Me kërkesën e partive opozitare, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të hënën është i thirrur në katër interpelanca. Thirrja në këto interpelanca ku kryeministri pritet të sqarohet për vendimet që ka marrë Qeveria, shihen në forma të ndryshme.
Nga katër interpelancat për kryeministrin Haradinaj, në njërën nga to është thirrur nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e që ka të bëjë me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej një milion eurosh për KOSTT-in, për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Avdullah Hoti, thotë për Radion Evropa e Lirë se debatet dhe interpelancat kanë mbetur e vetmja formë e mbikëqyrjes së punës së Qeverisë nga ana e Kuvendit.
“Debatet dhe interpelancat kanë mbetur e vetmja formë e mbikëqyrjes së punës së Qeverisë nga ana e Parlamentit. Qeveria nuk paraqitet në Parlament për t’u përgjigjur në pyetjet parlamentare, shumë ministra dhe zyrtarë të tjerë nuk paraqiten as në Komisione Parlamentare, kështu që opozita detyrimisht po i përdor këto forma të debatit në Kuvend. Edhe në këto raste, Qeveria nuk po paraqitet në Parlament”, thotë Hoti.
Në dy interpelanca tjera, kryeministri është thirrur sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me reduktimet e ashpra të furnizimit me energji elektrike dhe situatën në sektorin e energjisë, si dhe në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucione dhe të zyrtarëve të lartë të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, Grupi i Deputetëve të Pavarur ka thirrur në interpelancë kryeministrin në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë “Contour Global” dhe Qeverisë së Kosovës për projektin e Termocentralit “Kosova e Re”.
Sidoqoftë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradianj, nuk do të mund të jetë prezent në këto interpelanca të thirrura për të hënën, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi.
Të hënën, shton Gashi, Qeveria është nikoqire e pritjes së kryeministrit të Bullgarisë, pra një agjendë, siç thotë Gashi, e planifikuar më herët.
“Nëse ishte organizuar në planifikim me agjendën e Qeverisë, konkretisht kryeministrit, nuk do të ishte një pengesë për shkak se edhe vetë kryeministri Haradinaj është i interesuar të jetë pjesë e këtij sqarimi publik për punën e tij, por zakonisht interpelancat në Kuvendin e Kosovës caktohen duke u bazuar në agjendën që ka Kuvendi i Kosovës dhe shumë herë është ardhur deri te një keqkuptimi që kryeministri po mungon atje si pjesë e papërgjegjësisë, por në fakt nuk ka qenë kështu – ka qenë për shkak të agjendave që kanë qenë të planifikuara”, sqaron Gashi.
Njohësi i zhvillimeve parlamentare, Albert Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se interpelancat më shumë sesa që po janë në funksion të ushtrimit të rolit të Kuvendit, po e pengojnë mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit dhe funksionalitetin e vet Qeverisë.
“E para ka të bëjë me vetë organizimin e Kuvendit si institucion. Për seancën e së hënës janë renditur 25 pika, prej tyre janë pesë interpelanca, dhe katër debate parlamentare, nëse e marrim gjithsecila seancë mund të zgjasë deri në tre orë dhe vetëm interpelancat mund të marrin kohë 15 orë e lërë më debatet parlamentare, zgjedhja e anëtarëve të bordeve, shqyrtimi i projektligjeve, dhe të gjitha këto po bëjnë pastaj këto pika të mos mund të trajtohen brenda një seance të vetme dhe pastaj kur t’i vijë radha ndoshta pas një muaji apo dy, të mos jenë më relevante”, vlerëson Krasniqi.
Sipas Krasniqit, partitë politike, të cilat janë në opozitë, po mundohen që tani të jenë në një garë se cila është më aktive dhe po e mban primatin e partisë kryesore opozitare.
“Këto tri grupe parlamentare (LDK, VV dhe Grupi Parlamentar i Deputetëve të Pavarur), tani po mundohen që përmes interpelancave të tregohen se janë duke ushtruar më shumë rolin e tyre si parti opozitare dhe gjithë kjo nuk po i kontribuon procesit të zhvillimit të vendit në tërësi, pasi që nuk e kanë për qëllim zgjidhjen e atij problemi që po mundohen ta trajtojnë në Kuvend”, thekson Krasniqi.