Ballina IA Jensen Huang i Nvidia-s, i dashuruar me një spiune kineze. “Kurth mjalti”...

Jensen Huang i Nvidia-s, i dashuruar me një spiune kineze. “Kurth mjalti” ndaj mbretit të mikroçipave? Çfarë dinte vërtet Trump

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Nga Guido Santevecchi

Hetimi amerikan mbi Alice Huang dhe operacionin e inteligjencës kineze kundër themeluesit të gjigantit të mikroçipave. Sipas mediave amerikane, Trump vendosi ta mbante sekret informacionin, sepse po përgatitej të udhëtonte në Pekin për t’u takuar me Xi Jinping.

Një agjente sekrete e Pekinit e infiltruar në zemër – fjalë për fjalë – të rivalitetit mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për epërsi teknologjike.

Jensen Huang, kreu i Nvidia-s, gjigantit të mikroprocesorëve më të avancuar në botë për inteligjencën artificiale, është përfshirë në një histori që duket si roman. Ditët e fundit u bë e ditur se miliarderi amerikan me origjinë tajvaneze ka qenë viktimë e një operacioni spiunazhi kinez.

Figura qendrore e operacionit të inteligjencës është identifikuar si sipërmarrësja kineze Alice Huang – që rastësisht mban të njëjtin mbiemër me “mbretin e mikroçipave” – drejtuese e një kompanie në Singapor, e cila kishte hyrë në marrëdhënie tregtare me Nvidia-n. Por tani është zbuluar se mes gruas dhe themeluesit e drejtorit ekzekutiv të gjigantit amerikan të teknologjisë ishte krijuar një “marrëdhënie romantike”.

Sipas hetimit, Alice Huang ishte rekrutuar dhe përgatitur për misionin nga Ministria e Sigurisë së Shtetit e Pekinit, institucioni që koordinon veprimtarinë kineze të spiunazhit. Është gjithashtu e mundur që inteligjenca kineze të ketë ndërhyrë “gjatë zhvillimit të ngjarjeve”, duke shfrytëzuar marrëdhënien sentimentale të papritur dhe duke e detyruar gruan të bashkëpunonte duke përcjellë informacione të rezervuara.

Dyshimet për një përpjekje kineze për të kontrolluar Jensen Huang qarkullonin në Uashington që nga pranvera e kaluar. Një raport i ishte dërguar një grupi të kufizuar zyrtarësh të administratës Trump dhe ishte informuar edhe vetë presidenti. CIA thuhet se kishte vendosur të mos e njoftonte menjëherë miliarderin, për të mos rrezikuar që në këtë mënyrë të paralajmërohej edhe gruaja që dyshohej se po e spiunonte.

Mes indicieve të mbledhura në dosje kishte fotografi dhe video ku Jensen dhe Alice shfaqeshin së bashku, në një klub nate në Taipei dhe përpara një restoranti. Ato pamje të viteve 2024 dhe 2025 kishin qarkulluar në rrjetet sociale dhe, për të heshtur thashethemet mbi një marrëdhënie të veçantë e intime, Nvidia kishte deklaruar për shtypin se themeluesi i saj “takon çdo vit mijëra drejtues të kompanive kliente” të multinacionales së tij.

Megjithatë, hetuesit e inteligjencës amerikane vazhduan të ndiqnin gjurmët. Në prill ata hartuan memorandumin me indiciet e tyre mbi një operacion spiunazhi të ngritur nga kinezët kundër drejtuesit të Nvidia-s.

Trump, sipas rindërtimit të ngjarjeve që tani po qarkullon në shtypin amerikan, vendosi ta mbante sekret informacionin, sepse po përgatitej të udhëtonte në Pekin për samitin e tij të parë me Xi Jinping dhe nuk donte të prishte atmosferën e zbutjes politike.

Mes pikave kryesore të mosmarrëveshjeve mes dy vendeve janë edhe kufizimet amerikane për shitjen e gjysmëpërçuesve të avancuar industrisë kineze.

Për Alice janë bërë publike shumë pak informacione. Dihet vetëm se emri i saj kinez është Huang Le. Alice është emri që ajo kishte zgjedhur për aktivitetin ndërkombëtar, si dhjetëra mijëra bashkatdhetarë të saj që kanë marrëdhënie me botën e jashtme.

Pas një periudhe pune në Shangai, ajo ishte emëruar drejtuese e lartë e Megaspeed, një kompani e themeluar në Singapor që ishte bërë kliente e Nvidia-s. Në vitin 2024, Megaspeed ishte akuzuar nga autoritetet në Uashington se kishte transferuar fshehurazi në Kinë gjysmëpërçues të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, duke shkelur kufizimet e vendosura për arsye të sigurisë kombëtare.

Hetimi i brendshëm i Nvidia-s kishte arritur në përfundimin se nuk kishte pasur përfshirje nga zinxhiri i saj vendimmarrës. Megjithatë, lidhja mes kompanisë me seli në Singapor dhe Pekinit duhej të ishte e dukshme, sepse Megaspeed ishte një “spin-off”, e shkëputur në vitin 2023 nga një kompani kineze e videolojërave, dhe kishte hyrë me shpejtësi në biznesin e qendrave të të dhënave që furnizojnë aktivitetet e inteligjencës artificiale.

Në të njëjtin memorandum të dorëzuar edhe në Shtëpinë e Bardhë gjatë pranverës thuhej se Megaspeed, në vitin 2024, pikërisht në periudhën kur kishin dalë fotografitë e Jensen dhe Alice së bashku, kishte blerë mikroçipa të avancuar të Nvidia-s me vlerë disa miliardë dollarë, kishte filluar ndërtimin e qendrave të të dhënave në Azinë Juglindore, jashtë Kinës, dhe kapacitetin e tyre ia kishte dhënë me qira Alibaba-s, gjigantit teknologjik të themeluar nga Jack Ma.

Një triangulim kompleks, por ndoshta i mbështetur në një “kurth mjalti” klasik: një spiune që shfrytëzon dashurinë e viktimës.

Nëse dyshimet e hetuesve amerikanë janë të sakta, Ministria e Sigurisë së Shtetit në Pekin kishte përgatitur misteriozen Alice Huang Le për të hyrë në zemrën e Jensen Huang.

Megjithatë, më shumë sesa ndjenjat personale, në llogaritë e miliarderit të Big Tech-ut kanë rëndësi bizneset. Në vitin 2023, përpara kufizimeve mbi shitjen e mikroçipave në Pekin, tregu kinez përbënte rreth një të pestën e xhiros së Nvidia-s.

Jensen Huang e ka kundërshtuar publikisht vendimin e qeverisë amerikane, duke argumentuar se heqja dorë nga tregu kinez është kundërproduktive, duke pasur parasysh se gjysma e zhvilluesve më të mirë të inteligjencës artificiale në botë janë të vendosur në Republikën Popullore të Kinës, “dhe tani ne kemi rënë nga 95 për qind e tregut të tyre në zero”.

Një grup deputetësh republikanë në Kongres i ka kërkuar drejtorit ekzekutiv të Nvidia-s të paraqitet në një seancë dëgjimore me dyer të mbyllura përpara Komisionit për Kinën, për t’iu përgjigjur pyetjeve lidhur me rastin e spiunazhit ndaj tij. Ai do të duhet të japë shpjegime edhe për protokollet e sigurisë të gjigantit të mikroçipave.

Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Uashington i ka mohuar raportimet e publikuara nga shtypi amerikan, duke deklaruar se bëhet fjalë për të zakonshmen “narrativë mbi spiunazhin kinez”./Corriere della Sera