Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare është një ndër pretendentët kryesorë për çmimin e madh të Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim. Me gjashtë autorëve të njohur Kadare është përzgjedhur me veprën “Kamarja e Turpit”, një vepër që prej kohësh është në qendër të vëmendjes së kritikës ndërkombëtare. Në short-listën prej 6 shkrimtarësh, Kadare garon krahas autorëve të tjerë të njohur, mes tyre edhe ndaj shkrimtarit Orhan Pamuk.
Nuk është hera e parë që Kadare është në një garë të madhe me këtë vepër. Dy vite më parë kjo vepër ishte një ndër pretendentet kryesore për ccmimin “The man booker”. “Kamarja e turpit”, e përkthyer në anglisht nga John Hodgson, në shqip është botuar për herë të parë më 1978, si pjesë përbërëse e librit “Ura me tri harqe”, me titullin “Pashallëqet e mëdha”. Libri bën pjesë në “ciklin otoman”, shkruar nga Kadareja në vitet ’70, e cila ofron rastin e një meditimi të thellë mbi shtypjen dhe terrorin në një shtet totalitar. Gjatë pjesës së parë të shekullit XIX, në kontekstin e rënies së paevitueshme të Perandorisë Otomane, Ali Pashë Tepelena nga
Janina ndërton një principatë të pavarur. Për të parandaluar përhapjen e rebelimit, sulltani e dënon me mizori, duke i ekspozuar kokën e prerë në sheshin qendror të Stambollit, në kamaren që ishte destinuar për kokat e tradhtarëve. Kadareja rindërton karrierën e këtij personazhi misterioz shqiptar, por i interesuar tërësisht për mekanizmin mashtrues të administratës otomane. Ali Pasha, ky admirues i Napolon Bonapartit, me të cilin vendosi marrëdhënie diplomatike, dhe i poetit George Gordon Byron, të cilin e priti dhe e strehoi në oborrin e tij, gjatë rrugëtimit të tij drejt Greqisë, kishte kishte një jetë plot madhështi, por që u soll si një sundimtar oriental, duke shtypur pa mëshirë çdo tentativë që kundërshtonte autoritetin e tij.
Pa i vënë qëllim vetes për të shkruar një roman historik, Kadareja rindërton me detaje tepër të stërholla atmosferën e kryeqytetit otoman, të dominuar nga pushteti absolut i sovranit, si dhe nga mekanizmi i tmerrshëm, nën rrotat e të cilit bien si viktima, jo vetëm të mundurit, por edhe fitimtarët. Ceremonia e ndarjes se çmimit do të mbahet më 10 prill, ndërsa kjo është hera e parë që Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim akordon një çmim për letërsinë, i cili do të shoqërohet edhe me vlerën e 20.000 eurove.