Në administratën shtetërore në Maqedoni ende nuk është përmbushur kushti i përfaqësimit të shqiptarëve.
Sipas të dhënave të publikuara sot nga ministri për Shoqëri informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski, përfaqësimi i shqiptarëve arrin në 19 për qind, informon INA.
Sipas Raportit vjetor nga regjistri i të punësuarve në sektorin publik 2017 shifra totale e përfaqësimit apo punësimit të shqiptarëve është mbi 21 mijë administratorë, prej të cilëve mbi 1600 janë administratorë që ende nuk janë sistematizuar dhe qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
Në bazë të Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, përfaqësimi i shqiptarëve duhet të jetë mbi 25 për qind, dhe se afatet e kësaj marrëveshje për tu realizuar ishin deri në vitin 2004, por ishin tejkaluar me vite të tëra. Numrin më të madh të të punësuarve e përbëjnë punonjësit e arsimit, shkollave, të cilët siç dihet janë futur në numrin e përgjithshëm të shifrës 19 për qind, nënvizon INA.
Ndërsa shifra totale e administratës shtetërore është rreth 140 mijë, shumica prej të cilëve apo 75 për qind janë maqedonas, ndërsa një përfaqësim më minor është i komuniteteve të tjera.
Nga 1 299 institucione 59.96 për qind e tyre janë të pushtetit lokal, ndërkohë të pushtetit ekzekutiv janë 40.03 për qind. (INA)