Ballina Aktualitet Intervista Për një republikë për të gjithë, me ligjin mbi të gjithë

Për një republikë për të gjithë, me ligjin mbi të gjithë

Një ditë para heshtjes zgjedhore “Shekulli” ka zhvilluar një intervistë me Prof. Dr. Blerim Reka, Kandidat i Pavarur për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Prof. Reka rrëfen ndër të tjera arsyet që e nxitën të kandidonte, vizionin e tij, qëndrimin e Republikës së Shqipërisë dhe çfarë ndryshon për shqiptarët, nëse ai zgjidhet president

Anila Dedaj

Një ditë para heshtjes parazgjedhore, zhvilluam një intervistë me Prof. Dr. Blerim Reka, Kandidat i Pavarur për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i vetmi shqiptar që kandidoi për postin më të lartë shtetëror të shtetit fqinj. Zoti Reka është Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike dhe i së Drejtës së BE, ishte Ambasador i Republikës së Maqedonisë në BE në Bruksel, gjatë mandatit të të cilit Maqedonia morri për të parën herë rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian në vitin 2009 për hapjen e bisedimeve anëtarësuese dhe kur fitoi regjimin- pa viza me BE. Është autor i 19 librave në këtë fushë dhe flet disa gjuhë të huaja.

Zoti Reka, ju keni një përvojë tepër të pasur si diplomat, akademik, gazetar, gjithashtu në ekspertizën kushtetuese. Në një kohë që intelektualët duket se qëndrojnë të distancuar nga politika, çfarë ju nxiti të kandidonit si president për Maqedoninë e Veriut?

REKA: Ishin dy arsye. E para, ishte intelektuale. Kjo, sepse post-komunizmi vërtet çliroi intelektualët nga prangat penale, por po aq edhe injoroi mendimin kritik intelektual. Jo që si intelektual tërë këto vite nuk kam shkruar, folur, apo kritikuar. Pra, jo që nuk kam pasur qëndrim politik, mirëpo aq ka qenë fuqia e FB. Prandaj vendosa që nga kritikat virtuale të sfidoj politikën me kritika në një botë reale, në politik-bërjen e vërtetë e jo vetëm në atë digjitale. Tri dekada pas rënies së komunizmit, mendoj se intelektualët duhet të jenë më aktiv politikisht në zhveshjen e politikanëve post-komunist nga imitimi i heshtur të praktikave komuniste. Nuk e di se si do përfundoj kjo rrugë e imja: si intelektualizëm i politikës, apo politizim i intelektuales, por koha ishte për veprim dhe jo për soditje. Pra, nëse duan ta ndryshojnë gjendjen, intelektualët duhet të thyejnë kufirin midis vëzhguesit/ kritikuesit verbal dhe veprimtarit aktiv. Pa marrë përgjegjësi politike, nuk mund të bëhen ndryshime, prandaj mendova se është koha për tu aktivizuar edhe politikisht. Ligjërimet, shkrimet apo polemikat, janë formë e kritikës shoqërore, por pa veprim politik nuk ndryshohen gjerat që i kritikojmë. Arsyeja e dytë ndërkaq ishte kombëtare. Jashtë këtij diskursi të përgjithshëm filozofik, në një shoqëri multi-etnike, e pakuptimtë do ishte që një e treta të përcaktohej për kandidatin që nuk i përfaqëson as kombëtarisht e as gjuhësisht. Të kërkosh votën për të parin e vendit nga elektorati shqiptar e të mos i ofrosh asnjë kandidat shqiptar, është injorim i një të tretës së votës së vendit. Me vetëm dy kandidatë maqedonas- pa asnjë shqiptarë- Maqedonia e Veriut rrezikonte të rrëshqiste nga një shoqëri multi-etnike, (çfarë realisht është në përmbajte) në një shtet mono-etnik (në formë). Pra, ku shqiptarët do të shndërroheshin në një makinë votuese për zgjedhjen e kandidatëve maqedonas. Apo vetëm si votues, por jo edhe të votuar. Si përfundim, mendova se duhej shkruar një tjetër histori të re. E historinë e shkruajnë vetëm shtetarët, ndërkaq intelektualët vetëm shkruajnë për historinë.

Përballë keni edhe një “kundërshtar” si Stevo Pendarovski, që ka mbështetjen e 31 partive mes të cilave edhe parti shqiptare. Mendoni se përmes pjesëmarrjes në garë si kandidat i pavarur ju keni zgjedhur rrugën më të vështirë? Përse e menduan si të duhurën?

REKA: Sigurisht se është rrugë e vështirë nëse përballë ke tërë aparatin qeveritar, por ndryshimet politike nuk vijnë vetvetiu- pa i sfiduar ato. Katër partitë politike të shqiptarëve që janë në pushtet, u rreshtuan pas kandidatit maqedonas dhe jo pas kandidaturës së vetme shqiptare. Pra, po ato parti shqiptare që përshëndetën bashkimin e faktorit politik shqiptar në Tuz, nuk u bashkuan me shqiptarët në Maqedoni! Kandidatura ime e pavarur u mbështet nga dy partitë politike shqiptare të opozitës, Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa, të cilat publikisht ftuan partitë tjera shqiptare që po ashtu të mbështesin kandidaturën time, por kjo nuk ndodhi.

Cili ka qenë praktikisht qëndrimi i konsullit të nderit shqiptar Imer Selmani gjatë fushatës presidenciale? A keni pasur mbështetje nga ana e Republikës së Shqipërisë, si i vetmi kandidat shqiptar në garë?

REKA: Si konsull nderi që në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili gëzon statusin dhe privilegjet diplomatike, ai shkeli këtë status konform Konventës së Vienës, jo vetëm me involvimin e tij politik, por edhe me agjitimin publik për kandidatin e partisë në pushtet. Po kisha mbështetje personale nga Shqipëria, nga miq e kolegë nga Tirana, por jo edhe mbështetje zyrtare nga Republika e Shqipërisë.

Nëse zgjidheni si president, cilat janë prioritetet tuaja përsa i përket drejtimit të Maqedonisë së Veriut?

REKA: Fare shkurt me pak fjalë, pa përsëritur programin tim presidencial prej 10 faqesh. Vizioni im është një Republikë shumë-etnike dhe Euro- Atlantike. Pra për brenda një Republikë e barazisë së plotë të të gjithë qytetarëve, ndërkaq në politikën e jashtme anëtare e 30 e NATO-s dhe fillim i negociatave anëtarësuese me BE, sa më shpejt. Rikthimi i Republikës është thelbi i programit politik të kandidaturës sime presidenciale. Maqedonia, është shtet- por jo Republikë. Republikën e vërtetë e bëjnë: sundimi i ligjit, demokracia, gjyqësori i pavarur dhe respektimi i drejtave të njeriut. Sundimi i individit, ndërkaq e zhbën Republikën, duke e bërë atë shtet privat. Prandaj, kthimi i rendit republikan dhe de-personalizimi i shtetit është synimi i mandatit tim presidencial. Republika e vërtetë nuk njeh gjyqësor të politizuar, administratë të nepotizuar dhe drejtësi selektive. Shteti nuk është pronë private, por trashëgimi e gjithë qytetarëve të saj të barabartë. Prandaj, Maqedonia e Veriut, si shoqëri shumë-etnike duhet të jetë edhe Republikë shumë-etnike. Më së paku, ajo mund të funksionojë me dozat e lejuara për të drejtat individuale dhe kolektive. Republika nuk njeh demokracinë e dozuar  e as “kombe statistikore”, të cilëve u lejohen aq të drejta, sa janë në përqindje, siç figurojnë aktualisht shqiptarët në kushtetutë, pra si 20%. Në  Republikë, nuk ka “dhënie” të drejtash, sepse ato janë të drejta të lindura si shtetas të këtij shteti, e jo “dhuratë” diskrecioni  nga pushtetit që vendos se: kujt, kur dhe sa të drejta do ti lejohen. Ky synim për një republikë të njëmendtë do jetësohej përmes pesë drejtimeve të programit tim presidencial nga: stabilizimi i marrëdhënieve ndër-etnike, (në politiken e brendshme) deri te politika e jashtme euro-atlanitike dhe e koekzistencës rajonale fqinjësore; të gjitha këto si parakushte për të kthyer perspektivën jetësore në vend dhe me te ndaljen e procesit të zbrazjes së vendit. Pra synimet e para do të jenë në funksion të atij të fundit: parandalimit të zbrazjes së shtetit. Ndryshe, në BE -para shtetit- do “integrohen” qytetarët e ikur, kurse Republika e Maqedonisë së veriut: nga shteti anëtar do mbetej shtet i zbrazët. Me fjalë të tjera vizioni im është: një Republikë për të gjithë, me ligjin mbi të gjithë, dhe kundër shtetit të kapur dhe kundër shtetit privat.

Aktualisht si është gjendja e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe çfarë do të ndryshonte për ta, nëse zgjidheni ju si president?

REKA:  Gjendja e shqiptarëve është e kapur nga dy partitë shqiptare në pushtet (BDI dhe PDSH) të cilat tash e 18 vite ri-ciklojnë njëra-tjetrën në të gjitha qeveritë: si me VMRO-DPMN ashtu edhe me LSDM; duke u kujdesur, jo për statusin e shqiptarëve por për statusin e tyre. Kjo u pa, fundja edhe me rastin e arsyetimit të tyre pse përkrahin kandidatin e LSDM në pushtet. Thoshin, se nuk është koha për shqiptarin për President, por u dashkan edhe 20 vite që të krijoheshin kushtet për këtë! Pra po të njëjtit që për gati dy dekada thoshin, se as atëherë nuk kishte qenë koha, ja edhe tash sërish e thonë të njëjtën, se edhe për dy dekadat e ardhshme duhet të presim! Me fjalë të tjera në një situatë të kapjes së shtetit, në të cilin janë të kapura edhe këto dy parti shqiptare qeveritare, ato kapën anëtarësinë e vet dhe tash në prag të zgjedhjeve të 21 prillit mundohen të mbajnë të kapur edhe atë që ata besojnë se është elektorat i tyre primar!

@tn.lajmelokale
@tetovanews