Ballina Aktualitet Kultura Botim i Mapo Editions: Romani “Pus” i Kim Mehmetit, rrëfim për jetën...

Botim i Mapo Editions: Romani “Pus” i Kim Mehmetit, rrëfim për jetën dhe nënën

Të premten në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës, promovohet romani i ri i shkrimtarit shqiptar në Maqedoni, Kim Mehmetit; Romani “Pus”, vjen nga botimet “Mapo Editions” duke përfshirë në kolanën e letërsisë bashkëkohore një prej autorëve më dinamikë e të angazhuar në tri trevat; Rrëfimi i pazakontë i një shkrimtari për jetën e tij, si ai, Kim Mehmeti zbërthen shqetësimet e tij për kohën, shoqëritë tona shqiptare, familjen, traditën

Në doni të gjeni nyjën se si një shkrimtar e lidh botën e tij me lexuesin, atë vetjak, personal, intim – kjo, ndonëse me vështirësi, në ironi lehtësisht kuptohet vetëm nga urat. Tipiku për këtë është shkrimtari shqiptar Kim Mehmeti. Ai jeton në Maqedoni por gjithmonë mund ta konfirmosh prezencën e tij në kufi, në periferi, në qendër; dikur duke sjellë me trasta, me plot sakrifica, librat e tij nga Shkupi në Tiranë.

Ndër shkrimtarët që rolin e intelektualit nuk e ka fasadë por një angazhim të posaçëm në çështjet më të akute shqiptare politike e kulturore. Kim Mehmeti tani, është diku në gjithë hapësirën shqiptare, bash në atë nyjën që lidh botën e tij me arealin etnik; i drejtpërdrejtë, dhe ashpër aty ku është thyer fraktura e jetës kombëtare. Ndoshta kjo përsiatje në instinkt i ka krijuar romanin e tij më të ri “Pus”, që e promovon të premten në Universitetin Europian të Tiranës.

Duke hyrë në këto “ura” mes tre trevave, e formatuar qysh në themelim, Mapo Editions mori përsipër botimin e romanit të ri të Kim Mehmetit, përfshirë në kolanën e letërsisë bashkëkohore shqiptare, me garancinë se ende mund t’i rezistojë kaosit, dhe një sistemi të munguar vlerësimi.

“Më kishin ftuar të bëja çfarë gjithnjë më shkaktonte bezdi: të flisja përpara të rinjve çfarëdo qoftë për përditshmërinë e jetës apo të rrëfeja diçka për veten qoftë nga këndvështrimi profesional, qoftë nga ai i jetës sime private.

Qëmoti e kisha kuptuar se, kur papritur të kërkojnë të mbash ndonjë fjalim ose të bëhesh pjesë e ndonjë paraqitjeje publike, nuk duhet ta lodhësh veten të thuash domosdoshmërish mençuri që të mrekullojnë dëgjuesit apo të tregohesh rrëfimtar i pashoq, sepse mençuria nuk vjen me porosi dhe kurrë nuk ka ndodhur që dikush të bëhet rrëfimtar i mirë se këtë ia kanë kërkuar të tjerët. Pastaj, mençuria e dhuntia për të rrëfyer nuk

kanë qenë dhe nuk do të jenë kurrë pjesë e rëndësishme e përmbajtjes së shfaqjeve, duke ndikuar që shumica e të rinjve të jetojnë me bindjen se nuk të vlen gjë dituria nëse të mungon bukuria, andaj edhe synim të parë kanë mirëmbajtjen e trupit e jo të trurit…”- Ky është paragrafi i parë, si nis romani ku “shqetësimi” i përfunduar me ironinë, shoqëron pothuaj gjithë rrëfimin “Pus” të Kim Mehmetit. Bëhet fjalë për një shkrimtar të njohur që është i ftuar të referojë në një konferencë të rëndësishme mbi jetën e tij.

Ai nuk ka folur asnjëherë për veten, ka bërë dhjetëra romane, ndërsa nuk e ka kthyer asnjëherë vështrimin nga vetja. Ai, shkrimtari e nis rrëfimin nga fshati në shtëpinë e lindjes, ku ndodhet edhe Pusi – që e quajnë si Pusi i Shpendëve, – i cili në pranverë mbulohej nga trëndafilat, dhe ku nënës së tij i pëlqente të kalonte orë të tëra.

“Rikujtimi i shtëpisë së lindjes dhe i pusit në mes të oborrit më ringjall gjithmonë edhe zërin e nënës. Ajo shpesh ulej pranë asaj lulishteje dhe këndonte. Këndonte aq miklueshëm, sa më dukej se edhe ato i vinte në gjumë, njësoj si edhe ne fëmijëve të saj: duke na dehur me zërin e saj ledhatues, me puthjet e përkëdheljet, që na çonin të shtegtonim atje nga të dukej se kishin ardhur ato miklime të magjishme, në botën e ëndrrave”, shkruan Mehmeti.

Vdekja e nënës, zhvendosja e familjes në qytet, dhe dëshpërimi i të atit që kërkon më kot të rindërtojë një pus për të rikthyer paqen e humbur, vdekja më pas e tij, nuk janë gjë tjetër veçse tablo që i bëjnë më të plota etapat e zhvillimit të një familjeje, që nuk është veçse familja e tij. “Kim Mehmeti është një emër i njohur i letrave shqipe që i bashkohet autorëve të kolanës së letërsisë shqipe, një kolanë kjo e rëndësishme kushtuar letërsisë dhe autorëve shqiptarë.

Mapo Edition ka pjesë të filozofisë së saj kontributin për letërsinë shqipe, duke patur parasysh terrenin e vështirë në të cilën krijojnë dhe botojnë autorët shqiptarë këto dy dekadat e fundit”, thotë Alda Bardhyli, drejtore e UET Press/ Mapo Editions. Kjo histori është kërkim drejt vetvetes, përsosjes së brendshme, që identifikon ndoshta dhe angazhimin e vazhdueshëm që vetë shkrimtari ka pasur për të shqyrtuar mbi shqiptarët, dhe në këtë rast përmes galerisë së personazheve këmbimi është trajtesë estetike, e rrallë aty ku qenësisht rikthen jetën, e përtërin përjetësinë, siç është nëna./ V.M

Bio

Kim Mehmeti ka lindur në fshatin Gërçec, Shkup në vitin 1955. Është i njohur si shkrimtar, romancier, tregimtar, eseist, publicist dhe përkthyes nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe dhe anasjelltas. Është një ndër themeluesit e së përjavshmes “Lobi” e cila botohej në Shkup nga viti 2001 deri në vitin 2006. Ka qenë redaktor i revistës për kulturë “Jehona” (Shkup), redaktor i veprimtarisë botuese pranë SH.B. “Flaka e vëllazërimit” (1991-1992). Në Institutin Shoqëria e Hapur – Maqedoni ka punuar si koordinator i veprimtarisë botuese. Pastaj ka punuar si kryeredaktor për Maqedoninë i Rrjetit Informativ Europian (AIM) dhe ka qenë edhe koordinator i këtij rrjeti për Ballkanin Perëndimor (1993-2003). Nga viti 1997 deri në vitin 2003 ka qenë drejtor ekzekutiv i Qendrës për Bashkëpunim dhe Mirëkuptim Multikulturor në Shkup.

Kim Mehmeti është nismëtarë i më shumë iniciativave qytetare në Maqedoni dhe në rajon.

Përpos në gjuhën amtare, Kim Mehmeti shkruan dhe boton edhe në gjuhën maqedonase. Punimet e para letrare i ka botuar në fillim të viteve të shtatëdhjetë të shekullit të njëzet nëpër revistat kroate. “Kim Mehmeti është rrëfimtar i lindur, ai nuk u nënshtrohet shablloneve, por i dorëzohet qëndismës së lëndës së vet rrëfyese. Andaj proza e tij është e veçantë dhe tërheqëse. Thjesht ajo e rrëmben lexuesin dhe e shpie drejt thellësive joshëse nga shkon imagjinata e tij e bujshme, e cila shtrihet nga fantazmagoria e së vërtetës dhe reales deri tek irrealja dhe fantastikja. Fati, si peshore e jetës, është ai që përcakton krijimtarinë e këtij autori”, është vlerësuar shkrimtari. Veprat e Kim Mehmetit janë përkthyer në gjuhën gjermane, franceze, bullgare, turke, kroate dhe në gjuhë të tjera.