Ballina Blog Faqe 606

Vidhet xhamia, hoxha ndalon hajdutin nga Shqipëria (VIDEO)

Po hy në xhami, por jo për tu falur. Ky i ri nga Shqipëria, siç shihet nga pamjet e kamerave te sigurisë, po tenton ta vjedh arkën Brenda së cilës ka para që besimtarët i kanë lënë për t’i ndihmuar të varfëritë.

Pas disa tentimeve, E.SH, ia doli ti nxjerr nga arka e mbyllur 125 euro.

Por, te dyshuarin e ndaloi imami i Xhamisë në Lagjen e Re ne Gjilan, Bashkim Bajrami.

Ai tregon se gjithçka pa ne kamerat e sigurisë, pasi u lajmeru nga një nxënës qe ishte ne xhami.

Madje ai tregon se çfarë i tha 30 vjeçari kur hoxha nga Gjilani i ofroi para.

Edhe xhamati i kesaj xhamie ne Gjilan, po ndjehen te shqetesuar.

Nderkaq Prokuroria e Kosoves me ane te nje komunikate ka treguar se i dyshuari per kete vjedhje te rende eshte arrestuar.

E kjo nuk eshte hera e pare qe kjo xhami ishte pre e hajnave pasi e njejta gje kishte ndodhur edhe dy here me pare. E vjedhjet neper xhamite e Gjilanit nuk jane te rralla.

Policia e Kosoves ne nje pergjigje per T7 ka treguar se vetem gjate ketij viti hajnat ia mesyne 5 xhamive per ti vjedhur. E vitin e kaluar ne Polici u lajmeruan 8 raste te vjedhjeve ne Xhami.

Mickoski paralajmëron skenar të përgatitur nga Zaev dhe partnerët e tij qeveritar

Lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski paralajmëroi qytetarët për një skenar në të cilin kryeministrit Zoran Zaev dhe pjesëtarët e tjerë të Qeverisë, por përgatisin terrenin që presidenti të zgjidhet në Parlament. Mickoski u bëri thirrje qytetarëve për dalje masive në zgjedhjet e së dielës, në mënyrë që pushteti të pamundësohet të nisë ndryshime kushtetuese me të cilat presidentin do ta zgjedhin deputetët.

Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-së

“Gjatë periudhës së kaluar gjithnjë e më shumë po flitet hapur dhe për idenë e pushtetit që në vend se presidentin ta zgjedhin qytetarët, ta zgjedhë Parlamenti. Në këtë mënyrë, emërimi i presidentit do të shndërrohet në pazar shërbimesh, në vend se të jetë reflektim i vullnetit të popullit. Dihet mirë se kush e ka shumicën parlamentare, dhe dihet edhe si u arrit kjo shumicë. Ky do ishte një hap prapa në ditë edhe më të errëta. Ata e bëjnë këtë skenar pasi e dijnë se nuk mund të fitojnë në zgjedhje të drejta dhe demokratike. E dinë se qytetarët do të marrin pushtetin në dorë, prandaj edhe tentojnë të vendosen mbi ligjin dhe Kushtetutën”

Mickoski u bëri thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë për ndryshime.

Ja fjalimi i plotë i Albin Kurtit mbrëmë në Tetovë (VIDEO)

Në qiell thonë se ka qenë një qytet, kur ka rënë në tokë, Malet e Sharrit i kanë ndarë e i kanë bërë dy qytete: Prizrenin dhe Tetovën.

Të dashur qytetarë,

Mirë se ju gjej këtu në Tetovën e kryengritjes së Dervish Carës, në Tetovën e korifeut Mehmet Pashë Deralla, në Tetovën e rezistencës së Mehmet Gegës e të luftës së Mujdin Aliut, në Tetovën e mendimit të Arbën Xhaferit, në Tetovën e këngës së Elitës 5, në Tetovën e lojës së klubit ’Shkëndija’, në Tetovën e mjeshtrit të kuzhinës Rene Rexhepi, e, në Tetovën e ëmbëlsirave më të mira në botë.

I nderuari Prof. Blerim Reka, President i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, E nderuara znj. Ymrane Reka, së shpejti Zonja e Parë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Të nderuar kryetarë të subjekteve politike shqiptare, të Aleancës dhe të Besës, Ziadin Sela e Bilall Kasëmi, E nderuara shqiponja e këngës kombëtare, Shkurte Fejza,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Glauk Konjufca, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, Arbërie Nagavci, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Xhelal Sveçla, dhe, veprimtarë të çështjes kombëtare si Gani Krasniqi, Nazlie Bala, Enver Dugolli,

Zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër,

Jemi mbledhur këtu, në tubimin përmbyllës, për të hapur një kapitull të ri, për demokracinë dhe shqiptarinë në Maqedoni. Drejtësia e barazia, zhvillimi për të gjithë, do të marrin hov për juve sepse ju mund të votoni për Prof. Blerim Rekën.

Të nderuar të pranishëm,

Në Perandorinë Osmane ishim të ndarë nëpër vilajete. Në federatën jugosllave ishim të ndarë nëpër republika. Mirëpo, shqiptarët përherë ndjeheshin si një komb. Kjo ndjenjë duhet bërë vetëdije dhe votim, vendosje dhe përcaktim. Të dielen e pushimit, bëjeni festë me profesorin, bëjeni fitore me Blerimin.

Kurrë nuk e keni pasur më kollaj. I humbni 15 minuta kohë deri në vendvotim, mirëpo i fitoni 4 vjet dinjitet e vullnet. Tre emra janë në listë, filloni me të parin, ndaluni te i pari, përfundoni me të parin, votojeni Blerim Rekën.

Anëtarët e atyre partive tjera shqiptare nuk kanë kandidat të tyre. Prof. Blerim Reka nuk ka parti të tij. Partiakët e tjerë janë pa kandidat, kurse kandidati Blerim Reka është pa parti. Prandaj, ai është zgjedhja e zgjidhja edhe për anëtarët e BDI-së e të PDSh-së, këtu në Tetovë dhe kudo gjetiu në Maqedoninë e Veriut.

Ama, jo për inat të dy kandidatëve tjerë maqedonas, por për hir të vetes tuaj e tonë. Tash jemi në kohën kur edhe qytetarët maqedonas duhet të dëshmojnë se ka kaluar koha e regjimit të Gruevskit dhe se edhe maqedonasit duhet ta votojnë shqiptarin. Nuk ka më nevojë që shqiptarët të dëshmohen duke votuar një kandidat maqedonas. Maqedonasit duhet të dëshmohen duke e votuar një kandidat shqiptar, duke e votuar Blerim Rekën.

Kryeministri Zoran Zaev është dëshmuar edhe si njeri që mund të bëjë marrëveshje historike. Pas dialogut dhe marrëveshjes me Greqinë për emrin e shtetit, Zaev mund ta bëjë edhe dialogun e marrëveshjen me shqiptarët për karakterin e shtetit. Le ta ndihmojmë Zoran Zaevin duke e votuar Blerim Rekën.

Dorën në zemër, me Blerim Rekën President e humbim një profesor të shkëlqyeshëm, mirëpo ia vlen, mirëpo ia vlen, sepse e fitoni një aleat të fuqishëm, kundër diskriminimit, kundër të gjitha llojeve të diskriminimit, sipas gjinisë a etnisë, gjuhës a fesë, pamjes së jashtme apo vendbanimit. Pra, me Blerim Rekën fitoni barazi, pa shtypje; të drejta, jo favore; zhvillim, pa shfrytëzim.

Miku i madh i shqiptarëve dhe ish kongresisti amerikan, Joseph Dioguardi, për komunitetin e shqiptarëve të Maqedonisë, dëgjoni se çfarë ka thënë: “Nuk ka asnjë komunitet të këtyre përmasave në botë që të ketë gjashtë parti politike, katër universitete në gjuhën shqipe, pesë kanale televizive, 15 media online, 30.000 punonjës në administratën publike, 3.000 në forcat policore, 1.000 në ushtri dhe të jetë kaq i dobët politikisht.”

Pra, ne këtu nuk jemi të dobët sepse jemi pak, por jemi të dobët sepse s’jemi bashkë. E, sonte ne po bëhemi bashkë për Blerim Rekën President. Blerimi na bëri bashkë, Blerimi e bën fitoren tonë të përbashkët.

Kudo që kam shkuar në Evropën Perëndimore, çdo i dyti shqiptar ishte nga Maqedonia. Paqen sociale këtu e mbajnë remitancat e mërgatës sonë. Por, a e dini çfarë? Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë asnjë bankë të tyre! Ata na sjellin paranë që shkon shpejt në konsum, dhe ikën nga shqiptarët. Dhe, jo vetëm kaq. Ta zëmë vitin 2016, s’besoj të jetë përmirësuar deri sot, nga afro 1.000 botime të Ministrisë së Kulturës në Maqedoni, as 3% nuk janë shqip. Prandaj, duhet drejtësi për shqiptarët, kompensim për atë që shqiptarët e kanë vuajtur dhe e kanë humbur gjatë regjimit të Gruevsit.

Në shekullin XX, shqiptarët si popull në Ballkan, si qytetarë në shtete të ndryshme, si refugjatë nëpër botë, përgjithësisht nuk kanë vendosur për veten e tyre. Shekulli XXI, për dallim, duhet të jetë e do të jetë shekulli ynë, e për këtë, duhet të punojmë dhe nuk duhet të gabojmë. Andaj, Blerim Reka, Blerim Reka është kandidati ynë. Gishtin në kokë, dorën në zemër, votojeni këtë emër e mbiemër: Blerim Reka!

Shqiptarët të cilët janë të kënaqur me gjendjen në Maqedoni, mund të mos votojnë, ose mund të votojnë konceptualisht ndonëse unë këtë s’e kam kuptuar çka do të thotë, ama shqiptarët që janë të pakënaqur, shqiptarët që besojnë e mendojnë se ju takon më shumë e duan më mirë, ata shqiptarë e kanë shansin, e kanë mundësinë, që ta ushtrojnë të drejtën e tyre të dielen që vjen.

Tetova, qyteti i betejave për ambient të pastër; Tetova, qyteti rrëzë bjeshkëve të Sharrit; do të dijë të vendosë, sepse do të vendos për të dijshmin, Prof. Blerim Rekën President. Andaj, e diel është dita, 21 prilli është data, 1 është numri, Blerim Reka quhet fitorja!

Zaev paralajmëron të keqen, nëse dështojnë zgjedhjet?!

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sot deklaroi se pret zgjedhje të suksesshme presidenciale dhe arritje të censusit në rrethin e dytë, në të kundërtën sipas Zaevit, do të krijohet krizë e re politike.

“Për ne pritjet janë që zgjedhjet të jenë 100 përqind të suksesshme. Nuk lejoj të komentoj çfarë dhe si, pres dhe jam i bindur që mund ta arrijmë censusin. Kur flasim për situata ‘çfarë do të ndodh, nëse ndodh’, atëherë demotivojmë daljen. Unë besoj se do të kemi zgjedhje të suksesshme”, tha mes tjerash Zaev mes tjerash.

Ai shtoi se nëse nuk zgjedhet presidenti në këto zgjedhje do të ketë krizë të re politike dhe ftoi qytetarët të dalin në votime dhe të zgjedhin kryetarin e ardhshëm të shtetit.

Zaevi u pyet edhe nëse ka biseduar me partinë opozitare maqedonase për ndryshimin e Kushtetutës, në rast se zgjedhjet presidenciale janë të pasuksesshme, duke marrë parasysh se duhen dy të tretat e votave në Kuvend, ai tha se nuk ka biseduar për një çështje të tillë.

Bregu: Të ndalet ngacmimi i grave në rrjetet sociale

Numri më i madh i ngacmimeve ndaj grave në internet ndodh në rrjetet sociale dhe qeveritë duhet të marrin seriozisht në konsideratë kuadrin ligjor për ndalimin e ngacmimit përmes internetit, tha sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunim Rajonal (RCC), Majlinda Bregu.

“Numri më i madh i ngacmimeve ndaj grave në internet po ndodh në rrjetet sociale dhe këto rrjete përdoren çdo ditë nga 45 për qind e qytetarëve të Evropës Juglindore. Qeveritë duhet të marrin seriozisht kuadrin ligjor për të ndaluar ngacmimet në internet pa kompromentuar lirinë e fjalës”, tha Bregu.

Përmes një komunikate ky Këshill kujton se Komisioni Evropian kohët e fundit nisi një fushatë të quajtur “Respekti digjital për ato” me qëllim të ngritjes së vetëdijes për ngacmimin ndaj grave në internet dhe promovimin e praktikave më të mira në luftimin e këtij problemi.

Me këtë rast, Komisionerja Evropian për Drejtësi e BE-së, Vera Jourova, pati thënë se BE-ja dëshiron që “çdo grua të ketë lirinë e fjalës në internet pa asnjë frikë”.

“Ne nuk mund të qëndrojmë duarlidhur dhe të inkurajojmë individë që në mënyrë frikacake ngacmojnë gra dhe vajza në internet”, pati theksuar ajo.

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal shpreh gatishmërinë që të ndihmojë qeveritë në rajon për të adresuar çështjen e ngacmimeve ndaj grave në internet.

“Dhuna në internet mund të shkaktojë vështirësi psikologjike, seksuale dhe ekonomike. Mund të heshtë gratë dhe zvogëlojë praninë e tyre në internet”, thuhet në komunikatën e Këshillit Rajonal për Bashkëpunim.

Këshilli, si pasardhës i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, ka si qëllim ndihmën në rritjen e bashkëpunimit mes vendeve të Evropës Juglindore. Themelimi i tij u bë në vitin 2018.

Humbën 20 orë në mal, si u zbulua çifti nga Belgjika (Video)

Policia e Vlorës jep informacion lidhur me dy turistët belgë të cilët u deklaruan të humbur qysh prej pasdites së të enjtes në Llogara.

Bëhet me dije se ditën e djeshme, rreth orës 15:30, dy turistë të huaj belgë kanë telefonuar Sallën Operative Vlorë dhe kanë kërkuar ndihmë se kishin humbur në një zonë të thellë malore të Himarës.

Pas marrjes së informacionit, shërbimet e policisë Himarë kanë organizuar punën kërkimore për gjetjen e këtyre dy shtetasve duke u shpërndarë në terren rreth 15 forca policie.

Lokalizimi i tyre ka qenë tepër i vështirë pasi kushtet e këtij terreni janë tepër të thepisura dhe të thyera duke vështirësuar kështu komunikimin dhe gjetjen e tyre.

Pas 20 orë kërkimesh intensive në këtë zonë shkëmbore është bërë e mundur gjetja e çiftit, gati në majë të një mali midis fshatrave Vranisht dhe Iljaz të Himarës.

Ata kishin qenë duke ecur në këmbë me qëllim eksplorimin e turizmit malor të këtyre zonave.

Për shkak të terrenit të vështirë kishin ngatërruar rrugën e kthimit dhe për këtë kërkuan ndihmën e policisë.

Bëhet me dije turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po bëhet transporti i tyre pranë hotelit bazë në të cilin ata po qëndrojnë.

https://youtu.be/UKrmwzE81Dw

Era si “Barbie” dhe Nora provokuese, motrat sjellin klipin “përvëlues” (Video)

Motrat Istrefi kanë publikuar më në fund duetin e shumëpritur. Era dhe Nora Istrefi kanë lancuar projektin më të ri muzikor, të cilit i kanë bashkangjitur edhe një klip të mrekullueshëm.

“Nuk e di”, titullohet kënga e dyshes, e cila duket se do të thyejë rekorde këtë verë.

Motrat Istrefi shfaqen të mahnitshme dhe mjaft provokuese në videoklipin e ri. Kjo është hera e parë që ato kanë bashkuar forcat dhe nuk ka dyshim se ky projekt do të pëlqehet.

Hidhet në erë pallati 5-katësh në Çorovodë (VIDEO)

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vendosur të prishë me shpërthim të kontrolluar një objekt 5-katësh në qytetin e Çorovodës.

Për këtë operacion, u përdoren 30 kilogramë lëndë eksplozive që u vendosën në 1500 furnela (vrima) të hapura në trupin e objektit.

Sipas IKMT, objekti paraqet rrezikshmëri për shkak të amortizimit dhe për shembjen e tij ka pasur një vendim nga bashkia Poliçan dhe një kërkesë për mbështetje nga Enti Kombëtar i Banesave.

https://youtu.be/aNIC-Uq_HkA

Grabitja në Rinas/ Zbulohet një nga bashkëpunëtorët e Admir Muratajt (Emri+Foto)

Zbulohet identiteti i personit të dyshuar si të përfshirë në grabitjen spektakolare të aeroportit të Rinasit.

Burime të “Panorama” bëjnë të ditur se një nga personat që po verifikohet nga Policia e Shtetit për përfshirjen në grabitjen e Rinasit, është 31-vjeçari, Klement Çala.

Çala është i njohur nga forcat e rendit, pasi ai është shpallur në kërkim në vitin 2017, bashkë me Admir Muratajn, si të përfshirë në grabitjen e autoblindave në Qafë-Kashar që po shkonin drejt Rinasit më 9 shkurt.

“Panorama” ka mësuar se ai ka qenë i akuzuar nga Greqia për grabitjen e 1 milion eurove bashkë me Admir Muratajn te Bankës Kombëtare Greke në qendër te qytetit te Larisës dhe është shpallur në kërkim që prej vitit 2013.

Gjithashtu, Çala është ndër pjesëtarët e grupit të Ilir Kupës që u arratisën nga burgu i Trikallës në Greqi. Ai së bashku me Ilir Kupën dhe Admir Muratajn kaluan kufirin e gjelbër dhe u fshehën në Shqipëri.

Mirëpo, Klement Çala është arrestuar më parë në Vlorë, por mbetet mister se si është liruar nga gjykata me gjithë akuzat e ngritura ndaj tij.

Për një republikë për të gjithë, me ligjin mbi të gjithë

Një ditë para heshtjes zgjedhore “Shekulli” ka zhvilluar një intervistë me Prof. Dr. Blerim Reka, Kandidat i Pavarur për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Prof. Reka rrëfen ndër të tjera arsyet që e nxitën të kandidonte, vizionin e tij, qëndrimin e Republikës së Shqipërisë dhe çfarë ndryshon për shqiptarët, nëse ai zgjidhet president

Anila Dedaj

Një ditë para heshtjes parazgjedhore, zhvilluam një intervistë me Prof. Dr. Blerim Reka, Kandidat i Pavarur për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i vetmi shqiptar që kandidoi për postin më të lartë shtetëror të shtetit fqinj. Zoti Reka është Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike dhe i së Drejtës së BE, ishte Ambasador i Republikës së Maqedonisë në BE në Bruksel, gjatë mandatit të të cilit Maqedonia morri për të parën herë rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian në vitin 2009 për hapjen e bisedimeve anëtarësuese dhe kur fitoi regjimin- pa viza me BE. Është autor i 19 librave në këtë fushë dhe flet disa gjuhë të huaja.

Zoti Reka, ju keni një përvojë tepër të pasur si diplomat, akademik, gazetar, gjithashtu në ekspertizën kushtetuese. Në një kohë që intelektualët duket se qëndrojnë të distancuar nga politika, çfarë ju nxiti të kandidonit si president për Maqedoninë e Veriut?

REKA: Ishin dy arsye. E para, ishte intelektuale. Kjo, sepse post-komunizmi vërtet çliroi intelektualët nga prangat penale, por po aq edhe injoroi mendimin kritik intelektual. Jo që si intelektual tërë këto vite nuk kam shkruar, folur, apo kritikuar. Pra, jo që nuk kam pasur qëndrim politik, mirëpo aq ka qenë fuqia e FB. Prandaj vendosa që nga kritikat virtuale të sfidoj politikën me kritika në një botë reale, në politik-bërjen e vërtetë e jo vetëm në atë digjitale. Tri dekada pas rënies së komunizmit, mendoj se intelektualët duhet të jenë më aktiv politikisht në zhveshjen e politikanëve post-komunist nga imitimi i heshtur të praktikave komuniste. Nuk e di se si do përfundoj kjo rrugë e imja: si intelektualizëm i politikës, apo politizim i intelektuales, por koha ishte për veprim dhe jo për soditje. Pra, nëse duan ta ndryshojnë gjendjen, intelektualët duhet të thyejnë kufirin midis vëzhguesit/ kritikuesit verbal dhe veprimtarit aktiv. Pa marrë përgjegjësi politike, nuk mund të bëhen ndryshime, prandaj mendova se është koha për tu aktivizuar edhe politikisht. Ligjërimet, shkrimet apo polemikat, janë formë e kritikës shoqërore, por pa veprim politik nuk ndryshohen gjerat që i kritikojmë. Arsyeja e dytë ndërkaq ishte kombëtare. Jashtë këtij diskursi të përgjithshëm filozofik, në një shoqëri multi-etnike, e pakuptimtë do ishte që një e treta të përcaktohej për kandidatin që nuk i përfaqëson as kombëtarisht e as gjuhësisht. Të kërkosh votën për të parin e vendit nga elektorati shqiptar e të mos i ofrosh asnjë kandidat shqiptar, është injorim i një të tretës së votës së vendit. Me vetëm dy kandidatë maqedonas- pa asnjë shqiptarë- Maqedonia e Veriut rrezikonte të rrëshqiste nga një shoqëri multi-etnike, (çfarë realisht është në përmbajte) në një shtet mono-etnik (në formë). Pra, ku shqiptarët do të shndërroheshin në një makinë votuese për zgjedhjen e kandidatëve maqedonas. Apo vetëm si votues, por jo edhe të votuar. Si përfundim, mendova se duhej shkruar një tjetër histori të re. E historinë e shkruajnë vetëm shtetarët, ndërkaq intelektualët vetëm shkruajnë për historinë.

Përballë keni edhe një “kundërshtar” si Stevo Pendarovski, që ka mbështetjen e 31 partive mes të cilave edhe parti shqiptare. Mendoni se përmes pjesëmarrjes në garë si kandidat i pavarur ju keni zgjedhur rrugën më të vështirë? Përse e menduan si të duhurën?

REKA: Sigurisht se është rrugë e vështirë nëse përballë ke tërë aparatin qeveritar, por ndryshimet politike nuk vijnë vetvetiu- pa i sfiduar ato. Katër partitë politike të shqiptarëve që janë në pushtet, u rreshtuan pas kandidatit maqedonas dhe jo pas kandidaturës së vetme shqiptare. Pra, po ato parti shqiptare që përshëndetën bashkimin e faktorit politik shqiptar në Tuz, nuk u bashkuan me shqiptarët në Maqedoni! Kandidatura ime e pavarur u mbështet nga dy partitë politike shqiptare të opozitës, Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa, të cilat publikisht ftuan partitë tjera shqiptare që po ashtu të mbështesin kandidaturën time, por kjo nuk ndodhi.

Cili ka qenë praktikisht qëndrimi i konsullit të nderit shqiptar Imer Selmani gjatë fushatës presidenciale? A keni pasur mbështetje nga ana e Republikës së Shqipërisë, si i vetmi kandidat shqiptar në garë?

REKA: Si konsull nderi që në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili gëzon statusin dhe privilegjet diplomatike, ai shkeli këtë status konform Konventës së Vienës, jo vetëm me involvimin e tij politik, por edhe me agjitimin publik për kandidatin e partisë në pushtet. Po kisha mbështetje personale nga Shqipëria, nga miq e kolegë nga Tirana, por jo edhe mbështetje zyrtare nga Republika e Shqipërisë.

Nëse zgjidheni si president, cilat janë prioritetet tuaja përsa i përket drejtimit të Maqedonisë së Veriut?

REKA: Fare shkurt me pak fjalë, pa përsëritur programin tim presidencial prej 10 faqesh. Vizioni im është një Republikë shumë-etnike dhe Euro- Atlantike. Pra për brenda një Republikë e barazisë së plotë të të gjithë qytetarëve, ndërkaq në politikën e jashtme anëtare e 30 e NATO-s dhe fillim i negociatave anëtarësuese me BE, sa më shpejt. Rikthimi i Republikës është thelbi i programit politik të kandidaturës sime presidenciale. Maqedonia, është shtet- por jo Republikë. Republikën e vërtetë e bëjnë: sundimi i ligjit, demokracia, gjyqësori i pavarur dhe respektimi i drejtave të njeriut. Sundimi i individit, ndërkaq e zhbën Republikën, duke e bërë atë shtet privat. Prandaj, kthimi i rendit republikan dhe de-personalizimi i shtetit është synimi i mandatit tim presidencial. Republika e vërtetë nuk njeh gjyqësor të politizuar, administratë të nepotizuar dhe drejtësi selektive. Shteti nuk është pronë private, por trashëgimi e gjithë qytetarëve të saj të barabartë. Prandaj, Maqedonia e Veriut, si shoqëri shumë-etnike duhet të jetë edhe Republikë shumë-etnike. Më së paku, ajo mund të funksionojë me dozat e lejuara për të drejtat individuale dhe kolektive. Republika nuk njeh demokracinë e dozuar  e as “kombe statistikore”, të cilëve u lejohen aq të drejta, sa janë në përqindje, siç figurojnë aktualisht shqiptarët në kushtetutë, pra si 20%. Në  Republikë, nuk ka “dhënie” të drejtash, sepse ato janë të drejta të lindura si shtetas të këtij shteti, e jo “dhuratë” diskrecioni  nga pushtetit që vendos se: kujt, kur dhe sa të drejta do ti lejohen. Ky synim për një republikë të njëmendtë do jetësohej përmes pesë drejtimeve të programit tim presidencial nga: stabilizimi i marrëdhënieve ndër-etnike, (në politiken e brendshme) deri te politika e jashtme euro-atlanitike dhe e koekzistencës rajonale fqinjësore; të gjitha këto si parakushte për të kthyer perspektivën jetësore në vend dhe me te ndaljen e procesit të zbrazjes së vendit. Pra synimet e para do të jenë në funksion të atij të fundit: parandalimit të zbrazjes së shtetit. Ndryshe, në BE -para shtetit- do “integrohen” qytetarët e ikur, kurse Republika e Maqedonisë së veriut: nga shteti anëtar do mbetej shtet i zbrazët. Me fjalë të tjera vizioni im është: një Republikë për të gjithë, me ligjin mbi të gjithë, dhe kundër shtetit të kapur dhe kundër shtetit privat.

Aktualisht si është gjendja e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe çfarë do të ndryshonte për ta, nëse zgjidheni ju si president?

REKA:  Gjendja e shqiptarëve është e kapur nga dy partitë shqiptare në pushtet (BDI dhe PDSH) të cilat tash e 18 vite ri-ciklojnë njëra-tjetrën në të gjitha qeveritë: si me VMRO-DPMN ashtu edhe me LSDM; duke u kujdesur, jo për statusin e shqiptarëve por për statusin e tyre. Kjo u pa, fundja edhe me rastin e arsyetimit të tyre pse përkrahin kandidatin e LSDM në pushtet. Thoshin, se nuk është koha për shqiptarin për President, por u dashkan edhe 20 vite që të krijoheshin kushtet për këtë! Pra po të njëjtit që për gati dy dekada thoshin, se as atëherë nuk kishte qenë koha, ja edhe tash sërish e thonë të njëjtën, se edhe për dy dekadat e ardhshme duhet të presim! Me fjalë të tjera në një situatë të kapjes së shtetit, në të cilin janë të kapura edhe këto dy parti shqiptare qeveritare, ato kapën anëtarësinë e vet dhe tash në prag të zgjedhjeve të 21 prillit mundohen të mbajnë të kapur edhe atë që ata besojnë se është elektorat i tyre primar!

Emër i ri, probleme të vjetra. Maqedonia e Veriut voton për presidentin të dielën

Maqedonia e Veriut do të mbajë raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale këtë të dielë, në procesin e parë zgjedhor që zhvillohet nën emrin e ri të vendit, i cili gjithsesi përballet me probleme afatgjata ekonomike, nepotizëm dhe korrupsion.

Votimi për postin kryesisht ceremonial vjen më pak se 3 muaj pasi marrëveshja historike me Athinën për ndryshimin e emrit hyri në fuqi, duke i dhënë kështu fund një ngërçi disa dekadësh identiteti mes vendeve fqinje.

Mosmarrëveshja lindi pikërisht në momentin e mëvetësisë së vendit nga Jugosllavia në vitin 1991, kur deklaroi se do të quhej Maqedoni përkundër kundërshtive të Greqisë, e cila ka gjithashtu një rajon të sajin verior me të njëjtin emër.

Kryeministri Zoran Zaev dhe homologu i tij grek, Alexis Tsipras, arritën qershorin e kaluar një marrëveshje për t’i shtuar “e Veriut” emrit të Maqedonisë, duke i dhënë fund kështu grindjes 27-vjeçare. Marrëveshja u finalizua në janar, pas një beteje të gjatë politike dhe opozitarizmit të ashpër të nacionalistëve në të dyja anët e kufirit.

Në këmbim të ndryshimit të emrit, Athina dekalroi se nuk do të pengonte më Maqedoninë e Veriut në përpjekjet e saj për integrim euroatlatik, pra për t’iu bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Europian.

E ndërsa udhëheqësit europianë festuan marrëveshjen e emrit, njerëzit e zakonshëm nuk e shfaqin kaq hapur entuziazmin e tyre. Shkupi shpreson të nisë bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian këtë qershor, por analistët thonë se elektorati prej 1.8 milionë banorësh i vendit është më shumë i shqetësuar për problemet e të ushqyerit.

“Kam dëgjuar të flitet për NATO-n, Bashkimin Europian dhe historinë e emrit”, thotë Vera Smajlovska, parukiere nga Shkupi. “Askush nuk do t’ia dijë sesi jetojnë këta njerëz. Iu intereson vetëm pushteti dhe çfarë mundet të gllabërojnë nga ky vend i varfër”, shtoi më tej 47-vjeçarja.

Paga mesatare mujore në Maqedoninë e Veriut është 400 euro, ndërsa papunësia sipas shifrave zyrtare i kalon 20 për qind, sipas Agjencisë Kombëtare të Statistikave.

Shumë votues, të thirrur në proces për të zgjedhur mes tri kandidatëve, “duan t’iu dërgojnë mesazh atyre që nuk duan të dëgjojnë”, thotë analisti politik Arsim Zekoli për “AFP”-në.

“Qytetarët ndihen të manipuluar nga kushdo dhe janë të pakënaqur”, thotë Meri Jordanovska, një reportere investigative. “Nuk mund të vazhdojmë t’iu shërbejmë historinë e BE-së dhe NATO-s përgjithmonë”, shtoi ajo.

Edhe mes atyre që pranuan ndryshimin e emrit, shumë prej të cilëve me ngurrim, janë bindur vetëm nga premtimet për t’u afruar me BE-në, një kthesë që shpresojnë se do të sjellë prosperitet dhe do të forcojë sundimin e ligjit në vend.

Kandidati i socialdemokratëve (LSDM) në pushtet, Stevo Pendarovski këmbëngul mbi agjendën europiane. “Të votosh Pendarovskin (56 vjeç) do të thotë të votosh për edukim europian, paga europiane, një standard europian jetese”, u shpreh kryeministri Zaev. Por, nëse Pendarovski humbet, apo nëse pjesëmarrja është më e ulët se 40 për qind, sa ç’kërkohet që votimi të jetë legjitim, Zaev do të vuajë një goditje të fuqishme. Një rezultat i tillë do të çonte në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe do t’i hapte rrugën destabilitetit në vendin e paqëndrueshëm ballkanik.

Sfiduesit e Pendarovskit janë Gordana Siljanovska-Davkova, e ekstremit të djathtë, e mbështetur nga partia VMRO-DPMNE në opozitë; si dhe Blerim Reka që përfaqëson një pjesë të shqiptarëve, me mbështetjen e BESA-s dhe Aleancës për shqiptarët. Ky i fundit, një pedagog juridiku 59-vjeçar, kërkon mbështetjen e rreth 20-25% të popullsisë së Maqedonisë së Veriut, që janë shqiptarë.

Pendarovski gëzon një epërsi të lehtë në sondazhet për garën që do të zgjedhë pasuesin e nacionalistit në detyrë, Gjorge Ivanov, të cilit i ndalohet të garojë sërish pas dy mandateve 5-vjeçare. Por sondazhet parashikojnë një raund të dytë, që do të mbahet më 5 maj nëse do të shkohet vërtet, mes Pendarovskit dhe Siljanovska-Davkovës. Kjo e fundit, një juriste 63-vjeçare kundërshton emrin e ri të vendit, por thotë se do ta “respektojë” marrëveshjen nëse zgjidhet presidente.

Maqedonia e Veriut ka humbur gati një çerekun e popullsisë mes viteve 2000-2015, sipas Bankës Botërore.

Top Channel

Linjë ajrore me Riadin: Do t’i shërbejë turizmit nga Lindja e Mesme

Shqipëria do të ketë një linjë direkte fluturimi me Riadin.

Për këtë qëllim, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nënshkroi të enjten një memorandum bashkëpunimi me kompaninë saudite të fluturimeve FLYNAS.

Linja ajrore mendohet t’i shërbejë sidomos turizmit nga Arabia Saudite dhe vendet e Lindjes së Mesme, por edhe zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike me rajonin në fjalë.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, ministria Belinda Balluku, tha se bashkëpunimi me FLYNAS shënon një hap të rëndësishëm në tërheqjen e kompanive të reja ajrore në Shqipëri.

Ndërtimi dhe operimi i aeroporteve të rinj pritet të ndihmojë në rritjen e tregut.

Ministrja Balluku tha se brenda dy viteve do të jetë gati Aeroporti i Kukësit, ndërsa së shpejti do të hapet një konkurs ndërkombëtar për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

FLYNAS është një nga kompanitë ajrore low cost më të rëndësishme në Lindjen e Mesme.

Ajo është themeluar në vitin 2007 dhe, sipas informacionit në faqen zyrtare, kryen fluturime në 35 destinacione.

Së fundmi, FLYNAS ka porositur 120 avionë të rinj Airbus, me një marrëveshje në vlerën e 8.6 miliardë dollarëve.

Ademi: Ja përse BDI po atakon Rekën (VIDEO)

Shqiptarët kanë sot një kandidat shqiptar në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë së Veriut i cili është për t’u respektuar siç është Blerim Reka. Duhet të përkrahej Blerim Reka dhe më pas në raundin e dytë të mund të bëheshin marrëveshjet politike me qëllim të avancimit të faktorit shqiptar në Maqedoni.

Ky është opinioni që njohësi i zhvillimeve politike në Maqedoninë e Veriut, Visar Ademi jep për emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në News24. Visar Ademi komenton sulmet me të cilat kandidati i vetëm shqiptar në zgjedhjet e 21 Prillit Blerim Reka përballet pikërisht nga partia shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim e Ali Ahmetit.

“BDI e sulmon Blerim Rekën sepse e di se çdo votë për Rekën është votë kundër tyre. Ata e dinë se nëse Blerim Reka merr mbi 100 mijë vota, do të nënkuptonte se partia shqiptare në pushtet po e humbet besimin te Shqiptarët prandaj po mundohen të shkojnë jo me fushatë pozitive pro kandidatit të mbështetur nga LSDM Stevo Pendarovski, por të shkojnë me fushatë negativiste kundër Rekës me qëllimin që opozita shqiptare të mos marrë atë numër votash që unë përmenda më parë. Kemi parasysh se ajo parti shqiptare që i merr mbi 100 mijë vota, parashikohet të jetë edhe fituesja e zgjedhjeve parlamentare. BDI e di se nëse Blerim Reka do ta kalojë këtë prag atëherë realisht kryeministri Zoran Zaev do të duhet të mendojë se cilën parti Shqiptare do të ketë partner koalicioni në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, thekson Visar Ademi për News 24.

Sipas Ademit, për herë të parë një kandidat maqedonas përkrahet edhe nga partitë politike shqiptare që në raundin e parë. Mbështetja sipas tij ka ndodhur përgjithësisht në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Ndërron jetë 16-vjeçarja e famshme, shkaqet ende nuk dihen

Ylli televiziv Mya-Lecia Naylor ka ndërruar jetë më datë 7 prill në moshën 16-vjeçare. Lajmi i trishtë është konfirmuar nga BBC, përmes një deklarate në faqen e tyre të internetit. Gjiganti mediatik e cilësoi adoleshenten “një pjesë shumë të dashur të familjes së fëmijëve të BBC”.

“Na vjen keq që duhet t’ju lajmërojmë se Mya-Lecia ka vdekur. Ajo ishte një pjesë shumë e dashur e familjes së BBC Children, një aktore, këngëtare dhe kërcimtare jashtëzakonisht e talentuar”- ka shkruar BBC.

Postimi i fundit në llogarinë e yllit televiziv në rrjetin social “Instagram” ishte tetë orë para se të zbulohej vdekja e saj, shkaqet e së cilës ende nuk dihen.

Grabitja, 5 në kërkim. Në shtëpinë e Muratajt filma me…

Të paktën 5 persona janë shpallur në kërkim nga policia, për grabitjen e 6.5 milionë eurove në Rinas. Hetimet janë shtrirë dhe në Kosovë, ndërsa ka dyshime se automjetet që u përdorën në grabitje të jenë futur nga Kosova.

Gjithashtu Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar të administrojë hyrje-daljet e familjarëve të Admir Murataj në Kosovë, pasi dyshohet se gjatë arratisë 47-vjeçari është fshehur atje.

Autoriteteve kosovare u janë kërkuar edhe të dhënat e hetimeve mbi 2 grabitje me armë që kanë ndodhur në vendin fqinj ku dyshohet se ka qenë i përfshirë Murataj.

Pas shqyrtimit të kamerave të sigurisë, ka dyshime se një prej grabitësve në aeroportin e Rinasit është ish-ushtarak. Në video është parë se një nga autorët, mban pozicion trupor dhe automatikun, në mënyrë identike me persona të specializuar si komando.

 

Ndërkohë pas kontrollit në vilën e Admir Muratajt në Fushë-Prezë, policia zbuloi detaje të tjera mbi jetën trurit të grabitjeve. Në kuzhinën e vilës, efektivët mësohet se gjeten disqe me filma të njohur për grabitjen e bankave, mes tyre edhe më i famshmi “Point break”./Opinion.al

Një shqiptar, “mbreti i floririt” në Londër

Një 42-vjeçar shqiptar, ka dalë sot para Gjykatës së Magjistratëve të Wimbledonit në Britani. Ai cilësohet si “mbreti i floririt” në Londër, pasi akuzohet për 18 vjedhje bizhuterish me vlerë mbi 500 mijë paund.

Mediat britanike raportojnë se bëhet fjalë për Astrit Kapaj, baba i dy fëmijëve, i cili akuzohet se ka hyrë në disa shtëpi private në rrethina të pasura të Londrës jugperëndimore, mes viteve 2008 dhe 2018.

Në fletëakuzë thuhet se në një grabitje të vetme janë marrë bizhu me vlerë 371.855 paund. Kjo grabitje besohet të këtë ndodhur 24-27 Shkurtit të vitit 2017, në Atherton Drive të Wimbledonit.

“Ai është akuzuar në vazhdën e një hetimi të specializuar të policisë, që shqyrtoi një seri vjedhjesh, veçanërisht në zonat e pasura të Wimbledonit. I pandehuri shënjestronte zona specifike dhe vjedhjet kryheshin vetëm netën, mes orës 19 të darkës dhe 5 të mëngjesit.

Ai bënte kërkime të imtësishme kur hynte në shtëpi, e pasi merrte ç’kishte për të marrë i linte gjërat në pozicionin e mëparshëm, duke bërë që viktimat të mos zbulonin se ishin vjedhur. Ai kërkonte veçanërisht bizhuteri dhe para”, tha prokurorja, Mary Atera./Opinion.al

Zvicra dëbon kosovaren, kjo është arsyeja

Kumrije A., është protagonistja në rrëfimin e radhës për qytetarët me shtetësi të huaj të cilët, për shkak të varësisë së gjatë nga ndihmat sociale dënohen me lëshim të Zvicrës. Sipas vendimit më të fundit gjyqësor, ajo duhet të kthehet në Kosovë më së largu këtë të shtunë! Ndërkaq, avokati i saj ka vendosur që çështjen ta çojë deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në Strassburg.

Kumrija, sot 51 vjeçe, ka ardhur në Zvicër në vitin 1990. Këtu është martuar me një italian, nga i cili pastaj është ndarë dhe ka rritur dy djem nga kjo martesë, shkruan 20minuten.ch. Por, jo më larg se të shtunën (pasnesër) ajo duhet të braktisë Zvicrën. Këtu dhe në gjithë Zonën e Schengenit, ajo nuk do të ketë të drejtë hyrjeje edhe tri vite tjera.

Shkaku për këtë dënim qëndron në varësinë e saj të plotë nga ndihmat sociale, që nga viti 1997 e këndej. Në fund të marsit 2015 shuma e përgjithshme e mbështetjes sociale që ajo kishte marrë përgjatë viteve kishte arritur në 403.000 franga.

“Aktualisht nuk mund as të pritet që ajo, në një të ardhme të afërt të mund të pavarësohet dhe që të sigurojë jetesën me punën e saj”, thuhet në vendimin e Gjykatës Federale. Te kjo gjykatë Kumrije A., ishte ankuar kundër vendimit për dëbim, të marrë nga instancat më të ulëta.

“Ushtruesja e ankesës – përkundër faktit se ishte e mbështetur nga enti social – gjatë gjithë kohës së qëndrimit të saj në Zvicër nuk ka bërë përpjekje për një vend pune në tregun primar të punës”.

Ndërsa i biri 26 vjeçar i Kumrijes, Antonio duke kundërshtuar vendimin për dëbim thotë: “Nëna ime ka punuar për vite të tëra në projekte të mbrojtura, të ndërmjetësuara nga autoritetet sociale”. Në ekonominë normale ajo nuk do të kishte shanse të punësohej.

“Për shkak të problemeve të rënda psikike dhe trupore ajo ka nevojë urgjente për trajtim”. Ndërsa një trajtim i tillë në Kosovë nuk është i mundur. Raportet mjekësore kanë treguar se nëna e tij është në rrezik akut për të bërë vetëvrasje në rast se do ta detyrojnë të kthehet në Kosovë.

Ish avokati i saj, Peter Bolzli vendimin për dëbim e konsideron shokant. “Autoritetet e kanë ditur prej tashmë prej 30 vitesh se ajo është e varur nga ndihmat sociale”, thotë Bolzli. Dhe përkundër faktit se ajo jeton prej afër 30 vitesh në Zvicër, ku i ka rritur fëmijët dhe ku është qendra e saj jetësore, duan ta dëbojnë. “Zyra për Migracion është duke zhvilluar një fushatë të vërtetë kundër personave të varur nga ndihmat sociale”, thotë Bolzli.

Ndërsa për ekspertin e migracionit, Alberto Achermann, vendimi i Gjykatës Fedderale nuk është i jashtëzakonshëm por përputhet me tendencën në praktikën gjyqësore, transmeton albinfo.ch. “Ai korrespondon me praktiken sipas të cilës kur dikush merr ndihma sociale në shifra kaq të larta, do të rishqyrtohet statusi i tij i qëndrimit”, thotë Achermann. Pikë me rëndësi në këtë kontekst është prognoza.

“Në rastin kur për dikë është shumë e besueshme se edhe në të ardhmen do të jetë i varur nga ndihmat sociale, atëherë kjo prognozë rezulton negative”. Sikur të mundnin djemtë e saj, të dy me pasaporta zvicerane, të kujdeseshin për nënën dhe të financonin jetesën e saj, gjykata do të merrte ndoshta ndonjë vendim tjetër, thotë Achermann.

Që nga viti 2008, autoritetet e ndihmës sociale detyrohen që, pa ua kërkuar, të njoftojnë autoritetet kantonale të migracionit për të huajt që marrin ndihma sociale. “Që atëherë është shtuar numri i të dënuarve me dëbim për shkak të varësisë nga ndihmat sociale dhe kjo do të çojë edhe në të ardhmen në vendime të tilla”, thotë Achermann.

Mirëpo avokati i tashëm i Kumrije A. , Tim Ëalker synon që si hap të parë, të atakojë vendimin për ndalim të hyrjes në Zonën e Shengenit te klientes së tij. “Një ndërhyrje e tillë në jetën familjare nuk mund të tolerohet. Këtu po bëhet copëtimi i një familjeje”, thotë Ëalker.

Sipas avokatit, gjykatat zvicerane kanë sqaruar në mënyrë fare të pamjaftueshme rrethanat e Kumrije A. Për këtë arsye ai do të bëjë një ankesë edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strassburg. “Vendimi është jashtëzakonisht joproporcional”, thotë Ëalker. “Unë shpresoj se Strassbugu do t`i rekomandojë Zvicrës që ta rishqyrtojë rastin”.

Kosova “shpëton” zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka anuluar tenderin për furnizim me UHV llamba për zgjedhjet presidenciale, për arsye se kompania e cila ka fituar tenderin, ka dorëzuar në KSHZ llamba me dritë të thjeshtë ngjyrë vjollce, por pa UHV reflektim që tregon se një votues ka votuar njëherë. E gjendur në një situatë të tillë, ku brenda një jave duhet të mbahen Zgjedhjet Presidenciale, KSHZ shpëtim ka gjetur te KSHZ e Republikës së Kosovës, nga e cila ka huazuar 1500 llamba UHV, shkruan gazeta KOHA.

“KSHZ ka në dispozicion numër të konsiderueshëm të llambave, të cilat do të përdoren ditën e zgjedhjeve. Kemi bashkëpunim edhe me KSHZ-në e Republikës së Kosovës, nga të cilët kemi huazuar 1500 llamba ultra violete, dhe gjithsej kemi rreth 8 mijë llamba, të cilat janë në gjendje të mirë, gjendje të sigurt dhe ato do të përdoren ditën e zgjedhjeve. Informacionet tuaja që i keni lidhur me UHV llambat i keni pjesërisht të sakta. Sa i për ketë gabimit që është bërë nga kompania, e cila e mori faktikisht Furnizimin Publik, mirëpo ato llamba nuk i pranoj KSHZ-ja. Do të përdoren llambat, të cilat i disponojmë, do të përdoren edhe llambat të cilat janë të huazuara nga KSHZ-ja e Kosovës. Këtë do ta konfirmoni edhe vet ju në terren. Nuk do të ketë asnjë lloj problemi, janë çështje teknike me kompaninë e cila është dashur të sigurojë llambat të ndryshme nga këto që janë aktualisht, mirëpo ato llamba nuk do të përdoren sepse KSHZ-ja as që i ka pranuar nga kompania”, deklaroi për gazetën KOHA, Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së.

Të pyetur nga gazeta KOHA se a është anuluar tenderi për furnizim me UHV llamba, në KSHZ u përgjigjen se është anuluar vetëm pjesa e llambave. Nga këtu mund të konstatojmë se kompania në fjalë emrin e së cilës, nuk deshën ta bëjnë publike nga Komisioni i Zgjedhjeve, ka marrë tenderë edhe për furnizime tjera përveç llambave UHV. (koha.mk)

Publikohen “bomba” të reja në internet (VIDEO)

Në internet u publikuan materiale të reja të përgjuara. Katër të ashtuquajtura “bo*mba” janë publikuar në profilin e “Ilija Gromovnik” në rrjetin social rus “VK”.

Në biseda mund të dëgjohet sponzorimi i klubit të basketbollit nga vendi, kurdisje të lustrimit, abuzim të ELEM-it, koordinim të funksionarëve nga opozita dhe pushteti se si të sillen para mediave. Nga Prokuroria Speciale Publike pohojnë se nga atje nuk ka rrjedhur asnjë materiale dhe paralajmëruan se do të kontrollojnë nëse “bombat” e reja janë pjesë e materialeve që u janë dorëzuar.

Ndryshe bëhet fjalë për materiale të cilat deri tani nuk janë publikuar.

https://youtu.be/w1fC4qk5E44

Ziadin Sela nga Tetova: Jepni mesazhin që shqiptarët kanë qenë këtu dhe do të vazhdojnë të jenë!

Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja BESA dhe shtabi zgjedhor i Blerim Rekës sot përmbyllën fushatën Presdenciale në Tetovë. Ziadin Sela nga ky qytet dha mesazhe të forta të drejtuara ndaj tetovarëve dhe shqiptarëve.

‘Erdhëm tek shqiptarët në Tetovë ta pleqenojmë këtë muhabet. Të dashur dhe vllezër sna vjen mirë kur na quajnë shërbëtorë dhe hyzmyqar. Aspak sna vjen mirë kur ju thuan qëndroni sa ma larg aq ma mirë. Të nderuar edhe ju antarë të BDI-së dhe PDSH-së ajdeni dhe me 21 Prill votoni numrin 1. Ajdeni dhe rreshtohuni pas Profesorit, sepse vota ndaj Profesor Rekës është respekt ndaj gjithë shqiptarëve’ – deklaroi Ziadin Sela.

Gjithashtu Lideri i Aleancës për Shqiptarët dha mesazh të fuqishëm: ‘ Dilni më 21 Prill dhe tregoni rezistenc, që të drejtat e shqiptarëve ende nuk janë realizuar. Jepni mesazhin që shqiptarët kanë qenë ktu dhe do vazhdojnë të jenë këtu.