Mediat serbe janë hapur sot me tituj të mëdhenj rreth deklaratës së djeshme të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, bërë dje me rastin e 19-vjetorit të Betejës së Koshares. Kërcënimet që Serbia po i bën Kosovës, kreu i Kosovës i cilësoi serioze, madje duke thënë se Kosova do t’u përgjigjet si në vitin 1999.
“Përgjigja e shtetit të Kosovës është e qartë” çdo kërcënimi do t’i përgjigjemi si i jemi përgjigjur më herët, 19 vjet më parë” deklaroi Thaçi me rastin e manifestimit “Ditët e Koshares”, transmeton Indeksonline
Por, e përditshmja serbe “Kurir”, në faqen e parë ka dalë me artikullin me titull: “Hashim Thaçi përsëri kujton luftën”.
“Presidenti i Kosovës ka kërcënuar se do të godasë Serbinë me “pushkë”. Kjo është një tjetër provë se pala shqiptare nuk dëshiron dialog, por luftë”, thuhet në shkrimin e kësaj medieje.