Krerët e vendeve balltike do t’i kërkojnë presidentit amerikan, Donald Trump që të dërgojë më shumë ushtarë dhe të përforcojë mbrojtjen antiajrore të krahut lindor të NATO-s, gjatë takimeve që parashikohen të zhvillohen sot, sipas përgjegjësve të vendeve të tyre.
Presidentja lituaneze, Dalia Grybauskaite dhe homologët e saj estonezja, Kersti Kaljulaid dhe letonezi, Raimonds Vejonis priten sot në Shtëpinë e Bardhë në një çast që Uashingtoni duket se po ashpërson pozicionin e tij përballë Moskës.
Sipas një përgjegjësi të lartë lituanez vendet balltike i kërkojnë SHBA-së të dërgojë më shpesh bateri me raketa të sistemit antiraketor “Patriot” për të zhvilluar manovra ushtarake.
Ata duan gjithashtu të jenë pjesë e mburojës antiraketore të NATO-s në Europë.
Vitin e kaluar, NATO-ja dërgoi katër batalione ndërkombëtare në Poloni dhe në tre vendet baltike në kuadër të një ndërhyrje të mundshme ruse, ndërkohë që ushtria amerikane ka dërguar sisteme “Patriot” në Lituani në kuadër të këtyre manovrave./am/