Ballina Blog Faqe 474

FOTO/ Jeta mes rrënojave pas tragjedisë në Durrës

Do të mbahen mend gjatë pasojat tragjike të tërmetit që shkundi Shqipërinë mëngjesin e së martës, por duke shkaktuar viktima të shumta në Durrës dhe Thumanë. Imazhet e tragjedisë do të mbeten në memorien e të gjithëve ne.

Fotografi i “Panorama” ka fiksuar në aparatin e tij momente nga ajo që ka mbetur pas nga lëkundja e fortë që shkatërroi qindra, përveç 49 jetëve të marra.

Çahet toka në fshatin Jubë/ Del rëra dhe uji i zi nga 20 m thellësi (VIDEO)

Natën, duke u gdhirë data 26 nëntor, në fshatin Jubë të Durrësit, në fusha ka ndodhur një fenomen u çuditshëm, toka është çarë, në 20 metra thellësi.

Banorët kanë njoftuar se ky gaz i lëshuar në sipërfaqe (rëra e zezë), e cila ndodhet 20 metra poshtë nën tokë, është kudo në të gjithë fshatin Jubë.

Pak kilometra larg fshatit Jubë, në grykëderdhjen e lumit Erzen është hapur një vijë akoma më e madhe që ka lëshuar këtë rërë.

https://youtu.be/6V8cERQrNTM

Haradinaj viziton të mbijetuarit në Thumanë, shkon tek gërmadhat dhe…

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ndodhet në Thumanë, një nga zonat që pati pasojat më të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit.

Teksa po vizitonte banorët e mbijetuar, Haradinaj shkoi të gërmadhat e pallatit 5 katësh që mori dhjetëra jetë, pa kursyer as fëmijë, ku mori në dorë një nga lodrat që kishte pasur një nga fëmijët që humbi jetën nën rrënoja.

Haradinaj theksoi se populli i Kosovës është me shqiptarët dhe do i ndihmojë ata që të kapërcejnë këtë tragjedi.

“Sonte, në Thumanë, në vendin e dhimbjes për çdo shqiptarë që humbi më të dashurit e tyre nga tërmeti me pasoja tragjike, për t’u shprehur solidarë por edhe për t’ua zgjatur dorën bashkëkombësve tanë.Ajo që po e bën Kosova, populli i saj, është njerëzore, sepse ne ndajmë gëzimin sikurse edhe tash të keqen bashkë. Kujdesi ynë nuk do të mungojë. Ndjenjë e veçantë se sa shumë jemi për njëri tjetrin, në çdo kohë,”-tha Haradinaj.

Duhet theksuar se të gjithë strukturat e shtetit të Kosovës, partitë politike, biznesmenët, por edhe qytetarët të thjeshtë kanë treguar mobilizim të jashtëzakonshëm duke u gjendur pranë qytetarëve shqiptarë të prekur nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit./Opinion.al

Thumana vajton viktimat e tërmetit/ Të njohur e të panjohur u japin lamtumirën (VIDEO)

Përcillen për në banesën e fundit trupat e pajetë të familjes Cara dhe Greku. Të dyja ceremonitë e famijeve janë kryer në të njëjtën orë. Mes lotësh, të njohur e të panjohur kanë marrë pjesë në ceremoni për të ngushëlluar sadopak ata që kanë mbetur thjesht për t’u kryer nderimet e fundit.

Mes dhimbjes së madhe dhe lotëve, në Thumanë po bëhen nderimet e fundit në kujtim të dhjetra personave që humbën jetën nga shembja e tre pallateve, nga tërmeti i fortë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor.

Me hashtagun #TiNukDoJeshKurrëVetëm, dhe me disa emoji në lot, kryeministri Edi Rama ka postuar disa video me pamje shumë të dhimbshme.

Ai ishte në ceremoninë Cara, Greku dhe Cakonji, në Thumanë. Në video shihen momentet kur kryeministri Rama mban pranë një nga vajzat që qan dhe duket dhimbja e madhe që ajo po përjeton.

https://youtu.be/PwmJIEsxnuQ

VIDEO: Toka “përpin” pallatin 5 katësh në Durrës, mbetet sipër vetëm papafingoja

Gazetarja e ABC News Ajgena Korbi është zhvendosur në zonën e ish-Kënetës në Durrës dhe më konkretisht në rrugën “Zef Serembe”.

Duket e pabesueshme, por pas krahëve të gazetares ka qenë një pallat 5 katësh, i cili është rrafshuar dhe tani shihet vetëm papafingo.

“Jam në këtë zonë në rrugën “Zef Serembe” në zonën e ish -Kënetës në Durrës.

Pas krahëve të mi është një ndërtesë e rrënuar. Banorët më shpjeguan që kjo ka qenë një ndërtesë 5 katëshe.

Siç e shikoni nga pamjet ka mbetur vetëm kati i fundit i papafingos.

Banorët më thanë që familja që ka këtë shtëpi nuk banon këtu është jashtë.

Duket e pabesueshme, unë vetëm kur u përballa dyshoja që kjo ishte një ndërtesë 5 katëshe. Ajo që dukshme është vetëm një papafingo”- shprehet gazetarja.

U kritikua se “harroi” Shqipërinë, Dua Lipa në krah të shqiptarëve me donacione: Ne kemi dëshmuar se jemi të fortë

Këngëtarja shiptare me famë botërore, Dua Lipa u kritikua një ditë më parë për shkak të indiverencën që tregoi për të lënduarit nga tërmeti në Shqipëri.

“T’ia kishe kushtu një postim Shqipërise në këto ditë të vështira…”, ishte një nga komentet që iu bë këngëtares.

Por gjërat nuk janë kështu në të vërtetë. Dua Lipa së bashku me familjen dhe miqtë kanë menduar të bëjnë donacione.

Ajo dhe miqtë e saj që kanë firmën ‘Bond.nyc’ do të krijojnë produkte, të ardhurat e të cilave do të dërgohen në ndihmë të të prekurve nga tërmeti.

“Përveç donacioneve personale të mija dhe familjes sime, unë bashkohem me miqtë e mi Kushtrim dhe Arben nga “Bond.nyc” për të krijuar materiale që do të shiten në të gjithë botën dhe 100% të të ardhurave do të shkojnë drejt familjeve të prekura nga tërmeti në Shqipëri.

Të gjitha të ardhurat do të shkojnë drejtpërdrejt në llogaritë zyrtare të siguruara nga Qeveria e Shqipërisë me të cilët kemi qenë në kontakt përmes miqve tanë në Prishtinë”, ka shkruar mes të tjerash Dua në një postim të bërë në rrjete sociale.

Ne kemi dëshmuar se jemi të fortë dhe në momentet si kjo ne bashkohemi si një komb i vëllezërve dhe motrave të BASHKUARA”, shprehet këngëtarja.

VIDEO/ “Djali nuk vjen më këtu, është traumatizuar”: Jeta në Thumanë tre ditë pas tërmetit

Katër ditë pas tërmetit në fshatin Thumanë të Shqipërisë, banorët vazhdojnë të jetojnë në tenda.

Shumica e shtëpive në këtë vend janë të pabanueshme ose janë shkatërruar plotësisht.

Autoritetet kanë filluar t’i shembin disa ndërtesa të cilat janë në prag të rrënimit. shkruan rel.

https://youtu.be/VgLWE1ztuRE

https://youtu.be/B__r_V-VcHs

https://youtu.be/jQoAEbh4dv0

Këtë verë do të martoheshin, i jepet lamtumira çiftit që humbi jetën tragjikisht nga tërmeti

25-vjeçarja nga Korça, e cila humbi jetën tragjikisht në Thumanë pranë të fejuarit të saj, Almir Carës, është përcjellë në vendlindje për në banesën e fundit.

Ditën e sotme iu dha lamtumira Diastela Steneci, e cila mbeti viktimë e tërmetit shkatërrues të së martës në Thumanë bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes Cara.

Prekëse dhe rrëqethëse është edhe historia në familjen Cara, pasi nga 9 pjesëtarë, vetëm 2 prej tyre kanë arritur të mbijetojnë nga rrënojat e tërmetit vdekjeprurës.

Almir Cara, vetëm 29 vjeç me të fejuarën e tij Diastela Steneci kishin planifikuar të martoheshin këtë verë, por ëndrrat e tyre për jetën u prenë në mes të martën në mëngjes, më 26 nëntor 2019.

Gjithashtu arkivolet me trupat e të ndjerëve të familjes Cara u përcollën sot nga çadra ku po mbaheshin homazhet në varrezat e qytezëz. Trupin e pajetë të Almirit e përcollën shokët e tij mes lotësh e dhimbjes së madhe.

Rrëfimi prekës i efektivit të RENEA-s që përloti të gjithë: Më fal biri im që s’munda të…

Pas tërmetit vdekjeprurës të mëngjesit të 26 nëntorit, banorët e qytetit të Durrësit, po përpiqen që të përballojnë në kushte të rënduara psikologjike nga dëmet e shumta të shkaktuara në jetë njerëzish dhe në banesa.

Njëri prej heronjëve të heshtur, efektiv i repartit RENEA, i njohur si Xen Alushi, ka ndarë me miqtë e tij në “Instagram”, pamje nga një operacion i mëparshëm të një pallati në flakë. Nëpërmjet këtij postimi, ai i kërkon falje të birit dhe familjes.

Xeni shkruan krahas videos se asnjëherë nuk mundi që të jetë me familjen kur ato kanë nevojë për të. Në postimin e gjatë, ai rrëfen sesi e përjetoi djali këtë moment të vështirë.

“Jam munduar gjithmone qe familjes dhe femijve te mi tju mesoj si ta mposhtin friken, por kisha harruar te mesoj veten se si te mos kem frike per ta,ne momente te veshtira”, shkruan ai.

“Termet pas termeti,lekundjet nuk kane te ndalur.E dhimbshme per gjithe njerezit dhe frika qe ka pushtuar cdo qenie te gjalle ne toke eshte e papershkrueshme.Jam munduar gjithmone qe familjes dhe femijve te mi tju mesoj si ta mposhtin friken,por kisha harruar te mesoj veten se si te mos kem frike per ta,ne momente te veshtira.Nuk munda sepse asnjehere nuk munda te jem me ta per shkak sepse gjithmone me eshte dashur te jem ne detyre ne ndihme te te tjereve(komunitetit)Miqte e mi vendosa ta ndaj me ju kete histori pasi u ndjeva shume i pafuqishem ne tragjedine e fundit kur degjoja pertej telefonit te qarat e djalit tim 2 vjecar,Semit i cili me therriste:Babi kam frike,hajde ke pija(shtepia)ka fantazma ne pi(shpi)etj etj me ate zerin e tij te pafajshem dhe me çiltersine e nje femije krejtsisht i pafajshem.Dhe pergjigjia ime dhe pse me gjysme zeri ishte;

O dashuri o zemra ime nuk mund te vi sepse me duhet te ndihmoj disa femije te tjere,njerez te tjere qe jane ne veshtirsi e ndoshta fatkeqsisht me pak shprese per jeten e tyre.😥Edhe pse e di qe sme kuptonte dhe as qe do tja dije qe te me kuptoj sepse fundja une duhet te permbush detyren time si prind por gjithmone te pamundur per shkak te profesionit tim.Dua ti kerkoj te falur birit tim Semit dhe familjes time qe per shkak te profesionit une shumicen e rasteve nuk jam prane tyre as kur kane nevoje per mua dhe as kur duan te gezojne me mua.Me kete rast dua te pershendes te gjithe femijet,familjet e kolegeve te mi qe ndihen si une.RESPEKT.Jam i sigurte qe nese ne nuk jemi prane jush,Zoti eshte gjithmone me ju.Ju dua pafund familja ime,Zoti ju bekofte.Amin🙏(video ilustruese)”, postimi i plotë i Xen Alushit.

Ankth dhe kaos, orët rraskapitëse të krizës së tërmetit në Durrës

Për orë të tëra, plani i qeverisë për strehim hasi në rezistencën e banorëve të qytetit të Durrësit për t’u futur nëpër hotele dhe godina në mes të lëkundjeve të vazhdueshme sizmike, situatë të cilën autoritetet e konsideruan të paimagjinueshme edhe për ta.

Nga Edmond Hoxhaj

Në një kamp strehimi të ngritur pranë stadiumit të Durrësit të enjten, dhjetra qytetarë kërkonin me ngulm një vend nën çadër. Batanijet ishin shtruar përtokë dhe tek-tuk shikon ndonjë shtrojë të sfungjertë, por qytetarët e Durrësit -zonës më të goditur nga tërmeti me magnitudë 6.4 Rihter, nuk u zënë besë zgjidhjeve të tjera.

Sipas mjekëve në kamp, të mbijetuarit shfaqin probleme të vazhdueshme shëndetësore.

“Në përgjithësi me tension të lartë, me takikardi, të stresuar, me të gjitha…, por më mirë se sa ishte dje. I mësojmë se si të pinë ilaçet, pasi janë të stresuar dhe kanë harruar se si i kanë pirë. Por në përgjithësi më mirë se dje,” përsërit një mjeke për BIRN.

Plani i qeverisë për t’i strehuar nëpër hotele të prekurit nga tërmeti hasi në rezistencë masive deri në orët e mbrëmjes së enjte, kur nisën edhe shtrëngatat e shiut. Me shtëpitë e shkatërruara dhe nën panik, banorët i thanë BIRN se nuk kishin besim te godinat ku po i dërgonin autoritetet.

“Kemi dalë të tmerruar, nëpër xhama, nëpër tulla, nuk e di ç’a të them. Ata na thonë të shkojmë në një hotel. Atje nuk shkoj dot, se atje kanë rënë hotelet. Si të shkoj në hotel në plazh unë!? Erdha këtu tani. Jam fut me një makinë të komshisë, se kam dy fëmijë të vegjël. Tani unë u kërkoj këtyre vetëm ushqimin se po rri në makinë, vetëm ushqimin,” thotë e irrituar Sabajete Lako. “Çfarë të bëjmë? Na hoqën nga çadra se donin të na çonin në hotel. Unë në hotel nuk shkoj se jam e tmerruar dhe fjeta në makinë,” shton ajo.

Njësoj si Lako, edhe Kasëm Sadiku thotë se nuk do të qëndrojë në hotel se druhet prej tërmeteve.

“Kam dy ditë që vij për një çadër. U thashë të marr një çadër me dokumenta, me vulë e ta dorëzoja prapë, vetëm të ruaj shtëpinë. Ai më thotë shko në hotel. Hoteli është më keq se shtëpia. Unë s’kam besim, as tek shtëpia ime, as tek hoteli. Dua të rri përjashta,” shtoi ai.

Kërkesat e banorëve të prekur nga tërmeti përplasen shpesh me planet e autoriteteve në Durrës, duke i lënë të dyja palët të pakënaqura dhe qytetin në një gjendje të vazhdueshme kaosi. Dhjetra banorë u ankuan të enjten për BIRN se ishin lënë në mëshirë të fatit, ndërsa drejtues të Bashkisë së Durrësit pohuan se po përballeshin me një fluks kërkesash të papërballueshme.

“Jetoj te fusha e rërës, lagja 18. Pallati ka dalë jashtë përdorimit. Kemi marrë vetëm rrobat e trupit. S’ ka ardhur njeri të na thojë: “Çfarë halli keni, ku do flini, çfarë rrobash doni? Por rrimë këtu pas gardhit për ndonjë copë bukë për të ngrënë. Pse për bukë është problemi?,” thotë i irrituar Qani Toska, duke treguar me dorë vendstrehimin e dy netëve të fundit.

“Shtëpia është bërë katastrofë. Ishim me tërë atë pasuri, dolëm në zero. Tërë ai mall, të arrij unë këtu të vij të kërkoj batanije, është turp. Vajtëm u regjistruam dhe thanë se do vijnë. Na morën të dhënat dhe kontaktet e deri tani asnjë gjë,” shton bashkëshortja e Toskës.

Nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Florian Tahiri pranoi të enjten për BIRN situatën kaotike dhe problemet në menaxhimin e situatës.

“Paniku është i lartë, situata është goxha kaotike. Përballemi me një situatë që nuk e kemi imagjinuar ndonjëherë dhe me një fluks kërkesash nga qytetarët, të cilat i kemi për momentin të papërballueshme, pavarësisht se stafi i bashkisë është i gjithi në këmbë,” tha Tahiri.

Ai shtoi se Bashkia po përpiqej të kategorizonte kërkesat e banorëve, por nuk mund të montonte çadra për shkak të motit të keq dhe se duhej të mendonte edhe për kushtet higjieno-sanitare në vendet e strehimit. Tahiri pranoi se ka abuzime me ndihmat, por fajëson për këtë qytetarët.

“Ndërkohë kemi vendet ku depozitohen mallrat, ku qytetarët mund të shkojnë të kërkojnë mallra. Për shpërndarjen e ndihmave po përpiqemi ta menaxhojmë situatën, se ka mjaft abuzime. Ka qytetarë që vijnë nga tre katër herë, mos të them nga dhjetë herë. Vijnë me karroca, me çanta. Është një shtresë që nuk dua ta diskriminoj, por që janë tmerrësisht problematikë dhe prishin gjithë punën tonë,” shtoi Tahiri.

Qytetarët ngrenë edhe shqetësimin e mosverifikimit të dëmeve që kanë shkaktuar tërmetet në banesat e tyre, por Bashkia përgjigjet se për momentin është e fokusuar tek jeta e njerëzve.

“Ky është një moment ku më e rëndësishme është jeta e njeriut, nuk është dëmi material. Hasim në një kërkesë shumë të lartë të qytetarëve që thonë ‘hajde verifiko dëmet’. Gjë që do bëhet, por kjo do bëhet në bllok, nuk mund të shkosh tek një qytetar, do merren zonat në bllok. Janë aktualisht në terren inxhinierët, po vijnë inxhinierë edhe nga institucione të ndryshme,” tha nënkryetari i Bashkisë për BIRN.

Gjatë orëve të mbrëmjes së të enjtes, Durrësi i ngjante një qyteti “fantazmë”. Ndërkohë, qytetarët dhe menaxhuesit e krizës duket se arritën të binin dakord për mbylljen e kampit të stadium dhe zhvendosjen e banorëve nëpër hotele dhe palestra.

“Ata që kanë qenë të strehuar në kampin me çadra pranë stadiumit janë transferuar në hotele dhe në tre palestra. Transferimi nga çadrat u krye për shkak të reshjeve të shiut,” i tha BIRN, drejtoresha e kabinetit të Bashkisë Durrës, Keli Kërtusha.

Dolën gjallë dhe të vetëdijshëm: Pse vdiqën më pas Diena Karanxha, Klement Çupi dhe Saimir Gregu?

Diena Karanxha, Saimir Gregu dhe Klement Çupi ishin mes 49 viktimave që shkaktoi tërmeti tragjik i tre ditëve më parë në vend.

Ata u nxorrën gjallë dhe të vetëdijshëm nga rrënojat, ndërsa papritur u dha lajmi se kishin ndërruar jetë në spital.

Diena ishte e vetëdijshme duke u thënë ekipeve të shpëtimit që ta linin të ndërronte jetë nën rrënoja ku kishte humbur edhe vajzën, ndërsa Klement Ccupi bënte shaka me ekipin e shpëtimit grek dhe të afërmit duke thënë se duhej të pinin kafe pasi të mbaronte e gjithë kjo.

Ndërkohë, Saimir Gregu komunikoi gjatë gjithë ditës me ekipet e shpëtimit deri në nxjerrjen e tij në orët e pasdites së datës 26 nëntor.

Por, nëse dolën gjallë dhe të vetëdijshëm pse vdiqen Diena Karanxha, Saimir Gregu dhe Klement Ccupi?

Sigurisht, kjo nuk ka të bëjë me neglizhencën e mjekëve, por sipas kreut të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj lidhet me një fenomen që zhvillohet tek muskujt e njëriut kur ato shtypën.

Duke folur për ABC, Brataj shpjegoi se vdekja lidhet me shkatërrimin e muskujve fillimisht, e cila bën që në gjak të injektohet emiozinë me sasi të lartë duke nxjerrë jashtë funksionit fillimisht veshkat dhe më pas organet e tjera.

“Probemi i personave që dalin nga rrënojat lidhet me kohën që kanë ndejtur aty dhe sa dëmtime kanë tek indet e buta, pra muskujt.

Shkatërrimi i muskujve shkakton çlirimin e emiozinës, e cila futet fillimisht në gjak dhe përfundon në veshka duke mos u eliminuar nga veshka, gjë që shkakton insuficiencë renale dhe më pas mos funksionim të organeve të tjera, që çon në vdekje”, shpjegoi Brataj.

Përveç 49 të vdekurve, tërmeti ka shkaktuar edhe rreth 750 të lënduar, ku një pjesë e madhe kanë marrë trajtim në spital.

Dëmet materiale janë të konsiderueshme dhe do të duhet një ndërhyrje e madhe e qeverisë për të rikthyer zonat në gjëndjen e mëparshme.

https://youtu.be/NU6Agtk1z30

Si të marrim veten pas tërmetit? Një manual për shëndetin mendor

Të gjithë jemi të tronditur nga lëkundjet e tokës këto ditë. Është mëse normale dhe njerëzore që të na mbërthejë ankthi për sigurinë, tonën apo të familjes dhe të njerëzve të afërm, sidomos nëse qëndron në një zonë të prekur nga tërmeti.

E po ashtu është mëse normale që të ndjehemi të frikësuar dhe shqetësuar vazhdimisht.

Kjo është gjendja që na bashkon në këto momente, ndërsa ndasitë janë se gjithsecili ka mënyra të ndryshme sesi ta përballojnë këtë situatë. Hapi i parë, që sipas Fondacionit për Shëndetin Mendor, një fondacion neozelandez, është pranimi i ndjenjës së pasigurisë, frikës, ankthit dhe shqetësimit.

Veç kësaj, përmes një broshure të shkurtër, ky fondacion jep disa këshilla ndihmëse, sidomos për shëndetin mendor të fëmijëve.

Flisni me të miturit dhe adoleshentët për ndjenjat e tyre dhe sesi janë ndikuar nga tërmeti.

Përdorni gjithmonë fjali pyetëse të shkurtëra dhe të thjeshta.

Përgatituni për të dëgjuar e diskutuar të njëjtat detaje më shumë se një herë.

Sigurohuni që fëmijët të kuptojnë se nuk është faji i tyre se përse janë të frikësuar dhe në ankth.

Shpjegojuni që edhe ju, të rriturit nuk jeni në gjendje që të kuptoni pse ndodhin disa gjëra.

Bëni maksimumin që të jeni mbështetës, të dashur, të thjeshtë, të qetë dhe të parashikuar.

Inkurajojini fëmijët që të angazhohen në aktivitete e ushtrime fizike.

Reagimet e njerëzve ndryshojnë. Dikush mund të flasë më pak dhe të përqëndrohet më shumë tek detyrat e thjeshta. Një tjetër mund të flasë më shumë. Veproni sipas mënyrës që ju vjen natyrshëm, por duke patur parasysh që të jeni sa më shumë në kontakt me të afërm, miq apo njerëz të tjerë.

Komuniko vazhdimisht me familjarët, miqtë, fqinjët dhe kolegët. Fol me ta për mendimet dhe ndjenjat, edhe për frikën e ankthin.

Ruaj ekuilibrin e jetës, mes nevojave personale, punës dhe detyrimeve familjare. Menaxho zotimet si normalisht, megjithëse të thuash “jo” ndonjëherë nuk ka asgjë të keqe

Ushqehu me kujdes. Përdor një dietë të shëndetshme me ushqime që veprojnë si mburojë natyrale kundër stresit

Ushtro sa më shumë që të jetë e mundur aktivitet fizik

Gjej gjithmonë kohën për qetësim, duke marrë frymë thellë, apo teknika e metoda të tjera për reduktimin e ankthit dhe stresit

Ruaj rutinën ditore, sa më shumë që të jetë e mundur, përfshirë këtu edhe fjetjen me orët e nevojshme

Gjej diçka për t’u marrë. Kujdesu për të tjerët, ndonjëherë ndihmon për të harruar telashet tona. Të gjitha pyetjet “po sikur” janë më të lodhshme sesa të ndihmosh të tjerët. Mundohu të realizosh gjëra të vogla, që ju ndihmojnë të jeni pozitivë

Qesh sa më shumë. Reflekto mbi gjërat e mira të jetës

Tregohuni të duruar me veten. Nguliteni në kokë se vetëm ju e keni në dorë që të rifitoni ekuilibrin e jetës

Reagimi fizik ndaj tërmeteve

Truri ynë prodhon adrenalinë në situata stresi. Kjo shkakton mungesë përqëndrimi dhe gjendje ankthi. Në vetvete, ky është një paralajmërim që organizmi ynë na jep që të jemi të kujdesshëm dhe gati për të vepruar. Këto ndjenja mund të largohen, por nëse lëkundjet zgjasin mund të kërkojnë më shumë kohë. Tre këshilla:

Mundohu të ruash rutinën

Merr frymë ngadalë dhe me hundë

Kujtohu se frika pritej dhe hiqni tutje panikun

Je vetëm ti?

Jo! Ndonjëherë, kur e keni të vështirë që të dilni me miqtë dhe njerëzit e tjerë rreth jush, mendo që të flasësh me persona të tjerë të panjohur, qoftë edhe online. Dëgjo muzikë dhe fol në telefon, mbase mund të ndihmosh të tjerët.

Qendra Sizmologjike Europiane qetëson shqiptarët, publikon grafikun me intensitetin e tërmeteve (VIDEO)

Qendra Sizmologjike Europiane ka vijuar monitorimin e lëkundjeve sizmike në Shqipëri pas tërmetit shkatërrues të së martës që iu mori jetën 49 personave dhe plagosi mbi 750 të tjerë.

Në bazë të të dhënave të fundit të EMSC, aktiviteti sizmik pas tërmetit të së martë ka qëndruar i limituar.

“Ne shpresojmë që ulja e aktivitetit sizmik do të vijojë dhe populli i Shqipërisë të gjejë paqe”, shkruan EMSC.

Më herët Qendra Sizmologjike Europiane publikoi dhe një grafik të lëkundjeve sizmike dhe intesitetit të tyre në Shqipëri.

“Ju lutem më thoni që vetëm një fëmijë të më ketë shpëtuar”, lutja prekëse e kryefamiljarit që humbi 7 familjarët e tij nga tërmeti

Tetë anëtarë të familjes Cara, të cilët mbetën viktimë të tërmetit tragjik u përcollën sot për në banesën e fundit.

Në ceremoni mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama. Ndërsa në tryezën e pasmortit prekëse ishin rrëfimet e të afërmve të familjes Cara.

I vetmi i mbijetuar është kryefamiljari Albert Cara, ndërsa ende nuk e di se ka humbur të gjithë anëtarët e familjes, dy djemtë, vajzën, bashkëshorten dhe të fejuarën e djalit.

“Ju lutem më thoni që vetëm një fëmijë të më ketë shpëtuar. I thashë fëmijët i ke në rregull vetëm të bëhesh më mirë ti, ishalla shërohet por atëherë do ketë tragjedi them unë”, tregon një prej të afërmve bisedën me Albertin nga spitali i Traumës.

“I tha motrës mbrëmë, më thuaj pse ke ardhur kush ka vdekur, më thuaj emrin, jo më thuaj emrat, por më thuaj emrin, ai dicka e ndjen”, tregn një tjetër.

Ndërsa një i afërm shprehet se Alberti diçka e ndjen që ka humbur dikë nga familja, pasi ka treguar një moment kur nën rrënoja ka pasur për dore djalin, dhe dora e tij është ftohur.

“I thashë di gjë për fëmijët, nuk di gjë tha di vetëm këtë që djalin e kam pasur për dore dhe dora filloi duke u ftohur”, shprehet ai.

Viktimat e familjes Cara:

Fatmira Cara (bashkëshortja e Albertit) u nxorr e pajetë.

Hasan Cara (djali) u nxorr i pajetë.

Erisa Cara (vajza) u nxorr e pajetë.

Almir dhe Stela Cara (djali dhe nusja e Albertit) u nxorrë të pajetë

Lindita Cara (vajza e xhaxhait të Albertit) u nxorr e gjallë pas 15 orësh nën rrënoja por vdiq në spital.

Anthi dhe Sadajana Cara (xhaxhai dhe gruaja e xhaxhait të Albertit) u nxorrën të pajetë.

Disa këshilla nga një shtetas shqiptar, që jeton në vendin më rrezikshmërinë më të lartë në botë nga tërmetet

Nga Genc Bakim, banues në Japoni

Do te doja te ndaj disa mendime rreth ndihmes qe u duhet te prekurve nga termeti gjate kesaj kohe qe nuk kthehen dot ne shtepite e tyre.

Keto jane bazuar mbi eksperiencen personale gjate termetit te fuqishem ne Japoni ne mars 2011.

Per miq e shoke ne Shqiperi, shperndajeni me gjere ne se ju duket e arsyeshme. Per miq e shoke ne Japoni, kontriboni edhe ju me informacion bazuar mbi eksperiencen Japoneze.

Situata pas termeteve kalon ne disa faza dhe nevojat e atyre te prekur gradualisht ndryshojne keshtu qe duhet qe ndihma qe u jepet te perkoje me ate cfare ata kane nevoje dhe jo me cfare duam ne te japim.

Nevoja e pare eshte per krevate, ushqime, veshje te ngrohta dhe veshje dimri e shiu si xhupa, cizme, kaperdina, dorashka, kapuce. Edhe batanije, sa me shume batanije.

Kane gjithashtu nevoje per uje dhe ushqime. Me e mira eshte te dergohen shishe uji te mbyllura dhe ushqime te thata qe rrojne disa dite si biskota dhe cereale. Femijeve u duhet qumesht. Uje dhe qumesht!

Atyre u duhen karikues telefonash, elektrike dore apo llampa balli si edhe batteri. Karikuesit dhe kabllot USB ishin nga artikujt me te kerkuar nga te prekurit nga termeti ne Japoni.

Radiot me bateri jane shume te nevojshme qe ata te marrin lajmet me te fundit zyrtare dhe jo te rrine ne meshiren e internetit qe nuk eshte gjithmone i sakte.

U duhen gjeneratore ekektrike me benzine, si edhe benzine per gjeneratoret.

Me te dobetit jane femijet, grate shtatzena, te semurit dhe pleqte. Por sidomos femijet, duhet qe ata te kthehen ne “normalitet” sa me pare.

Me e mira eshte qe femijet te vazhdojne shkollen dhe edhe te kene mundesi te luajne. Do ishte mire qe femijet te qendrojne ne familjet e kushove apo shokeve qe te kene mundesi te flene mire, te jene ngrohte dhe te kene vend ku te bejne mesimet. Ata duhet te kthehen ne shkolle sa me pare, qe te henen po qe e mundur.

Vullnetaret duhet te shkojne te organizuar dhe te kene ku te flene e ku te hane dhe te mos shkojne kuturu, ndryshe do u futen ne pjese atyre qe kane nevoje dhe do shtojne barren e pushtetit lokal, qe duhet te mendoje edhe per ta tani.

Vullnetaret mund te jene ditore, te shkojne ne mengjes e te kthehen ne darke, ose te marrin cadrat e tyre te vetat per te fjetur naten.

Kane nevoje per ilace. Ka shume mundesi qe ilacet tu kene mbetur ne germadha. Sidomos ata me semundje kronike si me tension apo me zemer apo diabet.

Ata mund te kene nevoje per te holla xhepi, per te blere ndonje ushqim apo bilete autobuzi a taksi pasi portofolat apo leke mund tiu kene mbetur ne germadha.

Nuk kane nevoje per shuma te medha lekesh tani, edhe 1 milion dollare po te kene shtepine nuk e rindertojne dot brenda nates, financa vjen pak me vone.

Kane nevoje te levizin, te shkojne ne spital apo zyra shteti keshtu qe vullnetare taksixhinj apo me furgona jane te nevojshem.

Per sa i perket ndihmes financiare, dhuruesit duhet te dhurojne vetem ne llogari bankare zyrtare qe media kryesore transmeton ose tek Kryqi Kuq apo Gjysem Hena e Kuqe.

Do dalin matrapaze e mashtrues t’iu thone qe ata po punojne per te prekurit por mos u besoni te gjitheve. Ruani veten por edhe te prekurit nga mashtruesit dhe sigurohuni qe ndihma qe jepet arrin aty ku duhet.

Jo te gjithe mund te vijme e te ndihmojme por dijeni qe nuk jeni vetem. Ngjarje te tilla na afrojne me shume me njeri tjetrin dhe na bejne me te forte si komb.

Kolonat si kunja shkrepëse/ Kjo ishte banesa e familjes Lala, ku dhanë shpirt 8 anëtarë (FOTO)

Kjo ishte banesa 4-katëshe e familjes Lala, në ish-Kënetë të Durrësit, ku tërmeti 6.4 i mëngjesit të 26 nëntorit e rrafshoi duke marrë jetët e anëtarëve të saj.

Familja Lala ishte ndër më të prekurat nga tërmeti shkatërrues. Tetë anëtarë të familjes humbën jetën nën rrënoja. I vetmi që i shpëtoi paq është 17-vjeçari Ramë Lala, jetën e të cilit e shpëtoi një lavatriçe.

Sahadete Lala 79 vjeç ndërroi jetë me djalin e saj të paralizuar Ilir Lala 52 vjeç, me nusen e djalit tjetër Marjeta Lala, 4 fëmijët e saj, dhe mbesën nga djali tjetër. Nën rrënoja mbeti po ashtu edhe Griselda 22 vjeç, motra e 17-vjeçarit Ramë Lala.

Por si ishte e ndërtuar vila 4-katëshe e familjes me origjinë nga Peshkopia që u kthye në mort?

Siç mund ta shihni në këto foto është e qartë se cilësia e dobët e ndërtimit të saj nuk ka mundur të përballojë goditjen e tërmetit, ndërsa u bë rrafsh me tokën.

Kolonat e godinës janë tepër të holla për të mbajtur mbi tyre katër kate ndërtesë. Në goditjen e parë të tërmetit në orën 03.55 ndërtesa u rrëzua, ndërsa gjatë ditës ekipet e shpëtimit kishin kontakte me disa prej anëtarëve nën rrënoja.

Ndërkohë, më pas e gjithë godina u rrëzua duke i zhytur edhe njëherë nën rrënoja anëtarët e familjes, për t’i nxjerrë më pas të pajetë.

Ndoshta papërgjegjshmëria në ndërtim shoi një familje të madhe.

Viktimat e familjes Lala:

Sahadete Lala 79 vjeç – (Gjyshja)

Ilir Lala, (i paralizuar) 52 vjeç i fundit qe u nxor nga rrënojat

Marjeta Lala me 4 fëmijët:

Emilio Lala

Dionis Lala 2 vjeç

Dionisa Lala 2 vjeç -binjakë

Amelia Lala 8 vjeç – Vila në Kënetë

Griselda Lala- 22-vjeç (Motra e Ramë Lalës që shpëtoi)/ abc news

Pasojat e tërmetit, shumë banorë të Tiranës dhe Durrësit ikin jashtë vendit (VIDEO)

Udhëtimet jashtë Shqipërisë kane qenë të preferuara për shumë shqiptarë në festat e nëntorit. Por këtë fund nëntori, shumë prej tyre nuk po nisen në një udhëtim të planifikuar, por me një biletë të prerë në minutë të fundit, nga frika e tërmetit.

“Po iki te djali në Francë. Jetoj në Durrës. Shtëpia kishte dëmtime të vogla, por jemi shumë të goditur shpirtërisht”, shprehet një qytetare.

“Po ikim nga tërmeti. Kemi 4 ditë pa gjumë”, thotë një tjetër.

“Unë jetoj këtu, por jam nga Rusia. Këtu kam burrin. Tani po udhëtoj për në Moskë pasi u trembëm të gjithë. Do të qëndrojmë atje sa të qetësohemi. Ndoshta do të kthehemi para Vitit të Ri”, thotë një shtetase ruse.

Megjithatë, nuk ka vetëm shqiptarë që ikin. Të shumtë janë ata që zbresin në Tiranë. Telefonatat familjarëve të shqetësuar dhe pamjet e Shqipërisë së gjunjëzuar nga tërmeti kanë bërë që shumë prej atyre që janë larg, të vijnë për t’iu gjendur pranë të afërmve.

“Vij këtu pasi kam një nga fëmijët këtu dhe prindërit. Jetojnë në Ishëm. Do të qëndroj me ata”, shprehet një qytetare.

Tërmeti ka gjetur në Shqipëri edhe shumë të huaj. Dikush nxiton të ikë… “Kam ardhur këtu për punë, por pas tërmetit, vendosa të largohem që sot, edhe pse kthimin e kisha planifikuar për ditën e hënë”.

Të tjerë ftojnë të mos e lënë vendin… “Nuk u frikësova fare. Isha në Tiranë kur ra tërmeti. Qytetarët duhet të rrinë në Shqipëri, të mos largohen nga vendi. Nuk është gjë e mirë”, shprehet një shtetas i huaj.

Në aeroport takojmë edhe Florin. Ai do të qëndrojë vetëm 24 orë në Tiranë. Bashkë me shumë shqiptarë e miq të tij zviceranë, kanë mbledhur ndihma për të goditurit nga tërmeti.

“Është shumë e vështirë për ne që kemi familje këtu, kemi vendin tonë, të shohim nga atje dhe vetëm të qajmë në “Facebook” dhe t’u shkruajmë njerëzve.

Doja të vija të qetësoja familjen. Kam sjellë edhe gjëra që mu gjendën miq zviceranë dhe shqiptarë. Nesër largohem sërish. Puna është të mos jemi kaq solidarë vetëm në momente të vështira, por edhe në jetën e përditshme”, tregon Flori.(A2)

Artur Zheji: Tërmeti na zbuloi sa të mjerë dhe të paushqyer jemi, ndërsa këta pasanikët plot pordhë katundi nëpër brekë ikën jashtë

Artur Zheji ka bërë një koment pas tërmetit të 26 nëntorit, ku thotë se ai nxorri në pah varfërinë e shqiptarëve dhe arsyen përse ata duan të largohen nga Shqipëria.

Zheji shkruan se tani do kemi një eksod të ri, edhe nga frika e tërmeteve.

“Nëse ka patur një skemë, për ta zbrazur Shqipërinë nga banorët e saj autoktonë, kjo ‘skemë’ apo ky plan, ka funksionuar më së miri prej vitesh. Porse Tërmeti dhe tërmetet, duken se i erdhën në ndihmë, antishqiptarëve që më së shumti na udhëheqin, me ligësinë dhe marrëzinë e tyre.

Sepse askush sot, nuk mund ta thotë me saktësi, kush ishte vrasësi më i madh që na mjeroi kaq rëndë, tërmeti apo korrupsioni i ndërtimeve dhe varfëria jonë e thellë, kur, për paradoks, jemi një Vend që kemi sëtepërmi për frymë popullsie pasurira të pafundme natyrore.

Donin deri dje, përmes mediave të shërbëtore apo të nënshtruara, të na mbushnin mendjen se ‘Eksodi’ i shqiptarëve nga Atdheu i tyre, ishte një normalitet gati planetar.

E pra, natyral, i palidhur nga qeverisjet e nga qeverisja dhe dështimet e tyre.

Një eksod popullor pra, sipas Kryedemagogut, frymëzuar nga aventurizmi dhe nga hedonizmi (dëshirë patologjike e të shijuarit të jetës), një shtysë nomade, madje gati e adhurueshme, e një populli në kërkim të ‘El Dorados’ (apo Parajsës së personalizuar…).

Porse ky tërmet, zbuloi Varfërinë ulëritëse, që është e përditshmja e më të shumtëve, banorë të zymtë të Shqipërisë ‘hallemadhe’. Shtëpira dhe pallate të ngulura cekët në rërën e plazheve (edhe te bizneset e miqve) apo të kënetave, fytyra njerëzish, më së shumti mjerane dhe të paushqyera ose të kequshqyera, ngelur befas dhe padrejtësisht, në Qiell të hapur.

Kanë filluar që tash që shkruaj, nga njoftimet që kam, përgatitjet për një Eksod të ri, sepse duket se edhe toka, po kërkon të na shkundë nga trojet dhe shtëpitë tona. Ky Eksod i ri, është si një përbindësh me dy koka. Të Mjeruarit që duan të ikin nga sytë këmbët, për një copë bukë më shumë dhe ku toka nuk tundet e shkundet si këtu, dhe pasanikët e rinj, që duan të shijojnë paratë e fituara apo të vjedhura.

Është pra kjo situatë, nga më të rëndat në historinë tonë moderne.

Elita e këtij Vendi, nëse ka mbetur akoma një e tillë, duhet të ndërgjegjësohet për këtë, o sot o kurrë më, të paktën për këto 50 vitet e ardhshme që vijnë…

Por Kosova fisnike hapi dyert dhe duket se një pjesë të gjakderdhjes së largimeve do të na e lehtësojë bujarisht, sepse janë të shumtë shqiptarët e Shqipërisë, që kanë zgjedhur e po zgjedhin si strehë të parë, Tokën e tyre Veriore, ku flitet shqip.

Ndërkohë që Aeroporti, gumëzhin nga largimet luksoze, të mijëra të tjerëve, veshur me Gucci, Valentino dhe plot pordhë katundi nëpër brekë….

Nuk besoj sot te ndonjë Mrekulli rindërtuese që do të na rikthejë Besimin.

Por dikur, në këtë mjerim kombëtar pa kufij, Zoti i shqiptarëve duhet të shfaqet herët a vonë, nuk e di se në çfarë trajte, por besoj se kemi mbërritur skajin e të Keqes…”, shkruan Zheji.(TemA)

I shoi tërmeti/ Përcillen në banesën e fundit 2 familjet nga Thumana (VIDEO)

Mes lotësh e dhimbjes së madhe, iu është dhënë sot lamtumira e fundit të gjithë viktimave të Thumanës, që humbët tragjikisht jetën nga tërmeti katastrofik i 26 nëntorit. Në tërmetin 30-sekondësh u shuan dy familjet Cara dhe Greku, në Thumanë, pasi fatkeqësisht pallatet e tyre u rrënuan plotësisht.

Ceremonia mortore u zhvillua mesditën e sotme, në orën 13:00, ku të pranishëm ishin dhe kryeministri Edi Rama, zëvendëskryeministri Erjon Braçe, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, dhe ish-ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, dhe në nder të viktimave u mbajt një minutë heshtje.

Po ashtu, në këtë ceremoni të dhimbshme kanë qenë edhe familjarët e viktimave, shok, miq, të afërm, por edhe të panjohur, të cilët janë prekur nga kjo tragjedi.

Emrat e 22 personave që u nxorën të pajetë nga rrënojat në Thumanë:

 

Shkoi te prindërit për të qenë më e sigurt, vdiq bashkë me vajzën

Shkoi te prindërit bashkë me vajzën për të qenë më e sigurt, por humbi jetën. Diena Meçja (Karanxhaj), pas tërmetit të parë të lehtë, ishte larguar nga banesa e saj ku jetonte me qira bashkë me vajzën e mitur, për të qëndruar bashkë me prindërit, duke menduar se atje do të ishte më e sigurt.

Por, për fatin e keq të tyre, kjo rezultoi fatale pasi pallati 6-katësh pësoi dëmtim të rëndë nga tërmeti i fortë prej 6.4 ballësh, duke bërë që fillimisht të shemben dy katet e para dhe më pas të rrëzohet plotësisht. Bashkë me 30- vjeçaren vdiq vajza e mitur e saj dhe nëna. Ndërsa i vetmi i mbijetuar ishte kryefamiljari, i cili në ato momente nuk ndodhej në shtëpi.

Pas fatkeqësisë që i ndodhi pesë vite më parë kur humbi bashkëshortin, Diena dhe vajza e saj 8-vjeçare jetonin në një shtëpi me qira, ndërsa herë pas here shkonte dhe te prindërit.

Ato e patën të pamundur të dilnin nga objekti, ndërkohë që shembej pak e nga pak për t’u rrafshuar në harkun e pak minutave. Fillimisht u gjet nën rrënoja e vdekur vajza e mitur, e cila ndodhej pranë nënës së saj. Diena Karanxhaj ndenji 12 orë e përqafuar me të bijën poshtë rrënojave dhe nuk donte të dilte nga aty.

“Mos më nxirrni, – iu tha ekipeve të shpëtimit, – jeta ime nuk ka më vlerë”. Grupet e punës së shpëtimit arritën ta nxirrnin të gjallë nga rrënojat, por 30- vjeçarja humbi jetën pak orë më vonë për shkak të hemorragjisë.

Familja e 30-vjeçares ka pësuar një tragjedi të vërtetë, duke qenë se pak kohë më parë Diena kishte humbur bashkëshortin, ndërsa humbi vajzën dhe iu bashkua familjes edhe vetë. Diena Karanxhaj kishte pasion pikturën dhe herë pas herë nuk mungonte në ekspozitat që organizoheshin në Durrës.

I mbijetuari i vetëm është kryefamiljari, Ajet Meçja, i cili në momentin e lëkundjeve të forta nuk ndodhej në banesë. I dërrmuar shpirtërisht, ai shpresonte që nuk do të mbetej i vetëm pas kësaj tragjedie. Nuk i mban dot lotët sa herë kujton humbjen e mbesës, për të cilën u kujdes që nga ardhja e saj në jetë. Me nxjerrjen e tri trupave të familjes Meçja dhe katër të familjes Reçi, specialistët francezë të emergjencave civile dhe efektivë të Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura ndërprenë operacionin në lagjen 18, pasi nuk ka më persona të tjerë nën rrënoja. Burime nga Ministria e Mbrojtjes konfirmojnë se është mbyllur operacioni i kërkim-shpëtimit te pallati i shembur në Durrës pranë godinës së Kryqit të Kuq (lagjja 18). Pallati ku këta jetonin ishte ndërtuar pak vite më parë. Në fakt, pranë njëritjetrit qëndronin dy pallate identike të ndërtuara në të njëjtën kohë, nga i njëjti sipërmarrës. Pallati tjetër mori vetëm disa plasaritje të papërfillshme, ndërkohë ky pallat u shemb në vetëm pak sekonda. Dyshohet se shkak mund të jetë bërë ndërhyrja në kolonat e pallatit të shembur për transformimin e dy hyrjeve në lokal.

Panorama