Fjalimi i Emmanuel Macron në Parlamentin Europian ishte krisma e parë për hapjen e fushatës zgjedhore europiane në vitin 2019.
Pasi dëgjuam fjalimin e bukur, nuk e dimë akoma, nëse presidenti francez do të tentojë në Europë atë që kërkonte në Francë para një viti – shkatërrimin e partive politike ekzistuese dhe krijimin e një platforme të re proeuropiane, thelbi i së cilës është refuzimi i statuskuosë.
A do të rrezikojë ai t’i sfidojë aq shumë partitë e qendrës, që shumica qeverisin në Europë, saqë të ndahet edhe nga kancelarja Merkel? Si do të veprojë ai me rritjen e tensioneve mes Lindjes dhe Perëndimit?
Si do ta sjellë ai energjinë e re demokratike në projektin europian, veçanërisht, në ato shoqëri, që fjalimet e tij i lexojnë në versione të përkthyera?
Prej shekujsh ka një lidhje të thellë në Francë mes politikës dhe poezisë – dhe Emmanuel Macron i mbetet kësaj lidhjeje besnik.
Ai e vuri në provë edhe talentin e tij për dramaturgjinë, kur foli, për „luftën e re qytetare” në Europë, rreziqet e nacionalizmit dhe kur deklaroi se nuk do të jetë pjesë e një „gjenerate sonambulësh”.
Ai i ngacmoi kundërshtarët politikë në anën e djathtë të spektrit politik në Europë, kur u pozicionua si mbrojtës i vlerave europiane, jo vetëm ndaj sundimtarëve autoritarë në Rusi, Kinë, Turqi, por edhe kundër „iliberalëve” në shtëpinë e vet, Europë, kujtojmë Hungarinë, Poloninë.
Macron fitoi pikë me pragmatizmin politik, kur u distancua nga narrativi klasik federalist, të cilin e mbështesin shumica e francezëve dhe nuk argumentoi më për „Shtetet e Bashkuara të Europës”, por për një tatim digjital të përbashkët, që do ta forconte Brukselin.
Një vizionar i kujdesshëm
Presidenti francez ka vendosur të jetë në rolin e vizionarit të kujdesshëm. Ai vetëm i rivijëzon opcionet politike të tij, në vend që t’i trumbetojë me të madhe.
Nga ana retorike fjalimi ishte shumë i fuqishëm, por të bien në sy temat që nuk preku Macron. Presidenti francez qëndroi dyshueshëm i heshtur, në temën e reformave në Eurozonë, që ishte lajtmotivi i fjalimit në Sorbonë vitin e kaluar. Heshtja është një sinjal i qartë për vështirësitë në bisedimet francezo-gjermane për unionin monetar europian.
Ai gati nuk e preku qëndrimin e Europës në tregtinë e lirë, dhe nuk mbajti një qëndrim të qartë politik në temën e migracionit në Europë.
Gjenerali Charles de Gaulle një herë ka thënë: „Një lider i vërtetë e mban gjithmonë të fshehur asin nën mëngë, e i jep me të publikut një gjendje entuziazmi dhe emocioni.” Asi që kishte Macron ishte mesazhi i tij për të ardhmen e zgjerimit.
„Nuk dua që Ballkani të drejtohet nga Turqia apo Rusia”, tha presidenti francez në Strasburg. Por ai as nuk do një Europë me 28 anëtarë, së shpejti 27, që funksionon me vështirësi e që pastaj do të vendoste të „marrë galop me 30 apo 32 anëtarë por me të njëjtat rregulla”.
Macron u drejtohet zgjedhësve në Europën Perëndimore
Ka një të vërtetë këtu. Shumica e europianëve do t’i jepnin të drejtë, se nuk ka kuptim të flitet për zgjerimin, kur nuk është vendosur se çfarë do që të jetë ky union, që do të zgjerohet.
Aktualisht nuk ka asnjë miratim për një formë te re zgjerimi, pavarësisht nëse bëhet fjalë për Ballkanin, Turqinë apo Ukrainën.
Nëse i pyet zgjedhësit europianë se sa e madhe duhet të jetë BE në të ardhmen, shumë do të zgjidhnin zvogëlimin, jo zgjerimin.
Por efekti konkret i mesazhit të Macron është katastrofik. Konstatimi i Jean-Claude Junckerit se alternativa tjetër e integrimit në BE është një luftë në rajon është një shembull se si banaliteti mund të përdoret për shpëtim.
Por në të vërtetë mesazhi Macron mban brenda fuqi shpërthyese, përkeqësim të gjendjes në rajon. Bullgaria, si presidente e radhës në BE ka të drejtë të akuzojë Macron, se për shkak të tij, samiti i përgatitur me aq kujdes në maj të tingëllojë më shumë si një shaka.
Komisioni Europian po ashtu ka të drejtë ta interpretojë mesazhin e Macron si thikë pas shpine. Edhe reformuesit proeuropianë në rajon kanë të drejtë të akuzojnë Macron se po minon pozicionin e tyre.
“Ambiguitet konstruktiv” – ka qenë strategjia e preferuar e BE në mënyrën e sjelljes me Ballkanin. Kur bëhet fjalë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, politikanët e BE thonë më dëshirë, pyetja e vetme që shtrohet është „kur”.
Por në realitet askush nuk e beson, as në Bruksel e as në Beograd, se në vitin 2025 njëri nga këto vende do të jetë anëtar i BE. Por nëse deri tani loja e BE me Ballkanin quhej „mbajtja e derës hapur”, Macron ka vendosur të mbajë dyert mbyllur, të paktën për momentin. Për këtë nuk mund ta akuzosh.
Por ajo që mund t’i thuash është se me „ngrirjen” e zgjerimit të BE pa një strategji alternativë, ai kontribuon në thellimin e krizës në Ballkan dhe dobëson pozicionin e BE në rajon. Ajo që u bë e qartë: Kur Macron flet për „europianët”, elektorati, të cilit ai i drejtohet është vërtet vetëm ai europianperëndimor. /Nga Ivan Krastev – DW/
Ivan Krastev është drejtues i Qendrës për Strategji Liberale në Sofje, i Ftuar i Institutit për Shkencat Humane në Vjenë, dhe i Ftuar i bursës Richard von Weizsäcker i Akademisë Bosch në Berlin.
Ai shkruan rregullisht analiza për New York Times. Libri i tij “Perëndimi i Europës” u botua në vitin 2017 në shtëpinë botuese Suhrkamp./sn/