E ndërsa Shtetet e Bashkuara po përballen me një valë “acari pranveror”, në pjesën tjetër të globit, qindra zjarrfikës australianë po luftojnë me një zjarr të fuqishëm që raportohet të ketë rrezikuar edhe disa shtëpi në periferitë jugore të Sydneyt.
Shërbimi Zjarrfikës i New South Wales shprehen të shqetësuar nga “thëngjinjtë fluturues” që mund të shkaktojnë vatra të reja zjarri, teksa përballen me frontin kryesor të flakëve.
Disa banorë të zonës janë udhëzuar të gjejnë vendstrehime të tjera të mundshme, pasi evakuimi në këtë moment është shumë i rrezikshëm. Së fundi, moti në juglindje të Australisë ka qenë tejet i nxehtë për periudhën aktuale të vitit.
Një zjarrfikës, Shane Fitzsimmons ka thënë se zjarri ka qenë “tejet agresiv”. Erërat e fuqishme po i çojnë flakët drejt zonave rurale të veriut dhe lindjes.
Pasagjerët e trenave lokalë kanë filmuar pamjet dramatike, teksa kanë qenë të detyruar gjatë udhëtimeve hekurudhore të kalonin shumë pranë zonave që po ndeshen me flakët.
Zjarri i fuqishëm thuhet të ketë prekur mbi 2.500 hektarë toke. Më shumë se 70 zjarrfikëse janë dërguar përgjatë rrugëve, në përpjekje për të ruajtur të paprekur distancën mes zonës së shkurreve dhe shtëpive të banuara, ndërsa helikopterët po hedhin ujë nga ajri.
Kryeministri Malcolm Turnbull lavdëroi reagimin e shërbimeve të emergjencës. “Kemi të bëjmë me një të nxehtë të pazakontë për këtë sezon dhe ky është një shqetësim i madh. Por, duhet të përballemi edhe me më të keqen, që nëna natyrë mund të na ofrojë. Sa më në vështirësi të vihen australianët nga natyra, aq më në pah del fryma dhe shpirti australian”, theksoi ai./TCH/