Dëshmi të rralla vijnë nga fshati Letaj në Has, dhe filmime të minave serbe të cilat vazhdojnë ende të shkaktojnë tragjedi.
Përveç kësaj, banorët ankohen se shumë prej tyre kanë vdekur dhe janë me simptoma të panatyrshme dhe të panjohura më parë. Banorët e kësaj zone kërkojnë thjesht që shteti dhe institucionet kompetente të kontrollojnë zonën dhe të bëjnë matje për lëndë radioaktive.
Fshati Letaj i Hasit ka qenë pre e agresionit te ushtrisë serbe përgjatë vitit 1999, kohë në të cilën u zhvillua lufta e Kosovës.
Dëshmi të sjella nga emisioni “BOOM” tregojnë sesi ushtria serbe ka bombarduar territorin shqiptar.
Xhevat Koka: Filloi një bombardim i keq, i tmerrshëm serbi. Na lëshonte 50 predha në ditë. Nga ora 5 deri në 7 e kemi pasur këtu gjithë pluhur nga minat.
Gëzim Koka, drejtor i shkollës së fshatit: Fshati ynë ka qenë pre e bombardimeve serbe të vazhdueshme. Mund të kishte ditë që binin 100-200 predha. Vetëm godina kishte mbetur në këmbë, nuk kishte dyer, dritaret i kishte prishur presioni që kishte shkaktuar predha, amzat, regjistrat i kemi gjetur pjesën më të madhe në oborr.
Dhjetëra banorë të këtij fshati kanë humbur jetën, dhe shumë të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasoje e minave nëntokësore të vendosura brenda fshatit nga forcat ushtarake serbe.
Banori: Në vitin 2001 ka humbur jetën djali im dhe djali i vëllait tim. Kanë humbur jetën nga minat që janë vënë nga forcat serbe nga këtu ku jemi ne deri në 50 metra. Ata kanë qenë me bagëti dhe u kanë shpërthyer minat.
Banori: Fatkeqësia ime më e madhe është se kam humbur babain, ai ka vdekur nga minat e serbëve por sot kemi prapë frikë. Nuk jemi të zotët as të punojmë, as të dalim me bagëti në mal.
Dëshmitë e banorëve se ende ka mina në territorin shqiptar janë plotësisht të vërteta. Stafi i “BOOM” ka arritur të gjejë mina nëntokësore në fshatin Letaj.
Gazetaret francezë në vitin 1999 kane fiksuar me kamerat e tyre momentin kur fshati Letaj bombardohej.
Hamdi Çuni: Unë këtu rri në lokal, jam pronar i lokalit. Kështu është çdo ditë, ja çfarë bëri predha.
Ndërsa sot, vendi ku u realizua minireportazhi ka mbetur një grumbull rrënojash, por dëshmi e gjallë e sulmeve është Hamdi Çuni, personazhi që foli për mediat franceze 19 vite me parë.
Hamdi Çuni: U shkatërrua nga bombardimet serbe. Paradite bombardonin më tepër dhe natën. Kemi pasur një rast natën, në orën 10, kanë gjuajtur serbët me murtajë dhe i kanë rënë kalit bashkë me të zotin, kali ngordhi dhe i zoti vdiq. Unë isha në lokal. Kemi pasur bunkerin, dilnim nga dera e lokalit dhe futeshim në lokal. Ne i shikonim serbët nga këtu por kishim urdhër të mos i gjuanim. Kishte dhënë urdhër shteti. Ne nuk do të gjuanim.