Në debatin e krijuar së fundmi pas deklaratave të analistit Mustafa Nano për zhveshjen e prezantueseve shqiptare në ekran, është përfshirë edhe publicisti Ardian Vehbiu.
“Çfarë do të doja të shtoj, pa u pozicionuar menjëherë në lidhje me palët, është se veshja e moderatoreve të një emisioni televiziv duhet parë si element i një spektakli televiziv, dhe si e tillë, ajo përcaktohet në detaje në tryezën e regjisorit ose të producentit të emisionit. Nuk besoj se Bora Zemani dhe Ilda Bejleri e kanë vendosur vetë, se me ç’pamje dhe ç’veshje do t’i dalin publikut të Digitalbit; sikurse nuk besoj se vërejtja e Nanos kish të bënte me mënyrën si vishen këto dy qytetare kur dalin në rrugë ose larg kamerave, shkruan ai.
Teksa shton se “trupi lakuriq i femrës shërben si amplifikator (booster) i sjelljes impulsive të atyre që luajnë me para”.
Shkrimi i Ardian Vehbiu
Ka pasur një debat këto ditë, të nisur nga Mustafa Nano në Provokacija, rreth paraqitjes së dy moderatoreve të një emisioni sportiv të Digitalb-it (Supersport); paraqitje të cilën Nano e ka cilësuar si vulgare, ndërsa të tjerë, përfshi këtu edhe gazetarë, e kanë interpretuar si shprehje të së drejtës së gruas për të vendosur për jetën dhe pamjen e saj.
I meritueshëm në vetvete, debati degradoi shumë shpejt në ad hominem, siç pritet të ndodhë në mediat shqip.
Çfarë do të doja të shtoj, pa u pozicionuar menjëherë në lidhje me palët, është se veshja e moderatoreve të një emisioni televiziv duhet parë si element i një spektakli televiziv, dhe si e tillë, ajo përcaktohet në detaje në tryezën e regjisorit ose të producentit të emisionit. Nuk besoj se Bora Zemani dhe Ilda Bejleri e kanë vendosur vetë, se me ç’pamje dhe ç’veshje do t’i dalin publikut të Digitalbit; sikurse nuk besoj se vërejtja e Nanos kish të bënte me mënyrën si vishen këto dy qytetare kur dalin në rrugë ose larg kamerave.
Ky debat do të ishte moment i përshtatshëm për të diskutuar rreth kontekstit specifik, që i detyron producentët (regjisorët) e emisioneve të tilla, për t’i nxjerrë moderatoret të veshura në një mënyrë të caktuar; ose, nëse ka ndonjë lidhje të mirëfilltë midis trupit gjysmë të zhveshur të një vajze dhe interesit të publikut për sportin.
Liria e dy moderatoreve në fjalë vjen në vështrim deri në momentin kur këto e kanë pranuar rolin që do të luajnë në ekran; prandaj çdo lloj argumenti se këtu bëhet fjalë për të drejtën e gruas etj., nuk merr parasysh që bëhet fjalë për spektakël të prodhuar për publikun, jo për jetën reale të atyre dy vajzave: e shumta do të mund të flisnim për rolin edukativ apo jo të emisionit. Për të njëjtën arsye, nuk i mbajmë inat, pas shfaqjes, aktorit që luan Jagon – sepse ai e performon intrigën në skenë, nuk e konsumon në jetë.
Duke u veshur në mënyrë të diskutueshme, moderatoret televizive performojnë një lloj të caktuar vajze (gruaje), në rolin e moderatores televizive, për të cilën edhe paguhen. Emisionet sportive, si shumë emisione të tjera me shikueshmëri televizive të lartë, janë të kodifikuara rreptësisht: nëse moderatoret atje vishen në një mënyrë që disave u duket provokuese (provokacija) dhe pastaj duan të konsiderohen si “hot” në rrjetet sociale, këtë nuk e vendosin ato vetë, dhe as pritet që ta vendosen – figura e tyre publike, e cila del edhe në profilet e tyre në rrjetet sociale, menaxhohet prej producentëve. Bëhet fjalë për kontrata pune, tek të cilat liria e punëmarrësit për të qenë vetvetja mbaron në momentin e hedhjes së firmës.
Njëlloj mirë do të kish shërbyer debati për të diskutuar edhe si po konsumohet sot në Shqipëri sporti i televizuar dhe cilin publik kërkon të joshë, përveç faktit banal që bëhet fjalë kryesisht për meshkuj në grupe ose individualisht; por në kontekstin social ku shqiptarët shkojnë gjithnjë e më pak në stadium dhe ku interesi i tyre për futbollin tanimë u është bashkëlidhur basteve, ose kumarit (gambling). Mjafton një eksperiencë sado e lehtë me Las Vegasin, për t’u bindur se, në botën e kumarit, trupi lakuriq i femrës shërben si amplifikator (booster) i sjelljes impulsive të atyre që luajnë me para. Edhe në Las Vegas, skenografia është e tëra e skriptuar, ose e regjisuar në tavolinë; dhe nuk shërben aq për ta tërhequr kumarxhiun, sa për ta përftuar me kontakt.
Emisionet televizive të sportit në Shqipëri, si ato të Digitalbit, imitojnë shabllonë të televizioneve komerciale Perëndimore; dhe kushedi edhe producentët dhe regjisorët e tyre nuk janë tërësisht të vetëdijshëm se qëllimi i një spektakli të tillë është të përftojë dhe të riprodhojë një lloj specifik publiku. Pretendimi se aktorët në skenë në rolet e tyre specifike, ose pjesëmarrësit profesionistë në spektakle të tilla, janë duke afirmuar lirinë e tyre individuale në luftë me paragjykimet dhe “komplekset” është jo vetëm në thelb qesharak, por edhe ai vetë pjesë e spektaklit.