Në ishullin grek Santorini, aktivistë të ekstremit të djathtë kanë penguar zhvillimin e paradës tradicionale për festën kombëtare të vendit. Kundërshtimi i tyre lidhej me faktin se flamurin e paradës do ta mbante një nxënëse me origjinë shqiptare.
Ekstremistët e djathtë që mbanin veshur bluza të zeza me mbishkrimin “Ultras Hellas”, kishin salduar gjatë natës portën e jashtme të shkollës, dhe kishin hedhur përtokë vajra makine, për të penguar marrjen e flamurit.
Por arsimtarët thirrën zjarrfikësit që e hapën portën.
Megjithatë, parada nuk u zhvillua, në shenjë proteste për aktin e ekstremistëve.
Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë, në fshatin Emporio të Sanatorinit, por është pasqyruar sot në shtypin qendror grek, shkruan ora news
Ministria vendase e arsimit e dënoi “me mënyrën më kategorike aktin e ekstremistëve” dhe shton se “përpjekja e tyre për të frikësuar komunitetin e mësuesve dhe nxënësve ra na vakuum”.
Në të njëjtën shkollë ishte anuluar parada edhe në tetor të vitit të kaluar, nga të njëjtët persona dhe për të njëjtën arsye. Edhe atëherë flamurmbajtëse ishte vajza shqiptare, në zbatim të ligjit që thotë se flamurin e në paradë e mban nxënësi apo nxënësja më e mirë e shkollës.
Jo rrallë ky privilegj u takon nxënësve shqiptarë në Greqi, duke shkaktuar gjithashtu debate dhe incidente.