Pavarësisht faktit që Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka deklaruar për tërheqjen e forcave amerikane nga Siria, duket se ushtria amerikane ka krijuar një bazë tjetër në vendin e shkatërruar nga lufta në Lindjen e Mesme.
Forcat e koalicionit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara që janë duke operuar në Siri kanë ndërtuar një bazë tjetër ushtarake në provincën e Aleppos, raporton “Al Masdar News”.
Baza është e lokalizuar në veri-perëndim të qytetit të Manbijit, e cila zyrtarisht është duke u mbajtur nga Forcat Siriane Demokratike të mbështetura nga SHBA, raporton “Sputnik International”, transmeton Periskopi.
Sipas njoftimit të medias, prania e SHBA në zonë u mbështet kohët e fundit nga ardhja e 200 ushtarakëve të shoqëruar nga automjete të blinduara dhe makineri ndërtimi.
Më herët Presidenti i Shteteve të Bashkuara kishte premtuar për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, duke thënë se misioni kryesor në Siri është afër finalizimit.
Megjithatë, ai më vonë deklaroi se SHBA do të mbetet në vend “pak më gjatë”, me sa duket pasi këshilltarët e tij të lartë këmbëngulën se një tërheqje e plotë e trupave amerikane tani do të rrezikonte të gjitha fitimet e bëra tashmë./Periskopi/