Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, priti në një takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kroacisë, Damir Krsticeviç, ku Xhaçka tha se bashkëpunim rajonal është një gur themeli për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).
Pas takimit dypalësh mes delegacioneve, dy homologët Xhaçka dhe Krsticeviç dhanë një deklaratë për mediat, ku u fokusuan në bashkëpunimin mes dy vendeve, bashkëpunimin rajonal dhe çështje të tjera.
Në fjalën e saj, ministrja Xhaçka tha se kjo vizitë vjen me një simbolikë domethënëse, siç është 9-vjetori i anëtarësimit të plotë të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
“Që prej asaj kohe ne kemi bërë një rrugë të gjatë së bashku dhe sot jemi aleatë të besueshëm të NATO-s. Këtë fakt e dëshmon dhe bashkëpunimi që kemi me Kroacinë në kuadër të misionit të përhershëm në Afganistan.
E falënderova kolegun Krsticeviç për mbështetjen që vendi i tij i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit euroatlantik, njëherësh i shpreha mirënjohjen për vëmendjen që Kroacia i ka kushtuar Kosovës, duke e bërë atë pjesë të nismave rajonale”, tha Xhaçka.
“Prioriteti ynë kryesor është që të avancojmë më tej bashkëpunimin rajonal, në mënyrë që të promovojmë stabilitetin politik, sigurinë dhe prosperitetin ekonomik të rajonit.
Ne e konsiderojmë atë si një gur themeli për integrimin e mëtejshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, theksoi më tej ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë.
Sipas Xhaçkës një temë tjetër diskutimi mes dy delegacioneve ishte edhe iniciativa e Shqipërisë për ngritjen e qendrës së ekselencës për studimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj terroristë.
Ndërsa Krsticeviç theksoi se Kroacia dhe Shqipëria janë vende mike dhe kanë interesa të përbashkëta dhe përgjegjësi për stabilitetin në rajonin e Ballkanit.
“Duhet të ndajmë të gjitha eksperiencat tona për anëtarësimin tuaj në BE. Ne kemi 5 vite që jemi në BE dhe kemi shumë eksperiencë që jemi të gatshëm t’i ndajmë me ju.
Ajo që është çelësi është bashkëpunimi. Deri në fund të vitit do të nënshkruajmë marrëveshje për bashkëpunim, që ky bashkëpunim të shkojë në një nivel më të lartë nga çfarë është tani, në interes të paqes dhe stabilitetit në pjesën juglindore të Evropës.
Është i rëndësishëm shkëmbimi i informacionit në fushën e mbrojtjes me Shqipërisë dhe Kroacisë”, tha Krsticeviç.
Ai tha se Kroacia e përkrah iniciativën e Shqipërisë për ngritjen e qendrës së ekselencës për luftëtarët e huaj. Më tej Krsticeviç tha se gjatë takimit është biseduar edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve edhe për rastet e fatkeqësive natyrore.
Gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Damir Krsticeviç, u takua edhe me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, Kryeministrin e vendit, Edi Rama dhe ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.