Rrjeti i njohur i kafeneve, “Starbucks” pritet të mbyllë mbi 8 mijë filiale në Shtetet e Bashkuara, për të trajnuar stafin me qëllim parandalimin e incidenteve racore, sikurse ndodhi pak ditë më parë.
Mediat amerikane raportojnë se gjatë muajit të ardhshëm, dyqanet do të ulin qepenat në një pasdite, me qëllim që personeli t’i nënshtrohet trajnimit kundër diskriminimit.
Lëvizja vjen pasi kompanisë iu desh të kërkonte ndjesë në lidhje me arrestimin e dy të rinjve me ngjyrë javën e kaluar, të cilët po prisnin një shokun e tyre në një nga pikat e “Starbucks” në Filadelfia.
Shefi i kompanisë deklaroi se e kishte kuptuar gabimin dhe se duhet të ecnin përpara për ta ndrequr atë. Kevin Johnson tha se dy ditët e fundit kishte qenë në Filadelfia për t’u njohur nga afër me incidentin.
“Edhe pse diçka e tillë nuk ka ndodhur vetëm në “Starbucks”, ne jemi të vendosur t’i japim zgjidhje problemit”, ka thënë Johnson.