Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se situata e re e krijuar në vend, sipas tij me humbjen e shumicës parlamentare nga partitë në pushtet, kërkon që të kapërcehen interesat e ngushta politike.
“LDK-ja është e vendosur dhe e pa kompromis në ruajtjen e rendit kushtetues dhe demokracisë në Kosovë”.
“Ne presim nga partitë e tjera t’i bashkohen nismës tonë për një tryezë të përbashkët për tu dakorduar për tejkalimin e situatës”, ka thënë Hoti, përcjell Klan Kosova.
Hoti ka thënë se koalicioni qeverisës e ka humbur shumicën në Kuvendin e Kosovës.
Tani koalicioni ka vetëm 52 vota në Kuvend, ndërkaq partitë opozitare kanë 68 vota”.
“Partitë opozitare të shumicës shqiptare në Kuvendin e Kosovës numërojnë 385 mijë vota. Ndërkaq, partitë shqiptare të koalicion qeverisës numërojnë 245 mijë vota. Prandaj, është e qartë se ky koalicion i pakicës nuk ka legjitimitet për të qeverisur”.
“Çdo ditë e humbur pa një marrëveshje në mes të partive politike për punët që duhet kryer bashkërisht deri në zgjedhjet e parakohshme është rrezik dhe humbje për Kosovën”.