Autoritetet izraelite evakuuan disa qytete dhe mbyllën një autostradë kryesore në Izraelin qendror të mërkurën, për shkak të zjarreve të shkaktuara nga temperaturat e larta, me Tel Avivin që bëri thirrje për ndihmë ndërkombëtare për të kontrolluar flakët që përhapen me shpejtësi.
Një deklaratë nga Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit tha se komunitetet e Neveh Shalom, Beko’a, Ta’oz, Nachshon dhe Mesilat Tzion u evakuuan.
Evakuimet u shkaktuan nga zjarret e tërbuara ,që shpërthyen në disa zona për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta, ndërsa 111 ekipe zjarrfikëse dhe 11 avionë luftuan për të shuar flakët.
Transmetuesi publik izraelit KAN raportoi gjithashtu një zjarr të madh në zonën e pyllit Eshtaol midis Jerusalemit dhe Tel Avivit.
Sipas KAN, autoritetet lëshuan udhëzime për evakuime të mundshme të më shumë komuniteteve për shkak të zjarreve.
Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit e ngriti nivelin e gatishmërisë në nivelin më të lartë për shkak të zjarreve të mëdha, dhe kërkoi ndihmë ndërkombëtare për të shuar flakët midis Jerusalemit dhe Tel Avivit. Autoritetet gjithashtu mbyllën autostradën kryesore, që lidh dy qytetet si masë paraprake.
Izraeli ka kërkuar avionë zjarrfikës nga Greqia, Kroacia, Italia dhe Administrata Greko-Qipriote për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve midis Jerusalemit dhe Tel Avivit, tha KAN.
E përditshmja izraelite Yedioth Ahronoth tha se 12 persona u plagosën në zjarret e tërbuara.
Javën e kaluar, autoritetet izraelite të shpëtimit evakuuan banorët nga disa qytete në Izraelin qendror për shkak të zjarreve të përhapura gjerësisht të shkaktuara nga temperaturat e larta dhe erërat e forta, të cilat shkatërruan 10,000 dunam (2,500 akra) dhe plagosën nëntë persona./ AA.
@tetovanews
@tn.lajmelokale