Ballina Argëtim Kuriozitete Arkivolët ngatërrohen në aeroport, familjarët në panik nga skandali

Arkivolët ngatërrohen në aeroport, familjarët në panik nga skandali

Një kompani ajrore u detyrua të kërkonte ndjesë për ngatërresën që kishte bërë me dy arkivolë, duke çuar trupin e vdekur të një burri në varrimin e gabuar, në shtetin e gabuar.

Mësuesi 57-vjeçar Oybind Frederikson vdiq në spital më 5 Maj nga një infeksion në mushkëri, kur mjekët në Tromso të Norvegjisë nuk mund të bënin më gjë për të.

Familja planifikoi që trupi i tij të prehej në jug të shtetit dhe që kompania skandinave ajrore SAS të transportonte trupin.

Por në aeroportin e Oslos, arkivoli i tij u ngatërrua me atë të një burri, i cili gjithashtu kishte vdekur në Norvegji dhe që duhet të transportohej në Poloni.

Arkivoli mbërriti në këtë shtet javën e shkuar dhe pas ceremonisë mortore u vendos në mauzoleum.

Ndërkohë, familja e Frederikson u detyrua që të shtynte varrimin dhe të kontaktonte me autoritetet polake që t’i kthenin trupin e njeriut të tyre të dashur.

E pas një makthi burokratik, trupi i tij pritet që të kthehet në Norvegji këtë javë.

Familjarët e tij u shprehën të tronditur nga kjo ngjarje e rëndë. “Jemi të pikëlluar, nuk mund ta kuptojmë si mund të ketë ndodhur diçka e tillë. Kjo është një sjellje tërësisht fyese”, tha djali i të ndjerit. /b.d