Edhe pse u paralajmërua, pakoja e ligjeve për reformat në gjyqësor nuk do të kalojë sot në Kuvendin e Maqedonisë. Seancat parlamentare, 22, 34 dhe 35 janë caktuar për më 12 prill në ora 11:00, transmeton Portalb.mk.
“Ju njoftojmë se Seanca e Njëzetedytë, Tridhjetekatër dhe Tridhjetepestë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në vend më 10 prill 2018, do të vazhdojnë më 12 prill 2018 në orën 11:00”, njoftojnë nga Kuvendi i Maqedonisë.
Nga seanca e 34-të ka ngelur pezull ligji për gjykatat, nga e 35-ta plotësimi i ligjit për prokurorinë publike dhe të atij për procedurë penale kurse nga vazhdimi i seancës së 22-të, me të vetmën pikë në rendin e ditës, pritet ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për dëshmitarë. Rëndësia e këtyre ligjeve lidhet me publikimin e Raportit të Komisionit Evropian për Maqedoninë që duhet të ndodh më 17 prill.