Një helikopter i marinës italiane u rrëzua në det, gjatë një manovre në Mesdheun Qendror duke shkaktuar një të vdekur, njoftoi sot marina.
Helikopteri, tip SH 212, po kthehej nga një manovër e planifikuar, kur u rrëzua në det për shkaqe ende të paqarta, ndërkohë që po përgatitej të hynte në kontakt me patrullën ”Borsini”.
Në det, helikopteri u përfshi nga flakët. Dy pilotët dhe dy anëtarë të tjerë të ekuipazhit arritën të shpëtonin. Ata janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Patrulla ”Borsini” është aktualisht e angazhuar në operacionin “Mare Sicuro” (Det i sigurtë), ndërmarrë në mars të vitit 2015 nga marina italiane, që mobilizon deri në gjashtë anije për mbikëqyrjen e zonës që ndodhet mes Siçilisë dhe Libisë, për të mbrojtur platformat e naftës si dhe anijet tregtare apo të peshkimit, si dhe për të luftuar kundër trafikut të migrantëve./am/