Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, nën drejtimin e mbledhjes nga kryetari i komisionit, Petrit Vasili miratoi në unanimitet në parim Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Kosovës, për vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimin e së drejtës për pension.
Miratimi i kësaj marrëveshjeje do t’i japë mundësinë shqiptarëve në të dy anët e kufirit të mos humbasin periudhat e tyre kontribuuese, pavarësisht se ku punojnë, në Shqipëri apo Kosovë.
Në relacionin përkatës të këtij projektligjit thuhet se marrëveshja jep përcaktimet lidhur me palët kontraktuese si: autoritetet, institucionet, periudhat e sigurimit, legjislacioni, i siguruari, pensioni, vendbanimi, anëtar i familjes; etj, sipas legjislacioneve përkatëse të të dy vendeve.
Gjithashtu, përcaktohet fusha e zbatimit ligjor dhe ajo personal si dhe trajtimi i barabartë i shtetasve lidhur me të drejtat dhe detyrimet për plotësimin e kushteve dhe pagesën e përfitimeve.
Institucioni kompetent, i cili vërteton të drejtën për pension, në përputhje me këtë marrëveshje, kryen pagesën e pensionit për personat, të cilët i plotësojnë kushtet sipas kësaj marrëveshjeje.
Në pjesën e tretë jepen dispozita të tjera, që kanë të bëjnë me shkëmbimin e informacionit, lehtësirat fiskale, njohjen e vërtetimeve, komunikimin ndërmjet autoriteteve kompetente dhe institucioneve kompetente si dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Po kështu, marrëveshja përmban edhe përcaktime që kanë të bëjnë dispozitat kalimtare dhe përfundimtare si vlefshmëria dhe zbatimi i marrëveshjes./am/