Më shumë se 1,000 trupa ruse dhe 100 avionë po marrin pjesë në stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë pranë Evropës në përgatitje për një sulm të “armikut”.
Siç shkruajnë mediat e huaja, Vladimir Putin ka urdhëruar ushtarët nga Distrikti Ushtarak Perëndimor i Rusisë (ËMD) që të ushtrojnë 50 operacione ushtarake.
Stërvitjet ushtarake përfshijnë përgjigje ndaj një “sulmi ajror të armikut” dhe nisjen e “sulmeve ajrore masive” kundër “forcave pushtuese”, citohet të ketë thënë një zëdhënës i Qarkut Ushtarak Perëndimor i Rusisë (ËMD).
Siç bëhet e ditur më tej, avionët ushtarakë, duke përfshirë Sukhoi Su-27, Su-30SM dhe Su-35 dhe një sërë helikopterësh pritet të përfshihen në ushtrime – gatishmëria e ËMD-së për t’u mobilizuar për luftime do të testohet si pjesë e trajnimit.
“Ekipet e aviacionit taktik, të ushtrisë dhe të transportit të Qarkut Ushtarak Perëndimor do të praktikojnë mbi 50 misione, duke përfshirë edhe përgjigjen ndaj një sulmi ajror imagjinar të armikut”, ka thënë tutje zëdhënësi i ËMD.
Trajnimi vjen në mes të tensioneve të larta midis Rusisë dhe vendeve perëndimore, pas sulmeve të dyshuara kimike në Siri dhe Salisbury.
Britania, Franca dhe SHBA bombarduan objektet që mendohet se janë përdorur nga presidenti sirian Bashar al-Asad për të bërë armë kimike.
Putin reagoi me zemërim duke i quajtur sulmet ajrore një “akt agresioni” kundër Sirisë, një aleati kyç.
Që atëherë, një flotë e anijeve të Marinës Ruse janë vendosur në Mesdhe, pasi Putini kërkon të ndjejë praninë e tij në rajon.
Fregata e marinës ruse Pytlivy dhe shkatërruesi Smetlivy, të dy lundruan përmes ngushticës së Bosforit gjatë fundjavës, ndërsa u drejtuan për një bazë të marinës në Tartus.
Gjithashtu, një fregatë ruse e lidhur për në Mesdhe u kap nga Marina Mbretërore në brigjet e Britanisë të shtunën.
Ndërkohë, po sipas mediave të huaja, deri në 35,000 ushtarë do të marrin pjesë në stërvitjet ushtarake të NATO-s në të gjithë Norvegjinë këtë vit – më e madhja stërvitje që vendi ka parë që nga Lufta e Ftohtë.
Sipas mediave të huaja,, kombi skandinav, i cili ndan kufirin e Arktikut me Rusinë, do të presë trupa nga 30 vende gjatë Trident Junction, i planifikuar për tetor dhe nëntor.
Siç ishte thënë tutje, më shumë se 120 avionë, 70 anije dhe 10,000 automjete do të marrin pjesë në ushtrimet stërvitore, të cilat vijnë mes tensioneve të larta midis Moskës dhe Perëndimit.
Operacionet do të zhvillohen në zonat përreth Atlantikut të Veriut dhe Detit Baltik, duke përfshirë Islandën, dhe hapësirën ajrore të Finlandës dhe Suedisë.
Forcat detare, ajrore, speciale dhe forcat amfibe do të marrin pjesë në atë që është një nga ushtrimet më të mëdha të NATO-s në vitet e fundit.
Mirëpo zyrtari i lartë i Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se marrëdhëniet midis SHBA dhe Rusisë janë transferuar në nivelet e epokës së Luftës së Ftohtë dhe potencialisht shumë më keq, pas dy stërvitjeve ushtarake dhe sulmet diplomatike.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë për stacionin televiziv suedez SVT se bota ka vënë në dukje se “Lufta e Ftohtë është kthyer”, por se tanimë gjendja është më e komplikuar për dy arsye.
“Së pari, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk kontrollojnë të gjithë siç ishte rasti në Luftën e Ftohtë”, tha ai.
“Ne kemi një numër të vendeve që janë shumë aktive në rajon – Turqia, Irani, Arabia Saudite dhe të tjerët. Është e qartë se nuk ka dy blloqe homogjene të kontrolluara mirë”, tha Guterres.
“Së dyti, gjatë Luftës së Ftohtë ka pasur mekanizma të dialogut, të kontrollit, të komunikimit për të siguruar që sa herë që ekziston rreziku i ballafaqimit apo incidenteve gjërat nuk do të dilnin jashtë kontrollit. Këto mekanizma sot nuk ekzistojnë”, shtoi ai, duke shpresuar drejt disa hapave të fundit, drejt uljes së përshkallëzimit. /Bota Sot/