Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në bashkëpunim me Fondin për inovacione dhe zhvillim teknologjik kanë prezantuar sot para bizneseve masat e planit për rritje ekonomike nga shtylla e tretë, të cilat kanë të bëjnë me mbështetjen financiare të kompanive mikro, të vogla dhe të mesme. Masat u prezantuan nga drejtori i Fondit për inovacione dhe zhvillim teknologjik, Jovan Desportovski, dhe më pas kishte hapësirë për diskutim nga ana e kompanive.
Shtylla e tretë përfshin në vete përkrahjen për kompanitë e vogla dhe të mesme që kanë tendencë të rritjes. Këtu është paraparë përkrahje financiare për zhvillim teknologjik të kompanive duke mbuluar 30 për qind të shpenzimeve direkte në projektet investuese, si dhe duke edukuar të rinjtë e punësuar.
Meqë tani është faza e përpilit të rregulloreve me të cilën do të realizohen këto masa, ky prezantim u realizua me qëllim që të pastrohen të gjitha dilemat, pyetjet të cilat i kanë kompanitë. Qeveria ka siguruar 10,5 milionë euro me të cilat do të publikojnë shpallje për masat e shtyllës së tretë.
Vetëm në thirrjen e parë publike, planifikojmë të ndajmë 185 milionë denarë që tashmë janë siguruar nga Qeveria. Krahas kësaj, në vitin 2018 planifikojmë edhe dy thirrje publike, dhe kështu shuma totale e mjeteve që do të ndahen duhet të arrijë në 645 milionë denarë. Kushtet që kompanitë duhet t’i plotësojnë, janë definuar për çdo masë në veçanti dhe bazohen në numrin e të punësuarve, të ardhurat vjetore, strukturën pronësore si dhe përmbushjen e detyrimeve financiare ndaj furnizuesit”, u shpreh Despotovski.
Prej OEMVP-së përkrahin masat e qeverisë për përkrahje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me theks që në kuadër të ligjit të zgjërohet lista me sektorët tjerë që kanë potencial të madh për ekonominë vendore duke përfshirë këtu edhe zhvillimin e barabartë rajonal.
Duke marrë për bazë interesin e biznesit, OEMVP përkrah të gjitha iniciativat për politika zhvillimore të vendit e sidomos masat për përkrahjen e bizneseve. Përveç sektorit të prodhimit duhet të përfshihen edhe sektorët që kanë ndikim në krijimin e PBV në vend. Gjithashtu, mendojmë se duhet të parashihen masa të veçanta për kompanitë që vijnë nga viset rurale dhe bizneset e udhëhequra nga grate – tha kryetari i OEMVP-së Nebi Hoxha.
Kompanitë për herë të parë do të kenë mundësinë e financimit të zhvillimit teknologjik, që nënkupton blerjen dhe aplikimin e teknologjisë së re, e cila do të rritë konkurrencën.