Arabia Saudite ka paralajmëruar prej kohësh se do të heqë ligjin që u ndalon grave të drejtojnë automjete, por përpara se kjo të bëhet fakt i kryer, 7 aktivistë të të drejtave të grave, 5 gra dhe dy meshkuj, të cilët guxuan të sfidojnë ligjet në fuqi, u arrestuan nga autoritetet saudite.
Arsyeja e arrestimeve nuk është bërë e ditur, por aktivistë të tjerë të të drejtave të njeriut thonë se autoritetet po përpiqen t’i bëjnë gratë të heshtin. Televizioni shtetëror në mbretërinë arabe raporton se ato janë arrestuar për kontakte me një fuqi të huaj.
Në Arabinë Saudite ka ligje strikte që u kërkojnë femrave të marrin leje nga meshkujt për disa vendime apo veprime. Mes të arrestuarve janë edhe Loujain al-Hathloul dhe Eman al-Nafjan, që kanë kundërshtuar hapur ligjin që u ndalon femrave drejtimin e automjetit, i cili pritet të hiqet më 24 qershor.
Sipas “Human Rights Watch”, dy femrat e mësipërme, Nafjan dhe Hathloul në vitin 2016 nënshkruan një peticion për të zhdukur sistemin e kujdestarisë mashkullore, që u ndalon femrave të udhëtojnë jashtë vendit, të martohen apo të kenë pasaporta pa lejen e një kujdestari mashkull. (o.k/BalkanWeb)