Ballina Blog Faqe 733

Bebe Rexha performoi në Time Square për vitin e ri (Video)

Bebe Rexha ka pasur një vit të jashtëzakonshëm në 2018.

Këngëtarja ka sjell disa këngë të reja, ka fituar disa çmime si dhe ka argëtuar fansat me koncerte anembanë globit.

Por, për ta rrumbullakosur me sukses vitin që po e lëmë pas, ajo ishte e pranishme në sheshin ”Time Square” në New York.

https://youtu.be/UxKSVRzfEI8

Para se të perfmonte këngën e njohur të këngëtarit të ndjerë legjendar John Lennon, “Imagine”, ajo ka hedhur valle shqiptare.

“Urime Vitin e Ri. Viti 2019 jam i gatshëm për ty”, ka shkruar ndër të tjerash bukuroshja në Instagram.

Gjermani, 50-vjeçari përplas me makinë grupin me të huaj

Një burrë ka përplasur me makinë në mënyrë të qëllimshme një grup personash në Botroop të Gjermanisë, duke u përpjekur më pas të largohet.

Të paktën 4 persona janë plagosur në atë që është cilësuar nga policia një sulm direkt kundër shhtetasve të huaj: objektiv ishin në fakt një grup sirianësh dhe afganësh.

Drejtuesi i makinës, një 50-vjeçar, është arrestuar pak më pas: sipas policisë i dyshuari (vuan nga probleme psikike) ka tentuar edhe dy herë të tjera të shtypë turmën.
Personi që kreu sulmin, sipas ministrit të Brendshëm të Vestfalias, Herbert Reul, kishte “një qëllim të qatë për të vrarë të huajt”, ndaj çështja “duhet të merret shumë seriozisht”.

Sulmi ka ndodhur pak pas mesnatës së 1 janarit: 50-vjeçari ndodhej në drejtimin e një “Mercedesi” dhe ka mësyrë me makinë kundër një grupi të huajsh që festonin me fishekzjarrë dhe kapsolla në qendër të sheshit “Berliner Platz”.

Foshnja e parë në Itali për 2019-tën, lind shqiptar

Foshnja e parë e vitit 2019 që ka lindur në Parma të Italisë është shqiptar.

Vogëlushi, i cili do të quhet Noel, një zgjedhje kjo e prindërve Mirela dhe Zamir Haxhiaj, lindi në orën 02.07 minuta të 1 janarit, dhe peshon 3.550 gram.

Lindja e Noelit u shoqërua me shumë urime nga stafi mjeksor, të afërmit e familjes. Ndërsa mediat lokale shkruajnë se të pestë foshnjet e ardhura në jetë në këtë maternitet orët e para të 2019, janë djem.

Aksident në Bërvenicë të Tetovës, humb jetën një person nga Sellarca e Poshtme

Viti i Ri 2019 ka nisur me një aksident fatal në rrugën rajonale Tetovë – Bërvenicë, ku ka humbur jetën një banor i fshatit Sellarcë e Poshtme të Tetovës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20. Një makinë e tipit BMW ka përplasur personin e pafat dhe tashmë të ndjerë.

Komandanti i zjarrfiksëve, Uka Aliti për TetovaSot ka theksuar se aksidenti ka ndodhur diku rreth orës 20, ndërsa fatale ka qenë për këmbësorin e kombësisë maqedone i cili është goditur nga një makinë e tipit BMW.

Grupi hetimor ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur puna për zbardhjen e plotë të rastit./TetovaNews

Buçkovski: Zaev është i vetëdijshëm se do të paguaj çmim të madh politik

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Vllado Buçkovski për televizionin “Kanal5” tha se kryeministri Zoran Zaev do të paguajë një çmim të madh politik me Ligjin për Amnisti me të cilën para Vitit të Ri mundësoi që të lirohen nga akuzat 15 persona të përfshirë në dhunën në Kuvendit më 27 prill.

“Si një politikan që po ndërton një imazh të mirë të shtetit jashtë, ai është i vetëdijshëm se do të paguajë një çmim politik, por kjo është mënyra e vetme për të siguruar plus tre deputetë për ndryshimet kushtetuese. Ky përfundim udhëhiqet para parimeve të sundimit të ligjit”, tha Buçkovski.

Ish-kryeministri tha se në situata të rregullta, amnistia kërkon një analizë më të detajuar dhe një numër të madh të takimeve dhe debateve të ekspertëve ligjorë, por në situata të jashtëzakonshme kërkohen veprime më të shpejta në të cilat bëhen edhe gabime.

“Kuajt” e qeverisë Rama ngordhën, karroca dhe karrocieri janë ende gjallë

Nga Xhovani Shyti

Paraditen e të premtes në mbledhjen e Asamblesë socialiste kryeministri, njëherësh dhe kryetari i kësaj force politike, Edi Rama, bëri realitet shkarkimin e shtatë ministrave të kabinetit dhe emërimin në vend të tyre të ministrave të rinj.

Shkarkimi i në shumë se gjysmës së kabinetit ka ardhur si rufeja në qiell të pastër pasi dy ditë para Asamblesë, në daljen para mediave, pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, i pyetur nga gazetarët nëse do të kishte ndryshime në kabinet, Edi Rama nuk dha përgjigje. E përcolli përgjigjen e pyetjes me buzëqeshje shpotitëse, mesa duket për ta lenë surprizë në mbledhjen e Asamblesë.

Shkarkimi i shtatë ministrave dhe zvendësimi i tyre me të rinj, sikurse e motivoi Kryeministri, u bë për të mbyllur një kapitull e për hapur një të ri. Një kapitull që do ta shpjerë akomë më tej zhvillimin e vendit gjë që mund të ndodhë veç nga ministrat me moshë rinore, të pashquar e të paprovuar në profesionet e tyre. Gjë që bën të mos kesh besim se do të korrigjojnë ndonjë mrokull nga qeverisja e rilindjes, e cila e reklamuar nga Kryeministri si “Benz Mercedes” në vitin 2013, kur fitoi votat për të qeverisur vendin, pesë vite më pas është katandisur në karrocë me kuaj.

Parë nën këtë krahasim çërçillian, shkarkimi i shtatë ministrave të kabinetit Rama i bie të jetë ngordhja e gjysmës së kuajve që tërheqin karrocën, karrocieri i të cilës është vetë Edi Rama.

Motivi i vrasjes së shtatë kuajve dhe zvendësimi i tyre me të tjerë ka patur si qëllim të deklaruar nga Karrocieri përmirësimin e mëtejshëm të qeverisjes, sjelljen e një realiteti të shumëdëshiruar nga taksapaguesit. Mirëpo a mund të ndodhë kjo dhe a mjafton zvendësimi i shtatë kuajve të vrarë për të arritur objektivin e deklaruar publikisht të dhënies së impulseve të reja?

Disa nga komentatorët politikë, opozitar me qeverinë, e kanë vlerësuar vrasjen e shtatë kuajve nga karrocieri Rama si “make up”, ndërkohë që studentët protestues vlerësuan se zvendësimet e minstrave me “kukulla” nuk do të sjellin asgjë pozitive, përveçse do të shërbejnë për ti zgjatur ditët karrocierit. Gjë shumë e besueshme kjo dhe që e përforcon fakti se kuajt zvendësues janë prej race të pashqueshme, çka stimulonhedhjen e trokthin sipas kamzhikut të Karrocierit.

Aq më shumë duhet besuar se akti i zvendësimit të kuajve të ngordhur nuk pritet të sjellë qeverisje ndryshe, por veç zgjatje të ditëve të Karrocierit, nëse i referohesh një sentence të burrit të madh të shtetit anglez, ish kryeministrit të kohës së Luftës së Dytë Botërore, Winston Churchill . I cili, duke e krahasuar qeverinë me një karrocë mëson: Për të arritur një cilësi të dëshiruar njëherësh duhet të ngordhin kuajt, të vdesë karrocieri dhe të shkatërohet karroca.

“The New York Post”: Ç’kemi, Albanian!

Edhe gjuha shqipe do të përfshihet në listën e gjuhëve që do të mësohen në shkollat e qytetit të New Yorkut.

Shkolla “PS 105” në Morris Park, në Bronx, do të jetë shkolla e parë me programin udhëzues dygjuhësor shqip -anglisht.

Gazeta prestigjioze amerikane “The New York Post” e ka shkruar me këtë shkas një artikull me titull “Ç’kemi, Albanian!”.

“Shkollat e qytetit të New Yorkut ofrojnë mësime në disa gjuhë, kurse prej të enjtes të javës që po e lëmë pas, gjuha shqipe i është shtuar kësaj liste, gjë që siç thanë zyrtarët – ndodh për herë të parë në SHBA.

Janë rreth 60,000 banorë me prejardhje shqiptare që jetojnë në shtetin e New Yorkut, më shumë se në çdo shtet tjetër amerikan, sipas një studimi të vitit 2015 të Qendrës së Harvardit për Zhvillim Ndërkombëtar. Më shumë se gjysma e tyre jetojnë në qytetin e New Yorkut, ndërsa enklavat më të mëdha janë të vendosura nëpër lagjet e Bronxit, si Pelham Parkway, Morris Park, Bedford Park dhe Belmont.

Shkolla ‘PS 105’ në Morris Park do të jetë shkolla e parë me programin udhëzues dygjuhësor shqip-anglisht.

Këshilltari i Bronxit, Mark Gjonaj, shqiptar i gjeneratës së dytë në SHBA, ka thënë se është krenar që ka punuar për realizimin e këtij programi”, shkruan “The New York Post”, transmeton Koha.net.

“Chalkbeat” raporton se Christopher Eustace, drejtor shumëvjeçar në “P.S. 105” në Bronx, ia doli të ndërtonte programin shqip të qytetit duke e menduar mirë zgjidhjen e problemit të mësimit të gjuhës angleze për shqiptarët. Disa vite më parë ai kishte vënë re se vazhdimisht e më shumë nxënës të shkollës së tij flisnin shqip. Dhe, kurdo që mundej, ai angazhonte mësues dhe staf zyrash që e flisnin gjuhën shqipe.

Dhe në fund, ai krijoi bazën për programin dygjuhësh, i përgatitur nga mësuesit që tashmë i kishte angazhuar si staf.

Eustace tha se departamenti i edukimit po e ndihmon me rimbursimin e shkollimit për mësues të tjerë shqipfolës që po punojnë për pajisjen me certifikatë për t’ua mësuar gjuhën shqipe nxënësve që e dëshirojnë këtë.

“Ka të bëjë me kuptimin dhe rëndësisë së paralelishgt me mësimin e anglishtes, ta ruajnë edhe gjuhën amtare”, tha ai, transmeton Koha.net

“Ju ndihmon të lidheni si person”, shton ai. (r.m.)

Parashikimi i Nostradamusit për 2019-ën mund të shkaktojë ankth

2019-ta po afron dhe nëse ishit optimistë se do të jetë më i mirë se viti që po lemë pas, parashikimi i Nostradamus mund t’ju bëjë të ndryshoni mendim. Sipas “profetit” që mbart me vete një numër të madh parashikimesh që kanë rezultuar të vërteta, mes tyre ngritja në pushtet e Hitlerit dhe sulmet e 11 Shtatorit, 2019-ta pritet të sjellë fatkeqësi nëpër glob.

Sipas një shkrimi të publikuar këtë të shtunë në të përditshmen britanike “Mirror“, në parashikimin e tij, Nostradamus thotë se gjërat do të vijojnë të përkeqësohen deri në 2046-n. Në librin e tij të vitit 1555, të titulluar “Les Propheties” (shqip: Profecitë), parashikuesi francez thotë se 2019-ta do të jetë fillimi i një lufte apokaliptike, që do të zgjasë rreth 3 dekada.

Libri që thuhet se parashikon ndodhi të së ardhmes, flet për përmbytje masive në pjesën më të madhe të Europës, ashtu sikurse edhe për një tërmet katastrofik që do të bjerë mes Kalifornisë dhe ishullit Vankuver, në Kanada. Ai parashikon gjithashtu shtim të terrorizmit dhe ekstremistëve fetarë në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, jo gjithçka është e zezë. Në shkrimet e tij Nostradamus sugjeron se liderët botërorë do të bëhen bashkë për të luftuar ndryshimet klimatike, ashtu sikurse shkencëtarët, që do të zhvillojnë një ilaç që mund të na lejojë të jetojmë mbi 200 vjet.

Libri i Nostradamus është i shkruar në vargje poetike dhe deshifrimi i tyre jo gjithmonë ka qenë i saktë. Shumë i atribuojnë atij parashikimin e ngritjes së Adolf Hitlerit.

Në Librin e tij ai do të shkruante: “Nga thellësia e Europës Perëndimore, një fëmijë do të lindë nga njerëz të varfër. Ai, gjuha e të cilit do të bëjë për vete trupa të mëdha; Fama e tij do të rritet drejt mbretërisë së Lindjes”.

Hitleri lindi nga prindër të varfër në 1889-n, në Europën Perëndimore dhe përdori aftësitë e tij oratore për të fituar mbështetjen e njerëzve për partinë e tij naziste, pas Luftës së Parë Botërore. Ai gjithashtu krijoi aleancë me Japoninë, apo ndryshe “Lindjen”, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ndër të tjera, Nostradamus ka parashikuar gjithashtu se njerëzit do të jenë në gjendje që në të ardhmen të flasin gjuhën e kafshëve.

Sigurisht, duke qenë se parashikoi që botës do t’i vinte fundi në vitin 1999, kjo mjafton për të thënë se parashikimet e tij nuk janë gjithmonë të sakta.

Fjolla Morina uron Vitin e Ri mes dy meshkujve: “Janë gjithmonë 2 më mirë sesa 1”

Fjolla Morina ka uruar ardhjen e Vitit të Ri në një mënyrë shumë të veçantë.

Këngëtarja publikoi një foto e shtrirë në shtrat mes dy meshkujve, e veshur me fustan të kuq.

“Gëzuar Vitin e Ri. Janë gjithmonë 2 më mirë sesa 1”, ka shkruar ajo

Ky njeri punon për 50 denarë në ditë…

Paradoks i shekullit!

Ky njeri dinjitoz, jeton në Shkup,
punon për 50 denar në ditë, mundohet dhe nuk e vjedh popullin, as shtetin, mjekët vlerësojnë se ka të meta psiqike dhe nuk e quan askush zotëri.

Gjithë ajo vjedhje nga politikanët, e plackiten popullin, e mbështetën për muri, mjekët nuk i diagnostifikuan me të meta psiqike dhe populli i quan ende, zotërinjtë!

Piramida e vlerave njerëzore është kthyer me majen nga toka.

Respekt, zotëri!, shkruan në profilin e saj në facebook Xhemile Memed Memeti, kryetare e Këshillit Komunal të Komunës së Çairit.

Nga ndalimi i Stresit tek Elvana Gjata, ‘molla e sherrit’ në bllok, ngjarjet që tronditën showbizin shqiptar në vitin 2018

Ky vit që kaloi kishte edhe ngjarje të hidhura që shënjuan jetën e disa prej personazheve publikë.

Viti 2018 nuk ka kaluar aspak në qetësi, sidomos për katër nga personazhet e njohur të showbizit shqiptar. Kujtojmë këtu arrestimin e reperi rkimed Lushaj, i njohur si Stresi, përfshirjen e këngëtares Elvana Gjata në krimin në bllok, bërja publike e marrëdhënies së vështirë që kishte Ermal Meta më të atin dhe e dashura e blogerit Nas Daily e cila filloi të qante në emisionin e moderatorit Ermal Mamaqi.

-Marrëdhënia e këngëtarit Ermal Meta me të atin.

Ermal Meta është një këngëtar mjaft i njohur, i cili përfaqësoi Italinë në Eurovision në vitin 2018. Kënga e cila u përzgjodh fituese “Non mi avete fatto niente” në bashkëpunim me Fabrizio Moron u përfol se i dedikohej marrëdhënies së vështirë të Ermalit me të atin. Madje ky i fundit e kishte dhunuar. Kjo gjë bëri që babai i Ermal Metës të reagonte me anë të një letre të publikuar nga “Shqiptarja.com”

-Përfshirja e Elvana Gjatës në krimin në bllok.

Mbrëmja e 4 tetorit përveçse tronditi kryeqytetin, la me pasoja edhe këngëtaren Elvana Gjata. Kjo e fundit është një nga zërat më të dashur për publikun shqiptar derisa i dashuri i saj, Ervin Mata u bë pjesë e një rkimi në bllok, ku shkak i konfliktit ishin pazare të dyshimta. Nga përplasja në lokalin “Monopol”, mbeti i vdekur Fabjol Gaxha dhe u plagos Ervis Martinaj dhe Eljo Hato.

Kjo gjë bëri që imazhi i Elvanës të rrëzohej para publiket dhe ajo nuk është bërë ‘e gjallë’ as në rrjetet sociale dhe as në lancimin e ndonjë kënge të re.

-Arrestimi i reperit Arkimed Lushaj

Arkimed lushaj u arrestua nga Policia e Tiranës në një hotel në Linza dhe për më tepër akoma, u përfol se prezent me të ishte edhe një vazjë 20-vjeçe, gjë që mendoi se do të shkaktonte krizë në marrëdhënien e tij me bashkëhsorten, Kejsi. Mbrëmjen e 17 tetorit kur reperi Stresi u arrestua nga policia nën akuzën e përfshirjes në një grup kriminal.

-E dashura e Nas Daily filloi të qante në emisionin e Ermal Mamaqit.

Kjo ngjarje u kthye vërtet në një telenovelë. E dashura e blogerit Nas Daily, Aline e quajti Ermalin ‘sexist’ dhe që e përdorte emisionin e tij për të vënë në fokus imazhin e femrave si simbol seksi.

Gjithçka erdhi pas një pyetjes së Kejvinës, e cila i tha Nasi-t nëse ai vizitonte vende të ndryshme për të njohur vajza. Kjo bëri që Alien të shpërthente në lot. Kjo ngjarje u pasua nga një video ku Ermali i kthente përgjigje të dashurës së blogerit duke i treguar s emënyrën e tij ai thjesht po bënte humor.

Skandalet e qeverisë shqiptare në 5 vjet (VIDEO)

PD ka publikuar një video, ku tregon sipas saj, skandalet e “Rilindjes” në 5 vjet.

“Përse e urrej Vitin e Ri”, refleksioni i mendimtarit italian Antonio Gramshi

Ky refleksion i gjatë i Antonio Gramshit është më shumë se një mendim rreth Vitit të Ri. Është një himn për pasurinë e jetës, rëndësinë fondamentale se çdo ditë përfaqëson në jetë një afat mbi të cilën mund të konfrontohesh.
“Dua që çdo mëngjes të jetë vit i ri për mua. Dua që çdo ditë të merrem me veten dhe të ripërtërihem. S’dua asnjë ditë të lënë mënjanë për pushim. I zgjedh vetë pushimet, atëherë kur dehem nga intensiteti i jetës dhe më shkrep të zhytem në kafshëri për të marrë energji të reja”, shkruan Gramshi.

Lexoni më poshtë shkrimin e plotë

E urrej Vitin e Ri

Nga Antonio Gramshi

Çdo mëngjes, kur zgjohem sërish nën zymtinë e qiellit, ndjej se për mua sot është dita e Vitit të Ri.

Prandaj i urrej këto vite të reja që bien si maturitete fikse, të cilat e shndërrojnë jetën dhe shpirtin njerëzor në shqetësim komercial me bilanc përfundimtar të pastër, me shuma marramendëse dhe buxhetin për menaxhimin e ri. Na bëjnë që të humbasim sensin e vazhdimësisë së jetës dhe shpirtit. Shkojmë e marrim seriozisht pastaj se mes vitit të vjetër dhe atij të ri ka një pushim, që një histori e re është duke filluar; i vendosim qëllime vetes dhe na vjen keq për daljet huq e kështu me radhë. Kjo përgjithësisht tregon atë se ç’të keqe kanë datat.Na thonë se kronologjia është shtylla e historisë. Në rregull. Por na duhet të pranojmë se janë katër a pesë data thelbësore, që çdo njeri i mirë i mban të ngulitura në kokë, të cilat ia kanë marrë mendtë historisë. Edhe ato janë vite të rinj. Viti i Ri i historisë romake, i Mesjetës apo i kohërave moderne.

Këta të fundit janë bërë aq mësymës e të fosilizuar saqë ndonjëherë e zëmë veten duke menduar se jeta në Itali ka filluar në vitin 752 dhe se vitet 1490 apo 1942 janë sikur bjeshkët që njerëzimi i ka lënë pas, duke e gjetur papritur veten në një botë të re e ardhur në një jetë të re. Kështu datat bëhen pengesë, një mur i ulët që na ndalon të shohim se historia vazhdon të shpaloset përgjatë të njëjtës linjë fondamentale të pandryshuar, pa ndonjë ndalesë të papritur si në kinema kur shkëputet filmi dhe ka një interval drite verbuese.

Prandaj e urrej Vitin e Ri. Dua që çdo mëngjes të jetë vit i ri për mua. Dua që çdo ditë të merrem me veten dhe të ripërtërihem. S’dua asnjë ditë të lënë mënjanë për pushim. I zgjedh vetë pushimet, atëherë kur dehem nga intensiteti i jetës dhe më shkrep të zhytem në kafshëri për të marrë energji të reja.

Nuk dua të ketë oportunizëm shpirtëror. Do të dëshiroja që çdo orë e jetës sime të jetë e re, ndonëse e lidhur me ato që kanë kaluar. Asnjë ditë festive, me ritmet e detyrueshme kolektive të saj, s’dua ta ndaj me të huajt që s’më interesojnë. Meqenëse gjyshërit e gjyshërve tanë, e kështu me radhë, kanë festuar, duhet të festojmë edhe ne. Kjo është e neveritshme.

Edhe për këtë arsye pres socializmin. Sepse ai do t’i hedhë në plehra gjithë këto data të cilat nuk kanë jehonë në shpirtin tonë dhe, në krijoftë të tjera, së paku do të jenë tonat dhe jo ato që duhet t’i pranojmë pa rezerva nga paraardhësit tanë të trashë.

Antonio Gramshi, 1 janar 1916, Avanti!, edicioni torinez, rubrika “Sotto la Mole”.

Përse shkelmojnë bebet në barkun e nënës

Përse bebet shkelmojnë në barkun e nënës? Kjo është një pyetje që çdo nënë e ka menduar të paktën njëherë dhe tani mbërrin një përgjigje nga shkenca. Fetusi nis të lëvizë në barkun e nënës atëherë kur fillon eksplorimin. Kjo gjë i shërben për të krijuar një hartë të trupit të vet dhe hapësirës që e rrethon.

Ky është konkluzioni që mbërrin nga një studim mbi aktivitetin cerebral mbi një grup të porsalindurish, realizuar nga Universiteti College London dhe publikuar në revistën Scientific Reports.

Shkencëtarët kanë ekzaminuar spostimet e këmbëve dhe krahëve të bebeve në hapësirën e tyre. Autorët janë përqendruar kryesisht në aktivitetin e trurit duke matur valët cerebrale.

Pas analizimeve të gjata, mendohet se në tre mujorin e fundit të shtatzënisë, shkelmimet në barkun e nënës mund të kenë një rol të rëndësishëm pasi mund të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e disa zonave të trurit të lidhura me perceptimin e trupit. Kjo është arsyeja që lëvizjet janë më intensive dhe të shpeshta, pohojnë autorët e studimit.

I mori jetën dhëndrit, vjehrri: Mu errën sytë, kërcënoi me jetë familjen

Vjehrri që vrau dhëndrrin ka rrëfyer përpara hetuesve të gjthë kronologjinë e ngjarjes. Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë në Maqellarë të Dibrës. Ai shprehet se gjithçka është bërë për vetëmbrojtjes. “Na erdhi në shtëpi me një thikë të madhe në dorë dhe pasi plagosi njërin prej nesh, kërcënonte se do të na vriste të gjithëve. Pata frikë se do të na sulmonte edhe gratë e fëmijët, ndaj shkula një dru nga gardhi dhe e godita në kokë”, ka dëshmuar 68- vjeçari Veli Çidhnoku, i akuzuar për vrasjen e ish-dhëndërrit Adriatik Jella.

Ndaj 68-vjeçarit rëndon akuza e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare, në bashkëpunim. Pavarësisht se 68-vjeçari thotë se është autori i krimit, polici ende dyshon në dëshminë e tij, pasi dyshon se ai po mbron anëtarët e tjerë të familje. Dyshohet se viktima ka pasur konflikte më kunetërit dhe mysafirët e familjes Cidhnaku. Të dyshuar për ngjarjen janë edhe miku i familjes, Flamur Delishi (i cili mbeti i plagosur) dhe Gani Cidhnoku.

Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, banesa e autorëve të krimit është marrë në mbrojtje nga efektivët e Policisë Bulqizë, pasi ka dyshime se të afërmit e Jellës mund të hakmerren ndaj familjes Cidhnaku. “Pas arrestimit, Veli Cidhnaku ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Ai ka pohuar se konfliktet me dhëndrin kanë nisur katër muaj më parë, kur ai është arrestuar nën akuzën e dhunës në familje. Vajza e tij e ka denoncuar në Polici se Adriatiku e rrihte dhe e kërcënonte me jetë.

Pas arrestimit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër e dënoi me një vit burg, por pas dy a tre muajsh, Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi lirimin e Jellës nga Burgu i Burrelit. Viktima ka qenë një person problematik dhe i dhunshëm. Ai është denoncuar jo vetëm nga gruaja, por edhe nga qytetarë të tjerë si person që krijonte incidente”, thanë zyrtarë të Policisë Dibër. Ato shtuan se çështjen po e hetojnë Krimet e Rënda, por pak orë pas arrestimit, Veli Cidhnaku është shprehur se duke goditur Adriatik Jellën me një dru në kokë, ka mbrojtur nderin e familjes dhe të miqve të familjes.

Dëshmia e vjehrrit

“Familja ime ishte e tronditur. Djalit tim, Adriatikut, i preu veshët në mes të Maqellarës. Jo vetëm na turpëroi publikisht, por rrezikoi jetën e tij. Pak orë pas ngjarjes, në shtëpi erdhi dhëndri tjetër dhe një miku ynë. Erdhën të na qetësojnë për atë që ndodhi në Maqellarë. Nuk e mendonim kurrë se Adriatiku do të guxonte të na vinte në shtëpi pas asaj që bëri”, është shprehur në polici 68-vjeçari Cidhnaku. Ai ka treguar me hollësi momentin, kur rreth orës 21:00 të së enjtes, ka dëgjuar zëra në oborrin e banesës dhe së bashku me djemtë dhe miqtë e familjes ka dalë nga shtëpia. Në afërsi kanë parë 39-vjeçarin Jella. “Më nxirrni gruan se do ta marr me vete. Po nuk u bindët, do t’ju vras të gjithëve, që nga fëmijët e djepit. Mos guxoni të afroheni. Nuk shpëton asnjë i gjallë”, na thoshte dhëndri, që mbante në dorë një thikë të madhe”, është shprehur më tej 68-vjeçari i arrestuar.

Sipas të moshuarit, Jella i është sulur fillimisht mikut të shtëpisë, Flamur Delishit, duke e plagosur rëndë në bark. Kur ai ka parë mikun e rrëzuar përdhe që ishte plagosur, ka reaguar duke e qëlluar dhëndrin me dru në kokë.

“M’u errën sytë. Adriatiku fillimisht nuk la fjalë pa thënë për gratë e shtëpisë. Pastaj plagosi rëndë mikun tonë. Unë nuk mund të bëja sehir. Nderi ynë ra përtokë. Kisha frikë që dhëndri do të vazhdonte sulmin me thikë ndaj djemve dhe grave. Shkula nga gardhi një dru dhe e godita në kokë. Nuk na ka lënë gjë pa bërë ky person. Lus Zotin që kam gjallë djalin dhe mikun. Drejtësia duhet të thotë fjalën e saj.

Policia dhe Gjykata nuk bënë si duhet detyrën, ndryshe nuk të kishte ndodhur gjithë kjo hata”, ka shtuar Veli Cidhnaku. Pas ngjarjes, ai nuk është larguar nga banesa, por ka pritur mbërritjen e Policisë Lokale. Në vijim të rrëfimit të ngjarjes, vjehrri i viktimës ka treguar se Policia e ka transportuar fillimisht dhëndrin në gjendje të plagosur deri tek ura e Topojanit me një barelë të improvizuar, ndërkohë aty ka mbërritur një ambulancë e Spitalit Rajonal të Peshkopisë.

Vjehrra e viktimës,: Adriatiku në kërcënonte me përdhunim

Referuar intervistës së vjehrrës së viktimës, Fidane Cidhnaku, ai ka ushtruar terror në banesën e tyre, ndërsa i ka kërcënuar edhe me përdhunim. Ajo tha se pak pasi Adriatiku kishte plagosur kunatin, ishte nisur drejt shtëpisë së tyre dhe më pas kishte plagosur vëllain e nuses së saj. E moshuara tha se me dru 40-vjeçarin e kishin qëlluar dy vëllezërit e nuses së djalit të saj. Po ashtu ajo shtoi se Jella i kishte kërcënuar me jetë të gjithë si familje, madje edhe me akte më ekstreme. “Oh, ma vrau djalin. Ma goditi me dy thika, i preu edhe veshët. Djalin ma ka plagosur në Maqellarë dhe ma ka lënë pa ndjenja. Djalin e kanë çuar në spital pa ndenja, dhe të mbuluar në gjak. Pasi më plagosi djalin, ai tha; Nuk mbaron me kaq, kam më. Do vijë t’u bëjë Kosovë. Po gjithmonë na bënte presione. Një ditë erdhi këtu dhe kërcënoi plakun tim; ‘o dua gocën, ose do t’ju shfaros krejt’. Ça nuk na ka bërë. Nuk ka lënë pa sharë fëmijë dhe nuse në këtë derë, çfarë nuk u ka thënë. Lerë gocës time çfarë s’i ka bërë, lloj-lloj shpifje. Se u merrte me telefona dhe “Facebook”. Edhe ma bëri vajzën zi, ma izoloi, na e bëri katran”, tha ajo.

Si u zhvillua gjuha njerëzore? Shkencëtarët nuk e dinë ende

Nga Bridget Alex

Njerëzit kanë gjuhë, që nuk i kanë kafshët e tjera. Kjo është e qartë, por se si ka ndodhur kjo, ende nuk dihet. Që nga koha e Darvinit , shkencëtarët janë habitur me evolucionin e gjuhës. Ata mund të vëzhgojnë produktin e sotëm:Njerëzit kanë sot kapacitet për të ditur një gjuhë, qoftë të folur apo të shkruar.

Dhe ata mund të nxjerrin përfundimin e gjendjes fillestare:Sistemet e komunikimit të majmunëve të tjerë, sugjerojnë aftësitë e pranishme tek paraardhësi ynë i përbashkët. Por pyetja 1 milion dollarëshe, është ajo që ndodhi midis:Si kaluam nga komunikimi si i majmunëve, në gjuhën e plotë njerëzore?

Shumica e shkencëtarëve, mendojnë që kjo ndodhi në faza , pasi paraardhësit tanë evoluan në përshtatje të nevojshme për gjuhën. Në fazat e hershme, paraardhësit tanë njerëzorë do të kishin përdorur një lloj proto-gjuhe më komplekse sesa komunikimi i majmunëve, por me mungesë të elementëve të gjuhës moderne.

Por çfarë ishte saktësisht kjo proto-gjuhë? Në këtë pikë ka shumë debate. Disa studiues, argumentojnë se paraardhësit tanë këndonin para se të flisnin. Të tjerë pretendojnë se proto-gjuha, ishte dominuar nga gjeste pantomimike. Por para se të përpiqemi të shpjegojmë se si u zhvillua gjuha, ne duhet të sqarojmë saktësisht se çfarë ka evoluar.

Ne duhet të përcaktojmë se çfarë është gjuha, dhe si ndryshon ajo nga aftësitë komunikuese të të afërmve tanë evolucionarë, majmunëve të mëdhenj. Në gjuhën njerëzore, tingujt dhe shenja arbitrare përfaqësojnë fjalë specifike, të cilat mund të mësohen, shpiken dhe kombinohen pafundësisht brenda strukturave gramatikore.

Ne mund të flasim për çdo gjë që mund të mendojmë – mbi planet tona, ushqimet, politikën. Dhe shumë deklarata kanë kuptime specifike, që janë të varura nga konteksti. Për shembull “Si jeni?” Mund të jetë një përshëndetje, dhe jo një pyetje që kërkon të mësojë diçka. Gjuha na lejon të lidhemi me të tjerët, ose t’i takojmë ata.

Edhe pse gjuha jonë amtare nuk është e lindur, të vegjëlit e mësojnë atë pa ndonjë përpjekje të ndërgjegjshme. Këto cilësi, e bëjnë gjuhën një sistem komunikimi të jashtëzakonshëm, që gjendet ekskluzivisht vetëm tek njerëzit. Por sistemi mund të ndahet në komponente, ose tipare të nevojshme për gjuhën.

Dhe këto lindën në kohë të ndryshme në të kaluarën tonë evolucionare. Tiparet e përbashkëta me majmunët e tjerë, ekzistonin miliona vjet më parë tek paraardhësi ynë i përbashkët. Karakteristikat që nuk i shohim tek majmunë të tjerë, shfaqen ndoshta vetëm tek hominidët , dega evolucionare që përfshin njerëzit dhe të afërmit tanë të zhdukur.

Ekzistojnë të paktën 3 elementë të gjuhës, që janë të pranishme vetëm tek hominidët:Së pari, ka një kontroll të shkëlqyer mbi kordat tona zanore. Majmunë të tjerë, ka të ngjarë të lindin me një repertor më të kufizuar të vokalizimeve.

Dallimi kë të bëjë me atë se si është ndërtuar truri ynë:Njerëzit kanë lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet neuroneve që kontrollojnë kutinë tonë të zërit dhe korteksit motorik, rajonin e trurit, që është përgjegjës për lëvizjet e vullnetshme. Skanimi i trurit, tregon se këto lidhje mungojnë tek primatët e tjerë.

Tjetra është prirja jonë për të komunikuar, për hir të komunikimit . Për ta përmbledhur këtë, biologu evolucionist gjerman Ë.Tecumseh Fitch, përdori termin gjermane Mitteilungsbedürfnis “nxitja për të ndarë mendimet”. Teksa shimpzetë përdorin një grup të caktuar thirrjesh dhe gjestesh për të përcjellë gjërat thelbësore – ushqimin, gjininë dhe rrezikun – njerëzit flasin për lidhjen dhe shkëmbimin e ideve, dhe përpiqen të sigurohen se janë kuptuar.

Shumica e studiuesve, ia atribuojnë këtë ndryshim një ideje të quajtur “teoria e mendjes”, mirëkuptimi se të tjerët kanë mendime. Shimpanzetë tregojnë një teori më të kufizuar të mendjes, ndërsa njerëzit e dinë se njerëzit e tjerë mendojnë gjëra – dhe ne vazhdimisht përdorim gjuhën për t’i zbuluar dhe ndikuar tek ato mendime.

Dallimi i fundit, është sintaksa hierarkike. Fraza dhe fjalia, kanë strukturë të mbivendosur, dhe këto sigurojnë një kuptim, përtej sekuencës së thjeshtë të fjalëve. Për shembull, merrni fjalinë: “Çadi, që kishte dalë për të darkuar jashtë me Tonin, ishte vonë në takim”.

Përpunimi hierarkik i sintaksës, na lejon të interpretojmë saktësisht se Çadi ishte vonë në takim, edhe pse “Toni” është më afër foljes ”ishte vonë”. Mbi 60 vjet më parë, gjuhëtari Noam Çomski, propozoi sintaksën hierarkike si një çelës për gjuhën. Pra, hipotezat mbi origjinën gjuhësore, duhet të shpjegojnë (të paktën) këto 3 karakteristika:mësim dhe kontroll të saktë vokal, komunikim të hapur shoqëror, dhe sintaksë hierarkike.

Tani si lindën këto komponente, dhe në fund konverguan, për të përbërë gjuhën? Ekzistojnë disa pikëpamje mbizotëruese, të cilat ndryshojnë në termat e presioneve evolucionare që favorizojnë përshtatjet gjuhësore, rendin që lindën këto adaptime, dhe natyrën proto-gjuhësore përgjatë atij procesi.

Disa besojnë se kontrolli i saktë vokal dhe të mësuarit, ishte tipari i parë i gjuhës që shfaqet tek hominidët – dhe jo për të folur, por edhe për të kënduar. Ideja e proto-gjuhës muzikore, vjen nga vetë Darvini, dhe është modifikuar gjatë viteve nga studiues të ndryshëm.

Gjatë kësaj faze hipotetike të këndimit të evolucionit njerëzor, mbijetesa e paraardhësve tanë dhe suksesi riprodhues, do të vareshin nga këndimi, në kontekstin e ruajtjes së lidhjeve shoqërore, tërheqjes së bashkëshortëve apo qetësimi të foshnjave. Një pikëpamje alternative, thotë se proto-gjuha karakterizohej nga gjestet dhe pantomimat.

Në këtë rast, sintaksa dhe komunikimi shoqëror, do t’i kishin paraprirë aftësive vokale. Forca e hipotezës së gjesteve, është se të afërmit tanë më të ngushtë, shimpanzetë, shfaqin gjeste më të kontrolluara dhe të ndryshueshme ( mbi 70 dhe numërimin) sesa thirrje ( 4 lloje, dhe më të vështira për t’u dalluar në nëntipe). Dobësia e kësaj pikëpamjeje është, se është e paqartë se pse apo si u bë gjuha aq e dominuar nga të folurit.

Të tjerë, të bindur se sintaksa hierarkike u shfaq e fundit, propozojnë një proto-gjuhë me fjalë simbolike, por që nuk ka fjali të ndërlikuara dhe të mbivendosura. Sipas kësaj pikëpamje, paraardhësit tanë para-gjuhësorë, flisnin pak e shumë si foshnjat – “Ujë! Etje!”- ose në imazhin e pop-kulturës të njerëzve të shpellave:Unë gjuaj mamuthë. Unë dua seks”.

Këto modele, nuk janë reciprokisht ekskluzive.

Disa studiues, i integrojnë ato në faza të njëpasnjëshme, të lidhura me lloje të ndryshme hominidësh. Ndoshta ndërmjet 2 dhe 4 milion vjet më parë, australopitekët si Lusi ishin këngëtarë të talentuar. Nga 1.9 milionë vjet më parë, Homo Erektus, kombinonte gjeste dhe vokalizime shprehëse në ritualet e grupeve.

Sintaksa hierarkike, u shfaq vetëm rreth 200.000- 300.000 vjet më parë me paraqitjen e specieve tona, Homo Sapiens. Ky mund të tingëllojë si një spekulim (dhe disa shkencëtarë e përjashtojnë atë si të tillë, si p.sh Çomski). Por shumë studiues tentojnë të ndryshojnë:Modelet shkencore të evolucionit të gjuhës, rrjedhin nga provat e mbledhura nga biologjia krahasuese, neuroshkenca, gjenetika, gjuhësia dhe paleo-antropologjia.

Kjo e fundit, përfshin të dhëna mbi mënyrën se si komunikojnë kafshët, sistemin e trurit dhe të gjeneve në bazë të gjuhës, kompleksitetit të objekteve në regjistrin arkeologjik, dhe ndryshimet në anatominë dhe madhësinë e trurit , të ruajtura në fosile. Më e rëndësishmja, modelet bëjnë parashikime për hulumtimet e ardhshme – çfarë mund të gjendet, nëse kjo është vërtet mënyra se si filloi gjuha origjinale.

“Discover Magazine” – Bota.al

Një ekzekutim afër Zürichut dhe konflikti shumëvjeçar mes familjeve Istrefi dhe Bojku në Strugë

Ka banda shqiptare që zhvillojnë beteja të përgjakshme kundër njëra-tjetrës. Bëhet fjalë për drogë, prostitucion apo fajde. Këto konflikte në të shumtën e rasteve nuk kanë të bëjnë fare me gjakmarrjen sipas Kanunit. Një vrasje në Rüti afër Zürichut para disa ditësh është pasojë e një ngatërrese të përgjakshme që zanafillën e ka në Strugë.

Nga Enver Robelli

Ndërsa të krishterët në Zvicër po festonin Krishtlindjen, një person i panjohur vrau më 25 dhjetor pronarin e një restoranti në Rüti afër Zürichut. Viktima ishte 51-vjeçar. Sipas policisë bëhej fjalë për një shtetas maqedonas. Dje kufoma e shqiptarit Inajet Istrefi u varros në Strugë. Në një portal lokal u botua një shkrim i familjes, ku renditeshin aktivitetet e të ndjerit si përkrahës i partive politike e organizatave në Kosovë e Maqedoni si dhe luftërave çlirimtare.

Kjo vrasje duket se ka një dimension më të gjerë. Ajo është pasojë e një konflikti shumëvjeçar mes familjeve Istrefi dhe Bojku në Strugë. Në vitin 2015 në Strugë u vra i biri 23-vjeçar i Inajet Istrefit; djali tjetër i tij u plagos rëndë. Dy vite më vonë, në gusht të vitit 2017, në Strugë u vra Dilaver Bojku, i njohur me nofkën Leku, i përshkruar si njëri prej «mbretërve» të nëntokës ballkanike, i kërkuar edhe nga drejtësia amerikane. Brenda tri viteve – tre të vrarë.

Beteja që filloi te Liqeni i Ohrit

Sipas familjes Istrefi konflikti kishte filluar në vitin 2013, kur autoritetet e Strugës vendosën të prishin disa objekte pa leje pranë Liqenit të Ohrit. Pas këtij vendimi u kërcënua një anëtar i familjes Istrefi, i cili punonte në administratën e komunës së Strugës. Kërcënuesit ishin nga familja Bojku. Familja Istrefi thotë se familjari i tyre më vonë edhe është rrahur nga familja kundërshtare. Pastaj radha i erdhi vëllait të Dilaver Bojkut, Bashkimit, i cili u rrah – sulmuesit ishin nga familja Istrefi, pretendon familja Bojku. Por, familja Istrefi e mohon këtë dhe thotë se Bojkët kishin plot e përplot llogari të hapura me shumë palë. Sidoqoftë, më 2015 u vra njëri djalë i Inajet Istrefit, ndërsa tjetri u plagos rëndë. Për këtë krim është dënuar Bashkim Bojku. Sipas mediave maqedonase konflikti mes dy familjeve lidhet me koncesionin për një plazh në Strugë.

Pa marrë parasysh se cila është e vërteta në këtë ngatërresë, vrasja në Rüti ka tronditur sërish opinionin zviceran. Një pjesë e mediave janë ngutur që vrasjen ta quajnë gjakmarrje sipas rregullave të Kanunit arkaik e mesjetar shqiptar. Është një rregull i pashkruar: sa herë që ndodhin vrasje në komunitetin shqiptar në Zvicër apo gjetiu në Perëndim, në mediat zvicerane menjëherë përmendet Kanuni. Kjo mund të shpjegohet me dëshirën e shumë mediave për ekzotikë. Kush e lexon apo dëgjon fjalën gjakmarrje, menjëherë rrëshqet në mesjetën e errët ballkanike të shekullit të ’15, ku dominojnë zanat, shtrigat dhe burrat në pritë. Një pikturë e zviceranit Frank Buchser nga viti 1884 bart titullin «Albanese auf der Lauer». Një shqiptar me qeleshe të zverdhur nga dielli qëndron në një livadh me lule dhe shpata që shkëlqen në diell gjendet mes palëve të fustanellës. Burri dëgjon me vëmendje. A do të marrë hak së shpejti? A do ta plaçkit një karvan? A do të sulmojë udhëtarë? Fantazia e vëzhguesit të pikturës është e pafundme.

Balanca e gjakut

Gjakmarrja është e rregulluar në Kanun, të drejtën zakonore shqiptare. Kush e vret dikë, ai duhet të llogaris se familja e viktimës do të «marrë gjak». Gjaku lahet me gjak, sipas Kanunit. Por, ka disa rregulla edhe për gjakmarrje. Vrasësi pasi t’ia marrë jetën viktimës, duhet ta drejtojë kufomën dhe ta njoftojë familjen për vrasjen. Nga gjakmarrja janë të përjashtuar gratë, fëmijët, prijësit fetarë, pleqtë, të sëmurët mentalë. Pas vrasjes mund të sillet një spirale me gjakmarrje pas gjakmarrjes, herë duke marrë kah njëra palë, herë tjetra. Persona me autoritet mund të ndërmjetësojnë mes palëve dhe të arrijnë pajtimin. Pajtimi mund të bëhet edhe kur të dy palët pajtohen se kanë arritur njëfarë balance të gjakut.

Kanuni shpesh është quajtur Ligji i Maleve. Perandoria Osmane pothuaj se nuk ka qenë e pranishme në alpet shqiptare. Në mungesë të shtetit, njerëzit zhvilluan një sistem të pashkruar juridik. Më 1933 Kanuni u botua për herë të parë sipas paragrafëve që i kishte mbledhur teologu i lindur në Kosovë, Shtjefën Gjeçovi. Në pjesët e rrafshëta të viseve të banuara me shqiptarë Sulltani ishte i pranishëm me kalorës, guvernatorë e nëpunës të tjerë, andaj arrinte të impononte kulturën juridike osmane. Në këto vise Kanuni me 1263 paragrafët e tij nuk ka qenë pothuaj kurrë në fuqi ose ka qenë vetëm në faza të caktuara. Gjithsesi në pjesën veriore të Shqipërisë dhe në disa pjesë perëndimore të Kosovës Kanuni ka qenë pjesë e jetës sociale dhe e zgjidhjes së ngatërresave. Por, a ka qenë ashtu edhe në Prizren, Tetovë, Strugë apo Ohër, qytete këto të integruara gati plotësisht në sistemin osman? Historianët thonë se duhet të bëhet dallimi mes malit dhe rrafshinës – lart vlente Kanuni, poshtë jo.

128 viktima për vada e male

Se shteti osman nuk kishte arritur pas shumë e shumë deceniesh të etablojë sistemin e tij juridik në viset shqiptare, tregon ky shembull, të cilin historiani Oliver Jens Schmitt e sjell në librin e tij mbi historinë e Kosovës: «Në vitin 1890 Sulltan Abdylhamiti e ngarkoi gjeneralin e tij komandues në Kosovë, Et’hem Pashën, për të zgjidhur një zënkë mes fiseve Gashi dhe Shala. Gjenerali mblodhi parinë shqiptare-myslimane nga Gjakova dhe Peja, si dhe krerët e fiseve të Junikut dhe Vokshit. Objekt i konfliktit ishte një mal i liruar nga tatimi, i cili i takonte Manastirit ortodoks të Deçanit. Banorët e fshatrave përreth gëzonin të drejtën që të prisnin dru në këtë mal. Por, në vitin 1716 banorët e fshatrave kishin filluar një ngatërresë me pjesëtarët e fisit Shala lidhur me kufizimin e saktë të pronësisë përkatëse të tokës. Në vitin 1870 shpërtheu një luftë e hapur, e cila kishte pushuar përkohësisht pas ndërmjetësimit të fiseve Berisha dhe Thaçi. 20 vjet më vonë konflikti shpërtheu sërish, kësaj radhe për shkak të vadave nga lumi i Bistricës për ujitjen e arave. Brenda një viti në fshatin Isniq (Shalë) u plagosën 38 burra dhe 25 u vranë, fshati Deçan kishte 43 të plagosur dhe 23 të vdekur. Në përgjithësi kjo fushatë hakmarrjeje brenda një viti ua mori jetën 128 viktimave».

Familje të ngujuara

Vetëgjyqësia shqiptare nuk është zhdukur ende. Por, nuk kemi të bëjmë me një fenomen masiv, siç supozojnë mediat zvicerane. Raste të gjakmarrjes ka ende në Shqipërinë veriore, mediat shpesh njoftojnë për raste të trishtueshme: burra që me vite janë të mbyllur në shtëpi, djem që nuk shkojnë në shkollë nga frika e hakmarrjes, gra që duhet të kryejnë të gjitha punët jashtë shtëpisë. Sipas një raporti të BBC të nëntorit të vitit 2017 në qytetin e Shkodrës janë 68 familje që nuk guxojnë të braktisin shtëpitë, sepse «janë në gjak». Claas Relotius, një reporter i revistës gjermane «Der Spiegel», kishte shkruar në një të ashtuquajtur reportazh se vetëm në Shkodër mbi 3000 familje janë të prekura nga gjakmarrja. Dëshmi për këtë ai s’ka ofruar.

Fakt është se në mjediset e banuara me shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë perëndimore ka grupe kriminale. Ato kanë lidhje të ngushta me banda në Zvicër, Itali dhe Gjermani, ku jetojnë rreth një milionë shqiptarë apo shtetas të këtyre vendeve me origjinë shqiptare. Shumë nga këto banda drejtohen prej burrave të moshës së re, të cilët nuk kanë çfarë të humbin. Ata janë aktiv në shitjen e drogës dhe në prostitucion. Kush interesohet pak mbi situatën në komunitetin shqiptar në rrethinën e Zürichut, ai mëson se gjithnjë e më shumë po përhapet edhe fenomeni i fajdeve.

Shtetet e dobëta

Konfliktet në këtë ambient në të shumtën e rasteve nuk kanë të bëjnë me gjakmarrje. Janë larje hesapesh, beteja për kontroll biznesi e territori, ngatërresa mes klaneve e familjeve – siç ndodhin edhe mes grupeve turke, arabe apo italiane në shumë metropole europiane. Askush në rastet e tyre s’flet për gjakmarrje.

Shqipëria është prodhuesja më e madhe e kanabisit në Europë. Në këtë biznes luan rol edhe mafia italiane. Një shef i policisë shqiptare, i cili ka qenë i angazhuar në jug të Shqipërisë, më 2017 ka marrë azil në Zvicër pasi i kishte akuzuar politikanët për lidhje me bandat e drogës.

Se a do të jetë vrari në Rüti afër Zürichut, Inajet Istrefi, i fundit në këtë plojë, mbetet të shihet. Vrasjet tregojnë se krimi i organizuar ende mbetet i fuqishëm në viset shqiptare dhe shtetet – në këtë rast ai maqedonas – nuk veprojnë me rigorozitet të duhur. Vitin e kaluar revista Lonely Planet e shpalli Ohrin pikën e pestë më të bukur turistike në botë. Rruga për të shkuar në Ohër kalon nga Struga. Nga turizmi do të mund të përfitonte edhe Struga, qyteti i Dervish Himës dhe Ibrahim Temos -po të mos tronditej gati çdo vit nga vrasjet. Policia zvicerane ende nuk e ka kapur vrasësin e Inajet Istrefit.

Një version më i shkurtër i këtij teksti është botuar në gazetën zvicerane «Tages Anzeiger».https://www.tagesanzeiger.ch/zuerich/region/blutrache-gier-nach-exotik/story/22755743

Pse buka gjermane është më e mira në botë?

Gjermania dallohet për makinat e lluksit si BMW, Audi, Mercedes Benz, por jo vetëm.

Në Gjermani, e veçanta është se buka gjermane është më e mira në botë dhe në veçanti kur shoqërohet me një gotë birrë.

Gjermanët kanë më shumë furra buke dhe konsumojnë shumë lloje buke sesa shumica e vendeve të tjera në botë.

Zakonisht, kultura për të konsumuar mjaft bukë gjermane u shtua zyrtarisht nga trashëgimia kulturore e UNESCO –S nga viti 2015, raporton SCAN.

Bukë është një element kryesor për shumicën e ngrënies në Gjermani: në mëngjes, në kohën e pushimit apo edhe gjatë darkës.

Pra, përse gjermanët janë kaq të marrosur pas panineve, gjevrekëve dhe simiteve?

Një nga arsyet për këtë shumëllojshmëri të madhe në produktet e bukës është historia e fragmentuar e Gjermanisë deri në shekullin e 19-të.

Pra, gjermanët deri në ditët e sotme kanë tendencë të hanë bukë të thekur, të prodhuar me thekër, miell integral dhe grurë dhe të mbushur me fara susami.

Fëmija i parë i vitit 2019: Në Shkup dhe Tiranë djem, në Prishtinë vajzë

Fëmija i parë i lindur në vitin 2019 në Shkup është i gjinisë mashkullore dhe ka lindur një minutë pas mesnate në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Akusherisë së Qendrës Klinike Universitare të Shkupit.
Pesha e tij është rreth 3 kg dhe gjatësia 52 cm, transmeton Tetova News

Në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK ka lindur fëmija i parë për vitin 2019 në Kosovë.
Gjinekologu kujdestar në Sallën e Lindjes në Klinikë e Gjinekologjisë në QKUK, Dr. Naser Berisha, ka treguar për Gazetën Shneta se nëna me iniciale M.G. 18-vjeçare nga Fushë Kosova ka lindur foshnjën e gjinisë femërore.
Berisha ka thënë se lindja është kryer me operacion cezarian dhe se nëna dhe foshnja janë në gjendje të mirë shëndetësore. Bebja ka lindur në orën 00:37 me peshë 4.5kg.
Ekipi që ka mundësuar lindjen e nënës në krye me Dr. Naser Berishën, kanë qenë Dardane Ukelli, Shqipe Fetiu, Arianit Sherifi.

Vetëm 2 minuta pasi ka trokitur në Tiranë Viti i Ri 2019, ka ardhur në jetë edhe fëmija i parë për këtë vit.
Ai është djalë, dhe peshon 3150 gramë.
Kujtojmë se nga ora 00:00, në Shqipëri ka hyrë në fuqi ligji për mbështetjen financiare për të sapolindurit, të cilët do të fitojnë nga 40 mijë lekë deri në 120 mijë lekë të rinj. Thënë ndryshe fëmija i parë përfiton 40 mijë lekë të rinj, i dyti 80 mijë lekë dhe i treti 120 mijë lekë. Nëse janë binjakë të dy përfitojnë nga 80 mijë lekë, e nëse janë 3 njakë nga 120 mijë.

Shok i dashtun, unë përgjithësisht nuk shkruej urime…

Nga Migjeni

Shok i dashtun, unë përgjithësisht nuk shkruej urime, as për Krishtlindje, as për Bajram, as për ditëlindje, as për ndoj feste tjetër. Nuk shkruej, pse urimet qe n’ato dite tan bota ban, nuk dij a plotësohen një për qind se pothuej të gjitha dalin nga hipokrizia. Bota ketë e din, por njësoj vazhdon të shkruejë urime. As për Motmotin e Ri deri tash nuk i urova askujt asgja.

Por, kësaj here due të hyj në radhën e njerëzve korrektë dhe t’u uroj shokve të mi Motmotin e Ri 1937.

Së pari, t’uroj, shok i dashtun gjumin e ambël, që të mos ndëgjosh si gjëmojnë njerëzit nën barrën e kryqave të vet tue mundunve, as britmën e ngadhnjysve në këtë jetë. Te mos dëgjosh bubullimën e Spanjës. Gjumin e ambël! Të mos dëgjosh si afër teje gërset dhëmballa për dhëmballë, nga të ftohtit. Pse atëherë duhet të pyesësh: moj dhëmballë, pse ndeshe për dhëmballë dhe gërset aq?

E gjuha në vend të dhëmballës përgjigjet: pse asht ftohtë, zotni, e kur asht ftohtë, zotni, u hyn dreqi trupit, muskulave, nervave, zotni, dhe qashtu gërset dhëmballa për dhëmballë, zotni. Asht tepër banale të themi se mungon veshja dhe mbathja dhe zjarrmi, prandej: gjumin e ambël, shok i dashtun.

Se dyti, mbas gjumit t’ambël, t’uroj – ç’asht dhe e natyrshme – të jesh i gëzuem, gjithmonë i gëzuem. Nga gëzimi i madh, ne sentimentalizëm, të puthish drrasat e dhomës e shtyllat, si bani Greta Garbo në filmin “Mbretnesha Kristina”, kur shijoi dashunin shtazore (desha të them hyjnore, por njësoj asht).

Aq i gëzuem, saqë bota të ta kenë zili dhe të thonë: oh, sa i lumtun asht! Të jesh i gëzuem edhe pse n ‘anë tjetër zemra të pëlset, si paljaços. Te jesh i gëzuem, se gëzimi yt u jep shpresa edhe tjerëve. Në rasë se tryeza e shkrimit të çalon, ti qeshu. Në rasë se e vetmja karrige që ke në shtëpi asht e shpueme dhe s’ke se ku të rrish, ti qeshu.

Në rast se s’ke zjarrm e ke të ftohtë, po, ti qeshu. Në rasë se ndonj ditë, ashtu kot, të mungon dhe buka, ti merre për lojë, për shaka, dhe qeshu, qeshu. Del në rruge bile, në kryqzimin e udhve, dhe qeshu, qeshu, qeshu, e bota do ta ketë zili dhe do të thotë: ah, sa i lumtun asht! E kur të të vije në shtëpi ta shofi shkakun e gëzimit tand, do t’i kujtohet botës vetvetja dhe do të fillojë të qeshi kikikikakaka. Smundja e të qeshunit do të përhapet ndër të gjithë dhe njerzit si majmunat do të hidhen përpjetë nga gëzimi…

Dhe kështu uroj që vjetin 1937 ta kalojmë në gëzim, edhe se të smundë patalogjisht.