Ballina Intervista “Forca jonë qëndron te aftësia për t’u përshtatur përmes përzierjes”: Biologu Lluis...

“Forca jonë qëndron te aftësia për t’u përshtatur përmes përzierjes”: Biologu Lluis Quintana-Murci shpjegon sekretin e suksesit të njerëzimit

Nga Thomas Mahler – L’Express

Si arriti një specie, që fillimisht ishte larg të qenit më e forta, të përhapej dhe të lulëzonte në të gjitha kontinentet, nga pyjet tropikale deri në akujt e Arktikut? Në librin e tij magjepsës Adaptation (Odile Jacob), biologu Lluis Quintana-Murci, drejtor kërkimesh në Institutin Pasteur, profesor në Collège de France dhe një nga specialistët më të njohur të gjenetikës së popullatave, shpjegon se si migrimet, përzierjet gjenetike dhe përzgjedhja natyrore kanë formësuar gjenomin tonë dhe u kanë mundësuar njerëzve të përshtaten me mjedise të reja. Kjo përshtatje e vazhdueshme pasqyrohet në shumëllojshmërinë tonë gjenetike, nga pigmentimi i lëkurës dhe aftësia për të tretur qumështin deri te mbrojtja kundër viruseve. Intervistë.

PIKAT KRYESORE

  • Sekreti i suksesit të njerëzimit: Sipas biologut Lluis Quintana-Murci, njerëzit mbijetuan jo sepse ishin më të fortët, por falë aftësisë për t’u përshtatur në aspektin kulturor dhe gjenetik.
  • Përzierja gjenetike na ka ndihmuar të mbijetojmë: Migrimet dhe ndërthurja me popullata të tjera, përfshirë neandertalët dhe denisovanët, kanë kontribuar në përshtatjen tonë biologjike.
  • Përse disa të rritur e tresin qumështin? Mutacionet e gjenit LCT gjenden te rreth 40% e francezëve dhe 90% e finlandezëve. Përzgjedhja natyrore filloi t’i favorizonte rreth 6.000 vjet më parë.
  • Ngjyra e lëkurës është rezultat i përshtatjes: Çelja e pigmentimit në Evropë lidhet me nevojën për sintezën e vitaminës D dhe është një fenomen relativisht i vonshëm në historinë evolucionare.
  • Çfarë na mësojnë balenat dhe elefantët? Mekanizmat e tyre mbrojtës, përfshirë proteinat CIRBP dhe p53, mund të ndihmojnë shkencëtarët të zhvillojnë mënyra të reja për të luftuar kancerin.
  • Ngrohja globale mbetet sfidë: Ndonëse njerëzimi është përshtatur historikisht me klima ekstreme, biologu thekson se mbrojtja e mjedisit dhe kufizimi i rritjes së temperaturave janë thelbësore.
  • Evolucioni njerëzor vazhdon: Mutacionet e reja dhe përzierja ndërmjet popullatave krijojnë mundësi për përshtatje të ardhshme, por efektet e tyre mund të bëhen të dukshme vetëm pas shumë brezash.

L’Express: Njerëzit janë përhapur në të gjithë planetin falë aftësisë së tyre të jashtëzakonshme për t’u përshtatur. Cili është sekreti ynë?

Lluis Quintana-Murci: Në një epokë kur jemi të përmbytur nga lajme tejet pesimiste – ngrohja globale, luftërat, krizat… – është e rëndësishme të kujtojmë nga vijmë. Një specie e vogël, e shfaqur vetëm «dje» në Afrikë, në kuptimin evolucionar, arriti të lulëzonte në të gjithë globin duke bërë atë që di të bëjë më mirë: të ndryshojë dhe të përshtatet.

Njerëzit gjenden kudo, nga Arktiku deri në pyjet e lagështa dhe të nxehta tropikale, nga rajonet malore me më pak oksigjen deri te ishujt e izoluar të Paqësorit. Kjo aftësi për të jetuar në mënyrë të qëndrueshme në mjedise kaq të ndryshme është e pashoqe në botën e gjallë.

Për t’u mbrojtur nga të ftohtët, krijuam strehimore dhe veshje. Për t’u përballur me sëmundjet infektive, shpikëm antibiotikët dhe vaksinat.

Ne mbijetuam jo sepse ishim më të fortët apo më të përshtaturit, por sepse ishim të aftë të ndryshonim dhe të përshtateshim, si në aspektin kulturor, ashtu edhe në atë gjenetik.

Është pikërisht kjo dinamikë e dyfishtë – risia e shpejtë kulturore dhe përshtatja e ngadaltë biologjike – që përbën thelbin e qëndrueshmërisë sonë përballë të papriturave dhe krizave që kanë shoqëruar historinë tonë evolucionare.

L’Express: Në aspektin biologjik, ju theksoni rëndësinë e disa mekanizmave: mutacionet gjenetike, zhvendosjen gjenetike, migrimet dhe përzgjedhjen natyrore…

Lluis Quintana-Murci: Gjenomi ynë përbëhet nga tre miliardë shkronja. Ne jemi rezultat i këtyre tre miliardë shkronjave, por edhe i mjedisit ku jetojmë.

Në shumicën e rasteve, është rastësia e bashkimit të spermatozoideve me qelizat vezë, ajo që në terminologjinë tonë quhet zhvendosje gjenetike.

Migrimet dhe përzierjet gjenetike mundësojnë rishpërndarjen e shumëllojshmërisë ndërmjet popullatave dhe rikthimin e varianteve gjenetike që mungojnë, duke kontribuar kështu në aftësinë tonë për t’u përshtatur.

Kjo nuk ka të bëjë aspak me ideologjinë, por është një vëzhgim empirik.

Ne jemi përzier madje edhe me linja të tjera të gjinisë Homo, si neandertalët dhe denisovanët.

Së fundi, ekziston përzgjedhja natyrore, falë së cilës ne të dy mund të jemi sot këtu dhe të bisedojmë.

Mutacionet gjenetike ndodhin gjithmonë rastësisht. Janë ato që krijojnë shumëllojshmërinë gjenetike. Por përzgjedhja natyrore mund të shpjegojë përse disa mutacione bëhen më të shpeshta brenda një popullate, ndërsa të tjera zhduken.

Merrni, për shembull, mutacionet e gjenit HbS, të cilat rrisin rezistencën ndaj malaries, por te individët homozigotë shkaktojnë edhe aneminë drapërocitare, një formë të rëndë anemie.

Ky mutacion vërehet pothuajse ekskluzivisht në Afrikë, ku në disa popullata të pjesës qendrore të kontinentit shpeshtësia e tij mund të arrijë deri në 20 për qind.

Në përgjithësi, përzgjedhja natyrore ka favorizuar mutacione që na mbrojnë nga sëmundjet infektive, duke e bërë sistemin tonë imunitar më reagues. Por të njëjtat mutacione të dobishme mund të jenë përgjegjëse edhe për sëmundje autoimune dhe inflamacione.

Këto janë anët negative të përzgjedhjes natyrore.

Po kështu, evolucioni ka bërë që specia jonë, e cila gjatë 99 për qind të historisë së saj është përballur me mungesë ushqimi dhe është detyruar të mbijetojë me pak, të përjetojë sot një rritje të obezitetit, pasi kemi kaluar drejt një bollëku të tepruar ushqimor dhe konsumimit të ushqimeve jo të shëndetshme.

Pikërisht për këtë arsye nuk duhet ta idealizojmë përzgjedhjen natyrore, e cila «vepron» në një moment të caktuar, brenda një popullate të caktuar dhe në një mjedis të caktuar.

L’Express: Një nga rastet më të njohura janë mutacionet e gjenit LCT, që u mundësojnë njerëzve ta tresin qumështin edhe në moshë madhore…

Lluis Quintana-Murci: Rreth 40 për qind e francezëve dhe 90 për qind e finlandezëve kanë një mutacion të tillë të gjenit LCT, i cili kodon laktazën, enzimën përgjegjëse për tretjen e laktozës.

Por mos harroni se një mutacion shfaqet fillimisht vetëm te një individ.

Përzgjedhja natyrore filloi ta favorizonte këtë mutacion evropian rreth 6.000 vjet më parë, në kontekstin e zhvillimit të bujqësisë dhe mënyrës së jetesës baritore.

Ai ka një koeficient përzgjedhjeje që mund të arrijë deri në 8 për qind, çka do të thotë se individët që e mbartnin këtë mutacion kishin 8 për qind më shumë gjasa t’ua transmetonin gjenet e tyre brezave pasardhës.

Kjo është një vlerë jashtëzakonisht e lartë dhe shpjegon përse mutacioni u përhap kaq shpejt.

Megjithatë, shumë të rritur nuk janë në gjendje ta tresin qumështin.

Në këtë rast, përshtatja nuk është vetëm gjenetike, por edhe kulturore. Prandaj njerëzit zhvilluan produkte si kosi dhe kefiri, që u mundësojnë të konsumojnë ushqime me bazë qumështi.

Çelja e ngjyrës së lëkurës në Evropë është një fenomen çuditërisht i vonshëm

L’Express: Si ka ndikuar përzgjedhja natyrore në favorizimin e lëkurës më të errët ose më të çelët në rajone të ndryshme? Dhe përse ky është një fenomen relativisht i vonshëm në historinë njerëzore?

Lluis Quintana-Murci: Ngjyra e lëkurës është tipari i dukshëm fenotipik që ndryshon më së shumti ndërmjet njerëzve.

Madje është përdorur për të mbështetur ideologji raciste, ndonëse kategoritë racore nuk kanë asnjë bazë biologjike.

Lëkura është më e errët në rajonet pranë ekuatorit. Kjo ndihmon në mbrojtjen nga efektet e dëmshme të rrezeve ultravjollcë, si melanomat, si dhe në ruajtjen e folatit, i cili është thelbësor për zhvillimin e tubit nervor te embrioni dhe për prodhimin e spermatozoideve te të rriturit.

Por kur njerëzit dolën nga Afrika, situata ndryshoi dhe ata humbën një pjesë të pigmentimit të lëkurës për të mundësuar sintezën e vitaminës D, jashtëzakonisht të rëndësishme për kockat dhe sistemin imunitar.

Vitamina D mund të sigurohet përmes ekspozimit në diell ose ushqimit.

Për një kohë të gjatë, gjuetarët dhe mbledhësit e ushqimit në Evropë konsumonin produkte të pasura me vitaminë D, si peshku dhe mëlçia, duke kompensuar kështu ekspozimin e kufizuar ndaj rrezeve të diellit. Ata vazhdonin të kishin lëkurë relativisht të errët.

Në të kundërt, te popullatat bujqësore dhe baritore, dieta ishte më e varfër me vitaminë D. Për këtë arsye, presioni i përzgjedhjes natyrore favorizoi fuqishëm lëkurën më të çelët, e cila lehtësonte sintezën e kësaj vitamine.

Çelja e ngjyrës së lëkurës në Evropë është një fenomen çuditërisht i vonshëm dhe i shpejtë në shkallën kohore të evolucionit njerëzor.

Fakti që në disa popullata, si ato skandinave, ka kaq shumë njerëz me flokë biondë dhe sy të kaltër, sugjeron se një rol ka luajtur edhe përzgjedhja seksuale.

Preferencat për disa tipare fizike gjatë zgjedhjes së partnerit mund të kenë sjellë përparësi riprodhuese, dhe jo domosdoshmërisht përparësi për mbijetesë.

L’Express: Ju i theksoni vazhdimisht përfitimet e përzierjes së popullatave dhe të ndërthurjes gjenetike. A nuk është kjo thjesht një qëndrim politikisht korrekt?

Lluis Quintana-Murci: Jo, këto janë fakte shkencore.

Evropianët janë trashëgimtarë të tri migrimeve të mëdha.

Së pari, ishin gjuetarët dhe mbledhësit e ushqimit që dolën nga Afrika rreth 40.000–50.000 vjet më parë.

Më pas erdhën popullatat nga Anadolli, të cilat mbërritën në Evropë më pak se 10.000 vjet më parë dhe sollën bujqësinë.

Së fundi, rreth 4.000 vjet më parë, nga lindja erdhën jamnajat, popullata baritore nga stepat pontiko-kaspike, të cilat me gjasë sollën gjuhët indoevropiane.

Pa harruar edhe 2,5 për qind të ADN-së që kemi trashëguar nga neandertalët.

Popullatat e izoluara, si banorët e ishujve ose komunitetet që, për arsye kulturore, kanë zgjedhur të jetojnë të shkëputura nga pjesa tjetër e shoqërisë, si amishët, kanë një përhapje më të lartë të sëmundjeve gjenetike.

Përse?

Sepse përzgjedhja natyrore dhe aftësia jonë për të mbijetuar duhet të mbështeten te shumëllojshmëria gjenetike.

Kur Homo sapiens mbërriti në Evropë, ai mundi të përfitonte nga përzierja me neandertalët, të cilët kishin jetuar atje prej të paktën 300.000 vjetësh dhe tashmë ishin përshtatur me kushtet mjedisore vendase.

Në këtë mënyrë, njerëzit modernë fituan mutacione që e bënë shumë më efikas sistemin tonë imunitar kundër viruseve.

Po kështu, tibetianët mund të jetojnë në një lartësi prej 4.000 metrash, ku ka 40 për qind më pak oksigjen.

Ata përfitojnë nga një mutacion i trashëguar prej denisovanëve.

Kjo histori e gjatë e njerëzimit na mëson se forca jonë nuk qëndron as te pastërtia, as te izolimi, por te aftësia për t’u përshtatur dhe për të mbijetuar falë takimeve dhe përzierjeve.

Të mos harrojmë se përzgjedhja natyrore nuk është demokraci sociale

L’Express: Çfarë mund të na mësojnë gjitarët e mëdhenj, si balenat dhe elefantët, për jetëgjatësinë?

Lluis Quintana-Murci: Kanceri, në përgjithësi, lidhet me numrin e qelizave. Sa më shumë ndarje qelizore të ndodhin në një organizëm, aq më shumë shtohen mundësitë për gabime gjenetike.

Dhe sa më gjatë të jetojmë, aq më shumë herë ndahen qelizat tona.

Sipas kësaj logjike, gjitarët e mëdhenj me jetëgjatësi të lartë duhet të ishin jashtëzakonisht të cenueshëm nga kanceri.

Mirëpo balenat dhe elefantët kanë një incidencë më të ulët të kancerit sesa njerëzit.

Kjo shpjegohet me mekanizma mbrojtës veçanërisht efikasë kundër shndërrimit të qelizave në qeliza tumorale.

Te balena e Grenlandës, e cila mund të jetojë gati dy shekuj, studimet kanë nxjerrë në pah rolin e proteinës CIRBP, e përfshirë në mbrojtjen qelizore dhe riparimin e ADN-së. Kjo proteinë shprehet në nivele shumë më të larta te ky lloj balene.

Te elefanti afrikan është identifikuar një tjetër strategji kundër kancerit, e mbështetur te proteina p53, një rregullator qendror i ciklit qelizor që pengon ndarjen e qelizave të dëmtuara dhe favorizon riparimin e tyre.

Identifikimi i këtyre mekanizmave, si te njerëzit ashtu edhe te speciet e tjera, mund të na ndihmojë në luftën kundër kancerit.

Për më tepër, studimi i së kaluarës sonë dhe i mënyrës se si është formësuar trashëgimia jonë gjenetike na mundëson të dallojmë çfarë rrjedh nga gjenetika, çfarë nga mjedisi dhe çfarë nga ndërveprimi i të dyjave.

Identifikimi i mekanizmave gjenetikë mund të çojë në zhvillimin e trajtimeve të reja.

Por kur faktorët mjedisorë kanë një ndikim të madh, ne mund të bëjmë gjithçka për të ndërhyrë edhe në këtë drejtim.

L’Express: A do të jenë njerëzit në gjendje të përshtaten me ngrohjen globale?

Lluis Quintana-Murci: Në të kaluarën, njerëzit janë përshtatur me klima shumë të ndryshme, ndonjëherë ekstreme, dhe kanë dëshmuar një aftësi të jashtëzakonshme për të përballuar vështirësitë.

Por të mos harrojmë se përzgjedhja natyrore nuk është demokraci sociale.

Është më mirë ta mbrojmë mjedisin tonë dhe të bëjmë gjithçka për të kufizuar rritjen e temperaturave.

Sot, ndryshimet klimatike i tejkalojnë shumëfish luhatjet natyrore që janë vërejtur gjatë njëqind mijë viteve të fundit.

L’Express: Jetojmë në një botë ku mjekësia ka bërë përparime të jashtëzakonshme dhe ku shoqëritë janë në gjendje të mbrojnë më të dobëtit. A vazhdon përzgjedhja natyrore të veprojë?

Lluis Quintana-Murci: Përshtatja vazhdon edhe nga pikëpamja biologjike, ndonëse nuk mund ta vëzhgojmë drejtpërdrejt, sepse është një proces i ngadaltë.

Për më tepër, përzgjedhja natyrore është veçanërisht efikase në popullata të mëdha dhe njerëzimi nuk ka qenë kurrë më i shumtë në numër sesa sot.

Çdo individ mbart mesatarisht disa dhjetëra mutacione të reja krahasuar me prindërit e tij.

Nëse këtij fluksi të pandërprerë variantesh të reja gjenetike i shtojmë numrin jashtëzakonisht të madh të individëve të species sonë dhe përzierjen gjithnjë e më të madhe ndërmjet popullatave, atëherë evolucioni ka në dispozicion të gjithë lëndën e parë të nevojshme – shumëllojshmërinë gjenetike – për të favorizuar përshtatje të efektshme përballë një bote që ndryshon vazhdimisht.

Por, me shumë gjasë, do të duhet të kalojnë shumë breza përpara se efektet e kësaj përshtatjeje të bëhen plotësisht të dukshme.

Survivre, nga Lluis Quintana-Murci. Botimet Odile Jacob, 336 faqe, 24,90 euro.