Ballina Lajme Si pushoi iPhone së qeni një produkt global

Si pushoi iPhone së qeni një produkt global

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Nga Robin Rivaton 

Që nga hedhja e tij në treg në vitin 2007, iPhone përfaqësonte produktin global par excellence. I projektuar në Kaliforni, i montuar në Kinë, me komponentë të prodhuar në Japoni apo Gjermani, i mbërritur në Evropë po atë vit dhe i shitur në mbarë planetin, duke ofruar një përvojë përdorimi kryesisht të njëjtë… Ai ishte shembulli më tipik i ndërkombëtarizimit të zinxhirëve të prodhimit.

Në vitet që pasuan, iPhone 3G i mundësoi Apple të hynte në tregjet e mëdha në zhvillim të Indisë (gusht 2008) dhe Kinës (tetor 2009). Kjo diferencë kohore në hedhjen e produktit në treg vinte si pasojë e negociatave të vështira për Wi-Fi, pasi Pekini përpiqej të favorizonte standardin e vet të komunikimit pa tela, Wapi. Sot, në mbarë botën janë shitur më shumë se 3,4 miliardë iPhone, ndërsa kompania është e pranishme në 175 vende.

Për të ruajtur pjesët e saj të tregut jashtë vendit, Apple po mbështetet gjithnjë e më shumë te versionet rajonale të produkteve të saj. Në dhjetor, Apple Intelligence do t’u ofrohet klientëve kinezë të kompanisë, me gati dy vjet e gjysmë vonesë krahasuar me klientët amerikanë. Por kjo inteligjencë artificiale, e integruar në iPhone për të kryer detyra nga më të ndryshmet, si redaktimi i fotografive apo shkrimi i teksteve, do të mbështetet te familjet e modeleve të mëdha të inteligjencës artificiale Qwen dhe Tongyi Wanxiang, të zhvilluara nga Alibaba Cloud, dega e qendrave të të dhënave e gjigantit kinez të tregtisë elektronike. Ky integrim është miratuar nga Ministria kineze e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit.

Një version i veçantë i iPhone për Kinën

Në të kundërt, versioni i ri i asistentit zanor Siri, i fuqizuar nga inteligjenca artificiale dhe i prezantuar me shumë bujë korrikun e kaluar, nuk do të jetë i disponueshëm për klientët kinezë. Në fakt, Siri AI do të mbështetet në inteligjencën artificiale Gemini të Google, përmes një partneriteti shumëvjeçar ndërmjet dy gjigantëve kalifornianë.

As iPhone-ët evropianë nuk do të jenë më aq të ngjashëm me modelet amerikane. Apple njoftoi më 8 qershor se nuk do ta ofronte Siri AI në iPhone dhe iPad në Bashkimin Evropian, edhe pse kjo funksionalitet është i disponueshëm në Mac dhe në pajisjen e saj Vision Pro.

Kompania vlerëson se interpretimi që Brukseli i bën Rregullores për Tregjet Digjitale (DMA) do ta detyronte t’u jepte asistentëve konkurrues qasje në të dhënat dhe komandat e aplikacioneve. Apple ishte kundërpërgjigjur duke propozuar një ndërmjetës sigurie, të quajtur Trusted System Agent, dhe një zbatim gradual gjatë tetëmbëdhjetë muajve, por ideja u hodh poshtë.

Rajonalizimi po përfshin edhe vetë pajisjen fizike. Apple e nisi prodhimin e iPhone-ve në Indi që në vitin 2017. Sot, sipas Counterpoint Research, më shumë se një në katër iPhone të prodhuar në botë vjen nga nënkontinenti indian. Fabrikat e Foxconn dhe Tata mundësojnë kufizimin e ekspozimit ndaj tarifave doganore të vendosura mbi produktet e importuara nga Kina që prej vitit 2016.

Kjo prirje mund të shtrihet edhe te komponentët. Apple po teston memoriet RAM të prodhuesit ChangXin Memory Technologies (CXMT) në iPhone dhe MacBook të destinuar për tregun kinez. Rritja e çmimit të memories, e lidhur veçanërisht me kërkesën për çipa që përdoren në qendrat e të dhënave, e bën edhe më tërheqëse mundësinë e sigurimit të një furnizuesi shtesë.

Megjithëse CXMT figuron në listën e Pentagonit të kompanive të lidhura me ushtrinë kineze, komponentët e saj nuk i nënshtrohen një ndalimi të përgjithshëm të blerjes, siç ndodh me konkurrentin YMTC, i përfshirë në Entity List, listën e kufizimeve tregtare të Departamentit amerikan të Tregtisë.

Strategjia e rajonalizimit e Apple

Mbetet për t’u parë nëse ky projekt do të mund të realizohet. Shtatë senatorë demokratë dhe republikanë i kanë kërkuar tashmë Apple të heqë dorë nga këta komponentë. Edhe sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, ka deklaruar se administrata Trump është kundër përdorimit të tyre.

Kjo strategji rajonalizimi po jep rezultate. Në tremujorin e tretë të vitit 2026, pjesa e Apple në dërgesat e telefonave inteligjentë në Kinë u rrit nga 16% në 18%, sipas IDC, në një treg që po tkurret. Të ardhurat e kompanisë në rajonin e Kinës së Madhe u rritën me 21%, duke arritur në 17,5 miliardë dollarë.

Kompania, e drejtuar nga John Ternus, i cili pasoi Tim Cook në shtator, nuk është e vetmja që po ndjek këtë drejtim.

Që nga viti 2024, telefonat inteligjentë Huawei të destinuar për tregun kinez funksionojnë me një sistem operativ dhe një katalog aplikacionesh të zhvilluara nga vetë kompania. Jashtë Kinës, Huawei vazhdon të shesë telefona me EMUI, një version të modifikuar të Android-it. Megjithatë, këto pajisje nuk kanë qasje në shërbimet e Google që prej sanksioneve amerikane të vitit 2019.

Edhe kompania koreanojugore Samsung përdor të njëjtën strategji. Që në vitin 2024, modeli i saj Galaxy S24 përdorte në Kinë inteligjencën artificiale Ernie të gjigantit vendas Baidu, ndërsa në pjesën tjetër të botës ishte i pajisur me inteligjencën artificiale të Google.

Tensionet që po përshkojnë globalizimin nuk u kanë shpëtuar gjigantëve të teknologjisë.(L’Express)