Vjedhja e të dhënave të individëve me qëllim për t’u përdorur më pas në favor të dikujt apo shumëkujt në zgjedhje nuk ndalet vetëm me skandalin e “Cambridge Analytica”-s që shfrytëzonte informacionet e përdoruesve të rrjetit social Facebook.
Dy prej partive më të mëdha politike në Gjermani kanë blerë gjithashtu të dhëna mbi votuesit nga “Deutsche Post”, ish-gjiganti postar shtetëror, gjë që mund t’iu ketë lejuar atyre të fokusojnë publicitetet elektorale ndaj pjesëve specifike të elektoratit.
Të paktën kështu bëhet e ditur nga dokumentet e shqyrtuara nga e përditshmja gjermane “Bild am Sonntag”. Partitë e përfshira në këtë ngjarje janë kristian-demokratët (CDU) e Merkelit dhe demokratët e lirë (FDP), që nisën të blejnë informacione nga filialet e “Deutsche Post” në vitin 2005, duke shpenzuar dhjetëra mijëra euro përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar pikërisht mbi këto të dhëna.
E ndërsa asnjë e dhënë nuk është shpërndarë publikisht për votues specifikë, informacioni i “Deutsche Post” përfshinte më shumë se 100 lloje të dhënash, nga gjinia e arsimimi i familjarëve, sjelljet e tyre konsumatore, si dhe informacione socio-demografike, që mund t’i lejonin partive politike gjermane të siguronin të dhëna të mjaftueshme mbi mënyrën potenciale të votimit të popullsisë.
“Deutsche Post” informoi gjithashtu se kishte kërkuar të dhëna nga palë të treta, si për shembull autoriteti i transportit.
CDU-ja dhe FDP-ja e pranuan se kishin blerë të dhëna për votuesit, por shpjeguan se ishin sjellë në përputhje të plotë me ligjet strikte të mbrojtjes së të dhënave në Gjermani. Vet gjiganti postar konfirmoi se nuk kishte shkelur asnjë ligj mbi privatësinë, pasi adresat e votuesve individualë nuk ishin shpërndarë me partitë politike.
Zbulimi vjen ndërkohë që njerëzit anembanë Europës, Shteteve të Bashkuara, e kudo tjetër, po ngrejnë dyshime sesi drejtuesit e fushatave elektorale mbledhin të dhëna ndaj tyre, pas akuzave se mbi 50 milionë përdorues të Facebookut iu vodhën të dhëna pa miratimin e dijeninë e tyre gjatë presidencialeve të vitit 2016 në Amerikë./TCH/