Viti i ardhshëm shkollor rrezikon mbylljen e shumë shkollave fillore periferike për shkak të mungesës së nxënësve. Fshati Dikavec i komunës së Zelenikovës në Shkup më nuk ka asnjë nxënës. Rijad Tahiri është i fundit nga ky fshat që përfundon arsimin fillor, por me këtë përfundon së funksionuari edhe shkolla në këtë fshat.
Ky fshat për mua është i mirë se ne jemi të mësuar vet me jetuar por, këtu në shkollë është keq veç për një nxënës, është pak mërzi, mëson vetëm një nxënës, as shokë nuk kam, vetëm me Omerin – u shpreh Rijad Tahiri, nxënës.
Mësuesi Xhezmi Qahili me keqardhje thotë kushtet e rënda për jetesë, mungesa e infrastrukturës dhe shumë shkaqe tjera kanë çuar në boshatisjen e fshatit.
Sa për kushtet e rrugës me të vërtet rruga është katastrofë, në stinën e dimrit është në gjendje shumë të mjerueshme. Rrogën e matim veç, për ushqim edhe për transport nuk marim asgjë, atë rrogë ne vetëm për rrugë e lëmë – theksoi Xhezmi Qahili, mësues.
Situatë e ngjashme është edhe në disa fshatra të Pollogut. Në shkollën qendrore dhe periferike“Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Poroj të Tetovës, viteve të fundit numri i nxënësve është përgjysmuar. Mësuesi Afrimi Emini thotë se klasa e tij numëron vetëm se 15 nxënës për dallim nga vitet e para të punës kur klasat ishin me nga 40 e më tepër nxënës.
Kur kam ardhur këtu si fillestar kam pas 40-41 nxënës, mirëpo gradualisht duke kaluar koha edhe numri i nxënësve është zvogëluar, ja tash si e shikoni numri I nxënësve është shumë i vogël. Tash unë kam 15 nxënës – u shpreh Afrim Emini, mësues.
Thuajse çdo vit po ndryshon numri i nxënësve. Sa i përket numrit të nxënësve, para 18 viteve në bazë të statistikave që i kemi nga shërbimi pedagogjik kemi pas 1.250 nxënës, ku tash kur flasim kemi gjithsejtë 720 nxënës – tha Naim Kurtishi, drejtor i Sh.f “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Poroj, Tetovë.
Edhe këtu largimi i fëmijëve nga bankat shkollore bëhet për arsyeje të shpërnguljes së banorëve, qoftë jashtë vendit apo në zonat urbane në kërkim të kushteve më të mira për jetë. Një dukuri e tillë është e pranishme edhe në shkollat fillore të fshatrave të Strugës.
Zini Jusufi, përgjegjës i shkollës fillore “Ekrem Jakupi” të fshatit Koroshishtë tha se shkollat do të mbeten pa asnjë nxënës nëse nuk ndërmerren masa urgjente për krijimin e kushteve për të rinjtë që të mos e braktisin vendin.
Ata kthehen dhe marrin fëmijët dhe familjet e tyre gjë që është në rregull por për ne si shkollë bëhet zvogëlimi i nxënësve. Për vitin kalendarik 2017-18 janë larguar 5 nxënës, bëhet fjalë për nxënës solid, nxënës shembullor, të shkëlqyeshëm. Kjo na brengos së tepërmi por nuk jemi faktor që ne ta zgjedhim këtë problem – dekalroi Zini Jusufi, përgjegjës i sh.f “Ekrem Jakupi”, fshati Koroshishtë.
Të dhënat e Entit shtetëror të statistikës tregojnë se në 8 vitet e fundit numri i nxënësve në shkollat fillore është ulur për rreth 15 mijë nxënës. Më kritik paraqitet viti shkollor 2014-15 dhe 2016-17 ku numri i nxënësve është zvogëluar për më shumë se 3.804 dhe 2.490 filloristë./am/