Ballina Blog Faqe 506

Kosovë: Pse po vonohet shpallja e rezultatit të zgjedhjeve?

Në Kosovë pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 530 qendra votimi iu nënshtruan procesit të rinumërimit të votave për shkak të manipulimeve të llojeve të ndryshme. Rezultate përfundimtare ende nuk ka.

Zgjedhjet në Kosovë u vlerësuan nga vëzhguesit ndërkombëtar si të rregullta, demokratike dhe pa telashe të mëdha në ditën e votimeve, por megjtihatë ende nuk janë shpallur rezultatet përfundimtare. Kjo për arsye se në mbi 530 qendra votimi po kryhet rinumërimi i votave për shkak të parregullsive të shumta. Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate (QNR) thonë, se deri tani janë numëruar më shumë se gjysma e votave nga këto 530 qendra.

“Procesi i rinumërimit të 530 vendvotimeve do të përfundoj brenda 3-4 ditëve, pastaj iu hapet rruga numërimit të votave me kusht, që praktikisht do t’i marrë edhe 2 ditë. Pra i kemi rezultatet e vendvotimeve të rregullta, të cilat janë në bazën e të dhënave, do t’i procedojmë rezultatet e vendvotimeve të rinumëruara, që po ashtu do t’ia bashkojmë rezultateve finale. Po kemi gjithashtu edhe rezultatet e votave me postë dhe mbeten vetëm edhe rezultatet e votave me kusht në mënyrë që të kompletohen të gjitha, dhe KQZ të publikojë rezultatet përfundimtare”, thotë Burim Ahmetaj Koordinatori i QNR-së.

Procesi i rinumërimit të votave në të paktën 530 vendvotime, nga rreth 2800 sa ishin në mbarë Kosovën, po bëhet për shkak të manipulimeve të shumta nga komisionarët e partive politike dhe që po vlerësohet se po e dëmtojnë të gjithë procesin zgjedhor.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tashmë ka ftuar Policinë dhe Prokurorinë hetuese që të qëndrojnë në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për të hetuar parregullsitë e raportuara. Sipas saj, gjatë numërimit të votave në disa qendra votimi janë bërë manipulime të llojeve të ndryshme. “Sa u takon komisionerëve, unë edhe tani mund t’u bëj thirrje publike edhe Policisë edhe Prokurorisë që mund të qëndrojnë lirisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe aty për aty të shohin dhe t’i marrin provat, sepse në ato vendvotime ku ka rinumërim janë bërë manipulime të llojeve të ndryshme”, thotë Valdete Daka.

Nga ana tjetër, mbi 40 mijë fletëvotime janë vlerësuar si të pavlefshme dhe tani pë tani sipas zëdhënësit të KQZ-së Valmir Elezi, akoma nuk ka një konstatim rreth natyrës së pavlefshmërisë së këtyre fletëvotimeve.

“Edhe sa i përket këtij procesi zgjedhor Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tani në këtë periudhë kur po bëhet rinumërimi i disa vendvotimeve është duke gjetur fletëvotime të pavlefshme dhe duke parë natyrën e tyre. Sigurisht pasi të kemi më shumë kohë do të ketë një raport lidhur me detajet, statistikat që i përkasin pavlefshmërisë së fletëvotimeve”, thotë Valmir Elezi.

Organizata të shoqërisë civile që janë të angazhuar në monitorimin e zgjedhjeve, thonë se mosinformimi i duhur i qytetarëve ka bërë që të ketë shumë fletëvotime të pavlefshme.

“Në bazë të të analizimit të këtyre fletëvotimeve të pavlefshme përgjatë këtyre cikleve të kaluara zgjedhore 5 deri në 6 pikë në përqindje është kryesisht numri i votave të pavlefshme si rezultat i informimit të gabuar apo fushatave të partive, sesa rasteve kur është shënuar më shumë se një subjekt politik që mund të përkthehet në prishje të qëllimshme të fletëvotimit nga ana e votuesve, andaj KQZ duhet të trajtoj pjesën më të madhe të këtyre fletëvotimeve të pavlefshme që vijnë si rezultat i informimit”, thuhet në një raport të KDI, rrjeti i organizatave që monitorojnë procesin e zgjedhjeve.

Sipas KDI-së, dhjetë komunat me përqindjen më të lartë të votave të pavlefshme në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit janë: Skënderaj 9.66%, Novobërdë 9.64%, Drenas 9.47%, Podujevë 8.40%, Lipjan 8.31%, Rahovec 8.07%, Dragash 6.67%, Malishevë 6.27%, Kamenicë 5.91% dhe Viti me 5.90%.

Analistët politik nga ana e tyre thonë, se një prej pikave më të dobëta të sistemit zgjedhor mbetet rinumërimi i pashmangshëm i kutive të votimit dhe e gjithë kjo është pasojë e përpjekjeve të komisionerëve për të manipuluar me votat e kandidatëve brenda subjekteve politike. Blerim Burjani analist politik dhe ish-anëtar i KQZ-së i tha DW-së se reforma zgjedhore në Kosovë është e domosdoshme. “Duhet të ndodhë një reformë zgjedhore adekuate që eviton mangësitë si në vijim: Ndaljen e manipulimit me votat të kandidatëve të partive që vet partitë politike përmes komisionerëve të tyre i bëjnë. Komisionerët partiak nuk duhet të numërojnë vota, por këtë duhet ta bëjnë punonjësit civil. Dhe KQZ, Këshillat e Vendvotimeve (KVV) dhe Këshillat Komunale Zgjedhore (KKZ) duhet të depolitizohen plotësisht”, thotë Blerim Burjani, sipas të cilit vetëm ndëshkimi i partive politike me gjobë, mund ta ndalë procesin e manipulimit me numërimin e votave.

“Manipulime të votave bëhen, sepse sistemi është i tillë ku partitë politike përmes komisionerëve të tyre numërojnë votat e tyre. Po qe se rriten ndëshkimet ndaj partive politike, atëherë partitë mund ta ndalin këtë fenomen dhe të mos bëjnë gjëra të kundërligjshme dhe duhet të ketë gjoba të rrepta ndaj partive politike e jo vetëm ndaj komisionerëve të partive. Partitë politike keqpërdorin komisionerët e tyre, sepse e dinë që përgjegjësia penale është individuale dhe jo partiake. Pra, duhen mbyllur lista për të ndalur vjedhjen e votave të kandidatëve brenda së njëjtës parti politike”, thotë Blerim Burjani.

Sidoqoftë, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve sipas KQZ-së nuk mund të publikohet pa përfunduar rinumërimi i vendvotimeve të kontestuara, numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave më aftësi të kufizuara dhe që ky proces mund të kërkojë kohë edhe të paktën një javë. Në bazë të rezultateve preliminare lëvizja Vetëvendosja mori më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit e pasuar nga LDK-ja. Këto dy parti tashmë janë në fazën e negociatave për formimin e një koalicioni qeverisës në Kosovë./dw

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut do të mbahen, por çka thotë ligji sipas Marrëveshjes së Përzhinos

Maqedonia do të votojë më 12 prill të viti 2020 dhe për këtë janë marrë vesh kryetarët e partive parlamentare në takimin e djeshëm (20.10.2019) tek presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.
Zgjedhjet duhet të mbahen dhe për këtë ekziston Ligj që është miratuar me marrëveshjen e Përzhinos në vitin 2015, të dakorduar nga PDSH, BDI, LSDM dhe VMRO-DPMNE ndërmjetësim të zyrës së BE-së dhe Ambasadës së SHBA-ve në Maqedoni.

Neni 44:
(1) Për organizim të zgjedhjeve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me propozim të Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, njëqind ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë zgjedh ministër të Punëve të Brendshme dhe ministër të Punës dhe Politikës Sociale, me propozim të opozitës me mandat i cili zgjat deri në ditën e shpalljes së rezultateve përfundimtare nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e realizuara për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, me ç’rast mandati u ndërpritet sipas fuqisë së ligjit.

(2) Ministrin e Punëve të Brendshme e propozon partia në opozitë me numër më të madh të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, pas konsultimit paraprak me të dyja partitë politike me numër më të madh të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

(3) Ministrin e Punës dhe Politikës Sociale e propozon partia në opozitë me numër më të madh të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

(4) Ministri i Punëve të Brendshme mund të kryejë më së shumti 15 shkarkime ose sistemime, në vend më të ulët ose më të lartë të bartësve të pozitës udhëheqëse në ministri, në pajtim me ligjin. Ministri i Punëve të Brendshme mund të bëjë edhe sistemime horizontale të të punësuarve që janë me propozim të tij në numër deri 10% nga numri i sistemimeve horizontale të bazuara në mesataren e këtyre sistemimeve në vitin 2013 dhe 2014.

(5) Ministria e Financave dhe organet tjera të administratës shtetërore dhe subjektet juridike, menjëherë pas zgjedhjes së ministrit të Punëve të Brendshme nga paragrafi (1) i këtij neni, i miratojnë procedurat për angazhimin e personave për nevojat e kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme.
(6) Me ditën e emërimit të personit në pozitë udhëheqëse nga paragrafi (4), ministri është i detyruar që të emërojë zëvendës plotësues me propozim të zëvendësministrit plotësues.

(7) Zëvendësi plotësues i nëpunësit udhëheqës nga paragrafi (6) bashkë dhe
në mënyrë të barabartë merr pjesë në realizimin e kompetencave që dalin nga ligji dhe aktet nënligjore.

(8) Të gjitha aktet në kompetencë të nëpunësit udhëheqës duhet të nënshkruhen edhe nga nëpunësi udhëheqës edhe nga zëvendësi plotësues i nëpunësit udhëheqës. Nëse akti është nënshkruar vetëm nga njëri person konsiderohet se i njëjti nuk prodhon veprim juridik.

Si ndodhi aksidenti ku u përfshi mbrëmë Albin Kurti, ç’thotë Vetëvendosje

Eskortës që po e shoqëronte mbrëmë Albin Kurtin i ka prerë rrugën një makinë që vinte nga rrugët dytësore, e cila ecte me shpejtësi të ulët.

Sipas raportimeve të mediave në Shqipërisë tre automjetet e tjera kanë frenuar në kohë, por makina me të cilën ecte Albin Kurti ka frenuar me vonesë duke u përplasur me automjetin e policisë.

Kurti nuk është lënduar. Atij i është ofruar edhe një autoambulancë, por është refuzuar pasi nuk kishte pësuar lëndime. Kurti, shoferi dhe dy persona të tjerë në automjet nuk janë lënduar, por vetëm janë tronditur nga përplasja.
Më pas Albini ka vijuar rrugën me një automjet tjetër drejt Tiranës, ku në orën 19:00 kishte planifikuar një takim te Millenium. Kurti arriti atje disa minuta me vonesë, dhe rreth orës 21:30 takimi ka përfunduar. Më pas u largua drejt Kosovës, raporton Ekspress.

Aksidenti është konfirmuar nga Lëvizja Vetëvendosje. “Po ka pasur një aksident të lehtë, por pa lëndime në njerëz. S’është askush i lënduar”, thuhet në deklarimin e VV-së.

“Shqipëria e Maqedonia e Veriut e kanë vendin në BE, të vijojnë reformat” – Deklarata e CDU/CSU

Grupi CDU/CSU ka bërë një deklaratë zyrtare pas mosçeljes së negociatave të vendit me BE-në.

Në qëndrimin e ditës së sotme, Wadephul e Schmidt shprehen se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e kanë vendin në BE dhe se duhet të vijojnë reformat në mënyrë që kur të diskutohet sërish, Franca të mos jetë në gjendje që të bllokojë çeljet e negociatave.

Wadephul: “Unë u bëj thirrje të dy vendeve të kapin votën negative të Këshillit Evropian, si një nxitje për të vazhduar të gjitha përpjekjet e reformës. Nëse këto do të ndiqeshin, dyshuesit do të forcoheshin. Nëse të dy vendet mbeten në kurs, Paris nuk do të jetë në gjendje të ndalojë negociatat e pranimit për herë të dytë. Bundestag është në ndjekje të axhendës së reformës për vendimin e saj. Gjermania qëndron për një perspektivë evropiane të Ballkanit Perëndimor “.

Schmidt: “Vendimi negativ i Këshillit Evropian duhet të rishikohet menjëherë. Lidhja e Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian nuk duhet të bllokohet. Ne mbajmë bindjen se për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ka një vend në Bashkimin Evropian nëse ato i plotësojnë kriteret. Kjo përfundimisht përfshin fillimin e procesit të regjistrimit. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë të drejtë të shohin veten dhe arritjet e tyre – deri në një ndryshim në emrin e shtetit ose një reformë gjithëpërfshirëse të gjyqësorit – dhe të punojnë së bashku në deficitet e mbetura. Vendimi i kushtëzuar i Bundestagut të Shtatorit, i cili përcakton kushte të qarta për hapjen e negociatave të pranimit, duhet të tregojë gjithashtu rrugën e miratimit për shqetësimet franceze, holandeze dhe daneze. Nëse BE nuk kujdeset për Ballkanin Perëndimor, fuqitë e tjera do ta bëjnë atë sferën e tyre të ndikimit. Askush nuk e dëshiron atë.”

Burri kapërcen rrethimin dhe i shkon ballë për ballë luanit, fatmirësisht ia hedh paq (Video)

Vizitorët në kopshtin zoologjik të New Delhi, në Indi, u tme*rruan pasi një person kapërceu gardhin e lartë që rrethonte rrethimin e luanit dhe vazhdoi të ngac*mojë macen e madhe para se të nxirrej që andej me plagë të lehta.

Burri, të cilin dëshmitarët okularë e përshkruanin si të çekulibruar dhe të paqëndrueshëm mendërisht, është identifikuar si Rehan Khan, 28 vjeç, nga Bihar. Khan arriti të kapërcente gardhin, pavarësisht përpjekjeve të rojeve të kopshtit zoologjik për ta ndaluar atë.

Ai pastaj u filmua i ulur ballë për ballë me një luan përpara se të të shtrihej pranë felinit të madh.

Ngjarja, e cila ndodhi rreth orës 12:30 të mëngjesit, me orën lokale të së enjten përfundoi kur punëtorët e kopshtit zoologjik qetësuan luanin dhe shpëtuan burrin nga vd*ekja e sigurt.

Universiteti i Vjenës boton libër për veprimtarinë muzikore të Vëllezërve Sejdiu (VIDEO+FOTO)

Libër në gjuhën angleze i botuar në Vjenë për veprimtarinë muzikore të Vëllezërve Sejdiu.

“Sukses mbi sukseset!
Intervistë me Jashar Sejdiun, me rastin e daljes nga shtypi të librit në gjuhën angleze të botuar në Univerzitetin e Muzikës në Vjenë, për veprimtarinë muzikore të Vëllezërve Sejdiu.”, shkruan Ixhet Lutfiu, gazetar i RTV “Zëri i Kosovës”, i cili ka zhvilluar këtë intervistë:

“Përzemërsisht e faleminderoi gazetarin e Tv Zëri i Kosovës që vepron në Danimark z.IXHET LUTFIUN,i cili,posa kisht kuptuar se jemi kthyer nga Vienna nga AUSTRIA,menjiherr shfrytëzoi rastin dhe na ftoi për një intervist që me të vërtet u pa se interesimi i tij ishte i madh për të çu përpara vlerat tona kulturore,
Kombetare ,njëherrit e faleminderoi edhe gazetarin e madh dokumentaristin e cmuar z.Alush Kamberin qe ne kete interviste na vleresoi larte,dhe pe kete jemi krenar!
Nuk harroi pa i pershendetur edhe Shqiptaret e Danimarkes!
Faleminderit edhe njiher!” – ka shkruar në profilin e tij në Facebook këngëtari Jashar Sejdiu.

Pasojat politike dhe gjeopolitike të bllokimit të negociatave me BE-në: Ja lëvizjet e para që po trondisin Ballkanin e Shqipërinë

Nga Ylli Pata

Ka shpërthyer një vlug i madh reaksioni pas bllokimit të negociatave të Shqipërisë në BE. Një zhvillim i ngjashëm po ndodh edhe në Maqedoninë e Veriut.

Ka reagime politike e analistike, qoftë edhe në formë hartimi, apo shfryrje nga më të ndryshëm, por në fakt pak po flasim për atë që ky bllokim do të sjellë pasojë dhe që duket se nuk do të jenë të pakta edhe të vogla.

Ndaj edhe faktorë të rëndësishëm politikë, duke nisur nga Kancelarja Merkel, por edhe kryeministri Italian Giusepe Conte po flasin për një rihapje të çështjes në nëntor duke i bërë presion Parisit që të rihapet edhe njëherë çështja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kostot e shtyrjes pafund të Ballkanit në BE do të ishin politike dhe natyrisht gjeopolitike dhe palët duket se janë përgatitur prej kohësh për plane rezervë dhe çështja, pa pasur nevojë për teori konspirative ka një historik të qartë pengesash dhe vonesash në këtë hapësirë, histori, që mund të shërbejë për të parë edhe më qartë gjërat.

Lëvizja e parë ka ardhur siç edhe pritej nga Moska. Putin ka dërguar njeriun më të rëndësishëm pas tij në Serbi. Kryeministri rus Medvedev nuk ka vonuar duke bërë të qartë objektivin edhe më të fuqizuar të Kremlinit në Ballkan.

Ndërkaq, media e Kremlinit, e cila publikohet në të gjitha gjuhët e botës, në edicionin e saj në serbisht, pra Sputnik, ka nisur një dossier të gjatë me 20 episode për atë që e quan: “Agresionin e NATO-s në Ballkan”.

Nuk ka asnjë përvjetor apo datë, ku një media do të mundet të marrë shkas për rimarrje të një teme, por duket qartë se ky devijim i axhendës së përditshme është shkak direkt i vendimit për të bllokuar negociatat e anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në një kohë që Bosnja dhe Hercegovina është e përçarë dhe kreu prorus i Republika Srbska deklaroi në intervistën për Idro Seferin në Klan se kërkon bashkimin me Serbinë.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç foli hapur për atë që e quajti rënie e rolit të SHBA në botë, duke bërë të qartë synimin për armatosje të vendit të tij.

“ “Duhet të mendoni për radarët – për luftën elektronike dhe bllokimin, tani e tërë kjo zhvillohet në tjetër nivel. Përse po armatosen të gjithë në botë – s’ka më një polic në botë, dhe ka shumë lojtarë. Më mirë është të jesh një godzillë sesa një bambi”, tha Vuçiç. Një metaforë e qartë dhe e studiuar nëse i referohemi fabulës së Godzillës që u kthye në përbindësh nga mbetjet e përplasjes bërthamore.

Këto janë pasojat më akute dhe të shpejta, por natyrisht që me kalimin e kohës do të ndjehen zhvillime edhe më deprimuese, të cilat kanë një synim që të frenojnë apo kthejnë mbrapsht proceset demokratizuese por edhe pastruese të politikës në Ballkan.

Jo pa shkak është bërë i gjallë Nikolla Gruevski, njeriu që dirigjoi një përplasje civile deri në masakër brenda Parlamentit, i dënuar edhe zyrtarisht për korrupsion, por që ndodhet në ekzil në një vend të BE si Hungaria, aleati më i ngushtë i Vladimir Putinit në Europë.

Por natyrisht nuk po mungojnë as këto ditë, e nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen këto lëvizje edhe në Shqipëri.

Para pak ditësh një grup personash intelektualë afër ish-kryeministrit Sali Berisha, nisën diskutimet live për “të ardhmen europiane të Shqipërisë” e që natyrisht duket si një manovër për të provokuar reagim nga “poshtë”.

Enturazhi pranë opozitës ka gjetur një idhull të ri në postimet e tyre në rrjetet sociale për të ushqyer natyrisht kundërshtimin apo urrejtjen ndaj Edi Ramës.

Prej sharjeve të vazhdueshme për disa vite si “këlysh i Sorosit” që e quanin Emanuel Macronin sidomos në kohën e “Jelekëve të Verdhë”, sot ata e cilësojnë “hero” presidentin e Francës, a thua se ka marrë një vendim thjesht kundër Edi Ramës, kur në fakt ai vendim do të dëmtojë edhe një qeveri të PD-së nëse ajo fiton zgjedhjet.

Por duket se të gjithë këtu po përgatiten prej kohësh për “plan B”. Ardhja e Albin Kurtit në krye të qeverisë Kosovë, një politikan i cili është konfrontuar hapur me Perëndimin natyrisht që edhe mund të shërbejë si katalizator për ngjizjen apo forcimin e rrymave që janë skeptikë ndaj Perëndimit.

Në fakt, shqiptarët si publik nuk janë aspak skeptikë ndaj Perëndimit që do të thotë SHBA dhe Bashkimi Europian, por ka grupime politike që janë të tilla apo janë konfrontuar me establishmentet zyrtare të Amerikës dhe Europës për të mbrojtur pozitat e tyre të lëkundura nga reformat e kërkuara nga Uashingtoni dhe Brukseli.

E mbani mend 2016-ën? Kush doli publikisht pro Nikolla Gruevskit në Tiranë? Sali Berisha, Ilir Meta dhe gazetarë pranë tyre, e madje u raportua edhe për takime të ndodhura në SHkup mes drejtuesve të disa portaleve në Tiranë e Prishtinë me njerëz të Gruevskit. Natyrisht përpara masakrës së 27 prillit në Parlamentin e Maqedonisë ku u rrahën Zaev e Zijadin Sela.

Megjitatë retorika e tyre është dhe do të jetë pro perëndimore por veprimet apo pasojat që sjellin veprimet e tyre janë në rrymë të kundërt me SHBA dhe BE; siç janë reforma në drejtësi apo edhe procese të tjera.

Ky grupim është totalisht kundër reformës në drejtësi që është arkitektuar nga dy aleatët e mëdhenj Uashingtoni e Brukseli, duke kërkuar një zhbërje apo revizionim të saj, ç’ka si rrjedhojë është qëndrim kundër Perëndimit.

Ndërkaq, duket se lëvizje po vijnë edhe nga zona apo “barqe” të shoqërisë që synojnë zhvillime politike që nuk dalin hapur, por që si synim, mbështetje apo aspirate kanë Turqinë dhe ndikimin neootoman që Ahmet Davutoglu e vendosi si bazë e diplomacisë së Ankarasë dhe kjo shikohet hapur në investimet direkte të Erdoganit në Ballkan, më shumë në Sarajevë, Sanxak e Maqedoni, e më pak në Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi.

Militantë fetarë të shprehur hapur si anti-SHBA e BE, kanë rigjallëruar postimet duke shryrë natyrisht ndaj Perëndimit apo shqiptarëve që kanë si aspiratë orientimin pro-perëndimor.

Gjithsesi këto zëra nuk do të kishte asgjë sikur të ishin të izoluara dhe jo pjesë e një strategjie për të implantuar edhe në Shqipëri eksperimente politike alla AKP të Erdoganit, duke përgatitur klerikë për role të larta publike deri edhe kryebashkiak i Tiranës.

Në mënyrë inxhinierike ka kohë që po tentohet një eksperiment i tillë politik nga një figurë e njohur që bën edhe takime të mëdha në stadiumet e Zvicrës dhe grumbullon fonde të mëdha të panumërta nga njerëz anonime dhe bën bamirësi me tam tame e publiçitet, çka nëse do të nisej nga aspirate religjioze, është krejtësisht e ndaluar që të bësh PR me sadakanë.

Tashmë është e qartë se kush po e përgatit këtë eksperiment, mjafton të shikosh njerëzit që rrinë pranë “mesias” së ri në ligjerata fetare apo edhe diskutime “politike”.

Incidenti në një televizion ku u largua edhe gazetarja për të marrë edhe drejtimin formal të reality-show-ut me prapaskenë të pastër politike, i ngjan manovrave të Imam Gulenit kur ndihmoi Erdoganin të vijë në pushtet apo pastorëve të New Evangjelistëve të George W Bush-it, i cili në fundin e viteve 90 kishin emisione në televizione për të grumbulluar elektoratin fanatik që do të votonte për “mesian” e ri politik. Një operacion i suksesshëm i Karl Rove-s, politiologut të talentuar amerikan që u kopjua më pas nga të gjithë, padyshim edhe nga spin-doctor-ët e Donald Trump-it. I tillë ishte edhe eksperimenti i BESA-s në Maqedoni, por që nuk pati sukses edhe prej veprimit të qartë të Zoran Zaevit për tu lidhur me pjesën shqiptare që ka një orientim të qartë pro BE dhe pro NATO-s. Por nuk është e thënë që gjithçka të marrë një frymë e dimension të ri pas vendimit për bllokimin e negociatave.

Ai vendim që ka sjellë frustrim të madh, ka shumë gjasa që të ushqejë përmes mllefit e pasigurisë, një atmosferë të re politike që do të mbjellë “djaj” që sillen si “engjëj” shpëtues në kohë të errëta.

Natyrisht duke sharë pafundësisht e krijuar një ambjent ku njerëzit duhet të kenë vetëm një zgjidhje: të lirohen nga ankthi duke sjellë në pushtet ata që e predikojnë këtë ankth.

Shqipëria ka pasur në historinë e saj mundësitë e shanset e saj për tu afruar me Europën por që disa herë i ka shpërdoruar duke u kthyer prapa. A nuk ishin ne pranë asocimit në BE në vitin 1996 kur BE ishte në hapat e para dhe që gjithçka u shkatërrua nga zgjedhjet e tmerrshme të 26 majit 1996 dhe 1997-s së frikshme që përveç kaosit polli një establishment që u hoq si “shpëtimtar” por që faktikisht betonoi politikën e mosndëshkimit, korrupsionit dhe elitave që bashkëpunonin duke krijuar një dualitet të vrazhdë por që në fakt ishin partner ne ndarjen e pasurisë.

Në një atmosferë kur mazhoranca politike luan me propagandë dhe nuk ka prodhuar politikisht apo prodhon propozime, reforma, ide apo ehde figura politike dhe promovon vetëm personazhe që lëpijnë shefin dhe opozita nga ana tjetër lufton deri edhe me Molotov për një rotacion që do të kthejë situatën aty ku ishim, është e thjeshtë të “pillen” monstra edhe më të frikshme politike, mjafton të gjejnë mënyra financimi qoftë nga bota e krimit e të implantohen si “shpëtimtarë”…

TemA

Zaev: Zgjedhjet më 12 prill, Qeveria teknike nga 3 janari

Kryeministri Zoran Zaev uroi qytetarët për zgjedhjet e parakohshme të cilat u caktuan të mbahen më 12 prill të vitit të ardhshëm. Zaev tha se qytetarët do ta trasojnë rrugën se kah do duhet të ecin politikanët. Ai shtoi se kishin propozuar që zgjedhjet të mbahen menjëherë në dhjetor të këtij viti, por nuk kishin arritur konsensus, dhe kështu u caktau 12 prilli i vitit 2020.“Diskutuam rreth udhëheqjes së shtetit pas gabimit historik të Brukselit.

Qëndrimi unanim është se integrimet euroatlantike janë qëllimi ynë. Nuk pranojmë asnjë lloj ndryshimi dhe intergimet euroatantike mbeten si aspirata. E përshëndes vendimin dhe mbetemi në rrugën që sjellë demokraci dhe sundim të së drejtës. Pika e dytë ishte zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Si propozim e dham që më 22 ose 29 dhjetor të shkojmë në zgjedhje shpejtë dhe menjëherë, në një periduhë kur nuk ka asgjë dramatike, dhe populli do të ketë mundësi ta tregojë qëndrimin e tij.

Kishte reagime se nuk ka qëveri teknike prej 100 ditëve, pastaj propozime 29 mars, 12 prill, 29 prill. Arritëm konsensus dhe të gjithë jemi pajtuar që më 12 prill ta mbahen zgjedhjet e parakohshme. Urime gjithë qytetarëve dhe vendit. Besoj se më 12 prill qytetarët do të sjellin vendim të guximshëm. Kemi periudhë prej 100 ditëve qeveri teknike. Këtë qeveri kryeministri teknik do ta drejtojë nga 3 janari deri në përfundimin e zgjedhjeve. Kemi mundësi të diskutojmë edhe për ndryshim të modelit zgjedhor. Për LSDM-në është e pranueshme të kemi një njësi zgjedhore, por duhet t’i dëgjojmë edhe partitë tjera politike. Për neve është me rëndësi të bëjmë një hap para drejt demokratizimit”, deklaroi kryeministri Zaev pas takimit të liderëve të thirrur nga Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski. /SHENJA

Maqedonia e Veriut shkon në zgjedhje të parakohshme më 12 prill 2020

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut janë marrë vesh që më 12 prill të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në këtë vend.

Vendimi u bë i ditur nga kryeministri Zoran Zaev, pas takimit disaorësh që u mbajt te presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Zaev tha se ka propozuar që zgjedhjet të mbahen në dhjetor të këtij viti, por kjo nuk është pranuar nga partitë opozitare, për shkak se me Ligjin për qeverinë parashihet që 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të formohet qeveri teknike, e cila nuk do të drejtohet nga Zoran Zaev, por nga ndonjë personalitet tjetër i nominuar nga Lidhja Social-Demokrate (partia e Zaevit).

Vendimi për zgjedhje të parakohshme vjen pasi Maqedonia e Veriut nuk arriti të marrë datën për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Zaev e ka marrë përgjegjësinë për këtë, edhe pse vendimin e krerëve të BE-së e ka quajtur “gabim historik të BE-së”, pasi, sipas tij, Maqedonia e Veriut i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë zgjidhjen e kontestit me Greqinë për çështjen e emrit, që është konsideruar si pengesa e vetme në rrugën e integrimit evropian.

Liderët e partive politike, në takim me presidentin, gjithashtu theksuan përkushtimin e tyre për integrimin evropian, duke thënë se “përveç NATO-s dhe BE-së, Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër”.

Edhe kryetarët e partive tjera politike e kanë mirëpritur vendimin për zgjedhje të parakohshme parlamentare si zgjidhje më e mirë për gjendjen në të cilën ndodhet vendi.

Paraprakisht Lidhja Social-Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev ka theksuar nevojën “për zgjedhje të shpejta parlamentare, për të vazhduar fuqishëm në rrugën e duhur për reforma, përparim dhe integrim”.

Opozita maqedonase, e cila në vazhdimësi ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, vlerësoi se caktimi i datës së zgjedhjeve do të shënojë edhe “fundin e pushtetit aktual” të udhëhequr nga Zoran Zaev.

“Zoran Zaev i ka ditët e numëruara. Po shihet fundi i bandës kriminale në krye me të amnistuarin Zaev. Po perëndon koha e tenderëve dhe granteve kriminale zhvatëse, e presioneve politike, e padrejtësive dhe e mosndëshkimit të krimit. Po vjen koha kur politikanët nuk do të jenë sinonim i premtimeve të rreme dhe pritjeve të parealizueshme”, thuhet në reagimin e partisë opozitare VMRO-DPMNE.

Pendarovski: Liderët konfirmuan vazhdimin e rrugës drejt BE-së (VIDEO)

Pas më shumë se një orë e 30 minuta, liderët e partive më të mëdha në vend po bëjnë pauzë. Kreu i shtetit, Stevo Pendarovski njoftoi se në pjesën e parë të takimit liderët kanë biseduar për temat e euro-integrimit të vendit, ndërsa pjesa e dytë e takimit do ti kushtohet vendimit për zgjedhjet të parakohshme parlamentare. Pendarovski mes tjerash tha se nga të gjithë liderët ka marrë garanci se pa marrë parasysh vendimit të BE-së në lidhje me datën, vendi do të vazhdon rrugën e euro-integrimeve.

“Kemi konsensus shtetëror, pavarësisht përfundimeve të samitit të BE-së, kemi konfirmim nga të gjithë të pranishmit, atë që ne nuk kemi asnjë problem me metodologjinë e re që kërkohet. Të gjithë ranë dakord se nuk kanë asnjë problem me procesin reverzibil, për shkak se nuk kemi pres çka të frikësohemi, të gjithë të pranishmit i thanë jo cilësdo alternativë tjetër. Ka pasur propozime që mos të na fusin në kategorinë fqinjëve, sepse ne jemi pjesë e Evropës, dhe ne nuk po kërkojmë ndonjë alternativë tjetër, përveç asaj të një anëtares së plotë të organizatës”-tha mes tjerash Pendarovski.

Takimi i liderëve te presidenti Pendarovski (VIDEO)

Në vilën Vodno tani më janë mbledhur liderët e partive politike në vend, takim ky i thirrur nga presidenti Stevo Pendarovski, pas mos marrjes së datës për nisjen e bisedimeve. I fundit në takim arriti kryeministri, njëherë edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

Në takim pos dështimit për datën, liderët pritet të bisedojnë edhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat një ditë më parë i kërkoi kryeminsitri Zaev dhe i pranuan të gjitha partitë.

Qeveri teknike deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe ai i VMRO-së, Kristian Mickoski në mbledhjen e sotme të liderëve së bashku me partitë shqiptare, duhet të bien dakord për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ata do të merren vesh për formimin e një qeverie teknike në përputhje me Marrëveshjen e Przhinos, shkruan portali maqedon “Sakam sa Kazam”.

Pasi Këshilli i Bashkimi Evropian nuk e caktoi një datë për bisedimet e pranimit të Maqedonisë në BE, të Premten, Kryeministri Zoran Zaev dhe lideri i opozitës Hristijan Mickoski propozuan zgjedhje të shpejta të parakohshme, të cilat do të parapriheshin nga një qeveri teknike 100 ditë para se të mbaheshin.

Për zgjedhje të reja parlamentare janë shprehur të gatshme edhe partitë politike shqiptare. (INA)

SOT TAKIMI I PRESIDENTIT ME PARTITË PËR ZGJEDHJET E PARAKOHSHME NË MAQEDONI

Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pritet të jetë në fokusin e takimit të sotëm të thirrur nga presidenti Pendarovski me liderët e partive në Maqedonine e Veriut.

Para këtij takimi, të gjithë liderët janë shprehur gati për të shkuar drejt këtyre zgjedhjeve. Pasi nuk arriti të marrë datën për nisjen e bisedimeve me Bashkimin Europian, Kryeministri Zoran Zaev ka propozuar zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më shpejtë të jetë e mundur. Kreu i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickovski tha se Zaev ka pranuar dështimin e tij.

“Tani duhet që menjëherë të formojmë qeveri teknike me një Kryeministër teknik që të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, u shpreh ai.

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti tha se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet i shef si zgjidhjen më të mirë të zhvillimeve pas mos marrjes së datës për nisjen e bisedimeve.

Ndjeni shpesh ‘fryrje’ barku? Këto janë ushqimet që ju ndihmojnë në tretje

Ndjesinë e barkut të ‘fryrë’ padyshim e kemi hasur të gjithë në një moment të caktuar. Diçka e tillë mund të ndodhë si pasojë e ushqimeve me shumë kalori, për shkak të problemeve me tretjen, reduktimit të baktereve të mira në zorrë etj.

Por nëse fryrja kthehet në diçka të shpeshtë atëherë do të ishte mirë të ndaloni konsumin e pijeve me gaz, bishtajoreve, produktet e djathit, ushqimet e kripura dhe pikante, brokolin dhe lakrën, mishin e kuq etj.

Ndërkohë më poshtë ju sugjerojmë disa ushqime që ndihmojnë dhe përmirësojnë tretjen:

Ananasi

Ka veti të fuqishme anti-inflamatore dhe ndihmon në tretjen e ushqimit.

Uthulla e mollës

Në çastin kur ndiheni shumë të fryrë është e këshillueshme të pini një gotë ujë të vakët me një lugë uthull molle. Ajo është një përbërës shumë i mirë në eleminimin e gazrave dhe fryrjes.

Çaj kamomili

Çaji i kamomilit ka veti anti-inflamatore, qetësuese dhe arrin t’iu qetësojë shumë në këto raste.

Limoni

I pasur me vitaminë C, limoni dhe ndihmon në tretje. Pini një gotë ujë të përzier me lëng të freskët limoni çdo mëngjes esëll./Opinion.al/

Një javë nga zhdukja e 23-vjeçarit nga Lipjani: Kryetari kërkon ndihmë për gjetjen e tij

Tashmë është bërë një javë që nuk dihet asgjë për fatin e të riut nga fshati Gadime e Lipjanit, Shqipdon Aliu.

Përkundër që institucionet po bëjnë kërkime intensive, nuk po arrijnë ta gjejnë të riun lipjanas.

Kryetari i kësaj komune, Imri Ahmeti, përmes një postimi ka kërkuar që edhe qytetarët të mobilizohen që të gjendet sa më parë Shqipdoni.

“Na ndihmoni të gjejmë Shqipdonin! Po kalon edhe kjo ditë e fati i të riut Shqipdon Alija nga Gadimja akoma i paditur për familjen, shokët, qytetarë e Gadimës, të Lipjanit e gjithë Kosovës.”

“Prej 12 tetorit ndjejmë trazimin tonë, kërkojmë angazhim, masovizimin dhe dinamizimin e kërkimit të të riut Shqipdonit nga institucionet tona kompetente.”

“Na duhet ndihma e të gjithëve jo vetëm institucioneve por angazhim i të gjithëve për të ardhur deri te e vërteta e fatit të Shqipdonit.”

“Ju shprehë ngushëllimet e sinqerta edhe për vdekjen e babait të Shqipdonit, ngushëllime gjithë familjes.”

“Të shpresojmë me durim e angazhim nga të gjithë për lajmin e të vërtetën e fatit të Shqipdonit. “, ka shkruar Ahmeti.

Aleanca për Shqiptarët: Zgjedhje të parakohshme, lajm i mirë

Aleanca për Shqiptarët ka mbajtur një konferencë me gazetarët pas lajmit që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. “Pas lajmit të djeshëmn për refuzim të datës për hapjen e negociatave me BE , lajmi i sotëm të cilin e paralajmëroi kryeministri Zaev që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme , është një lajm i mirë një lajm shprese, si rezulltat i dhënies së përgjegjësise edhe për një vit të humbur integrues.

Ne jemi te bindur se se me këtë rast qytetarët e republikës së Maqedonisë por në vecanti votuesit shqiptar do të kenë mundësi për të dhënë një legjitimitet të ri politik, sepse është vlerësuar se forcat politike udhëheqëse politike që janë pjesë e Qeverisë kredibilitetin dhe kapacitetin e duhur politik për ta shpuier vendin drejt aspiratave tona dhe të qytetarëve për përcaktimin e vetëm të vendit tonë sic është BE-JA”, theksoi zëdhënësi i ASH-së, Flakron Bexheti. Ai tha se ASH është e gatshme për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare me bindje të thellë se si forcë politike do të jetë fituese në kampusin shqipar, dhe me këtë rast siç thuhet “do të hapet shpresë për qytetarët shqiptarë në vecanti duke lene anash një monizëm politik të udhëhequr nga BDI decenije me rradhë.”

“Për detaje të tjera se si menaxhohet i gjithë ky proces, kuptohet që kjo do të do të vendoset në takimin e liderëve që do të mbahet nesër me ftesë të Presidentit Pendarovski , ku do të marrë pjesë edhe lideri i ASH z. Ziadin Sela i cili do flasë për ofertën tonë, se si do të duhet të zhvillohet i gjithë ky proces. Sigurisht që do të duhet të bisedohet edhe për pastrimin e listave zgjedhore nga votues fiktiv, kodin zgjedhor, korigjimin e kufinjëve të zonave zgjedhore, besoj se te gjitha këto do te hapen në takimin e liderëve”, theksoi Flakron Bexheti.

ALTERNATIVA: SA MË SHPEJTË TË SHPALLEN ZGJEDHJET E PARAKOHSHME PARLAMENTARE (VIDEO)

Pas refuzimit të Bashkimit Europian që Maqedonisë së Veriut t’i japë datë për fillimin e negociatave, duke dhënë mesazhin se BE-ja po i mbyllë dyert e integrimit europian, sot u takua Kryesia Qendrore e Alternativës, e cila konstatoi se për ne tashmë është shuar njëra nga arsyet për të cilën Alternativa u bë pjesë e kësaj qeverie. Këtu duhet të rikujtojmë se shkaku se pse ne iu bashkuam shumicës dhe u bëmë pjesë e pushtetit ekzekutiv ishte pikërisht integrimi euro-atlantik.

Dhe, në kohën kur anëtarësimi në NATO tashmë është evident, për çka ne kemi dhënë kontribut të pamohuar, sepse kanë mbetur vetëm edhe pak vende që ta ratifikojnë protokollin e anëtarësimit, me çka përmbushet edhe synimi ynë, ne jemi këtu të themi se Alternativa u bë partia model e qeverisjes së mirë, të pakorruptuar dhe transparente, që nuk është parë deri tash në skenën politike të vendit. Por, fakti që dera tjetër e integrimit – ajo në BE – është vënë para pengesës serioze, ne gjykojmë se kjo është e mjaftueshme që vendi detyrimisht të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Me këtë rast deklarojmë se edhe përkundër vendimit të BE-së për të na refuzuar, pra pavarësisht a bëhemi vend i BE-së apo jo, ne mbetemi të përkushtuar në ndërtimin e shtetit të së drejtës, shtetit të zhvilluar dhe shtetit tipik europian. Ndërkaq në frymë të platformës “Vatra jonë”, pas kësaj për neve më i rëndësishëm se integrimi është pikërisht shteti i mirëqenies, drejtësisë dhe zhvillimit. Sipas Alternativës, është koha e fundit që qytetarët tanë ta kuptojnë se e mira nuk duhet të jetë diçka që vjen nga jashtë, por është diçka që do të duhet ta prodhojmë vet ne për të mirën tonë.

Nisur nga kjo Alternativa kërkon që sa më shpejt të shpallen zgjedhje të parakohshme dhe ta verifikojmë verdiktin e qytetarit për përfaqësuesit e dëshiruar. Për këto arsye, planifikojmë që së shpejti ta ftojmë Kuvendin Qendror të partisë për ta marrë vendimin përfundimtar përkitazi me qëndrimin dhe pozicionin tonë të mëtutjeshëm. Natyrisht, para kësaj kërkojmë të ridefinohet Kodi Zgjedhor dhe të pastrohet lista zgjedhore.

Kush lexon më mirë, Ardi Daullxhiu apo deputetja që zëvendësoi Bashën? (VIDEO)

Këtë javë është përfolur shumë në rrjetet sociale një fjalim i deputetes, Majlinda Halilaj e cila zëvendësoi Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në Kuvendin e Shqipërisë, pasi ai vendosi të dorëzojë mandatin.

Gazetari Arian Çani dhe regjisori i tij, Ledio, vendosën që mbrëmjen e së premtes të bënin edhe një provë se kush e lexonte më mirë të njëjtin fjalim, Ardi Daullxhiu apo Deputetja e Kuvendit.

Sipas Çanit dhe Ledios, Daullxhiu lexoi shumë mirë si për herë të parë. Megjithatë, drejtuesi i “Zonë e Lirë”, e ftoi Halilajn në emision për të sqaruar të gjithë situatën.

Arian Çani: Ë Ledio, si të doli testi vëlla? Lexon më mirë Ardi apo ajo, Majlinda?

Ledio: Ardi, si me të parën, nuk ishte keq, ishte shumë mirë.

Arian Çani: Ishte mirë apo jo?

Ledio: Po shumë mirë si me të parën.

Arian Çani: Ndërsa ajo fjalimin e kishte lexuar para se të dilte atje.

Ledio: Po ajo i bie ta ketë përgatitur fjalimin.

Arian Çani: Tani Majlinda, nëse na shikon…Si e ka mbiemrin kjo? Halilaj më duket. Majlinda Halilaj nëse na shikon, mua më erdhi keq se është bërë virale kjo, dhe janë tallur shumë njerëz në internet. Je e ftuar në studion time, javës tjetër nëse ke dëshirë. Hajde ta sqarojmë këtë muhabet. Mos ki frikë fare nga niveli yt i inteligjencës, njerëzit nuk kanë lindur për të qenë të mençur në këtë jetë, kanë lindur për të jetuar. Hajde Majlinda, të jap fjalën se do të trajtoj me shumë pozitivistet dhe miqësi. Të jap fjalën. /BURIMI: TV KLAN

Edi Rama në pozitë qesharake pas vendimit të Zaevit për zgjedhje

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka vendosur të japë llogari para zgjedhësve te tij pasi BE nuk ia dha Shkupit dritën e gjelbër për hapjen e negociatave për anëtarësim. Ai sot vendosi që të kërkojë zgjedhje të parakohshme, për dallim nga Kryeministri i Shqipërisë i cili fajin për këtë ua hedh vetëm europianëve duke u kujdesur që të mos e lëshojë kolltukun e Kryeministrit.

Zoran Zaev, e ka pranuar përgjegjësinë për moshapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

“Për këtë marr përgjegjësi, organizojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ky do të jetë edhe propozimi im në mbledhjen e liderëve”, ka thënë Zaev kur ka publikuar lajmin për zgjedhje të reja në shtetin maqedonas.

“Ne jemi përgjegjës dhe kjo kërkon nga ne vendim serioz, secili politikan duhet të jetë përgjegjës, dal me përgjegjësi para qytetarëve”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, Edi Rama, po vazhdon të mos marrë asnjë përgjegjësi për dështimin e Shqipërisë në rrugën drejt BE’së.

Madje, Kryeministri i Shqipërisë e ka bërë përgjegjëse Francën pse Tirana s’po mund të ecë drejt intergrimeve europiane. Konkretisht, Kryeministri shqiptar e ka bërë përgjegjës Presidentin francez.

Sikurse Maqedonisë së Veriut edhe Shqipërisë i është pamundësuar hapja e negociatave për anëtarësim në BE.

Madje, Gent Cakaj, u.d i Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, e ka nisur të flasë dhe të japë shpjegime sikur të mbante edhe pozitën e kryediplomatit maqedonas. Ka thënë se Maqedonia po shkon në zgjedhje pasi Kryeministri i atjeshëm ka dhënë garanci se do të hapen negociatat kurse në Shqipëri jo.

“Në Maqedoninë e Veriut ka patur zotime se ky proces (hapja e negociatave) do të ndodhë në mënyrë të pashmangshme”, ndërsa Qeveria shqiptare nuk dha garanci për procesin”, ka thënë ai.

Zaev: Për katër muaj rresht kërkova takim me Makronin, nuk pata sukses

Kryeministri Zoran Zaev sot mes tjerash informoi se ai kishte kërkuar një takim me presidentin Francez Emmanuel Macron, por që tentimet kishin përfunduar pa sukses .

“Kam kërkuar takim me presidentin francez Emanuel Makron dhe përmes ambasadorit francez në vendin tonë, Kristian Timonie, për katër muaj – por nuk kishte sukses. Gjithmonë dëshiroj të takohem me presidentin e Francës, një vend i madh, mbi gjitha një mik i shkëlqyeshëm i Maqedonisë së Veriut. Besoj se në të ardhmen do të kemi mundësi për të biseduar “, shtoi Zaev.

https://youtu.be/TldW4sNhHDI