Nga: Fatos LUBONJA
Këtë shkrim për opozitën shqiptare po e filloj me dy kronika të kohëve të fundit, që kanë protagonist Sali Berishën. Kronika e parë është ajo ku paraqitej Sali Berisha në kullën ABA Center, në përurimin e organizuar nga pronari i saj, oligarku Bashkim Ulaj, me rastin e hapjes së televizionit të tij që u mbiquajt CNN-i shqiptar – shoqëruar me komentet e ish-kreut të PD-së që, me dy fjalë, tha se ky televizion do të jetë nga ata që do të thonë me të vërtetë të vërtetën.
Kronika e dytë ishte një intervistë e ish-ministrit të PD-së, Arben Imami, që, mes të tjerash, duke përshkruar krizën e PD-së, tha se në gjendjen ku është katandisur ajo me Lulzim Bashën, e vetmja rrugëzgjidhje është rikthimi i Berishës në krye të saj (zgjidhje që nuk e kërkon vetëm Imami).
***
E vërteta është se kohët e fundit është rritur shumë numri i atyre njerëzve që, pasi ankohen pafund për mashtrimet, arrogancën dhe korrupsionin e rilindasve, si dhe lidhjen e tyre me krimin, që e ka futur ekonominë në një rrugë tejet të rrezikshme jo vetëm për progresin, por edhe për lirinë dhe demokracinë, e mbarojnë fjalën e tyre duke thënë “po s’kemi opozitë”. Duket sikur, paradoksalisht, sa më shumë përkeqësohet mendimi i njerëzve për rilindasit me Ramën në krye, aq më shumë shtohet edhe nënshtrimi i njerëzve përpara kësaj të keqeje. Dhe emri, që përmendet si përgjegjësi i kësaj pafuqie, është ai i Lulzim Bashës. Dhe ja ku na del në skenë, nevoja për rikthimin e të fuqishmit Berisha.
Po, a është vërtet kthimi i Berishës një zgjidhje? Gjykoj, se të mendosh kështu, është një gabim shumëplanësh që fillon nga vlerësimi gabim i krizës së PD-së – sikur kjo të vijë për shkak të liderit të saj të pafuqishëm. Sepse, pa mohuar rolin që ka energjia dhe karizma e një individi në jetën politike të një vendi dhe pa mohuar kritikat e shumta që Basha i meriton, ta reduktosh gjithë fatin e luftës politike në ndeshjen midis dy liderëve është jo realiste. Problemi i pafuqisë së PD-së sot nuk është mungesa e një lideri të fortë autoritar, që mund të bashkojë opozitën e përçarë kundër një lideri të fortë autoritar siç është Rama në krye të PS-së.
Madje, do të thosha se është e gabuar të mendosh edhe se lideri autoritar i tipit Berisha – Rama, që Basha kërkon të imitojë, gëzon simpatinë e shumicës së shqiptarëve. Aq më tepër kur shqiptarët po e shohin këtë autoritarizëm të shfaqet te Rama në formën më perverse. PD-ja nuk është në krizë për mungesë të një lideri të tillë, por sepse nuk mund të tërheqë dot rreth saj njerëzit që kërkojnë ndryshim. Dhe kjo jo për shkak të paaftësisë apo pafuqisë së Bashës për të përbashkuar PD-në, por për shkak të mëkateve të asaj të kaluare që disa duan të na rikthejnë me rikthimin e Berishës.
Dhe këtu po dal te kronika e parë që përmenda. Vizita e Berishës tek oligarku Ulaj dhe promovimi që i bëri televizionit të tij të ri ishte një sinjal i qartë se Sali Berisha nuk mund të përfytyrojë një lojë tjetër politike, përveç asaj që ka luajtur deri tani. Puna është se Shqipërisë sot po ia merr frymën pikërisht sistemi i përqendrimit të pushteti politik, mediatik, financiaro-ekonomik në pak duar politikanësh e oligarkësh. Është ky sistem dhe jo thjesht Rama që, për të mbijetuar, sot ka futur në politikë dhe ekonomi edhe krimin e organizuar.
Nëse Ulaj ka vendosur të ngrejë një televizion, edhe më budallai e di se ka vendosur ta bëjë këtë jo për të mirinformuar shqiptarët për të këqijat e këtij sistemi, por për të fuqizuar pushtetin e tij brenda këtij sistemi, ndoshta duke parë se sivëllezër të tij me televizione kanë arritur të marrin më shumë. Problemi sot është se fuqia e Ramës qëndron pikërisht në faktin se atyre që kanë ngritur sistemin e grabitjes dhe mashtrimit u duhet në krye një njeri gjithnjë e më mashtrues, sepse, siç tregojnë studiuesit e sistemeve të përfitimit të ngritura mbi mashtrimin, sa më shumë këta bien në krizë aq më shumë shtojnë dozat dhe format e mashtrimit.
Dhe në pikën e aftësisë dhe paturpësisë së mashtrimit, Rama ua kalon të gjithëve. Prandaj, ta zhvillosh luftën politike me synimin për të marrë rolin e Ramës në krye të tryezës së oligarkëve është jo vetëm e gabuar për të nxjerrë Shqipërinë nga balta, por edhe për të nxjerrë PD-në nga opozita.
Sot nuk kemi nevojë për një rikthim të Berishës në krye të të gjithë mëkatarëve të PD-së, por për një parti (jo thjesht opozitë) që vepron e sillet ndryshe: duke denoncuar e duke u kthyer kurrizin oligarkëve dhe duke e kthyer fytyrën nga njerëzit që po vuajnë prej tyre.