GANI MEHMETAJ
“Boshnjakët” e Sanxhakut prapë do të ndërrojnë kombësi. Dikur ishin shqiptarë, Turqia i islamizoi me dhunë, Serbia i sllavizoi -boshnjakizoi me gjak e me zjarr. Kur hyri ushtria shqiptare u rikthyen në shqiptarë. Me ardhjen e trupave serbe e malazeze u risllavizuan. Tito i shpall komb myslimanë, që s’kishin shembull tjetër në botë. Më vonë prapë u bënë komb boshnjakë.
Disa bënë përçapje të thërrasin në ndihmë përkatësinë e tyre ilire-arbërore, thirrën në ndihmë shqiptarët e Dardanisë e të Shqipërisë, vëllezërit nga gjaku sikurse na thonë, por ne nuk u bëmë të gjallë, futem veshët në lesh, i shitem interesat e tyre herë të serbi, herë të turku.
Duke e shfrytëzuar indiferencën e pafalshme të dy shteteve shqiptare, Beogradi e Ankaraja po u bëjnë presion të deklarohen turq. Kërkesën për shndërrim në turq ua ka dërguar Shoqata e Turqve të Serbisë me seli në Pazar të Ri. Por më parë qindra misionarë turq kanë shkuar që t’i bindin të ri islamizohen me kursin e fortë të islamit anadollakë, të kthejnë kokën nga Ankaraja, ta harrojnë të kaluarën shqiptare e të heqin nga arkat flamujt kuq e zi e plisin (qeleshen) e bardhë.
Turqit e arabët në Sanxhak kanë ndërtuar dhjetëra mejtepe e medrese, e kanë ngritur një Universitet islamik që prodhon hoxhallarë e myslimanë të linjës së fortë, kanë derdhë para që t’i mbulojnë femrat e t’i shpërfytyrojnë burrat. Shqiptarët nga Prishtina e Tirana nuk e hapen as edhe një kurse të gjuhës shqipe e lere më të hapin shkolla fillore, të mesme, ashtu sikurse bëri dikur Enest Koliqi.
Para njëzetë vjetësh në Pazar të Ri dhe në tërë hapësirën shqiptare që e okupoi Serbia nuk pati asnjë turk, turq nuk pati as në Serbinë e Pashallëkut të Beogradit. Ndërkaq, kohë më parë Ankaraja me ndihmën e Serbisë sajoi Shoqatën e Turqve që flasin serbisht, ashtu e quajnë ata vetën, sepse turqisht nuk dinë, shqipen e kanë braktisur, megjithëse edhe serbishten kurrë nuk e folën si duhet, sepse e kishin gjuhë të dhunës.
Në një portal serb, lexuesit një pjesë e të cilëve e thonë se “boshnjakët” ishin puro shqiptarë, shkruajnë se me turqizimin e shqiptarëve të boshnjakizuar synohet spastrimi etnik i Sanxhakut. Pjesa më e madhe e shqiptarëve të boshnjakizuar e priten në teh të shpatës propozimin e Shoqatës së turqve të Serbisë. Në portalin serb “Danas” pati shkrime me mllef e zemërim ndaj këtij propozimi turko-serbë.
Liderët e tyre shkruajnë se qëllimi është shuarja e popullatës vendëse për t’i shpërngulur në Turqi, ashtu sikurse bëri Beogradi e Ankaraja me marrëveshje të fshehta në njëqind vjetet e fundit. Sipas statistikave nga Sanxhaku janë rreth katër milion shqiptarëve të boshnjakizuar që jetojnë në Turqi ku flasin serbisht e turqisht, sepse e kanë të ndaluar të flasin shqip.
“Boshnjakët” patën një histori tragjike në shndërrime dhe në ndryshimin e kombësisë. Nga malësorë shqiptarë u bënë myslimanë. Pas Kongresit të Berlinit ushtria serbe e malazeze i masakroi dhe ua ndryshoi kombin e imponoi gjuhën sllavë. Kur Shqipëria natyrale u shtri edhe në këto territore, “Boshnjakët” u bënë shqiptarë, u hapën shkollat shqipe, u bë ringjallja kombëtare etj. Por kjo kohë zgjati shkurt. Pastaj prapë i detyruan të deklaroheshin boshnjakë.
Kombin myslimanë ua imponuan serbët me Titon, kur Beogradi lidhi marrëdhënie të përzemërta më shtetet arabe.
Pas forcimit të dashurisë turko -serbe, “boshnjakët”, apo shqiptarët e boshnjakizuar prapë po bëhen viktima në lojën politike Beograd-Ankara, sepse do t’i detyrojnë të deklarohen turq, ashtu si para gjashtëdhjetë vjetësh kur i detyruan shqiptarët e Dardanisë e të Maqedonisë të shkruhen turq.
Rreth 3000 shqiptarë të Dardanisë morën pjesë në mbrojtjen e Pazarit të Ri shqiptar që sulmohej nga serbët. -Homazh i pazarasve të varri i Shaban Polluzhës.