Ditën e nesërme opozita ka thërritur qytetarët në një protestë në kryeqytet, ndërsa policia ka zbardhur planin e masave të marra. Do të jenë rreth 1500 policë që do të ruajnë rendin ditën e nesërme për të mbajtur nën kontroll kështu tubimin që do të zgjasë për disa orë.
Pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ku do të mbahet protesta do stacionohen edhe ambulanca dhe shërbimi zjarrfikës. Vëmendje i është kushtuar ruajtjes së institucioneve të cilat do të jene nën ruajtje nga reparti për sigurinë e brendshme dhe ceremonialin si edhe nga Garda e Republikës.
Masa ka marrë edhe policia rrugore. Do të ketë devijim trafiku në aksin që lidh bulevardin me qendrën dhe do të bllokohet qarkullimi rrugor përgjatë bulevardit. Kufizime do të ketë edhe në rrugët lidhëse.
Nuk do të lejohet parkimi i mjeteve në këtë hapësirë që prej të premtes. Autobusët që do të sjellin protestuesit nga rrethet nuk do të lejohen të futen në qytet. Ata që vijnë nga ana veriore do stacionohen pranë stadiumit “Asllan Rusi” ndërsa nga ana jugore tek Fakulteti Ekonomik.
Do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i mjeteve tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugët ndërlidhëse të tij. Plani i masave u hartua nga Policia e Shtetit dhe ajo e Tiranës bazuar në informacionet e marra nga agjentët si edhe shërbimi informativ shtetëror.