Në raport është konstatuar se, edhe më tutje dobësitë kryesore të ekonomisë mbeten. Këto përfshijnë mangësi në mjedisin e biznesit, siç janë zbatimi i dobët i kontratave dhe një ekonomi e madhe informale. Problemet strukturore të tregut të punës pasqyrohen në aktivitet të ulët dhe shkallë të lartë të papunësisë…
Nga Bilall KASAMI
Si shumë gjëra tjera që po na ndodhin për këto vite të një tranzicioni të stërzgjatur dhe që kalojnë pa një analizë të mirëfilltë shoqërore, veçanërisht nga elitat intelektuale, edhe lehtësia me të cilën e kaluam raportin progresit për vitin 2018 tregon nivelin e shoqërisë në të cilën jetojmë. Për të qenë më i qartë, që në fillim të këtij shkrimi dua të potencoj se një shoqëri e mirëorganizuar as që do të kishte nevojë që dikush nga jashtë t`i tregojë se si duhet vepruar apo çfarë sistemi duhet ndërtuar për një jetë më të mirë.
Por, meqë nuk kemi nivelin e organizimit shoqëror, i cili do të krijonte mirëqenie për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim, atëherë na duhet një motivim shtesë. Në momentin historik që e jetojmë, duke analizuar shumë parametra të zhvillimit shoqëror, në veçanti atij ekonomik, mund lirisht të themi se motiv më i mirë se të qenurit pjesë e familjes së zhvilluar evropiane nuk ka, veçanërisht për shtetet si Maqedonia.
Prandaj, vlerësoj se raporti i progresit i këtij viti për Republikën e Maqedonisë ka një domethënie të veçantë dhe si i tillë kërkon që të lexohet e rilexohet disa herë nga politikanë e intelektualë, analistë e pushtetarë, që përfundimisht të kuptojmë se na duhet shumë punë që të arrijmë nivelin e dëshiruar të zhvillimit shoqëror për të qenë pjesë e barabartë e shoqërisë së zhvilluar evropiane
Që në fillim të tij raporti i vë notën diçkaje që nuk do të pranohet nga shumë politikanë vendës, deri dje në pozitë e sot në opozitë, se vendi më në fund ka kapërcyer krizën më të rëndë politike që nga viti 2001. Pra, kur të gjithë mendonim se pas vitit 2001 përfundimisht jemi mbushur me mend dhe e kemi kuptuar seriozisht përgjegjësinë që na takon para gjeneratës që e përfaqësojmë, por edhe atyre që do të vijnë, ne vazhduam me avazin e vjetër, ndoshta edhe më keq se në vitin 2001.
Pra, jo më shumë se 10 vite pasi kaloi kriza e 2001-shit, si rezultat i politikanëve të papërgjegjshëm, ne përsëri u ballafaquam me një situatë që rrezikoi seriozisht themelet e shtetit. Dhe kjo situatë zgjati për një periudhë të gjatë deri sa miqtë tanë e kuptuan se përsëri duhej intervenuar për të shpëtuar shtetin nga politikanë të papërgjegjshëm.
A thua vallë na duhet një raport progresi që të na përkujtoj se duhet një përkushtim i fuqishëm politik për të garantuar profesionalizmin e administratës publike, sikur kjo administratë publike do t`u shërbejë qytetarëve të vendeve të BE-së e jo qytetarëve të Maqedonisë. Pra, administrata publike është ajo me të cilën ballafaqohemi të gjithë pa dallim dhe thuajse çdo ditë.
Në një situatë të tillë, kur kemi një administratë gati se tërësisht të politizuar, sigurisht që duhet një konsensus gjithëpërfshirës në drejtim të depolitizimit dhe profesionalizimit të saj. Administratë kjo që do të duhet të më shërbej mua po me atë përkushtim sa edhe kryeministrit apo shefit të opozitës pa ia ditur për asnjërin se kush është dhe nga vjen. Kur të arrihet një nivel i tillë i depolitizimit dhe profesionalizimit të administratës publike, sigurisht që benefitet do t`i shijojnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe ndoshta edhe ndonjë qytetarë i shteteve evropiane, nëse do të vendos të kalojë për vizitë këndej pari.
Megjithëse raporti vlerëson se sistemi gjyqësor i vendit ka arritur një nivel të përgatitjes dhe është bërë përparim i dukshëm, sidomos në pjesën e dytë të periudhës raportuese, ai edhe më tutje mbetet nyja gordiane e sistemit të përgjithshëm shoqëror të Maqedonisë. Pa një gjyqësor që do të ndajë drejtësi vërtet që është gati se e pamundur që të ndërtojmë një shoqëri që do të krijojë mirëqenie ekonomike, kulturore, sportive etj. Duke qenë të vetëdijshëm se gjyqësori është një ndër pjesët me delikate të një shoqërie, atëherë duhet që me një qasje të tillë ta trajtojmë si veprimtari profesionale por jo vetëm.
Si do të pranoj vendimin e dënimit të përjetshëm një i akuzuar për një vepër të rëndë edhe po të jetë vendim meritor, në kohën kur gati se janë bërë përditshmëri rastet e montuara ku njerëz të pafajshëm dënohen me dënime të tilla. Vërtet që shumë pak i kushtohet rëndësi një momenti të tillë kur sistemi juridik më shumë se ndarjen e drejtësisë duhet të ketë parasysh edhe elementin korrektues të shoqërisë. Kjo e fundit, dimensioni korrektues i vendimeve të gjyqësorit, për rastin e Maqedonisë mbetet një ëndërr që ende nuk e kemi luksin që ta shohim si të tillë (ëndërr) e lëre më ta përjetojmë në përditshmërinë tonë.
Korrupsioni, eh korrupsioni! Çka të themi për korrupsionin? Do të mjaftohem vetë me konstatimin në raport ku thuhet se korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz. Dhe kur jemi te korrupsioni, problem më serioz se vet ai edhe më tutje mbetet kapaciteti i munguar i institucioneve për të trajtuar në mënyrë efektive korrupsionin, kapacitet ky që ka treguar mangësi strukturore dhe operacionale. Derisa shoqëria e trajton korrupsionin si pjesë të pandashme të jetës së përditshme të qytetarëve do ta kemi vështirë ta fitomë këtë betejë.
Duke qenë të vetëdijshëm që format më të sofistikuara të krimit të organizuar gati se gjithmonë përfshijnë ndonjë zyrtar shtetëror, duke arritur edhe nivelet më të larta të pushtetit, atëherë duhet të kuptojmë se betejën mund ta fitojnë vetëm se nëse arrijmë të vetëdijësojmë po këta zyrtarë të shtetit.
Edhe në këtë segment raporti vlerëson se duhet bërë më shumë për të luftuar në mënyrë efektive forma të caktuara të krimit, si pastrimi i parave dhe krimet financiare. Kjo edhe nga shkaku që Maqedonia si një vend i vogël, edhe më tutje mbetet në rutën e krimit ndërkombëtarë të pastrimit të parave dhe formave tjera të krimit financiar. Duke e pasur ende të freskët memorien shoqërore kur qeveria paraprake njërën ndër iniciativat e ndryshimeve kushtetuese e kishte edhe ndryshimet që praktikisht Maqedoninë do ta transformonin në një parajsë financiare, do të duhet që edhe më tutje këtë çështje ta trajtojmë shumë seriozisht.
Dhe për fund mbetet ajo më e rëndësishmja, ekonomia. Në raport është konstatuar se, edhe më tutje dobësitë kryesore të ekonomisë mbeten. Këto përfshijnë mangësi në mjedisin e biznesit, siç janë zbatimi i dobët i kontratave dhe një ekonomi e madhe informale. Problemet strukturore të tregut të punës pasqyrohen në aktivitet të ulët dhe shkallë të lartë të papunësisë. Mjedisi makroekonomik u përkeqësua në gjysmën e parë të vitit 2017 për shkak të krizës së stërzgjatur politike. Politika fiskale është e orientuar drejt masave afatshkurtra dhe mungon një plan konsolidimi i qëndrueshëm.
E gjithë kjo tregon se raporti paraqet një situatë të ngjashme me atë të një profesori, i cili pasi e qorton studentin e tij për më shumë se një orë duke ia treguar të gjitha dobësitë dhe mangësitë e tij, më në fund i jep një notë kaluese për ta motivuar që të vazhdoj më tutje, duke shpresuar se studenti e ka kuptuar drejtë mesazhin e tij. Edhe neve nuk na mbetet gjë tjetër veç se të shpresojmë se e kemi kuptuar drejt raportin e progresit për këtë vit dhe se do t`i marrim më seriozisht të gjitha vërejtjet që janë paraqitur aty./koha.mk