Ballina Aktualitet Lajme Shpenzime marramendëse për mbrëmjen e maturës

Shpenzime marramendëse për mbrëmjen e maturës

Euforia e mbrëmjes së maturës duket se është nga fundi, pasi nga java e dytë e muajit maj të gjitha shkollat e mesme në vend do të festojnë përmbylljen e ciklit të shkollimit të mesëm. Dyqanet e qyteteve janë mbushur përplot me veshmbathje të bukura me qëllim të tërheqjes të sa më shumë maturantëve ndërsa sallonet e zbukurimit tashmë kanë mbushur listën e rezervimeve për këtë natë.

Nuk ka nevojë të bëhen ndryshime radikale, thjeshtësia të jetë standard ose natyralja. Gjeneratat më të reja nuk kanë nevojë për shumë ndryshime, është mirë të bëhen nijansime të flokut, detaje shumë të imëta dhe të kenë efekte të duhura – thotë Emnijet Ademi, parukier.

Ka interesim më të madh këtë vit për grim dhe flokë, edhe për ngjyra po ashtu. Jam përgatitur pothuajse, sa më thjesht që të dukemi, aq më mirë, jo diçka e tepruar, mund t’i bëj flokët kaçurrela – thotë një maturantë.

Mbrëmja e maturës duket se do t’ju kushtojë shuma të mëdha familjeve që kanë fëmijët maturantë. Ata që anketuam për Alsat kishin shpenzuar prej 300 deri në 500 euro për përgatitjet e kësaj mbrëmje, edhe pse akoma të gjitha nuk i kishin përfunduar.

Jam nga fundi i përgatitjeve, kam filluar që më herët. Fustanin e kam blerë, gjithashtu edhe këpucët dhe çantën. Mendoj që për standardin tonë janë shumë. Përafërsisht 500 euro.

Prej në fillim ka pasur shumë shpenzime dhe ende ka por gjithçka varet prej shijes së personave, çka dëshirojnë të blejnë, si mendojnë të duken për atë mbrëmje… Nuk e di, diku deri 300-400 euro mundet me arrit ose ndoshta edhe më shumë – thonë maturantët e intervistuar.

Përafërsisht, darka e maturës bashkë me muzikë kushton rreth 1200 denarë, veshja për vajza ose djem lëviz prej 5 mijë deri 9 mijë denarë, këpucët për dy gjinitë prej 1200 deri 3000 mijë denarë, rregullimi i flokëve dhe grimi për vajza prej 1500 deri 2500 denarë, dhurata për partnerin e mbrëmjes rreth 1000 denarë, si dhe shumë e shumë shpenzime të tjera për organizimin e festës familjare./am/