Nga Céline Delbecque – L’Express
Një nënë franceze rrëfen se si vajza e saj 12-vjeçare, pasi filloi të përdorte TikTok-un, u përball me vetëlëndime, anoreksi, depresion dhe tentativa për vetëvrasje. Së bashku me familje të tjera, ajo ka ndërmarrë një betejë gjyqësore kundër platformës, të cilën e akuzon se i ekspozon të miturit ndaj përmbajtjeve të rrezikshme për shëndetin e tyre mendor.
Aplikacioni duket kaq i padëmshëm dhe përdorimi i tij kaq i zakonshëm, saqë prindërit nuk tregohen gjithmonë të kujdesshëm kur adoleshentët u kërkojnë ta instalojnë TikTok-un në telefon.
Në fillim të vitit shkollor 2021, Gaëlle Berbonde nuk u shqetësua shumë kur vajza e saj Eléonore, 12 vjeçe, nisi të shikonte video të shkurtra në platformën kineze, ashtu si shumica e shoqeve të saj. Përse duhej të shqetësohej? Në familje, rregullat ishin të qarta: rrjeti Wi-Fi fikej në orën 21:00, interneti mund të përdorej vetëm në shtëpi dhe në telefon ishte instaluar një sistem kontrolli prindëror.
Por shumë shpejt, diçka nuk shkonte. Karakteri i gëzuar i Eléonore-s filloi të ndryshonte. Mësuesja e vallëzimit ngriti alarmin pasi vuri re shenja vetëlëndimi në krahët e saj. Adoleshentja humbi peshë dhe madje tentoi t’i jepte fund jetës.
Nga mund të buronin mendime kaq të errëta?
Pas shumë bisedave me vajzën, Gaëlle Berbonde kuptoi se videot e pamoderuara në platformë, të cilat paraqesin, romantizojnë dhe madje idealizojnë vetëlëndimin, anoreksinë, depresionin ose vetëvrasjen, kishin një ndikim të konsiderueshëm në shëndetin mendor të saj.
Ajo nuk ishte e vetmja. Disa familje franceze, përfshirë familje që kishin humbur fëmijët nga vetëvrasja, u bashkuan në kolektivin Algos Victima.
Në nëntor 2024, me mbështetjen e avokates Laure Boutron-Marmion, ato vendosën të ngrinin padi kundër TikTok-ut, një nismë e parë e këtij lloji në Evropë.
Dy vjet më vonë, Gaëlle Berbonde rrëfen betejën e saj kundër njërës prej kompanive më me ndikim në botë.
PIKAT KRYESORE
- Një vajzë franceze 12-vjeçare u përball me vetëlëndime, anoreksi, depresion dhe tentativa për vetëvrasje pasi filloi të përdorte TikTok-un, sipas rrëfimit të nënës së saj.
- Gaëlle Berbonde pretendon se algoritmet e platformës e ekspozuan vajzën ndaj përmbajtjeve që romantizojnë vetëlëndimin dhe çrregullimet e shëndetit mendor.
- Në nëntor 2024, disa familje franceze, të bashkuara në kolektivin Algos Victima, ngritën padi kundër TikTok-ut.
- Dy procedura gjyqësore janë në zhvillim: një padi civile për dëmtime trupore dhe një padi penale për shpërdorim të besimit.
- Nëna kërkon ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç dhe mbrojtje më të fortë nga algoritmet që mund të ekspozojnë të miturit ndaj përmbajtjeve të dëmshme.
- Vajza sot është mirë, sipas nënës së saj. Ajo e ka rimarrë veten dhe dëshiron të punojë në fushën e kujdesit shëndetësor.
- Mbështetja e prindërve dhe diagnostikimi i problemeve të lidhura me përdorimin e ekraneve janë ndër kërkesat kryesore të familjeve që po zhvillojnë betejën gjyqësore.
Intervista është pjesë e podkastit Anatomie d’une décision (Anatomia e një vendimi), i cili mund të dëgjohet në Apple Podcasts, Spotify, Deezer, Castbox dhe Podcast Addict.
L’Express: Dy vjet më parë, së bashku me familje të tjera viktimash, vendosët të ngrinit padi kundër TikTok-ut. Çfarë ju shtyu të përballeshit me një kompani të tillë?
Gaëlle Berbonde: Para së gjithash, nuk kam qenë e vetme në këtë betejë. Atë po e zhvillojmë së bashku me kolektivin Algos Victima, të cilit iu bashkova pasi njoha avokaten Laure Boutron-Marmion.
Ajo kishte vënë re se rrjetet sociale ishin të përfshira në shumicën e çështjeve që lidheshin me të miturit që përfaqësonte, raste që në pjesën më të madhe ishin dramatike.
Në të vërtetë, edhe mua m’u desh shumë kohë për të kuptuar se rrjetet sociale po ndikonin në shëndetin mendor të vajzës sime.
Ndryshimet ishin mjaft të dukshme, natyrisht, dhe kur shfaqen sëmundja, depresioni dhe vetëlëndimi, faktet nuk mund të mohohen më. Por e ndieja se diçka nuk shkonte, pa arritur të kuptoja nga vinte. M’u desh kohë t’i hapja sytë.
Ajo që më ndihmoi ta kuptoja ishte shtypi, konkretisht një artikull që lexova në gazetën Le Monde, ku përshkruhej një proces gjyqësor kundër TikTok-ut në Shtetet e Bashkuara.
Artikulli përshkruante pikërisht atë që po i ndodhte vajzës sime dhe familjes sonë. Ishte e njëjta rrjedhë ngjarjesh: vetëlëndime, pastaj tentativa për vetëvrasje, më pas depresion i rëndë dhe anoreksi që kërkonte shtrim në spital.
Atëherë mendova se ajo që po i ndodhte vajzës sime, por edhe shumë fëmijëve të tjerë të shtruar në institucionet ku ajo ishte trajtuar, nuk kishte ardhur nga hiçi.
Kisha përshtypjen se të gjithë këta adoleshentë po përjetonin të njëjtën histori.
Disa nga familjet që njoha madje kishin humbur fëmijët e tyre: në rastin e tyre, tentativa për vetëvrasje kishte përfunduar me vdekje.
Diskutuam si familje dhe shqyrtuam mundësinë e ngritjes së një padie, në një betejë që i ngjante përballjes së Davidit me Goliatin.
Shumë shpejt mendova: vajza ime është gjallë, ndërsa adoleshentë të tjerë nuk janë më.
Për mua ishte absolutisht e padurueshme të mendoja se një aplikacion që realizon fitime kaq marramendëse mund të dëmtojë jetën e të rinjve pa u ndëshkuar.
Për mua, pyetja nëse duhej të përfshihesha në këtë betejë as që u shtrua.
L’Express: Sot TikTok-u është një nga kompanitë më me ndikim në botë dhe një nga më të fuqishmet financiarisht. A patët frikë të ngrinit padi?
Gaëlle Berbonde: Natyrisht, e diskutuam në familje, sepse në njëfarë mënyre kjo do të thoshte të dilnim publikisht dhe të përballeshim me një kundërshtar në një betejë që dukej pothuajse e humbur që në fillim.
Kishim disa frikëra.
Në fillim, vajza ime nuk e kuptonte dhe reagoi menjëherë duke thënë: “Do të na ndëshkojnë neve, fëmijët.”
Kjo ma përforcoi edhe më shumë bindjen se mënyra si funksionojnë rrjetet sociale ka një natyrë jashtëzakonisht të mbrapshtë.
Në të vërtetë, ato i nxisin të rinjtë të filmojnë dëshpërimin e tyre për të ushqyer spiralen e dëshpërimit të të tjerëve.
Vajza ime, natyrisht, nuk ishte e vetëdijshme se ishte algoritmi ai që po e tërhiqte dhe po e shtynte në atë drejtim, duke krijuar një lloj varësie dhe kontrolli mbi të.
Mendova se duhej t’u tregonim të gjithë këtyre të rinjve se po përdoreshin dhe manipuloheshin për qëllime fitimi. Të paktën ky është mendimi im.
Nuk arrij ta kuptoj modelin ekonomik të një kompanie që jeton nga shkatërrimi i përdoruesve të saj.
Por, si nënë, nuk pata aspak frikë. Ndjeva një lloj energjie, një dëshirë për të vepruar, të nxitur nga zemërimi dhe ndjenja e padrejtësisë.
L’Express: A mund t’i përmblidhni pasojat që pati instalimi i TikTok-ut te vajza juaj dhe të shpjegoni çfarë lloj përmbajtjesh shikonte ajo?
Gaëlle Berbonde: Në të vërtetë, adoleshenti që shikon TikTok-un mbyllet shumë shpejt brenda një bote të caktuar.
Unë gjithmonë e krahasoj këtë me vrimën e vogël të lepurit në Liza në botën e çudirave: në fillim gjithçka duket e këndshme, pranë rrënjëve të një peme… Dhe papritur, pa e kuptuar se çfarë po ndodh, bie në një humnerë marramendëse.
Bashkëshorti im bëri një eksperiment. Krijuam një llogari në TikTok duke deklaruar moshën 13 vjeç.
Pas vetëm dhjetë minutash filluan të shfaqeshin përmbajtje me të rinj që vuanin nga anoreksia, dhoma spitalesh, pamje vetëlëndimesh dhe materiale që lidhen me vdekjen.
Është vërtet një bombardim. Brenda një kohe jashtëzakonisht të shkurtër, faqja e videove mbushet vetëm me përmbajtje që shkaktojnë ankth.
Në rastin e vajzës sonë, ajo nuk i kalonte netët në rrjetet sociale.
Koha e ekspozimit të saj ishte, do të thosha, maksimumi një orë në ditë. Për më tepër, kishim vendosur rregulla.
Por dhuna e pamjeve dhe izolimi brenda kësaj bote janë të tilla që edhe një orë në ditë mjafton.
Mendoj se çdo i rritur që do të ekspozohej ndaj së njëjtës rrjedhë përmbajtjesh do të pësonte të njëjtat pasoja shkatërruese.
Madje, gazetarë që kanë kryer eksperimente të ngjashme më kanë treguar se kanë dalë prej tyre të tronditur.
Ekziston një fenomen që quhet traumë dytësore, ose traumë nga ekspozimi ndaj përvojave traumatike të të tjerëve. Vetëm përballja me këto pamje mund të ketë një ndikim jashtëzakonisht të madh psikologjik.
L’Express: Përballë një situate të tillë, besoj se prisnit edhe mbështetje politike në betejën tuaj kundër TikTok-ut. A e morët mbështetjen që prisnit apo, përkundrazi, ju mungoi?
Gaëlle Berbonde: Kur e nisëm këtë përpjekje me Algos Victima, vërtet kërkuam mbështetje.
Në fillim, duhet t’ju them se nuk kishim asnjë mbështetje.
Shpesh na thoshin: “Ju, nënat e stresuara”, “Ju, nënat ankthioze”, apo edhe “Ju, nënat që doni të kontrolloni gjithçka”…
Fjala e radhës mund të kishte qenë: “Ju, nënat histerike!”
Pra, jo. Fillimisht nuk morëm asnjë mbështetje, madje as nga komuniteti mjekësor.
Kishte një mungesë të vërtetë mirëkuptimi, të cilën sot ia atribuoj mungesës së njohurive.
Ishte e vështirë të kuptohej, sepse mund të hysh në TikTok edhe me një llogari të një personi 53-vjeçar dhe të shohësh vetëm receta gatimi ose tema neutrale.
Natyrisht, ekzistojnë realitete paralele.
Megjithatë, shumë shpejt përjetuam një shpresë të jashtëzakonshme falë komisionit parlamentar hetimor për TikTok-un.
Ishte një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne, familjet, sepse përfaqësuesit politikë dëgjonin ekspertët, por mbi të gjitha edhe familjet e tjera.
Të gjithë anëtarët e kolektivit u dëgjuan nga komisioni.
Deputetët Laure Miller (Renaissance) dhe Arthur Delaporte (Partia Socialiste) na dëgjuan.
Do ta kujtoj gjithë jetën intensitetin e atij momenti dhe ndërgjegjësimin që mund të lexohej në sytë e tyre.
Më vonë, ata na thanë se dëshmitë tona i kishin ndihmuar ta kuptonin realisht natyrën konkrete të këtij fenomeni shkatërrues, ndërsa debatet e ekspertëve u ishin dukur shumë më abstrakte.
Edhe projektligji që synonte ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, të cilin e mbështetën të gjitha familjet e kolektivit, përfaqësonte një shpresë të jashtëzakonshme.
Në atë kohë, ai ishte e vetmja zgjidhje konkrete që mund të zbatohej shpejt për t’i mbështetur prindërit në përpjekjen e tyre për t’ua ndaluar këto platforma fëmijëve.
Kur ligji thotë se diçka është e ndaluar dhe e rrezikshme, prindi e ka më të lehtë të thotë jo. Kjo krijon një kornizë të qartë.
Por ajo që ndodhi më pas na çoi, pothuajse mund të them, drejt dëshpërimit.
Mbërritëm në Parlament me një shumicë pothuajse të siguruar. Teksti u ndryshua disi nga Senati dhe më pas një ankim në Këshillin Kushtetues i dha fund përfundimisht këtij projektligji.
Duke pasur parasysh jehonën gjithnjë e më të madhe që po marrin sot çështjet e krimit kibernetik, kërcënimet ndaj demokracisë dhe të gjitha temat e tjera për të cilat dëgjojmë, do të thosha se u ndjemë të braktisur.
L’Express: Po në nivel evropian?
Gaëlle Berbonde: Po, ekziston edhe ajo që po ndodh në nivel evropian, sepse Evropa ka folur shumë për të ashtuquajturin “EU Kids Act”.
Por, në realitet, e gjithë kjo mbetet kryesisht në nivel fjalësh.
Ajo që ndodh në rrjetet sociale vazhdon të mbetet plotësisht e pandëshkuar.
Është një zonë ku ligji nuk zbatohet.
Flasim për anoreksi, vetëlëndime dhe tentativa për vetëvrasje.
Por edhe dhuna seksuale është shumë e përhapur, ashtu si ideologjitë e epërsisë mashkullore, fundamentalizmi në të gjitha format e tij dhe manipulimi i opinioneve politike.
Mund të rendisnim shembuj për orë të tëra.
Argumenti i “lirisë”, që promovojnë platformat, më ka zemëruar jashtë mase.
Për mua, bëhet fjalë vetëm për lirinë e kompanive që t’i shkaktojnë dëme të rënda integritetit fizik dhe moral të qytetarëve.
L’Express: Në çfarë faze ndodhet sot padia juaj?
Gaëlle Berbonde: Kemi dy padi.
Një padi civile për dëmtime trupore, sepse, fatkeqësisht, janë trupat e fëmijëve tanë ata që janë dëmtuar. Kjo procedurë po vazhdon.
Dhe një padi penale për shpërdorim të besimit.
Të gjitha familjet janë marrë në pyetje nga policia gjyqësore, në kuadër të një hetimi që është zhvilluar gjatë ditëve të fundit.
Është e vërtetë se kemi rifituar njëfarë shprese, sepse policia po merret me këtë çështje dhe po e zhvillon hetimin me seriozitet të jashtëzakonshëm.
Në rastin e familjes sonë, llogaritë e TikTok-ut aktualisht po analizohen.
Megjithatë, kjo nuk është gjithmonë e mundur.
Duhet ditur se një llogari në rrjetet sociale nuk mund të hapet nëse nuk disponohen emri i përdoruesit dhe fjalëkalimi.
Familjet që kanë humbur fëmijët dhe nuk i kishin këto të dhëna nuk kanë mundur kurrë t’i shohin llogaritë e tyre.
L’Express: Pra, ato nuk kanë arritur kurrë të mësojnë se çfarë kishin parë fëmijët e tyre?
Gaëlle Berbonde: Disa kanë arritur t’i shohin rastësisht, sepse telefoni ishte i sinkronizuar me një tablet.
Të tjerët jo.
Ndonjëherë kanë qenë persona të tjerë, të cilët kishin qasje në llogarinë e fëmijës, që kanë mundur të dëshmojnë.
Por ekziston ky problem i tmerrshëm: sot është e pamundur të zhbllokohet një telefon për të siguruar prova.
Prandaj, kur flas për pandëshkueshmëri, kemi të bëjmë vërtet me një pandëshkueshmëri të plotë.
L’Express: Si është vajza juaj sot dhe cilat janë hapat e ardhshëm lidhur me këto padi?
Gaëlle Berbonde: Vajza ime është mirë.
Ajo e ka rindërtuar jetën e saj.
Që nga momenti kur kuptuam se çfarë po ndodhte, i thashë bashkëshortit se do të vendosnim një sistem jashtëzakonisht kufizues të kontrollit prindëror, që do ta hiqte TikTok-un dhe do ta kufizonte shumë përdorimin e aplikacioneve.
Duhet kuptuar se, kur je në spital, potencialisht ke shumë kohë të lirë.
Sa më keq të ndihesh, sa më shumë të shkëputesh nga shkolla, aq më shumë kohë ke për të konsumuar drogën që po të vret.
Sot ajo e ka lënë pas këtë kapitull dhe, madje, është shumë e motivuar të merret me kujdesin shëndetësor. Dëshiron të bëhet specialiste e psikomotricitetit.
Ky është një mesazh shprese që duhet t’u përcillet prindërve: këto sprova mund të kapërcehen.
Kur përfundimi nuk është fatal, njeriu mund t’ia dalë dhe mund të përmirësohet.
Dëshiroj gjithashtu të përcjell mesazhin e kolektivit CoSE (Collectif Surexposition Écrans), që bashkon mjekë të cilët merren me ekspozimin e tepruar ndaj ekraneve.
Po shfaqen gjithnjë e më shumë probleme të lidhura me ekspozimin e tepruar të fëmijëve shumë të vegjël ndaj ekraneve, që nga mosha e foshnjërisë, të cilat mund të kenë pasoja të pakthyeshme në zhvillimin e fëmijës.
Ajo që është krejtësisht e pabesueshme është se, në fund të fundit, mjafton t’i ngremë sytë nga ekranet që ky model ekonomik të shembet dhe jeta normale të rifillojë rrjedhën e saj.
L’Express: Duke parë pas dhe duke marrë parasysh gjithçka që dini sot, a ka diçka që do të kishit dashur ta bënit ndryshe?
Gaëlle Berbonde: Gjëja e parë është se nuk do t’i kisha dhënë telefon fëmijës tim kur ishte në klasën e shtatë, në sistemin francez të arsimit.
Fillimisht kishim menduar t’i jepnim telefon kur të fillonte vitin e parë të shkollës së mesme.
Sot e dimë, dhe pikërisht për këtë arsye këta algoritme synojnë në radhë të parë moshat 12, 13 dhe 14 vjeç, se kjo periudhë përkon me fazën më kritike të zhvillimit psikik: zhvillimin e marrëdhënieve shoqërore, imazhit për veten, raportit me trupin e kështu me radhë.
Prandaj, kjo është një fazë veçanërisht kritike.
Dua t’u them të gjithë prindërve: mos u jepni telefon fëmijëve para moshës 15-vjeçare.
Natyrisht, kjo është më e lehtë kur grupe prindërish ose klasa të tëra bien dakord, në mënyrë që fëmija të mos ndihet i vetëm në këtë vendim.
Sepse ekziston edhe çështja e përjashtimit, frika se mos nuk i përket grupeve të pranuara shoqërisht.
Ky është një problem i vërtetë.
Por duhet ditur se ekzistojnë alternativa evropiane, madje edhe franceze, ndaj këtyre platformave.
Nuk dua të bëj këtu reklamë për ndonjë zgjidhje të caktuar, por nëse do të dëshironim të zhvillonim një industri, ose më saktë zgjidhje teknologjike të pavarura evropiane, të sigurta, me algoritme të shëndetshme dhe mbrojtëse, kjo do të ishte e mundur.
Madje, zgjidhje të tilla ekzistojnë tashmë.
Çështja është te burimet financiare, tërheqja që këto alternativa mund të krijojnë dhe vullneti për të ecur në këtë drejtim.
Duhet marrë parasysh edhe çështja e reklamuesve, sepse këto platforma kanë edhe karakter tregtar.
Është një sistem i tërë që do të duhej të zhvendosej drejt platformave të pavarura.
Kjo është ajo që dëshiroj.
Më pas, ekziston një punë jashtëzakonisht e madhe që duhet bërë në fushën e edukimit.
Aty ku dëshiroj të kontribuoj, dhe ky është gjithashtu drejtimi në të cilin po ecën Algos Victima, është mbështetja e prindërve.
Ata shpesh gjenden në situata jashtëzakonisht të ndërlikuara. E kanë të vështirë ta menaxhojnë përdorimin e teknologjisë nga fëmijët, të vendosin kufij dhe gjithashtu të arrijnë të marrin një diagnozë për atë që po ndodh.
Të gjithë mjekët dhe pediatrit duhet të jenë në gjendje të diagnostikojnë varësinë nga ekranet gjatë një vizite të zakonshme mjekësore.
Për më tepër, po zhvilloj një betejë për të siguruar statistika të mirëfillta.
Qoftë edhe vetëm për patologjitë që sot shfaqen në këtë model të përsëritur: vetëlëndimet, tentativat për vetëvrasje, shtrimet në spital për anoreksi ose depresion e kështu me radhë.
Duhet të jemi në gjendje t’i kategorizojmë këto sëmundje në dosjen mjekësore të pacientit dhe të mund të themi: “Kjo anoreksi lidhet me ekspozimin e zgjatur ndaj pamjeve në TikTok.”
Por sot kjo nuk ekziston, sepse varësia nga rrjetet sociale dhe ekranet nuk njihet si patologji nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndryshe nga varësia ndaj videolojërave, e cila, për shembull, është përfshirë në këtë klasifikim.
Rruga që kemi përpara është ende e gjatë.
Emri i vajzës është ndryshuar.
(Burimi: L’Express, Céline Delbecque, 9 nëntor 2026)





























