Unë mund ti mbaj leksion Hristijan Mickovskit mbi ekonominë deri në mëngjes, u përgjigj Kryeministri Zoran Zaev ndaj kritikës së liderit të VMRO-DPMNE-së, se qeveria e re ka shkaktuar një cunami ekonomik. Në intervistë për Agjencinë Informative të Maqedonisë – MIA, Zaev thotë se ata trashëguan një shtet të shkatërruar dhe financiarisht të dobët, por kanë arritur ta stabilizojnë arkën e shtetit, të arrijnë rritje ekonomike dhe të mundësojnë rritjen e pagave. Kryeministri është optimist se jo deri në fund të mandatit, por deri në fund të vitit të ardhshëm paga mesatare do të arrijë deri në 500 euro. Ai njofton rritje të konsiderueshme edhe të ndihmës sociale.
Analizat thonë se nëse vazhdojmë me këto trende me punë ekonomike, të kombinuara me rritjen ekonomike, më 1 janar 2019 do të krijohen kushte që ndihma sociale mesatare prej 4,200 denarë të arrijë shumën prej 11,500 denarë. Në të njëjtën periudhë, deri më 1 janar 2019, ne synojmë ta stabilizojmë fondin e pensioneve, për të garantuar pensionet dhe rritjen e tyre përkatëse për pensionistët aktivë, si dhe për të gjithë ata të ardhshëm – tha Zoran Zaev, kryeministër .
Kryeministri paralajmëron një ofensivë pranverore ekonomike dhe ndërtimore. Ai thotë se tashmë fillon ndërtimi, rindërtimi dhe rehabilitimi i infrastrukturës rrugore në gjatësi prej 800 kilometrash në vlerë prej mbi 270 milion euro.
E gjithë operativa e ndërtimit do të punojë pothuajse në të gjithë territorin e vendit. Në të njëjtën kohë, me transferimin e parave të TAV-it, nga kargo aeroporti, që nuk do të ndërtohet, në vlerë prej 35 milion euro, së bashku me paratë e kursyera nga shpenzimet jo produktive të institucioneve prej 25 milionë eurosh, do të ndërtohen kopshte, shkolla, rrjete kanalizimi dhe ujësjellës. Edhe këto projekte të infrastrukturës po fillojnë këtë pranverë – theksoi Zoran Zaev, kryeministër.
Zaev gjithashtu konfirmoi se projektet hidroenergjetike “Çebren” dhe “Galishte” do ti ndërtojë shteti me paratë e veta dhe me ndërmarrjet vendase. Zaev njofton ndërtimin e projektit të ri në vendin e Panairit të Shkupit, si dhe realizimin përfundimtar të projektit turk Limak, me një kompleks të banimit dhe biznesit prapa Ramstorit në Shkup. Zaev u mburr se për 10 muaj, pa asnjë denarë të harxhuar kanë ardhur 10 investitorë të huaj, për dallim nga periudha e qeverive të VMRO-DPMNE-së, kur edhe pse u shpenzuan mbi 250 milionë euro për të tërhequr investitorë, vetëm 23 erdhën në vendin tonë./am/