Nga Bashkim Kastrati
Prokurimi publik paraqet një proces tejet të rëndësishëm për shkak se ai përdoret nga qeveria dhe institucionet tjera publike për të blerë mallra dhe shërbime, vlerat e të cilave zakonisht përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të GDP-së.
Rrjedhimisht, si proces që realizohet përmes përdorimit të parave të taksapaguesve, prandaj ky proces duhet të jetë transparent, efikas, konkurrues dhe në dobi të së mirës së përgjithshme.
Për shkak të natyrës kontraktuale të prokurimit publik me akterë ekonomikë nga sfera private, shpeshherë ky proces është parë si një vegël për keqpërdorimin e mjeteve publike, korrupsionit dhe ndikimit jo të barabartë ndërmjet akterëve ekonomikë dhe zbatuesve qeveritarë të prokurimit publik.
Sipas një raporti të publikuar nga organizata Çohu!, ekziston një perceptim i skajshëm se çdo zyrtar prokurimi paraqet njësinë e parë të korrupsionit institucional dhe më gjerë. Ky perceptim, ndonëse i padefinuar, ka shumë gjasa të ketë bazë reale, dhe ka përcaktuar me vite të tëra edhe shkallën e përgjithshme të besimit të qytetarëve në institucionet publike.
Sipas raportit në fjalë, debatet kryesore që e kanë karakterizuar fushën e prokurimit publik në Kosovë dhe që kanë pasur në fokus qasjen e shoqërisë civile në këtë drejtim, mund të përmblidhen në fushat në vijim:
Prokurimi publik si instrument i financimit të partive politike.
Partitë politike në Kosovë në kuadër të shtrirjes së veprimtarisë organizative të tyre në njërën anë, si dhe në mungesë të fondeve dhe burimeve financiare legjitime në anën tjetër, e kanë shfrytëzuar instrumentin e prokurimit publik, për të krijuar lidhje klienteliste me bizneset përmes formulës së dhënies së tenderëve publikë për t’i tatuar pastaj jashtëligjshëm me shuma të konsiderueshme të parave të cilat këto biznese përfituese të tenderëve është dashur t’u kthejnë prapa partive politike në pushtet.
“Kjo lidhje klienteliste është hasur si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal dhe është vendosur si kod i sjelljes së zakonshme në ambientin e të bërit biznes”, thuhet ndër të tjera në raport.
Bazuar në të dhënat e hulumtuara nga organizata Çohu!, përgjatë shtatë viteve (gusht 2007- maj 2014), del se disa nga financuesit e partive politike – bizneset dhe pronarë të bizneseve – kanë përfituar rreth 220 milionë euro tenderë publikë. Të gjitha këto procedura janë realizuar përmes prokurimit publik. Dhe me “letra” gjithçka ka qenë pothuajse në rregull. Hulumtimi tregon se financuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), që për shtatë vite drejtoi Qeverinë e Kosovës, janë në krye të listës së përfituesve nga tenderët publikë, të pasuar nga financuesit e Lëvizjes Vetëvendosje! (LVV). Financuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe të Aleancës për Kosovën e Re (AKR), kanë përfituar shumë më pak të hyra nga tenderët publikë se sa ata të PDK-së dhe LVV-së.
Prokurimi publik si kulturë e pandëshkueshmërisë
Raporti thekson se për vite të tëra, korporatat e mëdha, ndërmarrjet publike dhe shërbimet publike si KEK-u, Posta, QKUK-ja, ministritë etj, kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës me kontrata të pafavorshme ekonomike, duke zbatuar një prokurim i cili fare nuk korrespondonte me “publiken”.
“Zyrtarët e prokurimit të këtyre ndërmarrjeve kanë vazhduar të ushtrojnë detyrën e tyre pa u ndëshkuar asnjëherë për veprimet antiligjore në proceset e prokurimit. Kjo ka ndikuar në “shpikjen” e kategorisë së zyrtarëve të prokurimit si persona me lidhje të fuqishme, puna e të cilëve nuk mund të adresohet në mënyrë ligjore”, theksohet në raport.
Ndonëse në dukje e sipër ka pasur iniciativa penale kundër kësaj pjese të institucioneve publike, ka fare pak raste kur zyrtarët e prokurimit kanë përfunduar me përgjegjësi penale për shkeljen e ligjit.
Si rrjedhojë, shembulli i pasurimit të shpejtë që haset tek një pjesë e madhe e tyre kundrejt masave spontane institucionale për të luftuar korrupsionin, kanë ndikuar në krijimin e një klime të pandëshkueshmerisë ndaj shkelësve të ligjit. Kjo klimë, edhe sot e kësaj dite vazhdon të diskreditojë edhe atë pjesë të zyrtarëve të prokurimit të cilët përpiqen të ushtrojnë detyrën e tyre me përgjegjësi dhe mbi bazën ligjore.
Prokurimi publik si bojkot ekonomik
Kur flasim për një situatë në të cilën partitë politike në pushtet kanë në dorë instrumentet e përdorimit të parasë publike, është shumë e arsyeshme të mendohet se kush ka predispozita më të mira për të qenë përfitues i tyre.
Pasqyrime të kësaj natyre ka pasur edhe në Kosovë. Të gjeturat e hulumtimit tregojnë se bizneset që kanë qenë të përfshira si mbështetëse të një partie të caktuar, kanë rënë viktimë e anashkalimit me rastin e ardhjes në pushtet të një partie tjetër.
Akoma më keq ka qenë situata me ato biznese që fare s’i kanë takuar sferës së politikës. Bizneset e tilla kanë pasur gjasa minimale për të përfituar kontrata publike të çfarëdo vlere. “Kështu, prokurimi publik në Kosovë, në vend se të jetë mundësi për bizneset për të qenë furnizues dhe kontraktues të mallrave dhe shërbimeve përmes një tenderimi transparent, ligjor dhe të barabartë, në masën më të madhe ka qenë ose monopol i një biznesi të caktuar ose bojkotim i çdo biznesi që s’ka pasur lidhje me politikën”, thuhet në raportin e organizatës Çohu! (tesheshi)