Presidenti i Kosovës të shtunën ka akuzuar “Vetëvendosjen” se financohet nga Irani dhe se lideri i kësaj partie Albin Kurti është themelues i organizatës “Syri i Popullit”.
Për këto akuza “Vetëvendosja” tani kërkon fakte nga Thaçi, në të kundërtën thonë se do të kërkojnë përgjegjësi ligjore, shkruan sot Gazeta “Zëri“
Një ditë pas akuzave të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi karshi lëvizjes “Vetëvendosje”, përfaqësuesit e kësaj partie kanë thënë për gazetën “Zëri” se do të kërkojnë nga presidenti argumentimin e deklaratave të tij.
Kjo parti bën të qartë se nëse Thaçi nuk i argumenton këto akuza do të ndjekin procedurën ligjore ndaj të parit të shtetit.
Madje, sipas anëtarëve të “Vetëvendosjes”, deklarimi i Thaçit kundër kësaj partie është shkelje e Kushtetutës pasi presidenti i vendit duhet të përfaqësojë unitetin e popullit dhe nuk guxon të dalë kundër ndonjë partie politike.
Sipas analistëve politikë, deklaratat e Thaçit kundër “Vetëvendosjes” dhe Albin Kurtit kanë të bëjnë me rivalitetin politik në mes të dy politikanëve.
Ata thonë se nëse këto akuza qëndrojnë, atëherë presidenti duhet t’i dërgojë në Prokurori.
Hashim Thaçi të shtunën gjatë një konference për shtyp e ka akuzuar lëvizjen “Vetëvendosje” dhe liderin e saj Albin Kurti për disa gjëra, ku ndër to ka përmendur edhe financimin e kësaj partie nga Irani, si dhe ka drejtuar gishtin kah Albin Kurti duke thënë se ai është ideatori i themelimit të organizatës “Syri i Popullit”