirë me prirjen që kanë disa drejtues për të qenë ‘rrallëherë gabim dhe kurrë në dyshim’”, thotë ai.
“Nëse, si drejtues, mendoni se duhet të shtireni sikur i zotëroni të gjitha aftësitë derisa t’i fitoni vërtet ato, atëherë inteligjenca artificiale sigurisht që do t’i përforcojë këto prirje, sepse mund t’ju bëjë të dukeni shumë të zgjuar, shumë shpejt.”
Në detaje: Elliott përshkroi raste të drejtuesve të kompanive teknologjike që përdorin inteligjencën artificiale për të ndërtuar prototipe produktesh gjatë një fundjave dhe më pas presin që ekipet e tyre t’i shndërrojnë ato shpejt në produkte funksionale, pa e kuptuar kompleksitetin e punës që kërkohet.
“Inteligjenca artificiale është shumë e mirë në përgatitjen e një përmbledhjeje për drejtuesit. Por nuk është domosdoshmërisht po aq e mirë në dhënien e një përgjigjeje shumë specifike për problemin konkret me të cilin përballeni sot, dhe pikërisht me probleme të tilla përballen më shpesh punonjësit pa përgjegjësi menaxheriale.”
Çfarë tregojnë realisht të dhënat: Sondazhi i Charter mat nivelin e besimit që drejtuesit deklarojnë se kanë te inteligjenca artificiale, por nuk përcakton nëse ata i ndjekin vërtet këshillat e saj kur marrin vendime me pasoja të rëndësishme.
Në përgjithësi, përfundimet e raportit ishin pozitive sa i përket potencialit të inteligjencës artificiale në vendin e punës. Sipas sondazhit, 42,7% e përdoruesve të inteligjencës artificiale deklaruan se ajo ua kishte përmirësuar si jetën profesionale, ashtu edhe atë personale.
Burimi i tensionit: Një shqetësim kryesor për punonjësit është rreziku i humbjes së vendeve të punës për shkak të inteligjencës artificiale, siç vunë re studiuesit gjatë intervistave të veçanta cilësore me 91 punonjës të tjerë.
Sondazhi tregoi se sa më të aftë bëhen punonjësit në përdorimin e inteligjencës artificiale, aq më shumë kuptojnë se sa shumë punë mund të kryhen edhe pa praninë e tyre.
Ekziston një “tension i vazhdueshëm”.
Përfundimi: Sipas Elliott, drejtuesit e lartë janë kryesisht të çliruar nga ky tension.
“Gjasat që të shfaqet një drejtor ekzekutiv i bazuar në inteligjencën artificiale dhe të marrë drejtimin e një kompanie janë jashtëzakonisht të vogla.”
/Axios















